Love
βeℓℓe â๓e

Kryeministri i ri, i cili ka marrë mandatin për të qeverisur vendin në katër vitet e ardhshme, dorëzoi dje në Parlament dhe në media, programin e saj qeverisës. Programi i paraqitur në formën e një libri, i mbështjellë me kopertinë të kuqe, është i përbërë prej 74 faqesh, dhe është i shoqëruar me moton “Shqipëria e gjeneratës tjetër”. Ky program do të lexohet sot në Kuvend nga Kryeministri Edi Rama dhe pritet që të organizohet dhe një debat rreth tij.
Ai është mbështetur në tri shtylla kryesore, lirinë, përgjegjësinë dhe solidaritetin. Në parathënien e shkruar nga Kryeministri Edi Rama theksohet se liria do të jetë ajo e njerëzve dhe e konkurrencës, pa asnjë diskriminim e kufizim politik, në funksion të meritës. Për sa i përket përgjegjësisë, ai thekson se duhet të jetë e gjithkujt përpara vendit e ligjit, në funksion të një shoqërie ku të drejtat e secilit do të ndahen nga detyrimet ndaj komunitetit. Për sa i përket solidaritetit, Rama thekson se ai do të jetë për më të dobëtit, në funksion të një bashkëjetese, ku barazia e mundësive s’mund të mjaftojë pa drejtësinë sociale. Programi përmban pesë kapituj, të cilët shtjellojnë çështje si integrimi, Shqipëria europiane, shteti i së drejtës dhe demokratizimi i shoqërisë, zhvillimi ekonomik dhe shërbimet publike. Por disa nga piketat kryesore në program janë vendosur te siguria në vend, që konsiderohet një prioritet absolut për qeverinë e re, duke i kthyer publikut besimin tek Policia e Shtetit, përmes një reforme themelore shumëdimensionale. Korrupsioni gjithashtu shihet si një prioritet kryesor i qeverisë së re, duke premtuar uljen e tij, duke çmontuar murin e pandëshkueshmërisë. Në program flitet për ngritjen e një strukture që quhet Koordinatori Kombëtar Kundër Korrupsionit, që jo vetëm do të ndërmarrë masa ligjore për këtë çështje, por do të koordinojë edhe punën e institucioneve në këtë drejtim. Një tjetër çështje e mprehtë që preket në program është edhe nevoja e reformimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Në program flitet për miratimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit në Sistemin e Drejtësisë, duke përfshirë si subjekte prokurorët, gjyqtarët, avokatët, policinë, noterët dhe cilindo tjetër që është pjesë e kësaj fushe.
Do të rithemelohen agjencitë shtetërore që merren me pronat
Qeveria e re zotohet se nuk do ta përdorë më termin “ish-pronarë”, por jo për çështje emërtimi, por për sa i përket zgjidhjes së çështjes. “Shqiptarët do të jenë të gjithë pronarë të ligjshëm, në prona të ligjshme. Qeveria do t’i japë zgjidhje çështjes së pronave të institucioneve fetare”, theksohet mes masave të tjera që do të merren në këtë fushë. Qeveria e re thotë se do të bëjë strukturim të gjerë të sistemit të menaxhimit të pronës në Shqipëri, për ta kthyer në një sistem modern dhe efikas. Kjo reformë pritet të riorganizojë të gjitha agjencitë që merren me administrimin, regjistrimin dhe dokumentimin e pronave si Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Agjencia e Inventarizimit të Transferimit të Pronave Publike dhe do të rishikojë strategjinë ndërsektoriale të pronave. Në program thuhet se qeveria do t’i kushtojë rëndësi të posaçme hartimit të një dokumenti strategjik për konsolidimin e tokës bujqësore.
