SHKODER- Rituali i jetës”, etnomuzikali i parë shqiptar, do të vihet në skenën e qytetit të Shkodrës. Kjo është realizuar në një bashkëpunim mes Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Bashkisë Shkodër, Teatrit “Migjeni”, nën kujdesin e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Etnomuzikali çon në qytetin e traditës dhe turizmit, emocionet e elementeve autentike të asaj çka ka më të bukur, më përkufizuese, burimore arti ynë kombëtar. Ky ritual vjen i trajtuar vërtet përmes një kërkimi artistik tepër të imët e të përgjithshëm njëherazi. Shquhen në nebulozën që sjell tronditja nga akti i gjamës të gjitha elementet e burimit, madje, mes një gjoja shkujdesjeje hera–herës vijnë këngët më të njohura, të krijuara në vite, të cilat pasohen nga ‘dancime’ të shumta, të rikrijuara tërësisht që i japin materialit burimor bazik bashkëkohësinë–modernitetin. Ndonëse lënda burimore është komune, siç është gjithë krijimtaria etnomuzikore e koreografike, “rituali…” vjen i trajtuar në tërësi shumë i spikatur individualisht, ku autorësia nuk i përket rolit përpunues, por së shumti atij si krijues. Ky etnomuzikal që sjell në fakt “ritualin shqiptar” përmes ritesh të veçanta që kanë marrë jetë mbi truallin e krahinave, në këtë rast të gegërisë së pastër e shtrirjes urbane të saj në kryeqendrën e skajit verior – Shkodër, do të çelë siparin e aktiviteteve që TKOB-i ka programuar të zhvillojë në kuadër të turizmit kulturor, një nga prioritetet e politikave të MTKRS-së dhe shtetit shqiptar. Shfaqja do të jetë në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ditën e hënë në mbrëmje.
Marr nga GSH