"Rrno vetëm për me tregue"

Lauri

Anunnak
DOKET E VJETRA

Në ketë kohë ndodhi që u hoq ai instruktori i partisë që ishte nga Shkodra dhe me atë detyrë erdh Muç Hajdari prej Koplikut. U fol se ishte dorë e fortë e se partia e kishte prû për me shtrue për dhé Dukagjinin katolik.
IMG_20230321_132514.jpg
Në të vërtetë, Dukagjini kish ndrrue pak, ose aspak, nga kohët e vjetra.
Pa dyshim, mund thohet se i vetmi ndryshim gjatë kohës së partisë ishte se, në vend të 15 fretënve që dikur bâjshin shërbimin fetar, tash ishim vetëm katër. Gjithashtu "bajraktarët" ishin xavendsue nga disa tjerë, që thirreshin "sekretarë organizatash bazë", por po me ato kompetenca ose mâ shumë, mjerisht tepër të paaftë e shumë mâ t'urrejtun prej popullit.

Dukagjini ndodhej në nji gjendje të mjerueme: pá rrugë, pá tregti, pá rrjet telefoni, pá korrent elektrik, pá ujë.
I vetmi përparim ishte te vorfnia, që thyente rekordet botnore. Ato pak shkolla ishin krejt formale, bilè mjaft të damshme, sepse kultivojshin terr e çthurje morale, sepse arsimtarët e kishin për detyrë me i pvetë fëmijët e pafaj se shka bajshin prindët e tyne. Gjithashtu u mësojshin parullën e parullave: "Parti, Enver, jemi gati kurdoher!". Pra, vetem spijunllek.
Vetë pushtetarët lokalë të komunizmit veprojshin aq simbas dokeve të vjetra, sa edhe me praktikën komuniste.
Me fjalë tjera, ishte nji çorbë e pakrypë dhe e pá shije, tepër e vështirë me u gëlltitë.

Muç Hajdari me zell të madh zbatoi vijën e partisë që kish shpallë "vitin e kursimit".
Më duhet me ju tregue se, mjerisht, gjatë pothuej pesëdhetë vjetve të pushtetit komunist, nuk u shpall kurrnji "vit mirëqenieje", "vit begatije" ose "bolleku", por pa përjashtim të gjitha kjenë "vite kursimi", që po ta përkthejmë shqip dun me thanë: vite zije e mjerimi. Partia kërkonte se ku mund gjente nji burim kursimi në Dukagjinin katolik, që figuronte "nën kufinin e mizerjes". Ç'donte partia aty? Vetëm me nxjerrë dhjamë prej pleshtit?...Kështu thotë nji shprehje e jona popullore.

Muç Hajdari, me anë të mbledhjeve e stërmbledhjeve provokuese, gjithkund të përsërituna nëpër Dukagjinin e terrorizuem, ia duel me vû nji "sund" ose, siç e thirrshin ata mâ të vjetrit, "usulli", nëpërmjet të cilit këto mbledhje popullore, të gjitha nji zani, kishin vendosë me hjekë "gjamët" edhe "festat fetare", kinse të dyja me shpenzime të mëdha në Dukagjin. Sa për "festat fetare", due me u spjegue se në Dukagjin ishte nji zakon mjaft i vjetër që çdo fis ose katund kremtonte nji herë në vjetë nji ditë të veçantë, që thirrej me emnin e ndonji Shëjtit, si për shembull: Shala Shënjonin e Shoshi Shëqurkun. Atê natë ndezëshin qirin, piqshin ferlikun e mblidheshin miq, bija, nipa e mbesa e rakija e vena derdheshin lume. Kremtohej 3-4 ditë e miqtë shetitshin pothuej shpi për shpi. Këto thirreshin "festa fetare", pamëvarsisht se ndër ato ditë nuk i shkonte kuj ndër mend me shkue te kisha; ishin kryesisht ditë takimesh të padishrueshme prej komunistave.

