Priftërinjtë e rinj të gjuhës shqipe

Love

βeℓℓe â๓e
Nga: Marian Paloka

gjuha-shqipe.jpg


Para ca ditësh më ra në sy një artikull me titullin “Dom, shih grigjën tënde!” me autor Rami Memushajn. Kur mbarova së lexuari shkrimin, e kisha të pamundur të besoja se ajo pak-më-shumë-se-zhgarravinë dilte nga pena e një “akademiku”. Po të kisha qëlluar gjuhëtar, nuk do t’i isha përgjigjur, sepse një gjuhëtar që ka respekt për veten e vet, nuk bën polemikë me një shkrim aq të dobët. Pra, nuk po i përgjigjem si gjuhëtar jo vetëm pse s’jam i tillë, por edhe se atij shkrimi i mungon niveli për një përgjigje të tillë. Nuk po i përgjigjem as si dashamirës i fjalës shqipe, që mendoj se jam, edhe pse fjalën shqipe e shoh, me dhimbje, të zvetënuar nga ky shpërdorues i saj. Kulmi i estetikës së këtij “akademiku” gjendet në shprehjet si “domi ynë”, “e ka hallin te…” “nuk e ka marrë vesh ky i mjerë”, ndërsa leksiku i tij vezullon me fjalët: “obligim”, në vend të “detyrim; “sikar”, në vend të “dorës”; “territor”, në vend të “hapësirë”; “informuar”, në vend të “njoftuar”, etj.. Pse po merrem me të atëherë?

Po merrem me të si prift. Jo për të mbrojtur të drejtën për t’u marrë me gjuhën shqipe, që flas pa lejen e Ramiut, i cili, përveç shumë gjërave që nuk di në fushën e vet, nuk di as ku fillon e ku mbaron “grigja” e “domit”, por për të mos e lejuar të hedhë baltë i pashqetësuar mbi shëmbëllimin e klerit katolik të shekullit XX. Ja çfarë shkruan rojtari i “standardit”, duke nxjerrë nga goja çfarë i mbajnë rropullitë, frymën erëkeqe të komunizmi të vdekur, që nuk i bën më dëm askujt, përveçse çjerr maskën e akademikut e nxjerr në pah zvetënimin e njeriut të një regjimi që nuk ringjallet më, përpos në ndonjë zhgarravinë të botuar në gazetë, si jehonë e nostalgjisë që ka lënë pas: “… unë do ta cilësoja domin (e ka fjalën për Gjergj Metën) si një nga servilët e pushteteve, nga ata servilë me shkollë të regjimeve që Shqipëria i ka pasur me shumicë edhe ndër radhët e klerikëve, të cilët janë fajtorë për të gjitha të zezat që ka pësuar ky popull në këta njëqind vjet jete të pavarur”.

Një njeri i ushqyer me petulla të fërguara në vajin e stërdjegur të servilizmit të akademisë së shkencave të regjimit komunist, i paguar me paratë e popullit për të kultivuar gjuhën shqipe në një institucion që, edhe në botimin më banal, i thurte himne nëpër parathënie udhëheqjes së “ndritur” të partisë e të shokut Enver Hoxha, shpall servilë regjimesh klerikët e vrarë nga i zoti i regjimit që e bëri Ramiun “akademik”. Shpall servilë ata klerikë që, pa fonde qeveritare, punuan me heshtje, me përulje e me përkushtim, për çështjen kombëtare, duke paguar me jetë dashurinë e tyre për atdheun.


Koha e parë – gegnisht

Përimtimet albanologjike nuk kanë mujtë me na diftue ende kur ka lindë gjuha shqipe, prandaj mundemi me shkapërcye iliret e pellazgët, me mbërritë deri te rrënojat e Babelit e me vue veshin, per me ndie se mos pikasim, në shumësinë e jehonave të njikohësishme të gjuhëve të vdekuna e të gjalla që lindën nën ato rrënoja, ndonji tingull të gjuhës sonë. Po, ndoshta gjuha jonë ka lindë në Babel e mundet me qene nji zojë e lashtë. Priftënt e feve të vdekuna mund t’u kenë këndue himne perëndive të tyne tashma të vdekun në këtë gjuhë ende të gjallë, në rrotullamën e shekujve të stershkuem.

Priftënt, po, ma parë se të tanë të tjerët, sepse, tue qenë fjala dhuratë e perëndive për njerëzit, njerëzit, në lashtësi ndoshta ma shumë se sot, e kanë përdorë fjalën jo vetëm si bartëse shenjash me të cilat me u marrë vesh me njeni-tjetrin, por si bartëse në vetvete të kuptimit rreth jetes e vdekjes, rreth dhimbjes e gëzimit, rreth të bukurës e të shëmtuemes, rreth të vërtetës e rrenës, rreth të përkohëshmes e të amshueshmes. Gjuha ndryn mbrenda misterin. Ajo sfidon Hyun.

