LeVoyageur
RDM 33 NSOE

Shqipëria nuk i ka numëruar kurrë anëtarët e minoritetit rom me përjashtim të vetëdeklarimit të vitit 2011. Qeveria shqiptare në strategjinë për përmirësimin e kushteve të minoritetit rom, miratuar në vitin 2003, citoi burime të ndryshme për të vlerësuar popullatën rome mes 60 mijë dhe 120 mijë vetë.
Por censusi i vitit 2011 identifikoi gjithsej vetëm 8,301 romë në të gjithë vendin.
Mendohet se romët janë vendosur në Shqipëri në shekullin e 13-14, të ardhur nga Turqia dhe vende fqinje Greqia e Serbia, ku kishin emigruar më parë nga zona që sot i përkasin Indisë veriore dhe Pakistanit lindor.
Në Shqipëri jetojnë kryesisht pasardhës nga 5 fise të përhapur romësh: Meçkarët (fisi më i madh dhe më i vjetër), të cilët jetojnë në qytetet e Tiranës, Durrësit, Lushnjes, Fierit dhe Vlorës dhe janë marrë tradicionalisht me bujqësi.
Janë Çergarët, të ardhur nga dy drejtime, nga Maqedonia e sotme, të cilët në fillim u vendosën në qytetin e Korçës dhe më vonë dhe deri më sot shumicën e tyre i gjejmë në qytetin e Peqinit; dhe tjetri nga Mali i Zi dhe Serbia të cilët u vendosën në zonën e Shkodrës rreth vitit 1920. Janë marrë me tregtinë e kuajve, dhe krijimin e prodhimeve artizanale, si p.sh. kazanë rakie, ibrikë bakri, sita, që më pas i shisnin në fshatrat përqark.
Fisi i Arlinjve që emigruan nga Turqia për në Greqi, dhe më pas në Shqipëri, gjatë 1920. Fillimisht të vendosur në qytetin e Korçës, ata më vonë migruan në Pogradec, Elbasan, Durrës, Tiranë dhe Fushë-Krujë. Ata kryesisht ishin tregtarë të vegjël.
Bamillët, fis i cili ka ardhur së bashku me çamët. Ata i gjejmë sot në qytetin e Gjirokastrës, pjesërisht në Levan dhe Fshatin Rom të Fierit. Shumica e familjeve bamille, shquhen për trashëgiminë muzikore.
Kurtofët erdhën në qytetin e Fierit rreth 60 vjet më parë nga territori i Maqedonisë së sotme.
Gazeta Dita