Love
βeℓℓe â๓e
- Ai qe njeriu i parë që kuptoi se fuqia bërthamore mund të përdorej për të ndërtuar një bombë me përmasa tmerruese. Lisa Jardine vlerëson se çfarë na tregon historia e tij mbi përgjegjësitë e shkencës dhe shkencëtarëve
Figura e fizikanit hungarez, Leo Szilard, qe shumë e pranishme në shtëpinë time kur unë isha fëmijë. Ai konsiderohej si figura ekzemplare në shkencë – një njeriu që bëri një zbulim themelor në fizikën bërthamore, por që ndjenja akute e ndershmërisë morale bëri që në fund të denonconte pikërisht përparimet që ai vetë pati ndihmuar të ndodhnin. Vetëm më vonë unë mësova një version alternativ të historisë së tij.
Leo Szilard, 1945
Pothuajse 80 vjet më parë, në fillim të tetorit 1933, Szilard qe në Londër, transit nga Gjermania Naziste, kur atij i lindi ideja që krijoi armën finale të luftës – bombën atomike.
Një artikull te “Times” dy javë më herët, pati raportuar për një leksion të Lordit Rutherford – fituesi i çmimit “Nobel” në fizikë dhe kreu i Laboratorit Cavendish në Kembrixh.
Rutherford pati përshkruar ndarjen e atomit përmes bombardimit të tij me protone, por pati thënë gjithashtu se sugjerimi që energjia e çliruar prej saj mund të përdoret qe një “thashethem kot”.
Lajmi tërhoqi vëmendjen e Szilard. Ai e analizoi atë me obsesivitet. Sigurisht që Rutherford e kishte gabim? Pastaj, herët në një mëngjes të mërzitshëm gri, ndërsa ai priste në këmbë në një semafor për të kapërcyer në kryqëzimin Southemton pranë hotelit të tij, përgjigjja i erdhi si një shkreptimë.
Nëse një neutron që niset të godasë një atom, prodhon lirimin e (fjala vjen) dy neutroneve, secila prej tyre mund të godasë një atom, duke çliruar secili dy neutrone më shumë, të cilat do të përplasen me dy atome të tjera. Një reaksion zinxhir bërthamor do të ndodhë, duke çliruar sasi të paimagjinueshme energjie.
Szilard e tregoi këtë ngjarje dy herë me ndryshime shumë të pakta në detaje. Por vetë ngjarja është konsistente dhe e gjallë. Sfidimi i komentit të Rutherford, i ftohti i madh që pati ndaluar Szilard të merrte pjesë në leksionin e tij, ditët e kaluara duke menduar për të dhe frymëzimi që i erdhi pikërisht në çastin që u ndryshua drita në semafor.
Szilard e kuptoi menjëherë rëndësinë e idesë së tij. Për të garantuar sigurinë e saj, ai e patentoi idenë në emër të Admiraljatit të Britanisë. Patenta përfshinte një përshkrim të qartë të “reaksionit zinxhir të shkaktuar nga neutroni për të krijuar shpërthime”.
Në gusht 1939, kohë në të cilën Szilard qe zhvendosur në Amerikë, ai i shkroi Presidentit Franklin Roosevelt për ta informuar se “një reaksion zinxhir bërthamor në një masë të madhe uraniumi” qe pa dyshim e mundshme, dhe mund të sjellë ndërtimin e bombave jashtëzakonisht të fuqishme të një lloji të ri”.
Ai paralajmëroi se Gjermania ndoshta qe duke punuar për ndërtimin e armëve të tilla. “Një bombë e vetme e këtij lloji”, shkroi ai, “e transportuar me anije dhe e shpërthyer në një port, mund të shkatërrojë me lehtësi të gjithë portin bashkë me territorin përreth”.
