Sekularizmi, laicizmi dhe shteti i Kosovës

Kosovari

Koha
Sekularizmi, laicizmi dhe shteti i Kosovës

Abdullah Rexhepi

Përvoja e dekadave të fundit dëshmoi se shoqëria shqiptare nuk qe e suksesshme në shkrirjen e ideologjive dhe doktrinave të importuara nga jashtë. Kur i hedhim një vështrim të kaluarës sonë në shekullin e kaluar, vërejmë se inteligjencia shqiptare në të shumtën e rasteve ka pranuar ideologji dhe mendime nga të tjerët dhe është munduar t'i injektojë ato në shoqëri, pa i studiuar mirë dhe pa bërë as përshtatjen më të vogël me traditat e vendit.

Ky dorëzim absolut përballë shablloneve të importuara, për mendimin tim, ose ishte si pasoj e mosnjohjes së realiteteve të shoqërisë shqiptare, ose mos pranimi dhe refuzimi i këtyre realiteteve. Një gjë të këtillë shoqëria shqiptare e përjetoi me marksist-leninizmin, ku në Shqipëri rezultoi me një regjim diktatorial, kurse në Kosovë patëm vetëm një përkthim të komunizmit jugosllav. Aktualisht po ndodhë e njëjta gjë edhe me liberal – demokracinë, sekularizimin dhe laicizmin. Nëse një ideologji ka patur sukses në një vend tjetër të botës, intelektualët tanë, pa menduar fare për rrethanat dhe shkaqet e lindjes së asaj ideologjie në atë vend, janë përpjekur të njëjtën t'ia imponojnë edhe shoqërisë shqiptare. Ky realitet bëhet edhe më i hidhur kur kuptojmë se këta intelektualë u janë nënshtruar e po i nënshtrohen vetëm ideologjive, të cilat për momentin kanë një pozitë sunduese në botë. Tani kemi shumë intelektualë të cilët deri dje me këmbëngulje kanë mbrojtur marksizmin – leninizmin, kurse sot të njëjtit po me atë radikalizëm shtirren si liberal-demokratë, dhe nga goja nuk heqin terminologjinë e kësaj ideologjie. Mos njohja e traditës, kulturës dhe fesë së shqiptarëve nga inteligjencia shqiptare apo injorimi i tyre, sidomos fesë, rezultoi me pasoja shumë të rënda, të cilat po na traumatizojnë edhe sot e kësaj dite. Mendimtarët shqiptarë jo vetëm që nuk kanë studiuar dhe njohur (nuk po them të kenë besuar) fenë islame, por atë e kanë prezantuar si diçka të huaj, madje në shumë raste edhe si fe të armikut. Prandaj dhe duke u bazuar në këtë realitet mund të konkludojmë se inteligjencia jonë nuk ishte e njohur me faktorët kryesorë që përbënin shoqërinë shqiptare dhe ky ishte shkaku kryesor pse ideologjitë e huaja nuk arritën të përshtateshin me popullin shqiptar dhe pse ky popull qe viktimë e shekullit 20. Intelektualët shqiptarë u mjaftuan vetëm të jenë përkthyes të ideologjive dhe doktrinave të huaja. E njëjta po vazhdon edhe sot.

