Roli i prindërve në zhvillimin dhe promovimin e vetëvlerësimit te fëmijët

Vetëvlerësimi, apo gjykimi real për karakteristikat personale, duhet të fillojë qysh në fëmijërinë e hershme, pasi qysh atëherë duhen vendosur baza të qëndrueshme për t’u shndërruar në shprehi të përhershme individuale dhe për të qenë i suksesshëm në jetë.

“Vlerësimi i ulët për vetën është si të drejtosh makinën me dorë të thyer”


Megjithëse vetëbesimi dhe vetëvlerësimi duken të ngjashme, duke iu referuar asaj se si ndjehemi për veten tonë, ato janë dy koncepte shumë të ndryshme.

Vetëbesimi lidhet me atë se si ndjehemi për aftësitë tona dhe sa të aftë e shohim veten të bëjmë gjëra të caktuara ose të trajtojmë situata të ndryshme.

Vetëvlerësimi i referohet asaj se si ne ndjehemi për veten tonë: sa na pëlqen apo e duam veten, dhe imazhi i përgjithshëm që kemi për atë se kush jemi, pozitiv apo negativ. Hulumtimet kanë treguar se vetëvlerësimi formohet nga përvojat tona dhe mjedisi ku rritemi, nga anëtarët e familjes, shkolla dhe komuniteti ynë.

Pra, vetëvlerësimi apo vlerësimi i vetes (autostima) do të thotë se si ne i referohemi vetes, se si mendojmë dhe ndihemi për vete. Ajo shprehë mënyrën si ndihemi dhe me të cilën shprehim vetveten në terma specifik: i lumtur, krenar, besimtar, shpresues, i turpshëm, i fajshëm, ziliqar, mendjemadh, i plogësht, i brishtë, i ndrojtur, pesimist, optimist, i fortë, eksplorues etj. Kjo lidhet me pranimin e përgjithshëm të vetes, me shkallën me të cilën ne ndjejmë se jemi njeri me vlerë.

Në qoftë se kemi vetëvlerësim të lartë, atëherë ne respektojmë, pranojmë dhe vlerësojmë pozitivisht veten tonë.

Në te kundërtën, kur vetëvlerësimi është i ulët, ne priremi të hedhim poshtë, poshtërojmë, ulim dhe vlerësojmë negativisht veten.

Të ndjerit mirë me veten është e rëndësishme, pasi të jep një ndjenjë kontrolli mbi jetën, të ndihmon të ndihesh i vetëkënaqur në marrëdhënie me të tjerët, të jep siguri dhe forcë mbi veprimet dhe sjelljet e kryera.


Në anën tjetër qëndron të ndjerit keq me veten, çka do të thotë, mungesë e theksuar e vetëvlerësimit, performancë e ulët, mungesë lumturie, mungesë dëshire, mungesë komunikimi, mungesë vullneti, dëshire dhe besimi.

Në jetën e përditshme na ndodhë të njohim persona me tipare të tilla dhe jo në pak raste ata bëhen pengesë për arritje të ndryshme, qoftë këto individuale apo në grup.

Rëndësia e vetëvlerësimit (autostima)

Vetëvlerësimi ka një rëndësi themelore për jetën psikologjike të individit. Kur ai është pozitiv dhe i lartë reflekton mirëqenie, lumturi, shëndet, suksese dhe përshtatje shumë shpejtë me çdo gjë të re, ndërsa, personat që kanë vetëvlerësim të ulët ose negativ e shikojnë veten me pamje negative. Në përgjithësi ata janë ankthioz, sëmuren shumë shpesh, vazhdimisht janë me gjendje gripale, të depresuar, pesimist për të ardhmen dhe të drejtuar drejt humbjes e dështimit.

Për më shumë, vetëvlerësimi i ulët shprehet në dy mënyra: si zhvlerësim dhe si mbivlerësim i vetes. Në polin e parë, d.m.th zhvlerësimin e vetes, individi sheh vetëm defektet e tij, në të dytin, në mbivlerësim, individi sheh vetëm cilësitë pozitive, kushte që nuk favorizojnë absolutisht mirëqenien psikologjike të unit, sepse nuk ndihmojnë në leximin korrekt të realitetit.

Zhvillimi i vetëvlerësimit (autostimës)

Vetëvlerësimi i një personi fillon zhvillimin e saj që në vitet e para të jetës. Fëmija fillimisht zotëron një vetëvlerësim jo specifik, por një vetëvlerësim të reflektuar nga tipologjia e raportit që jeton me prindërit. Opinioni dhe vlera që fëmija bartë për veten është imazhi që i transferohet nga opinioni që të tjerët kanë për të. Nëse prindërit, figura të rëndësishme që rrotullohen rreth tij, duan, mbështesin iniciativat dhe kuriozitetin, qeshin për shakatë, i lejojnë gabimet pa i dënuar në mënyre të tepruar, dhe ndalojnë sjelljen duke i treguar sidoqoftë alternativat e mundshme, atëherë këta prindër ndërtojnë tek fëmijët e tyre një imazh pozitiv, një besim të shëndoshë në aftësitë e tyre dhe në të drejtën për të qenë të dashur. E gjithë kjo është strategjia më e mirë për të zhvilluar tek fëmija një vetëvlerësim pozitiv, që i lejon individit të pranohet dhe të duhet për atë që është.