Për këta priftën, për këta himne e për këta fe, nëse vërtetë mund të kenë ba hijë mbi faqe të dheut, nuk dimë asgja. Janë të shumta fetë e urdhnat priftnorë që janë shue në histori. Nuk dimë as si mund të tingëllonte shqipja në gjuhën e tyne.

Qysh kur dimë, atëherë, për gjuhën tonë? Kur u derdh ajo nga jehona në germë, tue na dhanë mundësinë fatale me e kundrue mbrenda enëve të ngushta të germës, të fjalës, të fjalisë e të fjalimit? Fatale, po, se ky kundrim mundet me i mbushë mendjen njeriut të vendosun përballë gjuhës së gozhdueme në germtari (gramatikë), se njeriu mundet me e gjykue gjuhën, me dekretue e me zhdekretue ligjet e ligjësitë e saj, madje edhe me e shpallë të paligjshme, ose ma keq: “gjuhë mëhalle”.

Fajtori i parë për këtë sjellje fatale ndaj shqipes, për guximin me e shkrue atë, tue i dhanë kështu qytetnimit shqiptar përbamësin themelor pa të cilin ky qytetnim nuk do të kishte mbijetue kurrë, asht nji prift. Quhet Pal Engjëlli. Këtë ‘gabim fatal’ Arqipeshkvi i Durrësit ka mundë me e ba vetëm falë nji mospërkimi fatal datash. Ishte viti 1462, kur ai shkroi “Formulën e Pagëzimit” e nuk kishte lindë ende Rami Memushaj, i cili, tue qene lindë 481 vjet ma vonë, ka qenë tepër vonë për me i thanë Pal Engjëllit: “Dom, merru me grigjën tënde!” Sa të shumtë janë ata priftën që për këtë mospërkim fatkeq datash i kanë shpëtue këtij imperativi “akademik” dhe e kanë krye krimin e shkrimit të gjuhës sonë! Po përmendim vetëm disa: Pal Engjëlli, Gjon Buzuku (Meshari – libri i parë shqip), Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Lekë Matrënga, në hershmëninë e shqipes së shkrueme. E disa të tjerë, që jetuen gjatë vlimit ma të madh të krijimit të shpirtit kombtar shqiptar (në kapërcyell të shekujve XIX-XX): Atë Shtjefën Gjeçovi, Dom Ndoc Nikaj (autor i romanit të parë shqip), Atë Gjergj Fishta, Atë Justin Rrota, Atë Donat Kurti, Dom Ndre Mjeda, Atë Vinçens Prenushi, Atë Bernardin Palaj e sa e sa te tjerë. Këta kanë mbledhë e shkrue Kanunin e Lekë Dukagjinit, Eposin e Kreshnikëve, Përrallat Kombtare, gramatikat e sintaksat e gjuhës shqipe, kangët popullore, madje kanë qenë vendimtarë për caktimin e alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit, pa përmendë krijimtarinë e tyne vetjake, e denjë me ndejtë përkrah krijimtarisë ma të mirë perëndimore të kohës. Pa këtë kler, që u mor me gjuhën shqipe kur Shqipnia sa po dilte me sy të lëbyem nga terri shkrimor osman, shpirti i kombit të sapolindun do të kishte mbetë gjysmak. Ata klerikë nuk u morën me servilizëm regjimesh, por, përkundër, regjimet i vranë ata për së gjalli me gjyq e pa gjyq, i vranë për së vdekuni, tue zhdukë veprat e tyne e, tash që historia i ka ringjallë bashkë me veprat e tyne, Ramiu përpiqet me i vra për së treti, tue i quejtë servilë. Fataliteti i mospërkimit historik të naltpërmendun i ka lanë trashëgimisë kulturore të Shqipnisë nji thesar të paçmueshëm dhe e ban thirrjen e Ramiut “Dom, merru me grigjën tënde!” fund e majë qesharake. Sikur gjithë “Dom”-at e Ramiut të ishin marrë me “grigjën” e tyne përgjatë historisë, në hapsinën e letërsisë shqipe të paraluftës II botnore do të shtrihej nji shkretinë e frikshme, po ndoshta Ramiut i vjen ma natyrshëm me u përshtatë me shkretinën se me oazin.

