Një vizitë në qytetin ilir të Albanopolit

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Nga Albanët tek ullinjtë e vjetër

Vetëm 5 kilometra nga qyteti i Fushë – Krujës, në rrugën që lidh këtë qytet me Krujën, ndodhet qytetërimi i vjetër Albanopoli.

Një qytetërim i cili mbart nën vete peshën e mijëvjecarëve dhe përmendet për herë të parë nga Ptolemeu në shekullin e II, i cili u mundua të bënte hartën e botës dhe si pikë referuese për Ilirinë mori pikërisht Albanopolin.

Vite më parë kjo zonë nuk njihej dhe si e tillë është lënë e virgjër nga turistët, të cilët më së shumti janë prirur të vizitojnë Muzeun e Krujës, Gjergj Kastrioti Skënderbeu,pazarin e vjetër apo qoftë edhe muzeun etnografik, duke lënë kështu pas vetes, një nga perlat e mrekullive të qytetërimit Ilir.

Do t’i sugjeronim vizitorëve që para se të shkonin në Krujë të bënin një kthesë djathtas ku tabela shkruan “ALBANOPOLIS” dhe mos të humbnin këtë takim me historinë antike. Vetëm se ndryshe nga Kruja, Albanopoli nuk ka muze dhe kjo, jo për shkakun se nuk ka histori.


Drejt Albanopolit

Rruga që përshkruan për të mbërritur atje, nuk është fort e mirë, pasi është shtruar e prishur disa herë. Kur kalon 5 kilometra në rrugën që të con për në Krujë, menjëherë shfaqet fshati Halil. por për të mbërritur ne destinacionin tonë, duhet të ecësh dhe 900 metra të tjera kujdesshëm, pasi nga momenti në moment, mund të humbasësh ekulibrin nga balta karakteristike e zonës.


Objekti i parë që të bie në sy është muri rrethues i kalasë, i cili shtrihet madhërishëm në një rrafsh toke të gjërë. Por aty mungon porta dhe popullsia vendase ka vënë një gardh druri, të cilin duhet ta heqësh me dorë, për tu futur më në brendësi të kalasë. Arkitektura brënda mureve, ne disa vende duket se ende i ka mbijetuar kohës, kjo do të thotë që ustallarët e atëhershëm punonin pa hile.

Duke vazhduar më tej është një shesh që vërteton se aty bëhej tregti nga vendasit me Romakët, që vendosën ta bëjnë Albanopolin, si kryeqendër të Ilirisë.

Me një pozitë strategjike që do na e kishte zili gjithkush, peisazhi nuk është lodhës dhe përfshin katër komponentë, që janë të njohura nga vendasit, e më tej.

Duke filluar me Kishën e Arramerasit, në jug-perëndim, Teqeja e Baba Ibrahim Memisë, në veri-lindje, Preza me “Kodrat e buta” ,në pjesën perëndimore dhe ujrat termale në Bilaj, në veri-perëndim. Por për të vazhduar më në brendësi të kalasë, qershia mbi tortë, është kurora e ullinjve të vjetër.

Simboli dhe pemët e zotave, krijojnë një kurorë triumfale të paqes mbi kokën e kalasë së Albanëve. Aty janë me qindra pemë që kanë hedhur shtat bashkë me muret e kalasë, gjë që tregon dhe për shpirtin paqësor të këtij fisi autentik në Iliri.

Por përrreth kësaj kurore, ka dhe disa furra gëlqere, biznese të vendasve, që ia prishin bukurinë dhe trungjet e pemëve përdoren në mënyrë abuzive duke u prerë dhe djegur më vonë, për nxehjen e furrave.

