! - !
Once upon a time...
Shkruan Ben BlushiPër çdo kritik arti ai është një detaj i panevojshëm në atë peizazh. Për çdo natyralist ai është një dhunues brutal. Për çdo kapitalist ai është një i papunë.
Ky burrë po shkrihej me natyrën, kur e pashë dhe e fotografova. Ai po luante me zogjtë duke i ushqyer dhe duke i drejtuar me duart e tij të gjata. Një herë i ngrinte lart, pastaj i ulte poshtë, pastaj majtas, djathtas, prap poshtë dhe pastaj lart.
Herë i ndante veç e veç dhe herë i bashkonte sërish në tufë. Dukej si një dirigjent që po drejtonte një koncert zogjsh.
Por, nga pasioni me të cilin udhëhiqte lëvizjen e zogjve dukej që ishte amator.
Unë nuk e njoh këtë burrë. Nuk di çfarë bën për të jetuar. As si e ka emrin.
Por harmonia e tij me natyrën, mu duk e mrekullueshme. Për çdo kritik arti ai është një detaj i panevojshëm në atë peizazh.
Për çdo natyralist ai është një dhunues brutal. Për çdo kapitalist ai është një i papunë.
Për çdo polic ai është një person i dyshimtë. Për çdo qytetar ai është një fshatar.
Për çdo fëmijë ai është një lodër. Për çdo grua ai është një romantik.
Për mua ai është njeri që nuk u bë dot zog. Dhe prandaj është i lumtur.
Si njeri. Si një njeri me zogj.
pamfleti.net