POEZI nga ALBAN BALA

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
alban-bala-3-720x400.jpg

Alban Bala

Kur te vdes

Kur te vdes, dua te jem ne rruge
Duke pare diellin sesi bie pas malit
Te mbahem tek horizonti para se bie ne gjunje
E fjalen e fundit t'ja them vec Zotit.
Kur te vdes dua te jem duke ecur.
Hapi i fundit do te jete si i pari.
Dhe qeshjen e dua veshur, dhe pershendetjen
Ta kem drite te paster.
Dhe nese vetem do te jem a me njerez
Vdekja eshte nje kujtim feminie:
Te biesh do te thote te ngrihesh perseri
Po aq i lumtur, i pafajshem, i dlire...
Vetem rruga ndryshon. Cdo hap qe une hedh
Eshte nje rruge e re dhe e panjohur.
Kur te vdes dua te jem duke ardhur, jo duke ikur
Aty ku kam dashur te jem gjithmone.
Fati eshte me ata qe udhetojne.
Zoti me ndihmofte...

***​


Kur heshtja thyen horizontet si thupra,
Kur bota behet mur
Kur njerezit ne vitrina jetojne ngjarjesh te huaja
Si manekine pa duar
Kur endrrat qepin syte me pe' te zi dhe guret
Jane te vetmet fjale qe te kujtojne lumin,
Shtepine, dritaren e perdiellur, rrugen
Asgje nuk ka ndodhur, rrotullo hapat dhe shko
Krejt si dikur
Ne atdheun e femijes, ne malin e padukshem te mbushur
Me gra dhe burra
Mes hijeve te pafund ku pemet flasin shtruar, urte
Gjuhen e harruar te kujteses, ku fushat
Jane bluza te veshura me lule, qepur nga lumi
Me brigjet e nxehte si buze, me ujin
Qe rishpik yjet
Shko ne thellesine e qenies se praruar
Flutur e nje bote te zbukuruar me flutra
Me forma sysh qe shohin ngulte cdo gjurme...
Nese bota ka fund ti je e pafund
Ne kufinjte e tu te humbur
Ku zemra ulet druajtur
Si nje flutur mbi lule...


***​



NATE TIRANASE

Rrugicash
Drita kruan shpinen
Ne berryla hijesh
Neper xhepa pershendetjesh
Ketu
Gjej ende syte e femijes
Lekuren e njome te endrrave
Mbi fytyren e imet
Te shikimit
Fryn juge
me arome te perzhitur
Dhe njerezit
Si milingonat neper plasa toke
Hyjne
Ne shtepite e zerave prej drite

LOLES

Ketu nata eshte ende nje frut pa lekure
Dhe hena mban yjet rrethuar me drite
Plepat zgjasin duart, njerezit deshirat
Dhe bota mban frymen:
Por ti ke ikur...
Kjo toke eshte shume e bute per varre te rinj
Dhe shume e ashper per te rritur dhimbjen.
Njerezit ketu i varrosin mes syve, kujtimet nder qeshje.
Lumi u ka mesuar te gjitheve si te ikin.
Tani ti je ajo pema ne fund te kopshtit
Qe shfaqet mes njerezve si nje arome e embel
Premtim i nje stine qe kthehet pareshtur
E brishte ne heshtjen tende por kurre e trembur
Ti je ajo reja e hareshme e mallit
Per shirat qe iken perlotur me majin
Ne nje enderr te shkurter qe luledelet perkundin
Ne livadhin e mbetur pa hapa...


***​


Të kujtohet kur luaje me gishtat e mi
Dhe flokët lundronin andej nga frynte malli?

Të shoh në pasqyrën ku stinët ndërrohen
Përpara se të vënë detin në gjumë…

Mbi xham shkarravis figura të ҫuditshme
Me gishtin e vënë përmbi gishtin tënd
Nga ana tjetër e botës…
Ҫdo gjë sot të ngjan; ndoshta dhe unë.

Me atë që kujtesa ka ruajtur
Tani mas kohën.