Me kalimin e kohës, dalëngadalë, aftësitë e fëmijës zgjerohen. Ai bëhet gjithnjë e më tepër i aftë për një kuptim më akut rreth informacioneve të marra nga figurat e rëndësishme për të, dhe pikërisht në këtë ndërveprim formohet vetëvlerësimi personal.

Fëmija duke qenë totalisht i varur nga të rriturit, nga mënyra se si këta vendosen në relacion përballë këtij, i japin ndjenjën e krenarisë, ose të përçmimit;.Në momentin që fëmija ndjehet pjesëtar i vlerësuar i jetës familjare, ndjehet i dashur dhe i respektuar nga familjarë e tij ndjehet i sigurt për dashurinë dhe respektin e prindërve, do të këtë një vetëvlerësim të lartë dhe pozitiv (Pope, 1992).

Pra, prindërit favorizojnë zhvillimin e vetëvlerësimit pozitiv duke aktualizuar sjellje pranimi, mirënjohjeje, vlerësimi, inkurajimi, dhe bëhen model nga i cili fëmija mëson për të përballuar problematikat, konfliktet dhe dështimet.

Coopersmith (Giusti, 1995) ka zbuluar që kur prindërit pranojnë fëmijët,u japin atye autonomi dhe komunikojnë në mënyrë direkte, favorizojnë një ndjenjë të shëndoshë përkatësie në familje. Të tilla karakteristika duhet të jenë në raportin prindër – fëmijë edhe nëse ky i fundit, zotëron apo jo dhunti personale.

Nga ngrohtësia dhe dashuria e prindërve, fëmijët marrin sigurinë bazë, që u lejon atyre të rriten dhe të bëjnë eksperienca të reja pa u shqetësuar tepër për dështimet e mundshme.

Rekomandime për prindërit

Vetëvlerësimi dhe vetëbesimi janë të pandashme dhe prandaj, si prindër, kur e lavdëroni fëmijën tuaj, lëvdatën tuaj orientojeni nga përpjekja, jo nga arritja. Ne shpesh i kushtojmë tepër rëndësi rezultatit përfundimtar duke mos e theksuar se sa e vështirë ka qenë të arrihet deri aty.
Mos gjykoni fëmijën tuaj! Respektoni pikëpamjet dhe dallimet e tyre dhe lejoni t`i shprehin idetë e ndjenjat e tyre. Respektoni individualitetin, pavarësinë dhe jetën private të tij.
Të dëgjosh, të dëgjosh, të dëgjosh! Për të qenë një dëgjues i mirë, së pari patjetër duhet të doni të dëgjoni se çfarë kanë për t`ju thënë fëmijët tuaj dhe të besoni se ajo që thonë ata është e rëndësishme.
Dëgjoni ndjenjat e tyre, jo vetëm fjalët. Nëpërmjet gjesteve, syve dhe kontaktit fizik, bëjani me dije se jeni duke dëgjuar. Shtroni pyetje për ta shpërfaqur interesimin tuaj ose për të ndihmuar në qartësimin e ndonjë pike që të shmanget mosmarrëveshja. Nëpërmjet dëgjimit aktiv ju rritni vetëbesimin e fëmijës dhe vlerësimin për veten e tij.
Bëhuni të hapur që të diskutoni për çfarëdo teme për të cilën fëmija dëshiron të bisedojë. Në qoftë se dëshironi që fëmija juaj të marrë vendime te drejta e të moralshme, ai duhet të ketë informacione të bollshme për këtë.
Si prindër, për të rritur vetëvlerësimin, mos i mundoni edhe mos përsëritni të njëjtat kërkesa. Përsëritja e së njëjtës gjë në vazhdimësi nuk do t`i bëjë fëmijët të dëgjueshëm.
Kur fëmija ka problem, humbja e durimit apo reagimi i ashpër vetëm sa e bën fëmijën tuaj të ndihet edhe më keq. Së pari dëgjojeni atë; pastaj shprehni dashuri dhe mirëkuptim në vend të dhunës dhe nervozes. Disiplina e përshtatshme mund të zbatohet më vonë.
Respektojeni mendimin e fëmijës, edhe pse në të shumtën e rasteve do të jetë ndryshe nga mendimi juaj.
Kushtojini vëmendje dhe kujdes, mësojini se vendosmëria prodhon rezultate, kështu që pengesat duhet të pranohen;
Mësojini se dështimi duhet mirëpritur, kështu që zhgënjimet pranohen;
Mos praktikoni disiplinë të rreptë;
Mos urdhëroni vazhdimisht;
Mos u jepni pritshmëri të larta dhe të pamundura;
Mos i krahasoni me vëllezërit, motrat ose fëmijët e tjerë etj

Përfundim

Hapat e parë të formimit fëmija i merre nga prindërit, prandaj se çfarë vlerash do t’i kultivojmë te fëmijët varet nga qasja dhe përkushtimi ynë si prindër, në promovimin e atyre vlerave.

Pra, në qoftë se dëshironi që fëmijët tuaj të jenë të shëndetshëm, të lumtur, të suksesshëm promovoni tek ata vlerësimin pozitiv.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top