Nuk është më faji i z. Rama…

Soulmind

~She wanted the whole world or nothing~
Themelues
Nga Agim Baci

Cilido që e ka lexuar kur ishte fëmijë apo që ua lexon sot fëmijëve të vet “Xinxifilluan” e Mitrush Kutelit, duhet të kujtohet se si mbreti i pyllit, Kuma Maro, dialogon me gruan, Trëndelinon, e cila po i kërkon ndihmë për të dalë nga pylli ku është ngatërruar. Ai i kërkon asaj që ajo t’i dhurojë vajzën që do të lindë në këmbim të ndihmës që ajo po i kërkon. Po kur Trëndelino i kujton Kuma Maros se ajo është e varfër dhe se duhet të kërkojë diku gjetkë dhe jo te ajo këtë kusht, ai i drejtohet: “Jo, moj, jo! Ti s’më more vesh! Mbreti s’merr nga ata që kanë, por nga ata që s’kanë, se prandaj është mbret… Mbreti e ka mirë me kamësit: ay s’i trazon, ata s’e trazojnë; ay i ndihmon, ata e ndihmojnë… mbreti mbretëron mbi pasunarët, po rëndon mbi të varfrit, se ata janë të shumtë”. Dhe kur Trëndelino e fsheh të bijën nga Kuma Marua, ky bën marrëveshje me çdo kafshë hileqare të pyllit të tij, që ta ketë të bijën e Trendelinos. Madje, aq shumë e dëshiron, sa për ta pasur atë, vendos të pijë detin…
Përpjekja e Kuma Maros, siç rrëfen mrekullisht Kuteli gjatë tregimit, mund të krahasohet me dëshirat e Kryeministrit Rama, i cili prej kohësh nuk kërkon thjesht një nënshtrim të qytetarëve, por dëshiron të lexojë tek ata qartësisht bindjen se nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse tij dhe partisë së tij. Në fakt, “Kuma Marua i sotëm i qeverisë” u ka dhënë gjithçka biznesmenëve që ka për zemër, me kusht që ata të jenë sot pranë tij për të qenë “tregtarët e dëshirave” që ai publikon hapur në kongres apo studio televizive.
Tashmë, duke e konsideruar hapur veten si “mbret i pyllit” ai vendos se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e gënjeshtërt, ai paralajmëron se kush duhet të dënohet e kush jo nga drejtësia - por jo ai vetë, pasi e mendon gjithçka nën sundimin e tij. Shkurt, Kuma Marua ynë i mendon bashkëqytetarët e tij një hap larg personazheve të Oruellit te “Ferma e kafshëve”, që duhet të bërtasin në kor në varësi të dëshirave të tij. Në parti e qeveri nuk ka më debate. Nuk ka më llogari. Nuk ka më zgjedhje. Në pyllin e tij të PS-së janë larguar “kafshët” që nuk arrijnë ta duartrokasin sa duhet. Duartrokitësve të tij i janë bashkangjitur “të fortët” dhe “analistët e bindjes”, ndaj dhe ai reciton me zë të lartë në publik edhe poezinë e tij të preferuar “jam më i miri, jam i pazëvendësueshëm”!
Dhe, me shkuarjen drejt legalizimit të kanabisit, ai kërkon t’i sigurojë edhe një dëfrim më të madh. Pra, pak kanabis i lejuar, e ndoshta edhe i kompensuar nga shteti për përdorim, ndoshta është konsideruar si një mënyrë që mund t’i japë jetë nisjes së një hapi të ri për qytetarët që të mos kenë më kokëçarje për ide që mund të ndryshojnë realitetin rreth tyre.
Pas kësaj platoforme të thjeshtë edukimi, z. Rama mundet që të sugjerojë lehtësisht zgjidhjen që jep Ushtari i Mirë Shvejk teksa kur bisedon me zonjën Myler, kur ajo shprehet e zemëruar dhe i thotë se do të vrasë veten duke u hedhur nga dritarja, ai i afrohet dhe “këshillon”:
“- Në qoftë se doni të hidheni nga dritarja, shkoni në dhomë, se dritaren e atjeshme e kam hapur. S’do t’jua këshilloja të hidheshit nga dritarja e kuzhinës, sepse do të binit mbi lulishten me trëndafila dhe do të shtypnit filizat e njomë, të cilët pastaj do të ishit e detyruar t’i paguanit. Nga dritarja e dhomës do të fluturonit bukur drejt e mbi trotuar. Dhe, në qoftë se do të keni fat, do të thyeni qafën…”. (“Ushtari i mirë Shvejk”, Jaroslav Hashek, përkthim i Gëzim Erebarës, Extra 2003, f.73).

Kush nuk e kupton se çfarë fshihet pas këtyre “këshillimeve kombëtare”, nuk është më faji i z. Rama…
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top