Shkolla shqipe: kombëtare e laike

Lauri

Anunnak
Lufta për mbijetesën e kombit shqiptar është e pandarë nga përpjekjet plot therrori me sundimtarët e huaj dhe institucionet e tyre për të mbrojtur gjuhën, shkrimin, abetaren dhe shkollën shqipe. Që nga mesjeta, kur nisën përpjekjet për shkrimin e gjuhës shqipe deri në çeljen e shkollës së parë kombëtare në Korçë më 7 mars 1887, për shekuj e shekuj me radhë atdhetarët u përleshën me pushtuesit dhe institucionet shoviniste e obskurantiste, duke ngadhnjyer gradualisht mbi sistemet arsimore asimiluese të huaja: turke, greke, sllave, italiane apo atyre me baza fetare që ndalonin mësimin e gjuhës shqipe.

Kombi shqiptar ishte i vetmi në Perandorinë Osmane që me Dekretin e Gjylhanesë të vitit 1839 u ndalua nga e drejta e arsimimit në gjuhën amtare me pretekstin se shqiptarët nuk formonin një kombësi më vete. Sipas mendësisë shoviniste, shqiptarët myslimanë ishin të kombësisë turke, shqiptarët ortodoksë - bashkëkombas grekë dhe ata katolikë merreshin në mbrojtje nga kisha romane në lindje dhe nga Vatikani.

Si pasojë, pushtuesit e fqinjët shovinistë bashkë me institucionet e tyre ndihmëse zgjeruan rrjetin e shkollave të tyre në Shqipër. Herë në rivalitet e here duke bashkërenduar programet, ata synonin përçarjen kulturore e politike deri në asimilim të kombit shqiptar.

Prandaj lufta për shkollën kombëtare si përçuese e ndërgjegjes kombëtare dhe konsolidimin e unitetit kombëtar, pavarësisht nga përkatësia fetare, mori një karakter të thellë politik.

Synimi i rilindasve ishte: një komb, një alfabet unik, një gjuhë letrare e standardizuar për të gjithë kombin, një shkollë kombëtare. Lufta për shkollë, për alfabetin, për letërsinë shqipe synonte mbi të gjitha konsolidimin e shtetit e kombit shqiptar.

Platformën e shkollës kombëtare shqipe e shkruan me gjak, dhe e mbrojtën me jetën e tyre qindra rilindas iluministë, të cilët besonin se pa ngritje kulturore nuk mund të ketë progres politiko-social. Arsimimi shqip kaloi gradualisht nga krijimi i abetares e dhënia e shkrimit shqip në shkolla, deri në krijimin e shkollës kombëtare jo vetëm shqipe nga gjuha, por edhe ilumuniste nga përmbajtja, jo vetëm laike, por edhe masive, e përbashkët për të pasurin e të varfërin, për myslimanë e të krishterë, për djemtë e vajzat, një shkollë ku të arsimoheshin e edukoheshin qytetarë të ndërgjegjshëm, jo vetëm të ditur, por edhe atdhetarë.

Kjo platformë arsimore dritëdhënëse e rilindasve, nuk mund të mos ndeshte në një reaksion e kundërshtim të ashpërKrahas faktorëve të jashtëm, një aspekt më të vështirë paraqiste reaksioni i brendshëm obskurantist. Jo rrallë njerëzit e thjeshtë duhej të zgjidhnin midis platformës patriotike kombëtare dhe ndërgjegjes apo disiplinës klerikale, kur ato nuk pajtoheshin midis tyre.

Lëvizjen kombëtare shqiptare e akuzonin si një lëvizje antifetare, ateiste, masone, protestante, krijesë të djallit apo me ngjyrime politike si: “bolshevike”, “komuniste”, “terror i kuq”. Ajo nisi me shpifje e kërcënime, vazhdoi me mallkime dhe arriti te djegia e teksteve shqipe dhe asgjësimi i atdhetarëve.

Përpjekjet e intelektualëve me ide progresive e iluministe për shndërimin e shkollës kombëtare shqipe në laike (shkolla e ndarë nga feja) nën shembullin e vendeve të qytetëruara evropiave, u shtuan në fillim të viteve ‘30-të dhe përkohësisht u përputhën me synimet pragmatiste të pushtetit monarkist të A.Zogut.

Në krye të lëvizjes qëndronte Hilë Mosi, për pak kohë ministër i Arsimit. Me ndarjen e tij nga jeta, në Ministri të Arsimit erdhi Mirash Ivanaj, personalitet i pakorruptueshëm, erudit dhe iluminist i përmasave evropiane, që në gjurmë të Hil Mosit dhe përpjekjeve titanike të tij, kreu të ashtuquajturën “reforma Ivanaj”.

Më 14 shtator 1932 parlamenti nxori dekretligjnin për ndalimin e frekuentimit të shkollave fillore e të mesme të huaja. Shkollat profesionale italiane kaluan në varësinë e Ministrisë së Arsimit dhe u vendosën drejtorë shqiptarë.

Më 11 prill 1933, parlamenti shqiptar aprovoi përfundimisht dekretin e 14 shtatorit 1932 dhe ndryshoi nenet 206-207 të statutit të shtetit shqiptar.

Ja çfarë thotë shtypi i kohës për të:

“Organi “Leka”, maj 1933,f.168.

Një mocion i nënshkruar prej 44 deputetësh më 10 prill dhe i aprovuar në parlament ndryshoi nenet 206 dhe 207 të Statutit të Arsimit.

Neni 206: Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë janë një e drejtë e shtetit. Jepen vetëm ndër shkolla dhe institute shtetnore shkallësh të ndryshme si mbas ligjës… Shkollat private, çdo kategorije qofshin, që kan veprue deri sot, mbyllen.

Neni 207: Shkollat fetare për përgatitjen e klerit, të mbajtuna prej Komuniteteve fetare shqiptare, janë të lira dhe rregullohen me ligj…

Arsyet e këtij ndryshimi …shkollat private nuk kanë dhënë frytet që priteshin,… personeli i tyre nuk është i zhveshur prej ndjesive në kundërshtim me Statutin e parimet e edukatës kombëtare… pse rrënjosin ndjesi antibashkimtare.

Ligji u dekretua nga Mbreti më 22 prill dhe u zbatua më 25 prill.


Leka, maj 1933,f.166.

Më 25 prill në zbatim të neneve 206 e 207 të Statutit u mbyllën Gjimnazi Severjan e Gjimnazi Françeskan, Shkolla fillore Severjane, shkolla fillore Ortodokse 28 Nënduer, Normalja Stigmatine, Fillorja Françeskane e streha vorfnore e Motrave Elisabetiane…. Nxënësit u futën në shkollat fillore shtetërore dhe në Gjimnazin e Shtetit…. Bamirësinë e drejton shteti.


Leka, prill 1934 f.141-142.

Më 13 mars 1934 u përgatit ligji që gjithë personeli të ishte ekskluzivisht laik.


Situata sqarohet nga artikulli i Gazetës “Rilindja” Nr.15,1935,f.12 me titull: “Kur atakohet Ivanaj”. Dokumentet e kohës sqarojnë:

Kleri katolik i prekur rëndë në interesat e veta protestoi deri në Lidhjen e Kombeve duke patur mbështetjen e Romës, e cila gjatë viteve 1933-1936 zhvilloi një veprimtari të dendur diplomatike dhe agjenturale në mbrojtje të shkollave klerikale… “Këto vatra të gjuhës dhe kulturës italiane”, sipas thënies së Musolinit.

Panorama. - Nr. 276, 12 korrik, 2003, f. 12 - 13
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top