Letra u firmos nga Szilard the Albert Einstein. Nga koha kur ajo mbërriti te Roosevelt, Gjermania pati pushtuar Poloninë. Me luftën tashmë të sigurt, mundësia nuk qe për t’u humbur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara. Një komitet u krijua për të punuar për iniciativën bërthamore. Ky u njoh më vonë si Projekti Manhatan – programi jashtëzakonisht ambicioz dhe shumë rëndë i financuar për të zhvilluar një bombë atomike funksionale në kohën më të shkurtër të mundshme.
Por më pak se gjashtë vjet më vonë më 1945, Szilard bëri fushatë me të njëjtin pasion për të bindur qeverinë e Shteteve të Bashkuara për të mos e përdorur bombën atomike kundër popullatës civile. Ai kuptoi më shumë se kushdo tjetër përmasat e shkatërrimit që do të shkaktoheshin nga një bombë e tillë. Por peticioni i tij, megjithëse i firmosur nga një numër i madh fizikanësh bërthamorë, nuk mbërriti kurrë te Presidenti.
Kaq i trishtuar qe Szilard nga dështimi për të shmangur bombardimin e Hiroshimës dhe Nagasakit sa ai refuzoi të bëjë ndonjë punë tjetër te fizika bërthamore. Në vend të saj ai u zhvendos në fusha kërkimore krejtësisht të ndryshme, te biologjia molekulare – një fushë e shqetësuar me origjinën e jetës dhe jo me shkatërrimin e saj.
Për babanë tim, ky hap i guximshëm përbënte esencën e përgjegjësisë morale të shkencëtarit. Dhe unë e mbajta mend historinë e Szilard dhe u rrita me të.
Sot, gjithsesi, unë e di se pavarësisht se është frymëzuese, ka probleme me këtë tregim. Siç ndodh shpesh me historinë, ne na duhet të trajtojmë me kujdes narrativën që plotëson kaq mirë interesat dhe shqetësimet e një epoke në të cilën ajo u shkrua.
Në kohën kur mua më treguan këtë histori, Britania qe thellë në Luftën e Ftohtë. Në vitet e pasluftës doli që Szilard (dhe për më tej vetë babai im) e gjetën të pamundur të siguronin një vend pune në një projekt që përfshinte fizikën bërthamore. Megjithëse ata vetë as nuk qenë fare të vetëdijshëm për stigmën që kishin fituar, simpatitë për komunizmin të rinisë së tyre i kishin mbajtur peng. Ata nuk e kishin kaluar kontrollin e të konsideruarit të sigurt dhe të besueshëm.
Kështu, fakti është që Szilard nuk e la fizikën si zgjedhje personale. Në fundin e luftës ai papritur u hoq nga projekti “Manhatan” nga kreu ushtarak Gjenerali Leslie Groves.
Groves e pati dyshuar gjithmonë atë se kishte simpati për rusët dhe tashmë e konsideroi si një rrezik tepër të lartë për sigurinë. I detyruar të ndryshojë fushën e vet të punës, Szilard me të vërtetë zgjodhi biologjinë molekulare, e cila më pak se një dekadë më vonë do të zbulojë “sekretin e jetës” në formën e strukturës së DNA-së.
Përralla e jashtëzakonshme e babait tim zbërthehet më tutje kur ne vlerësojmë mënyrën se si paraqitet progresi drejt krijimit të bombës atomike funksionale. Ajo paraqitet si një zhvillim i lehtë nga leksioni i Rutherford në Londër përmes Szilardit (dhe emigrantëve të tjerë) që udhëtuan nga Gjermania Naziste përmes Londrës drejt Shteteve të Bashkuara, deri te shqetësimet e Szilard me kërcënimin potencial që krijonin bombat atomike, te projekti “Manhatan” dhe në fund te pasojat e saj triumfaliste amerikane – apo tragjike.
Por në fakt Szilard hungarezi pati kryer kërkimet e para dhe më të rëndësishme me emigrantin italian, Enrico Fermi, duke vijuar punën me të në vitet e para të projektit “Manhatan”, ku të dy ia dolën të krijojnë reaksionin zinxhir të kontrolluar – një parakusht për krijimin e një bombe funksionale.
