Pse nuk kthehet tryeza 100-vjeçare e Mjedës?

Love

βeℓℓe â๓e
  • Më 1 gusht, në Kukël të Shkodrës do të përkujtohet 75-vjetori i Ndre Mjedës. Do të bëhet përurimi i ringritjes së kompleksit muzeor, vendosja e shtatores prej bronzi, por do të mungojë tryeza 100-vjeçare ku ka punuar Mjeda. Muzeu Historik i Shkodrës nuk jep përgjigje për ekspozimin e saj

Nga: Mentor Qyku

Jemi para një ngjarjeje të madhe me rëndësi kombëtare: 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe në kuadrin e këtij jubileu, do të përjetojmë 75-vjetorin e vdekjes së një prej pararendësve më të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare, Dom Ndre Mjeda. Me këtë rast, më 1 gusht do të zhvillohet një veprimtari e dendur shkencore dhe përkujtimore, në Kukël-Bushat (Shkodër). Mund të themi se është organizuar një rikthim plot dinjitet i Mjedës në këtë trevë, ku ai jetoi, shërbeu dhe krijoi veprat e tij për tre dhjetëvjeçarë.
Që më 16 dhjetor 2011, Ministria e Kulturës ka shpallur Kishën e Shën Shtjefnit dhe Shtëpinë famullitare të Ndre Mjedës në Kukël, monument kulture. Tani ka përfunduar faza e parë e rindërtimit të këtij kompleksi muzeor, çka përbën një lajm të mirë për shqiptarët, të cilët shpejt do të kenë një qendër muzeore më shumë dhe jo dosido, por të klasit të parë, ashtu siç e meriton një figurë e tillë e shquar, si Ndre Mjeda.
Edhe problemi i derdhjes në bronz i shtatores së Mjedës tashmë është zgjidhur përfundimisht, falë përkushtimit të Vladimir Llakaj (me fonderinë private) dhe skulptorit të talentuar, Sadik Spahiu, i cili me plot dashamirësi e realizoi këtë shtatore. Ajo do të përurohet pikërisht ditën e caktuar, më 1 gusht në Kukël. Mjeda kthehet kështu madhështor “te njerëzit e tij”, tek ai truall që e deshi aq shumë, për të cilin bëri aq plane dhe projekte dhe punoi e krijoi aq shumë. Pas një periudhe të errët dhe të gjatë, ai kthehet në vendin e vet, ashtu madhështor dhe i thjeshtë njëkohësisht, ashtu si e mbajnë mend bashkëkohësit.
Tani kemi përpara fazën tjetër të projektit për qendrën muzeore “Ndre Mjeda”: Po mendohet e punohet për restaurimin e shtëpisë së Mjedës dhe plotësimin e saj me reliktet e poetit. Janë plane për ta kthyer atë në një qendër të studimeve albanologjike, aq edhe turistike-kulturore.


Rikthimi i tryezës 100-vjeçare

Kjo është pjesa e gëzueshme, por kemi edhe anën tjetër: Ka një vit që shqiptarët presin të mësojnë se çfarë po bëhet me tryezën e punës së Mjedës, e cila për fat të mirë është ruajtur fizikisht, por që për fat të keq po rrezikohet dita-ditës që të dëmtohet dhe është lënë në mëshirën e fatit në depot e Muzeut Historik të Shkodrës. Qytetarët shqiptarë pyesin: Pse nuk ka filluar restaurimi i saj? Pse nuk dërgohet ajo relikt në vendin e vet, në “Qendrën Muzeore Ndre Mjeda” për t’u vizituar, të paktën me raste festash.

