
Raporti i Bankës Botërore
Pesëmbëdhjetë vjeçarët shqiptarë nuk kuptojnë atë që lexojnë
Rreth 57% e gjimnazistëve në vend nuk kuptojnë asgjë nga ato që lexojnë në tekstet shkollore. Ky është alarmi që ngrihet në raportin e fundit të Bankës Botërore, që konstaton se adoleshentët shqiptarë, duke mos përvetësuar minimumin e njohurive që ofrohen në librat shkollorë, po keqarsimohen.
Duke iu referuar raportit të BB-së, rezulton se 57% e 15-vjeçarëve nuk kanë aftësinë për të kuptuar leximin, jo më për të zbatuar në praktikë njohuritë e marra gjatë viteve të shkollës së mesme, që konsiderohet me ligj si arsimi bazë.
Sipas studimit, kjo shifër tronditëse raporton se të rinjtë shqiptarë janë analfabetë funksionalë me plot kuptimin e fjalës. Këto të dhëna tregojnë edhe për orët e pakta që nxënësit e shkollave të mesme i kushtojnë mësimit. Mirëpo, përveç kësaj, rezulton se edhe ata që janë të devotshëm dhe që ulen të lexojnë, pavarësisht kohës që i kushtojnë, kanë vështirësi për të kuptuar atë që parashikon një temë e caktuar. E thënë ndryshe, këta janë persona që dinë të lexojnë, por që nuk kuptojnë se çfarë kanë lexuar.
Studimi
Rezultatet e raportit që bazohet në testet e Pizës, tregojnë se kjo është një nga normat më të larta të analfabetizmit funksional të regjistruar në të gjithë rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore. Shifër që e rendit vendin tonë të katërtën në listë, duke lënë pas vetëm tri vende, Kirgistanin, Azerbajxhanin dhe Kazakistanin. Sipas të dhënave në Ballkan, Shqipëria mban rekordin më negativ në raport me shtetet e tjera.
Shifrat tregojnë se arsimi në Shqipëri është i keqfinancuar në raport me vendet e tjera, të paktën në pjesën publike. Në vitin 2010, fondet e buxhetit për arsimin ndaj prodhimit kombëtar ishin gati dy herë më pak se mesatarja e Bashkimit Europian, ndërkohë që vitet e fundit, sistemi arsimor është përballur me ndryshime të panumërta ligjore, të cilat shpesh përmbysin njëra-tjetrën.
Mirëpo, pavarësisht shkaqeve që nxisin analfabetizmin, që duket se në Shqipëri jo vetëm që nuk po minimizohet, përkundrazi po lulëzon, rezultatet e raportit theksojnë se pasojat në këtë rast nuk janë vetëm sociale, por sidomos ekonomike. Kështu, përveç kostos së madhe sociale që nxit fenomeni i analfabetizmit, efektet negative në ekonominë e vendit janë edhe më të mëdha.
Kjo, për shkak se pjesa më e madhe e të rinjve të paarsimuar kanë shumë më pak mundësi të gjejnë një vend pune dhe përveç se nuk kontribuojnë në rritjen ekonomike, shndërrohen në barrë për buxhetin e shtetit. Në kushtet e një tregu pune, gjithmonë e më shumë konkurrues, ku teknologjia përparon me hapa gjigantë, kostot e keqarsimit janë edhe më të larta.
Mangësitë
Nxënësit shqiptarë, në testime të standardizuara ndërkombëtare, arrijnë nivel të ulët të rezultateve për sa u takon aftësive dhe njohurive, kryesisht në matematikë, por edhe në shkencat e tjera.
Shkak ky që ndikon automatikisht në nivelin e të ardhurave që Shqipëria shpenzon për arsimin. Të dhënat zbardhen në raportin e Bankës Botërore për vitin 2011. Sipas Bankës Botërore, një listë e gjatë arsyesh fshihen pas arritjeve të këtyre rezultateve të dobëta dhe nivelit të ulët të përthithjes së informacionit në shkencat ekzakte. Rezultatet nga shpenzimet e pakta të Shqipërisë për arsimin duken qartë përmes krahasimeve mes vendeve, në lidhje me rezultatet shkollore. “Një shqyrtim i kohëve të fundit, i aftësive njohëse duke përdorur rezultatet e nxënësve në teste të standardizuara të krahasueshme në nivel ndërkombëtar, zbuloi se Shqipëria kishte vlerësimin më të ulët për aftësitë njohëse dhe se vetëm 40% e nxënësve i kishin arritur njohuritë bazë në matematikë dhe shkencë”, parashikohet në raportin e Bankës Botërore, për vitin 2011. /Gazeta-Shqip
Shpresa Mezini