Do të ndryshohet përbërja e Autoritetit të Mediave Audiovizuale
Në programin e qeverisë së re theksohen dhe reformat që do të merren në fushën e medias. Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Televizioni Shqiptar konsiderohen në program si shembuj flagrantë të moszbatimit të ligjit, duke u politizuar tërësisht gjatë kohës së qeverisjes së demokratëve. Aty thuhet se reklama qeveritare ndahej mbi baza klienteliste dhe jo mbi bazën e shitjeve apo shikueshmërisë. Në lidhje me këto çështje, programi thekson se situata do të ndryshojë menjëherë. “Parashikohet kthimi i medias publike në një përfaqësuese të denjë të taksapaguesit shqiptar, përmirësimi i standardeve ligjore për gazetarët duke u dhënë akses të shpejtë në marrjen e informacionit, kritere jodiskriminuese objektive dhe transparente për licencimin, përfshi ndryshimin e përbërjes së AMA-s e cila sot është politike, në favor të performancës profesionale për t’u ofruar të gjithë transmetuesve vendorë e kombëtarë trajtim të njëjtë para ligjit”, shkruhet në program.
Shqip
_____
Taksat
Bizneset e mëdha e kanë të shkruar qartë në programin e ri të qeverisë se do të paguajnë më shumë tatim fitimi se aktualisht. Në program nuk jepet shifra, ashtu siç nuk jepet shifra edhe për tatimin progresiv të pagave. Thjesht theksohet se do rritet ngarkesa fiskale për pagat më të larta, duke e ulur për pjesën tjetër. Nga ana tjetër, biznesi i vogël do të paguajë gjysmën e tatimit të ri, që do paguajnë bizneset e mëdha. Parashikohet që të hiqet taksa mbi biznesin e vogël.
Taksat për qytetarët
Qeveria Rama nuk i ka qëndruar përpikërisht programit të saj elektoral, për sa i përket lehtësimit fiskal për qytetarët. Në taksat indirekte parashikohet përgjysmimi i TVSH-së për ushqimet më jetike të shportës, bazë të konsumit. Ndërsa për ilaçet ka dy opsione. Përjashtim ose ulje e TVSH për barnat dhe shërbimet shëndetësore. Qeveria nuk e ka të qartë skemën e TVSH për energjinë e familjeve. “Ulja/kompensimi i TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër.”
Biznesi
Krahas fjalive për qëndrim tjetër ndihmës ndaj biznesit, në programin e qeverisë parashikohet ngritja e një strukture të re. Këshilli Ekonomik Kombëtar pranë kryeministrit do të jetë një strukturë e re për dialog me komunitetin e sipërmarrjes, vendës dhe të huaj. Kjo duket se do të jetë edhe struktura e ankesave të biznesit ndaj strukturave qeverisëse.
Një tjetër risi është centralizimi i sistemit të kontrollit fiskal. Qeveria “Rama” parashikon që të mos ketë më Tatime, Dogana apo tatime vendore. Të tria strukturat do të centralizohen në një, duke krijuar një megastrukturë kontrolli ndaj biznesit. “Administrata tatimore do të bashkohet me atë doganore, si dhe do të përthithë edhe administratën tatimore vendore”. Ky pritet të jetë bashkimi më i madh dhe ndryshimi thelbësor i marrëdhënieve të biznesit me qeverinë për sa u përket taksave. Qeveria e re zotohet që të kryejë të gjitha pagesat e prapambetura ndaj biznesit për punën e kryera, si dhe zotohet të jetë korrekte në rimbursimin e TVSH.
Privatizimet
Një tjetër pikë interesante është formula e re bashkëpunimit me biznesin për zhvillimin ekonomik. Qeveria parashikon në të gjithë sektorët rishikimin e kontratave koncesionare dhe duket se u jep fund privatizimeve. “Partneriteti publik-privat nuk do të konsiderohet si privatizim, shitje, kalim i pronësisë apo ndonjë formë tjetër e kësaj natyre, por si bashkëpunim ndërmjet dy sektorëve për të investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në infrastrukturë, energji, mjedis dhe shërbime publike”. Kjo fjali duket se i jep një tjetër skemë funksionimit të ndërmarrjeve të paefektshme. Një lloj joint-venture, shtet-privat skemë e harruar prej kohësh nga ekonomia shqiptare.
Programi i Qeverise - Modeli i ri ekonomik
Do të ndërtojmë “profilin” e ekonomisë shqiptare të dy dekadave në vazhdim, të identifikuar nëpërmjet disa sektorëve prioritarë si manifaktura, energjia, turizmi, bujqësia dhe agroindustria, arsimi dhe shërbime.
