Përgjegjësia e Votës

Paraqitja e ulët në votime nxit polarizimin e mëtejshëm shoqëror dhe shembulli më konkret do ishin zgjedhjet vendore të 2019-ës...Rezultatet që dalin nga angazhimi nëpërmjet votës i një grupi apo klase shoqërore të vetme, çon në shtresëzimin e pashmangshëm shoqëror, ku demokracia do këndojë vetëm këngën e kësaj shtrese, duke mohuar realitetin e shtresave të tjera.






“Kur dëgjon se ka shumë pemë, merr shportën e vogël.” Kjo shprehje e urtë popullore duket të përshtatet më së miri me dyshimin dhe skepticizmin që qëndron në ajër këto kohë elektorale si një virus i paemërtuar ende.
Sa herë që diskutoj me të afërm apo miq për votimin e së dielës, pakënaqësitë dalin gjithmonë në sipërfaqe dhe zhgënjimi është pjesë e përhershme e fytyrave të tyre të lodhura. Nëse lodhja vjen nga puna apo nga stresi i pandemisë, ajo dyfishohet nga fushatat stresuese që reduktohen në një të ardhme të pasigurt.
Besueshmëria në fuqinë e votës është në fije të perit!
Hannah Arendt në librin e saj Mbi dhunën, e konsideron pushtetin “si një veti organike dhe e qenësishme e çdo komuniteti politik {që} nuk ka nevojë për justifikim, por ka nevojë për legjitimitet”. Në shoqëritë demokratike, ndër të cilat bën pjesë edhe Shqipëria prej gati 30 vitesh, legjitimiteti politik stabilizohet me anë të votës së pavarur.
Pavarësisht se qytetarët duken të bezdisur nga termat “ideologji”, “partiake” apo “politikë” dhe kërkojnë të distancohen sa më shpejt prej tyre, rezultati është i paevitueshëm sepse vetë pjesëmarrja e tyre në një shtet që i konsideron ata/o qytetarë, i transformon këta në entitete me karakter politik.
Pikërisht nëse pranojmë që jetojmë politikisht në komunitetin tonë, qoftë edhe të zhgënjyer politikisht, e drejta politike mund të kthehet shumë thjeshtë në një detyrë demokratike që nuk na përket vetëm në mënyrë individuale, por kolektive.
Pyetja e parë dhe e rëndësishme që mbetet të ngrihet në këtë rast është; nëse jemi entitete politike dhe jemi shumë të pakënaqur me natyrën e përgjithshme politike, përse të mos e kthejmë zhgënjimin tonë në një akt politik të pakontestueshëm siç është votimi?
Pyetja e dytë dhe akoma më rëndësishme që vlen të shtjellohet është: çfarë faktorësh e përcaktojnë detyrën tonë komunitare ndaj votës?
Studiuesit e filozofisë politike analitike, prej shumë vitesh i kushtojnë rëndësi sjelljes së votuesit dhe vlerës së votës në kontekstin zgjedhor. Disa prej tyre janë mbështetës të ethshëm të votës së detyrueshme, si prova më e mirë e një demokracie të suksesshme (edhe pse vende si Korea e Veriut, Singapori apo disa shtete të Amerikës Latine janë larg pasqyrimit të një demokracie të shëndetshme). Disa të tjerë argumentojnë se qytetarët nuk kanë ndonjë detyrë civile të paraqiten për të votuar, sepse mundësia që vota e tyre të bëjë ndonjë ndryshim është ekstremisht e vogël ose e parëndësishme për rezultatin final dhe rrjedhimisht sipas tyre, do ishte mëse racionale mosparaqitja në votim.
Sigurisht nuk duhet të harrojmë që filozofia analitike, e cila studion gjerësisht etikën e votimit, ka influenca bashkëkohore perëndimore dhe kur aplikohet në kontekstin shqiptar, situata mund të paraqitet më e nuancuar se kaq.
Gjithsesi, le të supozojmë për një moment se qytetarët nuk kanë asnjë detyrim civil të paraqiten të votojnë të dielën.
Parashikimi i motit tregon temperatura të larta dhe diell në shumicën e qyteteve dhe një individ A me të ardhura mesatare, mund ta konsideronte më të frytshme një piknik jashtë qytetit ose dyndjen nëpër bare dhe restorante, pavarësisht pandemisë, ama jo në qendrën e votimit, sepse fundja vota e tij/saj individuale nuk do të mundë të influencojë rezultatin. Në fund të ditës, qeveria që do të zgjidhet, do ketë ndikim si tek A-ja, po ashtu edhe tek të tjerë që e kanë votuar apo jo këtë qeveri të re.
Individi A në këtë situatë paraqitet si free rider, pra pavarësisht se nuk merr pjesë në veprimtarinë kolektive të votimit, do përfitojë/humbasë prej saj në mënyrë substanciale po aq sa B apo C që kanë votuar. Në këtë rast, veprimi i A mund të konsiderohet ose jo moral në rast se i japim situatës një kontekst specifik.
Të supozojmë se A ishte shumë skeptik me ofertat politike zgjedhore dhe preferoi të mos marrë pjesë në zgjedhje, sepse asnjë kandidat/e nuk arriti ta bindte. Në garën elektorale kemi dy mundësi politike kryesore; X dhe Y, por edhe alternativa të tjera, që A i konsideron mjaftueshëm të dobët për të fituar mandate (duhet të kemi parasysh parasysh që A dëshiron që vota e tij/saj të influencojë një mandat/rezultatin që pretendon se ka mundësi të larta që të fitojë).