Tryeza-100-vjecare-e-Mjedes-300x225.jpg


Me të drejtë ato pyesin: A do ta shohin këtë relikt unikal në llojin e vet në 1 gusht të këtij viti, kur çdo gjë është organizuar më së miri, por vetëm ajo pritet të vihet në vendin e saj?
Ka një vit që pyesin dhe nuk marrin përgjigje. Janë kryer disa nga procedurat për restaurimin e kësaj tryeze relikt nga institucionet përkatëse, por ka një moskokëçarje të çuditshme nga organet administrative të Ministrisë se Kulturës dhe Muzeut të Shkodrës ndaj kësaj çështjeje. Ministri i Kulturës ka bërë premtime, por deri tani nuk është bërë asgjë konkrete. Janë marrë vesh shtete të ndryshme për lëvizjen e veprave të artit botëror. Sot edhe muzetë më konservatorë janë bërë të hapura për publikun e gjerë. Duhen masa sigurie: natyrisht shteti i merr ato. U morën vesh Shqipëria me shtetin austriak dhe po kthehen në vend, me rastin e Pavarësisë, përkrenarja dhe shpata e Gjergj Kastriotit. Pse të mos merren vesh shqiptarët brenda të njëjtit shtet, shtetit të shqiptarëve që festojnë, nderojnë dhe krenohen njëkohësisht me figura të tilla si Mjeda. Nëse bëhet fjalë për ta ruajtur, themi se ajo duhet ruajtur nga agjentët biologjikë dhe fizikë të dëmtimit të veprave të artit.
Nëse bëhet fjalë për ta mbrojtur nga rreziqet e tjera, edhe atë e ka në dorë Ministria e Kulturës e cila duhet të caktojë një organikë për këtë qendër muzeore të një rëndësie të veçantë. Në Arkivin e Qarkut Shkodër ruhen dokumente që provojnë se në vitet 1981-‘82 Komiteti Ekzekutiv i Rrethit Shkodër ka marrë vendime të rëndësishme në mbështetje të “Shtëpisë Muze Ndre Mjeda” përgjatë viteve 1982-1990.
Janë kujdesur drejtpërdrejt kryetarët e Komitetit Ekzekutiv të kohës Lefter Goga dhe Nesip Ibrahimi. Të paktën të shkojmë deri te Ministria e Arsimit dhe e Kulturës e periudhës së diktaturës e cila, me 16 nëntor 1985 mori vendimin për emërimin e një personeli për Shtëpinë Muze “Ndre Mjeda”. Ky vendim ruhet në AQSH dhe u nis në Komitetin Ekzekutiv të kohës me shkresën nr. 6983 së bashku me organikën financiare për mbulimin e këtij punonjësi.
Deri tani kanë treguar kujdes dhe janë angazhuar me këtë problem, drejtori i Monumenteve të Kulturës të rrethit të Shkodrës, Ervin Gjini, drejtori i qendrës muzeore, Ndre Mjeda”, Dom Nikë Ukgjini, drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi, por duhet edhe më tepër të tregohet një interesim dhe angazhim për zgjidhjen e problemit nga autoritetet qendrore. ثshtë në nderin e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topallit, dhe të ministrit të Kulturës, Aldo Bumçi, prezenca e tyre në veprimtarinë përkujtimore të këtij viti më 1 gusht në Kukël. Sivjet natyrisht duhet të jenë të pranishëm, edhe Kryeministri, Presidenti, si edhe kryetari i qarkut, kryetari i bashkisë dhe prefekti i Shkodrës, së bashku me drejtuesit e kulturës në vend.
Gjatë diktaturës ishin fjalët, premtimet, tani duhen vepra: Në ceremoninë e përurimit të shtëpisë muze “Ndre Mjeda” në Kukël, më 22 nëntor 1982 (janë fotografitë e rastit) kanë marrë pjesë personalitetet më të larta të Shkodrës, për kohën. Prezenca e personaliteteve më të larta që drejtojnë vendin sot në ditët e demokracisë dhe pjesëmarrja e tyre në veprimtaritë kushtuar këtij savanti që krijoi një epokë është më e pakta që duhet të bëjnë ata për kulturën e këtij vendi. Aq më shumë se kemi hyrë në fazën përfundimtare të festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Shqiptarët ngado që janë pyesin më të drejtë: A do ta kenë fatin për ta parë tryezën e poetit të magjive të tingujve të shqipes, Ndre Mjedës, autorit klasik të kryeveprave të letërsisë shqipe: “Andrra e jetës”, “Lissus”, “Scodra”, “I tretuni”, “Vaji i bylbylit”, “Mahmud Pasha në Mal të Zi”, “Lirija”, “Meyerling”, “Gjuha shqipe”?
Ata me të drejtë pyesin: cilët janë ata dashamirësit e vërtetë të kulturës kombëtare dhe cilët janë ata që e pengojnë këtë kulturë për motive të dobëta dhe meskine? Duam nuk duam, historia ka një të mirë të madhe: I shkruan këto gjëra dhe ua transmeton brezave. Prandaj, Ministria e Kulturës, duhet të bëjë çmos që tryeza 100-vjeçare e poetit, me 1 gusht të jetë e ekspozuar në Shtëpinë Muze të Mjedës, për kënaqësi të vizitorëve të shumtë të cilët do vërshojnë drejt Kuklit.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top