Ngritja e Këshillit Ekonomik Kombëtar pranë Kryeministrit për dialog me komunitetin e sipërmarrjes, vendës dhe të huaj
Profili fiskal - Borxhi publik
Vendosja e një rregulli fiskal transparent e të besueshëm. Fillimi i uljes së borxhit publik në pjesën e dytë të mandatit
Administrimi fiskal
Administrata tatimore do të bashkohet me atë doganore, si dhe do të përthithë edhe administratën tatimore vendore. Rritja e të ardhurave buxhetore nuk do të bazohet kryesisht në rritjen e nivelit të taksave
Taksat dhe tatimet - Tatimet indirekte
Përgjysmim të TVSH-së për ushqimet më jetike të shportës, bazë të konsumit.
Përjashtim/ulja nga ky tatim për barnat dhe shërbimet shëndetësore.
Heqje reale të TVSH-së për importimin e makinerive dhe pajisjeve.
Ulja/kompensimi i TVSH-së për pjesën e domosdoshme të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve familjarë të varfër.
Përjashtimi ose vendosja e një norme të ulur, për plehrat kimike, farat e fidanët dhe për lëndët e tjera të para që përdoren në bujqësi dhe blegtori.
Heqja e akcizës dhe taksës së qarkullimit të naftës për bujqësinë dhe peshkimin.
Do të rishikohet me kujdes projektligji i ri i TVSH-së për të pasur një heqje graduale të skemave speciale të shtuara gjatë viteve, të cilat nuk janë në linjë me direktivën e TVSH-së së BE.
Tatimet direkte
Tatimi mbi fitimin e biznesit të vogël do të jetë rreth dy herë më i vogël se tatimi mbi fitimin e biznesit të madh, ndërsa do të hiqet taksa mbi biznesin e vogël.
Tatimi mbi fitimin për biznesin e madh do të ketë një normë më të lartë se ajo aktuale, për të reflektuar parimin e taksimit të ndershëm dhe nevojën që kompanitë e mëdha të kontribuojnë më shumë se bizneset e vogla që funksionojnë nëpërmjet vetëpunësimit
Tatimi mbi të ardhurat personale të individëve do të ndryshohet në një skemë të normave progresive, duke rritur ngarkesën fiskale për pagat më të larta dhe duke e ulur për pjesën tjetër.
Sektori financiar
Krijimi i një institucion mbikëqyrës për të gjithë sistemin financiar
Krijimi i një banke në dobi të zhvillimit bujqësor
Mbështetje funksionimit të sistemit shumëkolonësh të pensioneve, duke nxitur sidomos brezin e ri në pjesëmarrjen edhe në skemat private, suplementare e vullnetare të pensioneve
Partneriteti publik-privat
Partneriteti publik-privat nuk do të konsiderohet si privatizim, shitje, kalim i pronësisë apo ndonjë formë tjetër e kësaj natyre, por si bashkëpunim ndërmjet dy sektorëve për të investuar në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, në infrastrukturë, energji, mjedis dhe shërbime publike.
Politika fiskale
Pagimin e borxheve publike ndaj bizneseve për shërbime apo kontrata të realizuara;
Realizimin e pagesave të TVSH-së së rimbursueshme të papaguar;
Punësimi
Të dhënat vërtetojnë pohimin e pakundërshtueshëm se në Shqipëri janë 1 milion të papunë
Angazhohemi të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. 40 mijë vende të reja pune në industrinë prodhuese dhe 12 mijë vende pune shoqëruese të lidhura me to, 15 mijë në industritë e lidhura me detin, 155 mijë në aktivitetet e lidhura me bujqësinë e blegtorinë, 62 mijë përmes reformimit të programit të ndihmës ekonomike, 11 mijë vende pune në industrinë e turizmit dhe 4 mijë vende të reja pune në teknologjinë e informacionit
Do të ndërtojmë Agjencinë Kombëtare të Punësimit si një njësi me buxhet dhe administrim autonom
Bujqësia
Do të reduktohet tatimi mbi vlerën e shtuar për farërat, fidanët, materialin gjenetik shtazor, plehrat kimike, pesticidet, vaksinat e blegtorisë etj.
Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme.
Do të përjashtohen nga barra fiskale lëndët e para, ato të ndërmjetme dhe të ambalazheve për prodhimet e eksportit.
