Perandoria e errët e miliarderit të ‘Telegram’

Shiko fotografinë 1922295
Pavel Durov pozon i zhveshur nga mesi i lart në pozicionin “lotus” të seancave të jogas nga tarraca e një hoteli në Dubai. Fotoja në profilin e tij në Instagram, që duket si një nga mijëra selfit që shohim nga influencerët e tjerë të rëndësishëm, është një nga shenjat e rralla mbi jetën e njërit prej sipërmarrësve më të pasur dhe më me ndikim të botës në internet.

Disa e quajnë 36-vjeçarin “Zukerbergu i Rusisë”, pasi ai themeloi klonin rus të Facebook VKontakte në vitin 2006. Por investimi i tij i fundit është shumë më i rëndësishëm: Telegram, pa dyshim shërbimi më i rrezikshëm në botë i komunikimit përmes mesazheve.

Ka shumë pak të dhëna mbi miliarderin rus, që konsiderohet si njeriu më i pasur në resortin ku banon në Dubai. Dhe ajo që ai thotë në publik, tingëllon shpesh e çuditshme. “Bota e jashtme, është reflektim i asaj së brendshmes”- shkruan ai në mbishkrimin e fotos së tij të profilit në Instagram.

Aplikacioni i Durov ka një rëndësi globale, pasi është instaluar në mbi 570 milionë smartfonë. Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, ai ka qenë më i popullor se kurrë, pasi konsiderohet të jetë një nga platformat e pakta të komunikimit, që mund të ecë me hapin e produkteve të Silicon Valley.

Miliona përdorues kaluan këtë vit nga WhatsApp tek Telegram, përfshirë shumë njerëz në Gjermani. Por Telegram nuk është thjesht një WhatsApp me origjinë të ndryshme. Ai e promovon vetveten si një platformë që është përtej gjurmimit nga shtetet dhe autoritetet, një vend ku çdokush mund të shkruajë çfarë dëshiron.

Kjo gjë ka tërhequr aty teoricienë konspiracioni, si lëvizja gjermane “Querdenker”, ekstremistë të krahut të djathtë, trafikantë të drogës por edhe artistë. Por aty mund të gjesh edhe shumë anëtarë të parlamentit gjerman. Falsifikatorët e përdorin këtë aplikacion për të shitur karta false të vaksinimit ndaj Covid-19, trafikantët e përdorin atë për të shitur të gjitha llojet e drogave.

Krimet planifikohen dhe kryen në mënyrë të hapur dhe të dukshme në Telegram. Aplikacioni është bërë ekuivalent i një rrjeti të errët (dark web) në xhepin tuaj.Çdo platformë në internet përballet me pyetjen se ku mund të vendosë një vijë ndarëse kur bëhet fjalë për lirinë e shprehjes dhe përmbajtjen e ndaluar.

Pas zgjedhjeve të fundit në SHBA, Twitter vendosi të pezullojë Donald Trump, ndërsa Facebook forcoi masat ndaj gjuhës së urrejtjes. Ndërkohë “Telegram” i Durov fshin në mënyrë sporadike vetëm përmbajtjen. Autoritetet janë të pafuqishme, pasi Durov ua mohon atyre qasjen tek të dhënat e përdoruesit.

Ai ka krijuar një rrjet të mjegullt kompanish, tek të cilat është e vështirë të depërtohet. Durov i ka regjistruar ato në Ishujt Virxhin dhe Belize. Shërbime të tjera bashkëpunojnë me autoritetet në përgjigje të padive gjyqësore. Ndërkohë për vite me radhë, prokurorët gjermanë nuk dinin as çfarë adrese të përdornin për të arritur tek “Telegram”.

Tani ata kanë një adresë të Durov në Dubai. Por hetuesit i thanë “Der Spiegel”, se nuk ka kuptim që të kryesh hetime atje. Ata thonë se nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje nga kompania kur përpiqen të zbulojnë se kush qëndron pas një llogarie nga e cila po kryhen krime.

Dhe “Telegram” është krenar për këtë fakt, duke shkruar në faqen e saj të internetit:“Deri më sot, u kemi zbuluar 0 bajt të dhëna të përdoruesve palëve të treta, duke përfshirë qeveritë”.