Sa për ndalimin e "gjamës", në ketë rasë partia luftonte, ose mâ mirë me thanë zhdukte doken må të vjetër, pá dyshim parahistorike. Gjama zhvillohej kur vdiste nji njeri: burrë ose grue, plak ose fëmi, nuk kishte asnji dallim; vdekja kje për të gjithë e barabartë: zhdukja e nji jete.

Ndërsa u gjindshem në Kir, te kolegu im Át Sebastjan Dedaj, njeri shumë praktik e pak mâ i vjetër se un, siç ishim tue ndejë bashkë n'oborr të kishës, qe se ndigjohet nji zâ i thekshem: kumt i vdekjes.

- Ndigjo, - më tha kolegu, - nuk ke si kthen në Shosh: nesër mbrama këtu do gjindemi para njaj ngjarje së madhe asht vdekja e parë mbas shpalljes së "sundit". Të shofim ç'do të bahet.
Mrikë Kacelja, që diq, ishte bijë e Prekalit e ndoshta prekalorët nuk do t'i shtrohen "sundit".

Ishte doke, tepër e vjetër edhe kjo, që fill mbas vdekjes kufomës i hiqeshin përmbrendësat (zorrë e mëlçi etj.) nga nji burrë i specializuem dhe pregatitej i dekuni për ta ekspozue në nji log para shtëpisë. Plaka kishte dekë në moshën 76-vjeçare, por kufoma mbante gjithnji bukuri mbas pregatitjes. Shtëpia e saj ishte aty, nja 10 minuta afër kishës së Kirit.

Njaty kah ora pesë e mbasdites malet shungulluen në largsi nga nji gjamë burrash: "I mjeri û për ty, o vllaaa!"
Tri herësh u përsërit gjama e gjithkush tha me vedi: po vjen Prekali e paskan hî në Kir. Mbas nja nji gjysmë ore, malet jehuen gjamën tjetër, shumë mâ të fortë e të rrebtë. Tri herësh persëri ushtoi
"I mjeri û për ty, vllaaa!" Mandej rá nji heshtje e thellë, që priste dishka. Mendojshem me vedi: Kanuni ynë i maleve âsht me të vërtetë i çuditshëm. Në pamjen e parë duket nji ligjë e eger, barbare njilloj si kodi i Hamurabit, e para ligjë e shkrueme që njef njerëzimi.
Por, po u thellove në tê, gjen aty nji botëkuptim aq njerëzor, sa nuk besohet: sot keta e thrrasin "vlla" motrën e vet të dekun. Kjo gjuha e jonë, në lashtësinë e saj, gruen e thirrte "e shoqja e filanit" e jo "grueja e filanit". Pra, koncepti i barazisë në Kanunin primitiv të Maleve tona ishte mâ i saktë se ky i ligjëve moderne. Fjalët e gjamës në Dukagjin ishin vetëm dy: "vlla" ose "mik" e nuk pranonte tjera.

Ndërkaq na të dy fretënt u ulëm aty poshtë te shtëpija që kishte mortin. Autoritetet shtetnore e partiake të Dukagjinit ishin të gjithë aty, t'acaruem për me imponue mbajtjen e "sundit". Na dy fretënt u avitëm te kufoma e shtrime aty në mes të livadhit; vajtojset rreth saj e ndalën vajtimin e na i dhamë bekimin e fundit. N'atë çast toka se ç'u trondit. Në krye të livadhit, tue ecë me nji ritëm të veçantë, shungullonte truelli për nën kambë. Ishin rreth katërdhetë burra, e pothuej aq gra mbas tyne, të gjitha të veshuna në të zi e kishin të ngarkueme në shpinë ka nji bukë kallamoqe e nji dorcë djathë. Qeleshet e bardha në krye jepshin gjasimin e maleve të nalta me borë. Nji vigan burri, në mes të rreshtit të parë, hoq qeleshen prej kreje dhe e shtini në gojë.