Koha e dytë – “standard”

Mbas një kohe të parë në gjuhën shqipe, e jo në “gjuhën e mëhallës”, vijmë te koha e dytë në gjuhën shqipe sipas standardit të 1972, që mbetet e bukur e madhështore aq sa gjuha e kohës së parë, pavarësisht gjymtimeve e cungimeve që i kanë shkaktuar e vijojnë t’i shkaktojnë dogmatikët e gramatikalizmit dhe pavarësisht se ajo është ndryrë nën rojën pretoriane të Ramiut me shokë. Ajo mbetet e bukur e madhështore jo falë betonizimit të parimit fonetik e morfologjik, as falë përçudnimit të paskajores, as falë rotacizmit me masë e pa masë, por thjesht e vetëm se është shqip. Thjesht e vetëm se ajo ndjell kujtimet e lehtësisë së vargut të Poradecit, elegancën e prozës së Kutelit, forcën e fjalisë së Konicës e mbi të gjitha shpreh në mënyrë të natyrshme shpirtin e shqiptarëve jugorë, por edhe timin, që jam verior. Pra, ajo është gjuha jonë. Në këtë gjuhë mund të shijojmë krijime letrare të arrira të shkrimtarëve tanë e margaritarë të artit të përkthimit të dalë nga penat mjeshtërore të Vrionit, Zhejit, Shvarcit, Treskës, Dokos, Cacit, Evangjelit etj., që kanë bërë të flasin bukur shqip Servantesin, Hygoin, Balzakun,Tolstoin, Remarkun etj..

A ka nevojë për “rishikim” standardi i 1972 dhe kush mund ta bëjë “rishikimin”? Kjo pyetje bëhet dramatike dhe e dëmshme, përveçse ideologjike dhe si e tillë shterpë sa herë lidhet me ndërrime qeverish e pushtetesh. Nuk jam i mendimit se ardhja e të majtëve në pushtet është më e dëmshme për gjuhën shqipe se ajo e të djathtëve, jo vetëm sepse një akademi e ndërtuar mbi parimin e partishmërisë është e padenjë për t’u marrë parasysh në çfarëdo lëmi, e aq më shumë në lëmin e gjuhës, por edhe sepse gjatë qeverisjeve të djathta akademia e arsimi publik kanë lënguar të paktën aq sa gjatë qeverisjeve të majta, në mos më shumë, nëse më shumë do të kishte qenë e mundur. Pyetja për rishikimin e të ashtuquajturit standard nuk duhet shtruar, sipas mendimit tim, as mbi truallin e fakteve kokëfortë (të panjohura nga Ramiu) se shqiptarët nuk e përdorin ende këtë kodifikim në përditshmërinë e tyre. Duhet një shestim i madh edukues për ta ngritur gjuhën e folur afër lartësisë së gjuhës së shkruar, ciladoqoftë kjo e fundit. Rrethanat historike të vendit tonë nuk e kanë përkrahur këtë shestim. Ishte i pamendueshëm nën perandorinë osmane, u përpëlit shpresëtar gjatë periudhës nga Pavarësia deri te Lufta II Botërore, dështoi detyrimisht nën diktaturë, sepse edukimi nuk mund të zhvillohet në mungesë të lirisë, dhe u braktis fajshmërisht e trishtueshëm në “demokraci”, sepse me një masë të paedukuar është më e lehtë të rrjepet atdheu. Edukimi popullor me gjuhën është i hapur, sepse krejtësisht e hapur është tërë fusha e edukimit në Shqipëri. Pyetja rreth “standardit” nuk duhet shtruar as për mëtime përfaqësimi të barabartë krahinor në njësinë e gjuhës kombëtare. Do të ishte një dëshirë parake.

Pyetja për “rishikimin e standardit” mund të shtrohet vetëm “n së dashunit së botësë sanë” (Buzuku, prifti për të cilin presim Ramiun të na tregojë servil i kujt ka qenë). Duhet shtruar për dashuri të atyre fëmijëve shqiptarë që, të penguar nga ngushtësia e horizontit të “standardit” që u jepet në shkolla, nuk pajisen me mjetin gjuhësor të domosdoshëm për t’u ushqyer tek gurra e eposit të veriut, tek përrallat kombëtare, tek thesari i revistave kulturore të Shkodrës së fillimshekullit XX, tek përshkrimi i dokeve e zakoneve të mbledhura me mund e me djersë, pa asnjë fond qeveritar, nga priftërinj që, duke mos pasur një Rami që t’u thoshte: “Dom, merru me grigjën tënde!”, kanë shkuar këmbëzbathur maleve e luginave të veriut të Shqipërisë, për të dëgjuar drejtpërdrejt nga goja e malësorëve kumtet kombëtare shqiptare që vijnë prej thellësisë së shekujve.