Zbatimi i Ligjit Nr. 7501, që është marrë vetëm me tokën bujqësore, do të marrë një afat të përfundimit të veprimit të tij me atë çka është ndarë deri tani. Më tej, do të zbatohet vetëm Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të drejtën e fitimit të pronës.
Infrastruktura
Do të realizohet në mënyrë thelbësore partneriteti publik-privat.
Përfundimin e ndërtimit të rrjetit kombëtar të rrugëve, duke përfshirë arterie strategjike si Korridori i Gjelbër Autostrada Veri-Jug; Korridori i Kaltër Veri-Jug dhe duke i dhënë prioritet përfundimit të akseve që shkojnë në qendrat administrative të qarqeve të vendit.
Do të ndalojmë importin e mbetjeve
Tregu financiar
Aktualisht tregu financiar shqiptar kontrollohet nga dy institucione.
Banka e Shqipërisë për sistemin bankar dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes financiare për pjesën tjetër të tregut. Qeveria e re parashikon që të unifikojë këtë kontroll. “Angazhimi ynë për të mbështetur zhvillimin e institucioneve financiare kredidhënëse, institucioneve të tjera financiare jo banka, do të shoqërohen nga reforma e ristrukturimit të sistemit financiar, duke krijuar një institucion mbikëqyrës për të gjithë sistemin financiar.”
Bujqesia
Një tjetër pikë interesante e programit është angazhimi për krijimin e një banke bujqësore. Qeveria angazhohet për “krijimin e një banke në dobi të zhvillimit bujqësor”. Nga ana tjetër, qeveria i ka qëndruar premtimit të saj për heqjen e akcizës së naftës për bujqësinë. “Do të zbatohet programi i furnizimit të naftës pa akcizë për bujqësinë dhe aktivitetet rurale të ngjashme”. Parashikohet edhe përjashtimi ose vendosja e një norme të ulur, për plehrat kimike, farat e fidanët dhe për lëndët e tjera të para që përdoren në bujqësi dhe blegtori.
Punësimi
Skemë e re për pensionet, 300 mijë vende pune
Edhe pse me vetëm një fjali, duket se angazhimi i qeverisë së re është skema me disa kolona e pensioneve. “Mbështetje funksionimit të sistemit shumë-kolonësh të pensioneve, duke nxitur sidomos brezin e ri në pjesëmarrjen edhe në skemat private, suplementare e vullnetare të pensioneve. Qeveria i ka qëndruar premtimit për hapjen e vendeve të reja të punës. Duke insistuar që aktualisht ka 1 milion të papunë, Rama parashikon që të punësojë rreth 300 mijë prej tyre. Qeveria parashikon që të ndryshojë edhe skemën e punësimit. “Do të ndërtojmë Agjencinë Kombëtare të Punësimit, si një njësi me buxhet dhe administrim autonom”. Nuk shpjegohet se si do të gjenden paratë e kësaj agjencie dhe se autonom do të thotë jashtë parave të buxhetit, apo strukturë që do të ketë vetëm autonomi shpenzimesh.
Programi për luftën ndaj korrupsionit
“Do inkurajohen njerëzit që denoncojnë korrupsionin”
Një pjesë e rëndësishme e programit të qeverisë së re është edhe lufta kundër korrupsionit. Në një paragraf të dokumentit që do të prezantohet sot në Parlament parashikohet inkurajimi i qytetarëve që raportojnë fenomenin e korrupsionit në vend. “Qeveria do të ndërmarrë nisma ligjore dhe do të përkrahë zbatimin e masave që inkurajojnë njerëzit që denoncojnë korrupsionin. Qeveria do të propozojë një reformim të thellë të sistemit të ndjekjes penale kundër korrupsionit dhe do të mbështesë fuqimisht partneritetin Polici – Prokurori në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fazat e ndjekjes penale të rasteve të korrupsionit, duke përfituar edhe nga ndihma teknike e partnerëve ndërkombëtarë në vënien në zbatim të praktikave më të mira për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit”, thuhet në program. Në dokument theksohet se në katër vitet e ardhshme, qeveria do të punojë me përparësi për ta shndërruar sistemin gjyqësor, nga një prej segmenteve më të korruptuar të shtetit, në një partner të fuqishëm, pa të cilin çdo iniciativë kundër korrupsionit do të ishte e destinuar të dështonte.
Panorama