Puke,Zbulohen 2 ikona mesjetare

redi-

Anëtar i Respektuar
Edhe pse të duhen rreth katër orë nga qyteti i Pukës, serish ia vlen të udhëtosh drejt fshatit Arst Miliska, pasi të panjohurat atje të fusin në botën e lashtësisë, elementet e mbijetuar të se cilës të magjepsin. Në kishën e këtij fshati ruhen dy ikona të vjetra të gdhendura në gur. Gdhendjet e hershme me subjekt fetar dolën në dritë gjatë rindërtimit të kishës, e cila sot njihet me emrin Kisha e Shën Gjonit. Dy ikonat, të cilat mendohet se përfaqësojnë figurën e Shën Nikollës dhe të një shenjtoreje-hyjneshë (Shna Prende), janë të gdhendura në gur me modelin tradicional të punimit të drurit. Ikonat, pas rindërtimit të kishës janë vendosur në dy anët e derës. Ruajtja e këtyre dy figurave të lashta religjioze në gur cilësohet si rast i veçantë, por kjo shpjegohet me kushtet dhe rrethanat historike dhe të pozicionit gjeografik të kishës në fjalë. Kisha ndodhet në një fshat, i cili nuk është në një pozicion të favorshëm. Asnjëherë kjo kishë nuk arriti të marrë titullin famulli, pra asnjëherë ajo nuk ka pasur një prift në krye të saj. "Mbahej meshë, ceremoni fetare vetëm në ditën kur vinte pajtori ose në ndonjë rast kur kishte mundësi të vinte prifti për ceremoni varrimi", - tregojnë banorët e zonës. Sipas dokumenteve që njohin studiuesit, kjo kishë ka ndërruar të paktën tri herë emrin. Në fillim të shekullit XVII, rezulton me emrin Kisha e "Shna Prendës", në fund të këtij shekulli me Kisha e "Shën Nikollit", ndërsa sot ajo i mban emrin e "Shën Gjonit". "Shën Nikolla", kështu është identifikuar njëra prej ikonave të zbuluara në Pukë, edhe pse nga ana figurative kjo ikonë paraqitet me karakteristikat dhe atributet që kishte "Hyjnia e Ujërave", sipas përfytyrimeve mitologjike iliro-arbërore, të cilën më vonë, krishtërimi e lidhi me Shën Nikollën. Shenjtori mban në dorën e majtë një "shtagë" (shkop), dhe sipas besimit e mitologjisë vendase, ishte ai që drejtonte lumenjtë në shtratin e tyre dhe ndalonte stuhitë shkatërruese të të korrave e sillte shiun në kohën e nevojshme për tokën dhe bimësinë. "Shën Nikolla është një shenjt mjaft i nderuar dhe i respektuar nga katolikët e Veriut, por edhe nga banorët e besimit islam të trevës, të cilët edhe sot ndezin një qiri në natën e Shën Kollit, e cila përkon gjithmonë më 5 dhjetor". Sipas studiuesit Jaho Brahaj, i cili ka studiuar gjatë këto dy ikona, mendohet se ato i përkasin shekujve X-XII pas Krishtit, periudhë kur kisha dhe katolicizmi në Shqipëri po kalonte kohë krize, pas lëvizjes bogomile, që u pasua me ndarjen e dy kishave.
Zoja Shna Prende
Gdhendja tjetër, ajo e hyjneshës-shenjtore, është shumë e vështirë të përcaktohet konkretisht. "Interes paraqet një yll me 12 cepa, i vendosur në pozicionin trupor, aty ku janë organet e riprodhimit. Mendohet se kjo ikonë i përket Zojës Shna Prende, Zojë që mbart edhe atribute të hyjneshës së pjellorisë dhe kultit të gruas, e cila në kujtesën tradicionale njihet dhe si motra e Shën Nikollit". Krahas këtyre dy ikonave, në murin e kishës gjendet një galeri e tërë me gdhendje të shenjave dhe simboleve të traditës pagane, të cilat sipas banorëve, po paraqesin çdo ditë e më shumë interes për studiuesit.
Dera e 1800-s
Dera e Kishës i përket 1800-s dhe zbulimet gjenden në fshatin Arst Miliska të Komunës së Fierzës
nga: Armir Mehaj (Gazetar)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Brenga ime dashuri

    Votat: 4 44.4%
  • 2-Botë e mjerë

    Votat: 1 11.1%
  • 3-Shitësja e farave

    Votat: 4 44.4%
Back
Top