Ndërkohë, në mënyrë të pavarur, Britania pati bërë progres të konsiderueshëm drejt krijimit të bombës atomike (një projekt me emrin në kod “Tube Alloys”, ku qe angazhuar drejtpërsëdrejti Kryeministri Winston Churchill. (Siç na thotë Graham Farmelo në një libër të botuar së fundmi, Kryeministri qe në mënyrë habitëse shumë i informuar mbi zhvillimet më të reja të fizikës bërthamore).
Në shtator 1940, misioni i quajtur Tizard dorëzoi punën sekrete të projektit Tube Alloys tek amerikanët, me qëllim që ai të zhvillohej me burimet më të mëdha njerëzore e financiare të Shteteve të Bashkuara. Puna e britanikëve dha kontributin e vet jetësor te projekti.
Ja pra ku kemi një histori ndërkombëtare më të fragmentarizuar në të cilën mbetet e paqartë se kush qe me të vërtetë kombi që ka meritat apo fajin për shkencën dhe inxhinierinë pas bombës atomike. Kjo histori nuk mbart as mesazhin lekturues të qartë që shfaqet në përrallën origjinale.
Ka edhe një kthesë finale tek ajo që nisi si një histori e thjeshtë. Mund ta keni vënë re se unë dhashë datën e eurekës së Szilard në momentin që semafori ndryshoi në kryqëzimin Southempton në tetor 1933. Ju mund të keni një datë në shtator në mendjen tuaj. E vërteta është se Szilard e tregon historinë dy herë. Në një version ai thotë se po lexonte lajmin në “Times” dhe menjëherë pati idenë e reaksionit zinxhir (më 12 shtator). Në një tjetër, ai tregon se analizoi problemin për shumë javë në dhomën e tij të hotelit dhe duke ecur nëpër rrugët e Londrës i zhytur thellë në mendime, derisa ideja më në fund i erdhi (në fillim të tetorit).
Kështu, megjithëse fillimi i historisë vjen nga goja e atij vetë, ne nuk mund të jemi të sigurt se cili prej varianteve është ai i vërteti. Si historian, unë kam zgjedhur variantin e dytë si me më shumë gjasa, veçanërisht përballë faktit se i ftohti i rëndë për të cilin na tregon Szilard, e ndaloi atë të merrte pjesë në leksionin e Rutherford më 11 shtator.
Pjesa tjetër duhet të hamendësohet.
Narrativet historike nuk janë kurrë pa një axhendë. Gjenerata e babait tim jetoi nën hijen e Hiroshimës dhe Nagasakit – ai qe dërguar në një mision zbulimi atje vetëm pak muaj, pasi u hodhën bombat dhe i kishte parë pasojat nga tepër afër. Ai tregoi një histori që i pastronte shkencëtarët nga përmasat e jashtëzakonshme të ngjarjes që u krijua nga një projekt kërkimor në fizikë. Ajo qe një histori që i mbante shkencëtarët përgjegjës për aplikimet fatale të atyre që qenë “thjesht” kërkime dhe propozonte Szilardin si një figurë ikonë për njohjen dhe marrjen e përgjegjësisë personale.
Historia që babai im më tregoi për Leo Szilard mund të mos ketë qenë e vërteta. Por ajo më mësoi mua si fëmijë një leksion që mbetet përgjithmonë për shkencën dhe vlerat njerëzore.
Hedhja e bombës së parë atomike
Dy qytete japoneze, Hiroshima dhe Nagasaki u bombarduan respektivisht më 6 dhe 9 gusht 1945.
Viktimat vlerësohet se qenë mes 90 mijë dhe 160 mijë në Hiroshima se së paku 60 mijë në Nagasaki. Afërsisht gjysma e viktimave vdiqën brenda 24 orëve nga shpërthimi.
Më 15 gusht, Japonia u dorëzua, duke sjellë fundin e Luftës së Dytë Botërore.
G.Shqip