***​

Dhe unë nuk të kam parë ende…
Një diell që e prisja i bëri rrugë natës,
Një shi hyri mes nesh, një erë e marrë
E lagur

Por unë,
Une nuk të kam parë ende.
U bënë ditë tash që nuk të kam parë.
Zërin tënd e ndoqa dje në rrugë
Dhe hijen tënde e njoha nga e bardha.

Manjolat si zogj shpërthyen në qiell
Dhe pemët u ҫmendën mes këngesh të gjelbra.
Me sytë e mbyllur, me zemrën tek heshtja
T’u luta të të shoh dhe u zhyta te vetja

Të të gjej, të prek, të të ndjej e të qesh
Me mallin tim që qan butë mbi kujtime.
Ti je gjithnjë aty ku drita i tregon hijes
Përrallën tonë mbi sytë e një fëmije.

Por unë
Unë nuk të kam parë ende
Sot…



Këtu gjithҫka ka ndryshuar veҫ meje

Fantazma e trëndafilit ende digjet në kopsht
Netëve pa hënë, nën erë.
Njerëzit ecin më shpejt e më heshtur.
Ullinjtë, me duart në xhepa, presin
Kamionin e dimrit cep xhadesë.
Në telajon e qiellit penelat e plepave
Trazojnë ngjyra të trishta vjeshte.

Fytyrat e njohura janë bërë lumenj
Por kanë humbur deltat. Tash njerëzit
Mbjellin në det e korrin në qiell…
Qentë u zbutën e zogjtë janë të egër.

Këtu gjithҫka ka ndryshuar veҫ meje.

Të gjithë lumturohen kur ikin, jo kur kthehen.
Fëmijët po lindin më rrallë e më herët.
Vajzat lyejnë sytë; burrat luajnë derën
Dhe bota është mplakur prej heshtjes.

Një hënë e kuqe dhe një stuhi e zezë
është krejt sa mbahet mend. Kanë vdekur
Ata që këndonin në dasma. Kanë mbetur
Ata që s’duan të martohen më.

Këtu gjithcka ka ndryshuar me rrënjë…



NË DITËLINDJEN E DJALIT

Ti sa shpejt u rrite! Tani je gati
Të më shohësh në sy, të më gjykosh pa mëshirë
Të më mbjellësh të gjallë poshtë pemës së dëshirave.
Ti sa shpejt u rrite! Më ka marrë malli
Për heshtjet e tua kur ëndërroja të flisje…

Ti sa shpejt, po sa shpejt u rrite
Aq sa mosha më rëndon pas vrapimit tënd
Koha ime shkon si ditët e tua
Gjithnjë e më shpejt, hije
e një trupi tjetër.

Ke mësuar shumë gjëra por ende s’më njeh
Ndërsa u rrite shpejt, më shpejt se unë.
Në sy ta lexoj etjen për të ikur
Atje ku njerëzit i merr malli për njëri-tjetrin.

Ti sa shpejt u rrite! Tani je gati
Të më duash dhe të më urresh gjithnjë e më fort
Gjersa të ritakohemi tek pragu i heshtjes
Kur ty do të të marrë malli të më dëgjosh.

Ti sa shpejt, po sa shpejt më rrite…

***​

Tani që heshtja jote shuhet
Nga krismat e njoma të shiut mbi qelqe
Nga zëri i reve në qiell. Unë lutem
Të buzëqesh në një ëndërr që do e shohësh patjetër
Kur të kem ikur urtë
Nga ky cep i qiellit tek tjetri
Mbi varkën e syrit tënd që fut ujë…



***​

Paska qene deti kontinenti yne, shpirt
toka e panderrueshme e endrrave, shtrati
i femijeve tane te bardhe si shkuma, si drita
atdheu yne i gjelber qe perplaset shkembinjve
te se qeshures sate, te mungeses sime

paska qene deti kontinenti yne
me buzet e nxehta prej rere, me klife
me krifen e barit te eger qe shkruan eren
me tinguj
me duart tona si varka te medha
qe sjellin boten ne shtepi

paska qene deti kontinenti yne
dashuria e syve te tu qe zbulojne ngjyra
edhe ne bardh e zi, tretesira e qiellit me ajrin
zhytur ne trupin e nje toke qe s’duket, por ndrin
si ne kur jemi bashke perballe tij

paska qene deti kontinenti yne
dhe pse s’ishim zogj, jemi fryme…



***​

E di,
Një ditë do të ma tregosh botën.
Jo me fjalë apo gjeste, as me sy…

Ndoshta thjesht përmes qumështit të gjirit
Si herën e parë kur mësova i uritur
T’i njoh njerëzit nga aromat dhe sendet
Nga zëri yt.