Instruktori i partisë, Muç Hajdari, u duel para në mes të livadhit tue britë si i tërbuem: "Ndaloni! Ndaloni! Shikò! Dukagjini, simbas mësimeve të Partisë, ka vû sund..." Por, ende pa i krye fjalët,
ai burri me kapuç në gojë i bani shêj me dorë që të lironte rrugën dhe menjiherë, kur ai çoi dorën nalt, u dha gjama e madhe: "I mjeri û për ty, o vllaaa! ûûû!" Dhe, tue rrahë gjokset me grushta e tokën me hapa sulmi, u Ishuen turr përpara. Muç Hajdari nuk mund i priti, por duel m'anësh e, tue turfullue, u largue vrik me gjithë çetën e vet pushtetare. Ndërsa në mjedis të livadhit burrat filluen gjamën e dytë: "I mjeri û për ty, o vllaaa!! úúú!!"

Sa mbaruen britmat e gjamës së dytë, ata me nji hap ritmik të veçantë, të shoqnuem me lëvizje të posaçme duersh, ecën derisa xunë vend nja shtatë hapa larg vigut të dekës. Ndërkaq gratë, që deri atëherë vajtojshin rreth të dekunit, heshtën dhe u larguen. Kur burrat mbrrijtën nja shtatë hapa larg, u ndalën dhe lëshuen gjamën e fundit, atë må të tmerrshmen, gjithmonë me të njajtat fjalë: "I mjeri û për ty, o vllaaa!!! úúú!!!" Rrahshin gjokset me grushta, të gjithë me nji ritëm e me thojët e duerve lënduershin tamthet e veta, të gjithë përnjiherësh, ndërsa gratë e veshuna në të zeza, nja disa hapa mbas tyne, lëshojshin nji kujë të thekëshme plot trishtim, që i bante jehonë gjamës së burrave. Disa herë u përsërit ky ceremonial i përfrigueshëm dhe atëherë të gjithë me turr u Ishuen në nji gjû rreth vigut të dekës e ranë përmbys tue britë e vajtue, ashtu të lamë në gjak e me kapuça të hjekun. Sikur më therin gjithnji veshtë ato "ho-ho-ho-ho-ho" të vazhdueshme të burrave që përloteshin aty, ndarsa gratë vajtojshin thekshëm me "ha-ha-ha-ha-ha". Dikuer mbaronte gjama e burrave dhe, aty për aty,
e rethojshin gratë, tue vazhdue vajen mâ të trishtë.

Jo, na aty nuk ishim mâ në shekullin e njizetë! Shqiptari jetonte çastet mâ të vjetra të njerëzimit. Kurrë nuk e kam pá vdekjen ose shuemjen e jetës mâ të madhe se atëherë, ndër ato çaste: Mrikë Kacelja e Prekalit kje shtî në vorr në dhè të Kirit me mâ shumë madhshti se Hektori i Trojës tek Iliada e Homerit. Funeralet e lulzueme e shkëlqimtare të njerëzve të mëdhaj të kohës së sotme nuk mund i aviten kurrkund asaj madhështie që tundte malet.

Kje gjama e fundit në Dukagjin: dita e fundit e epikës së shqiptarëve.
Sot ato doke nuk i kupton kurrkush mâ.

At Zef Pllumi.
"Rrno vetëm për me tregue"
 
Do e lexoj pas të mbaroj "Histori kurrë e shkrueme".
Më bën përshtypje gjuha e përdorur, shembull "Françeskanët e Mëdhaj"
 
Do e lexoj pas të mbaroj "Histori kurrë e shkrueme".
Më bën përshtypje gjuha e përdorur, shembull "Françeskanët e Mëdhaj"
Urdhri i fançeskanve në Shqipëri i ka rrënjët që në zanafillën e këti urdhri. Në Lezhë, që një nga viti ~1200
Është akoma sot ajo kishë, tek mbikalimi i hekurudhës në dalje të qytetit për Shkodër.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top