Partia Socialiste paraqiti të enjten padi penale ndaj kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, anëtarëve të komisionit Klement Zguri, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj si dhe personave të tjerë të paidentifikuar, “punonjës të KQZ-së dhe KZAZ-ve Tiranë që kanë bashkëpunuar me të kallëzuarit”.
Partia Socialiste kërkoi fillimin e ndjekjes penale ndaj tyre për “shpërdorim të detyrës” dhe “Fallsifikim të dokumentave dhe rezultateve të zgjedhjeve” në bashkëpunim.
«Në momentin që kandidati i PS-së, Edi Rama doli me rezultatin final plus 10 vota, KQZ ndaloi publikimin e tabelave të rezultatit si dhe bllokoi faqen e internetit pa dhënë asnjë arsye. Duke filluar nga data 15 Maj dhe në ditët në vijim nga ana mazhoranës qeverisëse, u përgatit një skemë për të manipuluar rezultatin përfundimtar, skemë e cila nuk mund të jepte rezultat pa ndihmën dhe veprimet e kundraligjshme të anëtarëve të kallëzuar të KQZ-së », tha PS-ja.
Partia më e madhe opozitare akuzoi gjithashtu strukturat elektorale pranë kandidatit Basha, për ndërmarrjen e një « inciative të kundraligjshme për të krijuar “prova të paqëna” në KZAZ-të e Tiranës, me qëllim rivlerësimin e votave të pavlefshme, si e vetmja rrugë që do të mundësonte gjetjen e një numri të mjaftueshëm votash për të përmbysur rezultatin e ngushtë prej 10 votash plus ».
Partia Socialiste tha se kutitë e votimit dhe të materialeve zgjedhore “janë transportuar për në KQZ pa vendimmarje ligjore duke krijuar mundësinë pratike për falsifikime dhe manipulime në to”.
PS-ja i kërkoi Prokurorisë të hetojë “me shpejtësi, objektivitet dhe paanësi këto veprime të kundraligjshme, duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur të vërtetën dhe minimizuar ardhjen e pasojës kriminale”.
Partia Socialiste kërkoi gjithashtu që të administrohen si prova rregjistrimet në serverat e institucionit të publikimeve elektronike të rezultateve paraprake, filmimet e seancave, të kamerave, praktika e urdhërimit të transportimit të kutive të votimit dhe administrimi i tyre në KQZ, dosja e përgatitjes së aktit normativ për vlerësimin e fletëve të gjetura në kutitë e gabuara.
Opozita tha gjithashtu se ka “dyshime të arsyeshme që bazohen mbi indicie, se zoti Arben Ristani mund të jetë nën ndikimin e substancave alkolike dhe psikotrope në atë masë që kanë krijuar gjendjen e afektit patologjik”.
“Në këto kushte, kërkojmë që organi i prokurorisë, konform neneve 179 dhe 182 të K.Pr.Penale të kryeje ekspertimin toksikologjik dhe vlerësimin e gjendjes psiqike të të kallzuarit Arben Ristani”, tha Partia Socialiste. /Telegrafi/