Një i ri i dalë nga shkollat e sotme shqipe nuk e lexon dot Eposin e Kreshnikëve, as epikën apo satirën e Fishtës në Korçë, siç lexon një tjetër lirikën e Poradecit në Kukës; nuk e shijon prozën e Koliqit në Vlorë, siç shijon një tjetër prozën e Kutelit në Shkodër; nuk e përtyp vargun e Camajt në Gjirokastër, siç rrok një tjetër rimën e Nolit në Lezhë; nuk pasurohet me analizat e thella filozofike të Arapit në Fier, siç mund të pëndritet një tjetër me thellimet e Merxhanit në Pukë. Kjo nuk ndodh për faj as të gegnishtes, as të toskërishtes, por për faj të rojtarëve fanatikë të një “standardi” gjuhësor që është ndëshkues për fëmijët tanë, sepse ua bën gati të pamundur sot, në “demokraci”, qasjen ndaj letërsisë gege, që ishte e ndaluar nën diktaturë. Fondi letrar shqiptar nuk ka një begati të tillë që t’i lejojë këta “akademikë” të kryejnë një akt të tillë përjashtues, me pretekstin e leckosur të “standardit” gjuhësor si mjet i domosdoshëm për bashkimin kombëtar. Bashkimi kombëtar gjendet në shpirtin e gjuhës e jo në germën e saj. Një gjuhë e ngurtësuar në “standard” rrezikon të japë shpirt nën dhunën e rojes së saj pretoriane (kolegjit të “akademikëve”) e ta lërë këtë të fundit, por edhe të tjerë, me një golle në dorë.

Nëse ndonjëherë do të shtrohet çështja e edukimit në Shqipëri, pra çështja e arsimit publik si instrument i pazëvendësueshëm për një rilindje, do të shtrohej keq po të shtrohej pa çështjen e “standardit”. Edhe për këtë gjë, si për shumë gjëra të tjera, po lajmë duart e po ia lëmë historisë të tregojë si do të shkojnë punët. Në hapësirën e historisë që shtrihet përballë kombit shqiptar si mundësi e kristalizimit të gjuhës në një proces të përgjithshëm të lartësimit shpirtëror e mendor të shqiptarëve, era e mbart më lehtë se gjethin e thatë gjuhën pretoriane të “akademikut” që thotë: “Ne … jemi kundër përmbytjes së bazës së gjuhës standarde, edhe sikur qëndresa jonë të rrezikojë paqen e pajtimin me një grusht provincialësh që luftojnë për ‘gjuhën e mëhallës’”.

Mbasthanje – gegnisht

Në këtë “mëhallë” Ardian Ndreca as nuk ban eksperimente, as nuk asht i vetëm. Thjesht shkruen shqip. Forca e mendimit të tij shprehet aq qartë në gjuhën që ai shkruen, sa shprehet qartë mprehtësia e Ardian Vehbiut në gjuhën që ky i fundit shkruen. (Përmenda këta të dy se më erdhën të parët në mendje si shëmbëllesa të harmonisë së dikurshme të shkrimtarëve të veriut me shkrimtarët e jugut, edhe pse nuk e di a njihen e a kanë harmoni mes vedi Ndreca e Vehbiu). Nji gjuhtar i sertë, që e din se asht shërbtor e jo pronar i gjuhës, nuk do t’i quente kurrë eksperimente as shkrimet e Ardian Ndrecës, as librat e Zef Pllumit, as përsiatjet e Sami Repishtit, as artikujt e Willy Kamsit, vetëm pse nuk janë shkrue në “standard”. Përkundra, do t’i shqyrtote me vëmendje, për me mësue prej tyne. Do t’i linte të hapuna mundësitë e zhvillimeve të gjuhës, tue njoftë gjallninë e saj. Pra, Rami Memushaj, në gjykimin tim, nuk asht gjuhtar i sertë.

اka asht, atëherë, Rami Memushaj e ata që ai përfaqëson?

Shëmbëllimi ma i parë që më vjen ndër mend asht ai i priftit. Rami Memushaj asht prift i një feje të re, që quhet “standard”. Kjo fe ka librat e vet të shejtë, që janë kodet gramatikore e drejtshkrimore të prodhueme si rrjedhojë e kongresit të 1972. Ka fjalorin e stërdalun boje të shqipes së sotme, të vetmin të llojit që kisha e tij akademike ka mundë me prodhue. Tue qenë “standardi” feja e tij e shejtë dhe e paprekshme e ai prift i saj, nuk po duem me luejtë me këto gjana të randsishme, prandaj po e lamë Dom Ramiun të qetë në shejtninë e priftënisë së tij gjuhësore.

Gjuhën shqipe e ruejtën nga harrimi i historisë ata që Dom Ramiu i quen “servilë”, pra priftënt e Zotit. Tash, Zoti e ruejtë gjuhën shqipe nga priftënt e saj të rij! Amen.
Mapo
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top