Akti i Disiplinimit të Internetit në Gjermani, që kërkon që Facebook, YouTube dhe Twitter të fshijnë çdo përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme që u raportohet atyre, nuk zbatohej më parë në “Telegram”.

Por kjo do të ndryshojë. “Der Spiegel“ ka mësuar se Ministria Gjermane e Drejtësisë po kërkon që “Telegram” të japë llogari para ligjit ashtu si gjithë të tjerët. Ajo synon që platforma të bëhet e arritshme nga autoritetet, të fshijë menjëherë përmbajtjen kriminale, dhe të kalojë në mënyrë aktive të dhënat e përdoruesve tek hetuesit.

Zyra Federale e Drejtësisë, që është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë, ka filluar procedurat për të gjobitur “Telegram” për dështimin për të caktuar një person kontakti për autoritetet, dhe sepse nuk ofron asnjë procedurë ankese penale për përmbajtjen kriminale, siç kërkohet nga ligji gjerman.

Kompania mund të përballet me gjoba deri në 55 milionë euro. Por nuk ka gjasa që kjo t’i bëjë shumë përshtypje Pavel Durov. Një shembull,nga dhjetori i vitit 2011, na jep një ide se si reagon ai ndaj kërkesave qeveritare.

Atë vit, Rusia po përjetonte protestat më të mëdha anti-qeveritare që nga fundi i Bashkimit Sovjetik, dhe në qytetin e lindjes së Durov, Shën Petersburg, 10.000 njerëz dolën në rrugë kundër manipulimeve zgjedhore dhe rikthimit të Vladimir Putinit në presidencë.

Durov ishte ende kreu i rrjetit social VKontakte, kloni iFacebook në gjuhën ruse, që në atë kohë kishte më shumë se 100 milionë përdorues. Qeveria ruse ishte e pakënaqur nga fakti që grupet e opozitës i kishin organizuar protestat duke përdorur rrjetin social.

Agjencia e inteligjencës së brendshme ruse, FSB, i kërkoi Durov t`i mbyllte këto grupe, por në vend se t’i bindej urdhrit, ai e botoi letrën e shërbimit sekret në Twitter, së bashku me një foto që tregonte një qen me gjuhën jashtë.

Tre ditë më vonë, njësia e forcave speciale OMON u paraqit para derës së banesës së tij luksoze. Ai nuk pranoi t’ua hapte derën e blinduar. Dhe ata u larguan pas një ore. Ai episod shënoi fillimin e betejës së Durov me qeverinë ruse, por edhe të luftës së Rusisë moderne dixhitale kundër elitave të vjetra të pushtetit.

Pikërisht në atë moment i lindi ideja për krijimin e “Telegramit”. Nisi nga puna disa javë më vonë, dhe aplikacioni ishte gati në gushtin e vitit 2013. Por qeveria ruse nuk kishte qëruar ende hesapet me Durov. Në fillim ai u hetua për gjoja një incident në rrugë.

Më vonë një biznesmen afër Kremlinit bleu aksione në “Vkontakte”. Durov refuzoi t’ia dorëzonte shërbimit sekret rus të dhënat e përdoruesve ukrainas të platformës, që protestonin kundër presidentit të atëhershëm ukrainas Viktor Janukoviç. Ai u pushua nga kompania e tij dhe u largua nga Rusia disa ditë më vonë.

Udhëtoi nëpër botë si një nomad, me një pasaportë nga ishujt St.Kitts dhe Nevis në Karaibe që e bleu për 250.000 dollarë. Disa vite më vonë, u vendos përfundimisht në Dubai. Sipërmarrësit si ai përjashtohen nga taksat, gjë që ishte e rëndësishme për të edhe kur po themelonte “Telegram”.

Nga ana tjetër, qyteti kontrollohet me të gjitha instrumentet e një shteti modern të mbikëqyrjes. Gjithsesi Durov u ndje i sigurt dhe madje u takua me princin e kurorës së Dubait. Vizioni i Durov për aplikacionin e tij, është që ai të jetë një platformë ku të mund të komunikojnë, dhe të ndajnë lirshëm informacione sa më shumë njerëz. Dhe askush nuk duhet të jetë në gjendje të ndikojë tek ai, madje as qeveritë.

Marrë me shkurtime nga “Der Spiegel” – Bota.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top