Dy garuesit X dhe Y shfaqin planin e tyre elektoral, ku X premton portokaj për të gjithë dhe Y premton hapësirë për të mbjellë frutat që gjithësecili dëshiron. Ama ka një problem; A-ja e di që portokallet janë shumë të shëndetshme, por njëkohësisht të pamjaftueshme për të plotësuar të gjitha vlerat ushqimore. Përveç të tjerash, A vuan nga gastriti dhe rrjedhimisht është i limituar në konsumimin e portokajve. Nga ana tjetër, premtimi i Y duket shumë tërheqës, por hapësira e premtuar nuk vjen në paketë edhe me fara për të mbjellë dhe A nuk disponon asnjë farë të mundshme, pra e ka të pamundur të investojë në këtë hapësirë.
Duke qenë se nuk i leverdis asnjë nga ofertat, A vendos që të dielën të bëjë çdo gjë tjetër veçse të votojë. Ndoshta alternativat e tjera të vogla mund të ofronin fruta të tjera ose fara për të mbjellë, por A nuk i sheh ato si mjaftueshëm të forta për t’i dhënë një mundësi dhe nuk ndihet i/e motivuar për të shpenzuar kohë dhe energji për ta.
Në këto raste hipotetike, a është i justifikuar moralisht A që të jetë free rider dhe në të ardhmen të përfitojë/humbasë nga politikat e qeverisë së re X, Y apo X dhe Y? Kjo është një situatë tipike morale ku theksi bie mbi konfliktin midis aksionit kolektiv dhe interesave vetjake.
Individi A shfaqet si një agjent që ndjek interesat vetjake dhe në këtë rast vota e tij mund të instrumentalizohej në mënyrë që të rriste përfitimet e veta. Në rast se portokalli do preferohej shumë nga A, atëherë duket sikur A do ndihej i motivuar për të votuar kandidatin X.
Mirëpo, problematike do ishte nëse e marrim këtë situatë në nivel kolektiv, ku A mendon vetëm për shijet e veta dhe nuk mendon që nëse varianti X do fitonte, të gjithë njerëzit do konsumonin vetëm portokaj, u pëlqen apo jo, janë të përshtatshëm apo jo për shëndetin kolektiv.
Rasti i individit A që nuk ndihet as i përfaqësuar nga ndonjë ofertë politike dhe as nuk përfiton nga ndonjë ofertë politike, mund të përsëritet nga shumë individë të tjerë, derisa paraqitja në votim të jetë shumë e vogël dhe rrjedhimisht rezultatet e votimit të jenë të pakënaqshme për shumicën e qytetarëve.
Në një vend me një numër të vogël popullsie si Shqipëria, votuesit e kanë të vështirë të ndjehen të padukshëm, sepse diferenca e vogël e votës nëpër qarqe dhe komuna vë në diskutim mandandet që arrijnë ta kalojnë pragun. Në këtë situatë, e drejta e votës kthehet në detyrë si formë që siguron vazhdimin e demokracisë dhe kundër mundësisë, që askush të mos dalë në votim.
Paraqitja e ulët në votime nxit polarizimin e mëtejshëm shoqëror dhe shembulli më konkret do ishin zgjedhjet vendore të 2019-ës, ku pavarësisht se kishte një mungesë të theksuar ofertash politike, rezultati cenoi hapur përfaqësimin demokratik.
Le ta imagjinojmë procesin e votimit si një mbledhje midis miqsh për të zgjedhur një dhuratë, ku disa japin mendimin e tyre për dhuratën, disa të tjerë heshtin ose nuk paraqiten fare në mbledhje. Vota do ishte arma më e thjeshtë demokratike që momentalisht sistemi politik na ofron, një mundësi për të patur fuqi mbi përfaqësuesit tanë të ardhshëm, por kjo fuqi vjen gjithmonë e shpalosur në mënyrë kolektive. Prandaj, procesi i votimit duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës, ku çdo votues të ndjehet i barabartë me të tjerët.
Sidoqoftë, edhe pse votimi është një drejtë që na është dhënë lirisht prej të paktën 30 vitesh demokraci, si metodë nuk arrin të shtrihet në mënyrë të barabartë tek të gjithë votuesit e mundshëm. Zakonisht individët më të avantazhuar janë ata që aktivizohen më shumë politikisht.
Ndoshta për ta, aksesi ndaj informacionit është më i lehtë për t’u arrirë, interesat vetjake janë tepër të larta për t’u ruajtur. Arsyet mund të jenë të shumta, por rezultatet që dalin nga angazhimi nëpërmjet votës i një grupi apo klase shoqërore të vetme, çon në shtresëzimin e pashmangshëm shoqëror, ku demokracia do këndojë vetëm këngën e kësaj shtrese, duke mohuar realitetin e shtresave të tjera.
Pikërisht për të shmangur këtë skenar që përsëritet tashmë prej shumë kohësh, është e rëndësishme të theksohet që përgjegjshmëria merr dy forma përfundimtare.
Ajo vjen nga një e drejtë universale si ajo e votës, e cila është edhe forma më bazike e pjesëmarrjes në pushtet. Por nga ana tjetër, nuk duhet harruar as votimi i përgjegjshëm, i cili reflekton një të mirë të përbashkët (pa gjykuar ciladoqoftë ajo), por që ka për bazë sigurimin e së mirës edhe për qytetarët më pak të avantazhuar, duke ndikuar kështu interesin kolektiv.

/Reporter.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 4 22.2%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 11.1%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 5.6%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 22.2%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 11.1%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 1 5.6%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 4 22.2%
Back
Top