Në shoqërinë tonë gjithashtu mungon debati i mirëfilltë publik në lidhje me problemet dhe fenomenet që preokupojnë qytetarët. Disa persona të caktuar atje lartëmarrin vendime dhe miratojnë ligje, pa u konsultuar fare me shoqërinë civile, e cila përfiton apo pëson nga ato vendime dhe ligje. Ky është një mentalitet i pastër i Jakobinëve. Jakobini i lejon vetes të përcaktojë 'atë që do dhe ka nevojë' masa. Por nëse masës nuk i pëlqen apo ajo reagon ndaj 'mendimeve dhe vendimeve të drejta' të Jakobinëve, ata refuzojnë masën, madje mund të përdorin edhe forcën kundër saj. Sipas një mentaliteti të këtillë, ta bësh popullin të lumtur, domethënë ke tradhtuar qëllimet dhe idealet.
Evropa në mesjetë u përballë me luftëra të përgjakshme fetare. Kur kisha despotike po digjte dhe vriste çdo kënd që nuk iu nënshtrohej mësimeve dhe predikimeve të saj, lindën reformatorë si Luther dhe Calvin, të cilët kërkuan marrjen e pushtetit nga dora e klerit katolik. Prandaj dhe protestantët bashkë me intelektualët iluministë në këto rrethana këmbëngulën në pavarësimin e shtetit nga kisha. Evropianët për të shpëtuar nga despotizmi i klerit katolik u detyruan të kthehen në mendimin dhe filozofinë e Greqisë së lashtë.
Në vazhdim do t'i paraqes disa koncepte mbi teoritë e sekularizmit dhe laicizmit.
Sekularizmi: Sekularizmi është ndër diskurset më të nxehta të periudhës moderne në Evropë i cili më së shumti është trajtuar në rrafshet si teologji (krishtere) politike, filozofi, sociologji dhe në historinë e mendimit. Fjala sekularizëm (lat. Saeculum, fr. Siecle) ka kuptimin e shekullit, periudhës njëqind vjeçare. Pra me sekularizmin (shekullarizim) kuptojmë përshtatje me shekullin dhe me kohën në të cilën jemi duke jetuar, pra me këtë botë apo adaptim me kohën aktuale dhe me këtë dynja. Për shekullarizimin u fillua të flitet në periudhën e Rilindjes Evropiane nga lëvizja e 'reformimit' të fesë dhe 'protestës' ndaj Kishës Romake, dmth. rrënjët e kësaj mund t'i gjejmë në iluminizmin modern. Rol të madh në daljen në pah të shekullarizimit ka luajtur Martin Luther dhe protestantizmi, kurse modeli dhe qendra e shekullarizimit ishte Gjermania, ku më pas u plasua edhe në Francë, Spanjë, Angli, madje edhe në Rusi. Termi sekularizëm përdoret në koncepte të ndryshme në teologjinë krishtere, filozofi, sociologji dhe politikë.
Sekularizmi teologjik (krishter)
Sekularizmi në teologjinë krishtere nënkupton ndryshimin apo reformimin e marrëdhënieve të fesë me këtë botë. Reformimi i qasjes fetare (kishtare) ndaj çështjeve shoqërore, shtetërore apo në përgjithësi ndaj udhëheqjes së shtetit, gjithnjë duke patur parasysh nevojat dhe kërkesat e kësaj bote. Kuptimi tjetër është procesi i braktisjes së postit dhe përgjegjësive të kishës nga pjesëtarët e emërimit të krishterë dhe kthimin e tyre në shekull, në jetën tokësore, jo të shenjtë. Pra këtu kemi sekularizimin e një fenomeni që konsiderohet i shenjtë. Një kuptim tjetër i sekularizimit është edhe transferimi apo shitja e pronave të kishës. Kështu që prona e Kishës së Zotit i dhurohet kësaj bote, shekullit. Si shembull mund të paraqesim shitjen e pronave të kishës katolike princërve gjermanë në shekujt 18 dhe 19, të cilët ishin konvertuar në protestantë. Gjithashtu kemi edhe shndërrimin e objekteve te Kishës dhe vet kishave në shkolla dhe spitale. Thënë me një fjalë, reformimi i teologjisë e cila beson dhe respekton pavarësinë e shtetit nga diktati i fesë dhe klerit. Në Evropën perëndimore një reformim i tillë se pari është hasur te protestantët, kurse kisha katolike shumë vonë i bashkohet procesit të sekularizimit. Këtu duhet theksuar se islami është një fe e kësaj bote dhe botës tjetër dhe asnjëherë nuk është ndjerë nevoja e sekularizimit të kësaj feje. Islami është fe edhe e shekullit edhe e botës tjetër.
