Politika e Rilindjes

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Albin Kurti

4 vilajetet e banuara me shumicë shqiptare ( Vilajeti i Shkodrës, i Kosovës, i Manastirit dhe i Janinës) kishin gjithsej një sipërfaqe prej rreth 92.000 kilometra katrorë. Në vitin 1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, shteti i Shqipërisë përfundoi me më pak se 29.000 kilometra katrorë. Rënia e Perandorisë Osmane dhe tërheqja e saj nga Ballkani po pasohej me krijimin dhe zgjerimin e shteteve kombe. Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Bullgaria u zgjeruan e u ngushtuan në llogari të njëra-tjetrës, por mbi të gjitha u zgjeruan në llogari të shqiptarëve. Shtetit të porsaformuar të Shqipërisë i mbeti jashtë 60 % e popullatës shqiptare dhe 2/3 e territorit. Ndaj shqiptarëve të mbetur në shtete të huaja filloi gjenocidi: vrasjet, persekutimet, dëbimet masive. Gati një shekull më vonë shteti i Shqipërisë e ka po atë madhësi territoriale, porse trevat e banuara me shqiptarë jashtë shtetit të Shqipërisë nuk janë as 1/3 e një shekulli më parë.

Po mirë, kjo është e tëra histori që tani s’ndryshohet dot, apo jo? Problemi është se kjo nuk është histori. Kjo po ndodh edhe sot e kësaj dite. Pas luftës së fundit në Kosovë, u humb Veriu i Kosovës, kurse me projektin e decentralizimit dhe këto 6 pikat e Ban Ki-moonit, Serbia po bën përpjekje që situatën e Veriut të Kosovës ta riprodhojë në veriperëndim dhe në lindje të Kosovës. Serbisë së papenduar për krimet nga e kaluara iu pranua kërkesa që të njihet brenda Kosovës pa e njohur ajo Kosovën. Në anën tjetër, në jug të Shqipërisë, Greqia po e rrit artificialisht numrin e minoritarëve grekë, po i ndërsen ata kundër Shqipërisë, ndërkohë që nuk e pranon gjenocidin mbi çamët dhe nuk ua kthen pronat atyre. Greqia është anëtare në NATO, që muaj më parë ka blerë armatim nga Rusia dhe është anëtare e BE-së që nuk pranon se ka minoritete në Greqi.

Zvogëlimi i territorit gjithsesi do të thotë zvogëlim i resurseve natyrore dhe i hapësirës për jetë, zvogëlim i mirëqenies dhe i mundësive për zhvillim. Trevat e banuara me shqiptarë në Ballkan e kanë dendësinë më të madhe të popullatës, diaspora shqiptare shtohet si asnjë tjetër me shqiptarë të rinj që e lëshojnë vendin e tyre, kurse standardi i jetesës së shqiptarëve përgjithësisht është më i ulëti nga të gjitha kombet e tjera në rajon. Pasojat e zvogëlimit të territorit dikur dhe sot kanë ndikuar më së shumti për tërë këtë.

Të gjithë e kemi dëgjuar atë thënien se kush nuk e mëson historinë, i përsëritet ajo. Për neve shqiptarët mbase do të mund të thuhej edhe e kundërta. Ne nuk e kemi mësuar historinë pikërisht sepse ajo na është përsëritur aq shumë. Historinë e kemi konsideruar si diç të shkuar që mbetet në të shkuarën. Përsëritja e shpeshtë e historisë ose aspekteve të saj ka bërë që të insistojmë se kohën që po e jetojmë është kohë e re dhe se këto përgjithësisht janë kohëra të reja tash. Mirëpo, aq shpesh është përsëritur historia dhe historitë, saqë ato s’janë më histori, por njëfarë aktualiteti jashtëkohor. Ajo që tashmë ka ngjarë disi po na ngjan përherë. Si diçka e shkuar por për të mos shkuar.

Megjithëkëtë, ka diçka që nuk mund të thuhet se u përsërit. Dhe, sa keq që është kështu! Elitat politike të para një shekulli i kishim më të ndershme, më largpamëse dhe më patriotike sesa që i kemi sot gjithandej kufijve që na ndajnë. Nevojën për shtet në shërbim të mbrojtjes së popullit, rëndësinë e forcës në politikë, nevojën për komb të konsoliduar, e kishin më të qartë dhe më afër zemrës politikanët shqiptarë të para një shekulli sesa këta të sotmit. Politikanët e Rilindjes Kombëtare e formësuan kombin dhe e ndërtuan shtetin. Politikanët e sotëm nuk e avancojnë as shtetin dhe as kombin, kurse ato që i gjetën të gatshme më shumë i dëmtuan sesa që i pasuruan. Ata më shumë u morën sesa që u dhanë shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Shqiponja, shqipja, Shqipëria. Një flamur, një gjuhë, një komb. Një shekull më parë e përbashkëta jonë u vendos në qendër. Dallimet fetare e krahinore mbetën ashtu siç zaten edhe ishin – të rëndësisë së dorës së dytë. Ndonëse Shqipëria e 1913-s mbeti me territor të zvogëluar, shqiptarët atëbotë e lanë shtegun hapur për korrigjim historik. Shteti ishte kushti i ndaljes së humbjes së territorit. Aty ku nuk kishim shtet, apo me saktë, aty ku shteti ishte i huaj, rrudhja vazhdoi. Mirëpo, në periudhën që i parapriu Lidhjes së Prizrenit e deri te pavarësia e Shqipërisë, ne shqiptarët u bëmë një komb në kuptimin modern të fjalës. Pikërisht atëherë u hodhën themelet e mundësisë për brezat e ardhshëm për korrigjim historik dhe përparim. Komb-bërja shqiptare, në thelb të së cilës është data 28 Nëntor, frymëzoi rezistencën politike dhe shoqërore të shqiptarëve përgjatë shekullit XX. Ajo bëri që okupatorët e ndryshëm të mos mund t’i zhbijnë apo asimilojnë shqiptarët.

Politika e Rilindjes Kombëtare, më parë se qëllim, kishte ideal: të arriturat e saj ishin pasoja përgjatë rrugëtimit në ndjekjen e një ideali të përbashkët. Mënyra e tyre e politikës dhe organizimit nuk ka qenë kurrë më aktuale sesa sot.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top