! - !
Once upon a time...
Nga Mirela Karabina
Shkollat janë institucione të të nxënit. Ato duhet të ndihmojnë çdo nxënës që të mësojë të përdorë më mirë mendjen e tij për zgjidhjen e problemeve në situata reale. Por shkollat tona karakterizohen nga përpjekje të fragmentarizuara për ndryshim dhe një mbingarkesë sistematike.
Dhe kjo, falë qeverisë së Edi Ramës që ka konceptuar keq bashkërendimin e qëllimit të shkollës me kapacitet për ndryshim. Tërmeti dhe pandemia nxori në shesh gënjeshtrat e qeverisë për ndryshimin në arsim dhe keqmenaxhimi i tyre ka goditur përfundimisht shkollën.
Po me çfarë është duke u ndeshur shkolla jonë sot?
Sot nxënësit bëjnë sikur shkojnë në shkollë dhe bëjnë sikur mësojnë!
Orari i qëndrimit të nxënësve në shkollë, vetëm dy apo tri orë për arsye të pandemisë dhe pamundësia e mësimit online, jo vetëm po krijojnë çdo ditë analfabetë funksionalë por dhe perceptim të gabuar se shkolla po funksionon. Pra, shkolla nuk po pajis nxënësit me aftësi dhe shprehi që i duhen atij për të mësuar në mënyrë të vazhdueshme.
Mësimi me orë të shkurtuara në 25-30 min nuk realizon dot qëllimin e tij. Nëse do të ishte kombinuar me mësimin online, atëherë kjo do të kishte qenë një zgjidhje e mundshme për këtë moment, por jo më e mira.
Por nuk po ndodh kështu!
Pandemia gjeti të papërgatitur sistemin arsimor. Zbatimi i teknologjisë në mësimdhënie, planifikuar prej vitesh me kurrikulën e re, nuk është realizuar ende. Edhe pse kryeministri që më 2014-ën premtoi klasa digjitale, trajnim mësuesish, strategji të digjitalizimit, hodhi 3.5 milionë euro për të, mësimi online është i munguar. Pra, jo vetëm papërgjegjshmëri por dhe elementë korruptivë të zhdukjes se investimit për infrastrukturën digjitale.
Një pjesë e madhe e nxënësve për arsye të mungesës së internetit në zonat e tyre dhe të varfërisë nuk lidhen dot me shkollën dhe mësuesin. Vitin e kaluar mësimor, Ministria e Arsimit deklaroi se mbi 10 mijë nxënës nuk kanë patur mundësinë e komunikimit online me mësues për arsye të mungesës së mjeteve smart dhe internetit.
Dhe për këtë qeveria u mjaftua me disa mjete dhuratë nga një fondacion dhe asnjë mbështetje për internet falas për të gjithë nxënësit!
Gjithashtu, mungesa e 143 shkollave në sistem në të gjithë vendin, por kryesisht në zonën e Tiranës dhe Durrësit, të cilësuara si të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 presin të rindërtohen dhe nxënësit e tyre janë shpërndarë në shkolla të tjera duke e kthyer mësimin në katër turne. Megjithëse kryeministri premtoi që do të ishin gati në shtator të 2020-ës, asnjëra prej tyre nuk rezulton e tillë.
Dy- tre shkolla janë inauguruar para pak kohësh dhe shumë pak prej tyre janë në proces. Edhe pse qeveria ka çelur një fond prej 9.5 mld lekësh në mars-korrik 2020 dhe Komisioni Europian ka akorduar 100 milionë euro, fati i dhjetëra shkollave që presin për t’u rindërtuar nuk dihet ende.
Atëherë ku qëndron problemi? Pse nuk rindërtohen shkollat?
Nga qeveria nuk ka as transparencë dhe as shpjegim për çfarë po ndodh, por veç gënjeshtra.
Por kësaj situate të vështirë dyvjeçare të shkollave i bashkëngjiten dhe reformat e dështuara në 8 vite qeverisje.
Kështu, Reforma Kurrikulare në Arsimin Parauniveristar, me kosto të lartë financiare, e ndërmarrë në kushtet e pamundësisë duke dëmtuar thelbin e shkollës, edukimin, po prodhojnë nxënës me mungesë “aftësish për të kuptuar”.
Kjo Reformë që të realizohej duhej të kishte: mësues të trajnuar, infrastrukturë të duhur shkollore, teknologji të avancuar dhe buxhet të shkollës. Asnjë nga këta faktorë nuk ishte gati kur kurrikula u ndryshua.
Si pasojë, për shumë nxënës një pjesë e madhe e programit mësimor është e huaj ose pa kuptim pasi pamundësia e realizmit të lëndëve siç duhet, nuk arrin të ndreqë keqkonceptimet e nxënësve për përmbajtjen e lëndës dhe, në këtë mënyrë, nuk arrin të zhvillojë “aftësinë në të menduar”.
Ndërkohë, shkolla po rrezikon dhe ekzistencën e saj pasi vetëm në tri vitet e fundit janë mbyllur rreth 200 e ca shkolla për arsye të largimit të familjeve nga zonat e tyre drejt qytetit si pasojë e mungesës së zhvillimit rural dhe largimit jashtë vendit për shkollim dhe jetë më të mirë.
Qeveritë, sipas Michael Fullan, në organizimin e punë së tyre mund të kërkojnë dhënie llogarie, të krijojnë trysni dhe mbështetje dhe të nxisin ndërtim kapacitetesh në mënyrë që shkolla të përmbushë funksionin e saj.
Kjo jona është përqendruar vetëm te shtimi i kërkesave për llogaridhënie, trysni e shpërfillje të të gjithë aktorëve dhe miratim ndryshimesh strukturore sipas interesave të saj.
Dhe, nuk mban asnjë përgjegjësi për moszbatim dhe dështim të reformave të saj.
Kështu, Edi Rama premtoi “rilindje”, po prej dy vitesh i ka nxjerrë fare jashtë funksionit shkollat.
Mapo.al