Sekularizimi filozofik
Në retorikën e racionalizmit të inspiruar nga iluminizmi evropian, sekularizmi nënkuptohet si 'largim nga magjia' (Max Weber), 'pjekuria e njeriut' (Immanuel Kant) dhe 'botëkuptimi i tokësores' së (Friedrich Hegel). Thënë ndryshe me sekularizimin filozofik perceptohet lirimi i njeriut nga çdo varësi e preokupim i fesë, magjisë dhe besëtytnisë apo shporrje e çdo gjëje që krijon dhimbje dhe ankth. Këtu kritikohet feja dhe diktati i kishës gjithnjë duke u mbështetur në racionalizëm dhe shkencë, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së destabilizuar të botës. Sekularizmi filozofik i bazuar në racionalizëm të plotë është mohues i fesë, i botës tjetër dhe i çdo ndjenje shpirtërore që buron nga feja. Unë si musliman nuk mund ta pranoj një sekularizëm të tillë filozofik, sepse me këtë kuptoj tëhuajsimin e vetëdijshëm të fesë nga jeta e përditshme e njeriut. ثshtë e vërtetë kur thonë disa se sekularizmi nuk është kundër fesë, për arsye se ky lloj sekularizëm zë vendin e fesë dhe është një rival i pashpirt i fesë. Sot në perëndim ky lloj sekularizimi është më i diskutueshëm nga të tjerët, madje shumë teologë të krishterë e mohojnë atë. Ata janë të mendimit se sekularizmi filozofik ka ndikuar që shoqëria evropiane të distancohet nga feja.
Sekularizmi socio-politik
Me këtë sekularizëm nënkuptojmë procesin e ndryshimit gradual dhe koordinimin e fesë (organit të kishës) shtetit dhe shoqërisë civile për realizimin e kërkesave dhe nevojave të kohës. Këtu nuk kemi ndarje të shtetit dhe politikës nga feja, por dhënien fund të pushtetit të klerit. Një sekularizëm të tillë mund ta hasim në shtetet me shumicë protestante. Në vendet si Britani dhe Danimarkë sot kemi fe zyrtare. Mbretëresha e Britanisë si kryesuese e shtetit është edhe kryetare e Kishës Anglicane. I njëjti realitet ekziston edhe në Danimarkë, ku sekti i Luterit ndodhet nën udhëheqjen e mbretërisë.
Laicizmi: Fjala laicizëm (lat. Laikos apo Laicus, fr. Laic apo Laique) domethënë ajo që i përket popullit, që rrjedh nga populli, gjë e përbashkët apo e përgjithshme, jashtë organeve zyrtare dhe administrative, jo qeveritare, civile (jo ushtarake), etj.. Për herë të parë fjala laicitet në konotacionin e 'mos ndërhyrjes së shtetit në punët e fesë dhe kishës', 'ndarjes së shtetit nga feja dhe kisha' dhe 'siguria e lirive fetare të qytetarëve' është përdorur në Francë (pas vitit 1870), në kuadër të aktiviteteve civile, politike dhe parlamentare. Premisat e laicizmit në përgjithësi mund t'i përkufizojmë si më poshtë:
- Laicizmi liron njeriun fuqia, organet kompetente të shoqërisë nuk i lejon të ushtrojnë dhunë ndaj njeri tjetrit dhe siguroni bashkëpunimin e plotë të këtyre organeve në të mirë të qytetarëve dhe vendit.
- Në laicizëm detyra e shtetit është vendosja e tolerancës, bashkëjetesës dhe miqësisë në mes besimeve fetare dhe jo fetare.
- Laicizmi synon eliminimin e plotë të çfarëdo dhune.
- Laicizmi ndalon diskriminimin fetar, etnik dhe gjinor dhe diskriminimet mbizotëruese në marrëdhëniet midis institucioneve të shoqërisë. Ai siguron barazinë ndaj ligjit, barazinë në arsim, në punësim dhe në shprehjen e bindjeve fetare, kombëtare, kulturore, etj..