Kurse në ballë të kalasë shihet qartë qyteti i Krujës, bashkë me dy kodra vigane dhe të ëmbla, që vijnë me një ngritje graduale, ku ç’është e vërteta nuk ka vend për alpinizëm. Përtej kësaj pamje, në dalje të kalasë më kap syri një rrëmujë të madhe, përbërë nga sende ushqimore, bateri aparati fotografik, filtra cigaresh, lënë ndoshta nga eskursionistë të shfrenuar.
166379_10150115702190990_164162295989_7528094_3664701_a.jpg
36261_10150115702345990_164162295989_7528096_6957284_a.jpg
169082_10150115702960990_164162295989_7528103_7970537_a.jpg

E nëse kërkon të shijosh gatime tradicionale duhet të kërkosh për baret apo restorantet e pakta jashtë kalasë, ku “pasardhësit e Albanëve”, të përgatisn një ushqim tipik për zonën “zogun e fshatit në qull”, një gatim i shijshëm dhe karakteristik. Ndërsa vendasit tregojnë se ka pasur një intersim nga të huajt kjo zonë që deri para pak kohesh nuk e njihte askush.


Intervista me historianin Haxhi Taga

Ky qytetërim e vërteton ekzistencën e tij që nga shekulli IV, para lindjes së Krishtit, si kryeqëndra e Albanëve, fisit me autoritet ne Ilirinë e lashtë. Ndërsa në vitin 1968 janë bërë për herë të parë dhe të fundit, gërmimet arkeologjike në Albanopolis, të kryesuara nga prof. dr. Selim Islami dhe specialist Llazar Papajoni, si dhe 80 punëtore sezonal.

Rezultatet kanë qënë mjaft mahnitëse, sipas arkeologëve. Që nga ajo kohë, nuk janë bërë më gërmime, ndërsa nga historianët mendohet që Albanopoli është një vatër që sa më shumë të gërmosh aq më shumë do të ketë zbulime të reja.


Por sot kjo zonë është fare pa kujdestari dhe të gjitha enët e baltës, armët apo sendet e tjera janë transferuar në një pavion të posaçëm në Muzeun e Krujës dhe ky fakt ka sjellë që hyrja në kalanë e Albanopolit është pa biletë. Haxhi Taga, historian i zonës dhe kryetari i shoqatës “Albanopolis”, sqaron se, shoqata po mundohet të tërheqë materialet e kalasë nga Muzeu i Krujës, për të ngritur një godinë pranë kalasë së Alpanopolit, që të na shërbejë si muze i kësaj zone dhe po ashtu për ngritjen e një bordi me historianë, mirëmbajtës dhe njerëz të fushave të ndryshme.

Kjo nisme kryesisht është marë nga disa shoqata franceze që kane shfaqur interes per këtë qytetërim dhe ka të bëjë me mirëmbajtjen dhe promovimin e vlerave të zonës edhe përtej kufijve të Shqipërisë, duke marë në konsideratë faktin që së fundmi ka pasur dhe shumë vizitorë të huaj.

E ndërsa kureshtja më shtyn ta pyes edhe për gjenezën e emrit të këtij qytetërimi Ilir ciceroni shpjegon se, Albanopoli ka kuptimin e shumë Albanëve që jetonin në këtë zonë, por kur merr mbaresën “s” pra Albanopolis, ka kuptimin e qytet- shtetit të Albanëve, sipas greqishtes së vjetër.


Taga më tej thotë që nga fisi i albanëve ka rrjedhur edhe emri Arbër, Arbëri dhe për të marë më vonë emrin Shqipëri, pra ky fis ka qënë gjeneza e emrit të shtetit tonë. Ndërsa një e vecantë tjetër qëndron në faktin se nga vendasit kjo zonë mban emrin e Zgërdheshit dhe kështu, këtë emërtim ka pasur me kohë.


Me rrugë të prishura, kala pa muze, me një histori vitale, me një histori të vjetër, kryqendra ilire Zgërdheshi, apo Albanopoli, qëndron para Krujës si një “mbretëreshë e lindur”.


Me apo pa vëmëndjen e autoriteteve vendore, apo të turistëve masivë, ajo aktualisht pret të marrë nga “UNESCO” miratimin dhe mbrojtjen e projektit “Rikthimi i Albanopolit”.

R.Shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top