Do t’ma tregosh botën, botën tënde të ndritshme…

Do të vijnë yjet e do të kenë ngjyrën e syve,
Hëna si një gojë e ndezur në thirrje,
Qiellin e fytyrës, e dua atë qiell
Ku ëndrrat e mia ngrejnë balona fëmijësh
Me perin tënd të thinjur.

Do të vijnë ngjyrat. Ende i mbaj mend ngjyrat
Kur derdheshin ëmbël nga dielli i gjinjve
Dhe unë pija dritë.

Do të vijë errësira
Uji i bekuar që mbulon livadhet ku flenë
ëndrrat e tua të rralla e të mira,
Fryma që fik qirinjtë e para se ta ndezim mallin
Si oxhakun e dimrit.

Do t’ma tregosh botën një ditë
E di
Një ditë kur të mos më duhen më sytë…



I LUMI UNË PËR TY, SA E MIRA JE!

Sublime si drita, e dlirë si buzëqeshja,
E heshtur si ora kur mat hapin e muzgut,
E bukur si ecja, e kthjëllet si agu
E pastër si shiu mbi lule…

I lumi unë për ty, sa e mira je!

Ndoshta kur të krijoi Zoti po më thoshte
Gjithë dashurinë e tij me një fjalë të vetme.
Se ti je e mirë sa s’të rrokin ëndrrat,
E ndritshme dhe e gjelbër, si gjethet.

Je ajri i ndajnatës nën hënën e plotë
Dhe vesa e përndezur mbi lulëkuqet mes grurit.
Ndoshta Zoti të ka dashur kaq fort!
I lumi unë për ty!
Zemrat e bukura plasin më fort se guri.

Nuk ikin. As vdesin. Veҫ buisin dritën
Dhe ashtu të perjetshme butë i luten Zotit
Tek prehen dëshirash si ëndrra të mira
Nën puthjen e ngrohtë të lotit.

I lumi unë për ty, sa e mira je!

Me një shenjë m’i ke dhënë të gjith’ miraditë,
Me një gjurmë – të gjith’ rrugët, me heshtje – ҫdo fjalë.
E pastaj ke lulëzuar brenda syve të mi
Siҫ vishet me pranverë një mal…

I lumi unë për ty, i lumi…!

***​

Sa u bë që po shkruaj këtë poemë brenda teje?
Tani shelgjet u mplakën dhe lumenjtë janë ngrirë
Buzëqeshjet e detit i rrudh era e egër
Ndër brigje që dridhen.
Ne rritemi
Mbi një poemë të gjelbër që shkruhet ҫuditshëm
Me kujtime të lakuara që u ngjajnë brinjëve
Me largësi që vijnë dhe ikin si stinë
Ne rritemi
Ndërsa ti ke mbetur një vajzuke, njomëz
Që shkruan brenda meje me frymë…

Sa kohë na ka mbetur ta këndojmë së mbari
Këtë poemë pa rima, me dy sy
Me flokët si ari, me heshtjet si brymë
Këtë poemë që më ngjan shumë por ca më tepër
Të ngjan ty.
Këtë poemë që ecën duke na mbajtur vështrimet
Në horizonte nismash të dridhshme
Ku lotët shkruajnë ajrin me gishta të zjarrtë
Dhe fjalët kanë mësuar të fshijnë
Dërrasën e zezë të syve…

Sa kohë u bë që luajmë ëndrrash si fëmijët
Ne poetët e dashurive ?
 
Sa bukur shkruka.
Eh jeta!
Ne udhetaret e marre, qe diten s'dim me gezue, e naten me shijue.
E keshtu ngaterrohemi ne mendime, cungohemi ne veprime.
E jeta, jeta cfare!?
Nje fllad qe syte ti ndricon, shpirtin ta kullon.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top