- Laicizmi transparon qarqet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shoqërisë dhe aktivitetet në këto rrafshe.
- Laicizmi nuk përkrahë asnjë fe, komb apo parti politike dhe as nuk ndalon manifestimin e tyre në shoqëri.
Pra laicizmi është një proces socio-politik që rregullon lidhjet mes shtetit dhe institucionit të fesë si dy organe të pavarura nga njëri tjetri dhe përballë këtyre mbron lirinë e manifestimit të bindjeve të qytetarit.
Në shumë raste haset në ngatërrimin e sekularizimit me laicizmin, ku në vend të laicizmit përdoret sekularizmi dhe anasjelltas. Në të shumtën e rasteve me sekularizëm kuptohet ndarja e shtetit nga feja, por në realitet, në sekularizëm kemi të bëjmë më shumë me shtetin, shoqërinë civile dhe institucionin e fesë, të cilat në bashkëpunim të plotë dhe duke ndihmuar njëra tjetrën ecin drejt reformimit, ndryshimit, modernizimit apo dhënë shkurtë drejt përshtatjes me shekullin. Një botëkuptim të këtillë të sekularizmit politik e kemi në Angli, Amerikë, Danimarkë, shtete me shumicë protestante. (American Theocracy, Kevin Phillips, Viking Penguin, 2006) Kurse laicizmi, veçanërisht ai francez, nënkupton ndarjen e shtetit nga organi i fesë, por jo edhe fenë nga politika dhe shoqëria. Të mos harrojmë se kemi parti të mëdha krishtere në Evropë të cilat janë nën influencën e kishave. Por me laicizëm ndalohet
të ketë 'fe shtetërore' dhe 'shtet fetar'. Prandaj mund të thuhet se laicizmi i vërtetë arriti të instalohet i plotë vetëm në Francë, kurse vet 'logjika e laicizmit' depërtoi në shtetet katolike të Evropës perëndimore si Belgjikë, Spanjë, Portugali dhe në Itali. (The Rise and Decline of Western Liberalism, Anthony Arblaster) Një laicizëm radikal francez i periudhës së kryeministrit Emile Combes e huazoi themeluesi i Turqisë moderne, Kemal Ataturku. Më pastaj, megjithëse francezët rishikuan laicizmin e tyre, por në Turqi kjo është u shndërrua në ideologji për të shtypur besimtarët muslimanë.
Gjykoj se laicizmi francez është militant dhe nuk duhet huazuar si mostër për shtetin e Kosovës. Në kohën kur Franca kishte një popullsi relativisht të pastër me francezë autoktonë dhe nuk ndjente rrezik nga kulturat, fetë dhe identitet tjera, me laicizmin e saj kërkonte që vetëm shteti dhe shkolla të jenë të pavarura, por me rritjen e numrit të muslimanëve në këtë shtet, laicizmi francez kaloi në militantizëm dhe tani kërkoi edhe nxënësi të jetë i pavarur në bindjet e tij fetare. Për atë dhe institucionet e Kosovës sa herë që huazojnë dhe zbatojnë ndonjë standard nga ndonjë vend tjetër do të ishte mirë që të kenë parasysh popullin e saj në rend të parë, sepse shteti duhet të sigurojë lumturinë dhe mirëqenien e tij e jo për hir të një trendi ndërkombëtar të shkelë të drejtat e qytetarëve. Të jeni të sigurt se madje asnjë besimtar mysliman nuk pretendon rrëzimin e sistemit laik të Republikës së Kosovës. Por ata duan të respektohen sikur çdo qytetar tjetër i rëndomtë i këtij vendi.
 
Pe: Sekularizmi, laicizmi dhe shteti i Kosovës

Po mire le te ecim kunder rrymes atehere ta bejme kosoven shtet teokratik, meqe Rexhepi e paska me frike instalimin e sekularizmit... boh
 
Titulli: Sekularizmi, laicizmi dhe shteti i Kosovës

Qysh ne kohen e ilirve,,ata e dinin se shakaja esht nje nga kapacitetet profetike,,dhe e quajten ate hunde.

por kan patur edhe nje ide persa i perket europes se brendeshme shembulli me i mire edhe per sot.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top