Rama: Berisha po dhunon shoqërinë

WxP

Staf në FV.AL
Adm
Kryetari i PS, Edi Rama ka shprehur shqetësimin e tij për numërimin e votave të kontestuara që po bëhet në KQZ, që sipas tij janë tërësisht në shkelje me ligjin. Duke folur në një deklaratë për shtyp, Rama ka theksuar se fitorja e tij është e padiskutueshme dhe është konfirmuar edhe nga faktori ndërkombëtar.

“Shpreh shqetësimin për cfarë ka ndodhur sot dhe për cka mund të ndodhë nesër, pas këtij numërimi të paligjshëm të votës së popullit përmes KQZ. E panë dhe e dëgjuan të gjithë përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar se ne fituam zgjedhjet. Fitore e qartë, edhe pse me 10 vota”, ka deklaruar Rama.

Sipas tij, manipulimi i procesit, që ka si autor kryeministrin, ka filluar që më 8 maj kur Berisha ka kërkuar sipas tij që PS të pranojë rezultatin.

“Në kryeqytet ekziston një diferencë e madhe votash mes nesh dhe rivalit tonë. Saliu kërkoi që në fillim të numërimit që unë të pranoja rezultatin. Kohë të tëra, para 8 majit dhe ditën e votimit, të gjithë e dinin që unë isha i gatshëm ta pranoja rezultatin. Por vota e popullit na ndan dhe më 8 maj doli fitorja jonë dhe humbja e Saliut”, ka pohuar Rama.

“Kjo fitore e qartë na ka nxjerrë forcën më të madhe politike në vend, me diferencën më të madhe të votave në vend. Por po ashtu, kjo fitore na ka bërë më të përulur para njerëzve, interesave kombëtare. Me këtë vetëdije ishte mesazhi ynë i gatishmërisë për të hapur një faqe politike të re për vendin”, ka vijuar ai.

Lideri i opozitës ka akuzuar kryeministrin, se përmes KQZ-së po realizon një “revansh antiligjor” për të sunduar vendin me regjimin e tij.

“Saliu zgjodhi mospranimin e rezultatit dhe një revansh antiligjor. S’ka më keq për një vend që meriton më shumë. Vendi sundohet nga një politikë e pafytyrë që është kthyer në një regjim. Me drejtimin e Saliut, KQZ është kthyer nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Komisionin Qendror të vjedhjeve”, ka theksuar Rama.

Ai ka shtuar më tej se kryeministri Berisha, përmes përdorimit të votave sipas tij të pavlefshme, po përmbys në mënyrë të dhunshme rezultatin e zgjedhjeve, duke i imponuar regjimin e tij shoqërisë shqiptare.

“KQZ, në shkelje të ligjit, vodhi rezultatin dhe hapi ferrin për të drejtat e njeriut dhe qytetarit. Kanë qenë vota të pavlefshme dhe pikë. Kutitë nuk mund të hapeshin. Kjo përmbysje e dhunshme cënon stabilitetin e shoqërisë, që nuk do t’i përkasë oborrit të kësaj qeverie. Demokracia shqiptare po përpëlitet. Qytetarët ndodhen përpara një sistemi të tërë dhune, padrejtësie dhe korrupsioni”, ka shtuar Rama.



Top-Channel
 

Attachments

  • rama3001.jpg
    rama3001.jpg
    13.2 KB · Shikime: 90
Back
Top