Një vit sport, nga De Biazi te ndeshjet e trukuara

cent

...Lontano
2m64f2a.jpg
Viti 2012 ishte padyshim një nga më polemizuesit në futbollin shqiptar. Rivaliteti në kampionat erdhi duke rënë për shkak të supremacisë së Skënderbeut, ndërsa si të mos mjaftonte kjo, disa raporte të UEFA-s për trukimin e ndeshjeve apo edhe akuzat e shpeshta të bëra nga aktorët e lojës së futbollit, e ulën në minimum vlerën e këtij sporti. Jashtë fushe, ata që duhet të merreshin me ruajtjen e vlerave, bënë të kundërtën, duke përsëritur refrenin e përhershëm “nuk kemi fakte”. Por, kur edhe UEFA dërgon raporte të detajuara dhe shkruan e zeza në të bardhë se “X” ndeshje “u shit në mënyrë të turpshme”, do të mjaftonte kjo për të ngritur një furtunë të vërtetë. Sa i përket kombëtares, ajo pati një vit ndryshimesh, por në të vërtetë ishte thuajse në të njëjtin stad si më përpara, pasi rezultatet ishin me oshilacionet e përhershme.
Kampionati
Titulli kampion i Shqipërisë edhe për vitin 2012 i shkoi Skënderbeut. Skuadra korçare, e drejtuar nga çeku Stanislav Levi ishte e pakapshme për kundërshtarët e saj, Tirana e Teuta. Skënderbeu nuk gaboi në asnjë nga ndeshjet e rëndësishme, sidomos atë ndaj Tiranës në fushën e vet. Fitorja 2-0 në atë sfidë, praktikisht u dhuroi titullin korçarëve, duke qenë se bardheblutë u dorëzuan dhe u përqendruan më shumë në Kupë. Teuta, megjithë formën e mirë të treguar gjatë gjithë sezonit, dukej e pafuqishme për t’u bërë ballë kampionëve në fuqi. Në fund, Skënderbeu arriti të shpallej kampion, duke shkruar historinë, pasi fitoi titullin për herë të dytë radhazi. Përpos kësaj, në verë Stanislav Levi u largua, për t’i lënë vendin Mirel Josës. Por, nuk ishte ky ndryshimi i vetëm në radhët e ekipit kampion, pasi edhe presidenti Agim Zeqo deklaroi tërheqjen. Sa i përket Kupës, ajo u fitua nga Tirana, e cila mundi në finale Skënderbeun, duke siguruar pjesëmarrjen në Evropë. Por, në sezonin aktual të Kupës, bardheblutë pësuan humbjen më të thellë të historisë së tyre, duke u mundur 4-0 nga Kukësi në transfertë. Një disfatë që nuk u prit mirë as nga tifozët, të cilët në një moment bllokuan edhe stërvitjen e ekipit, duke kërkuar që lojtarët të ndjenin fanelën që mbanin veshur.
Trukimet
Duket e vështirë të gjesh një vit me më shumë akuza, por edhe fakte, sesa 2012-ta sa u përket trukimeve në futbollin shqiptar. Gjithçka nisi me një akuzë të drejtpërdrejtë të anëtarit të Komitetit Ekzekutiv Alfred Zijai, i cili akuzoi Federatën se merrej me trukime masive ndeshjesh, nëpërmjet gjyqtarëve. Më pas, ishte një raport i UEFA-s, që mjaftoi për të ngritur një mal akuzash ndaj klubeve shqiptare. 14 ndeshje u përfolën si të manipuluara haptazi, mes të cilave më kryesorja Kastrioti-Vllaznia (2-1). Raporti përmendte shuma të çmendura parash të luajtura për ekipet jofavorite apo për shumën totale të golave. Ndërkohë, pas këtij raporti erdhi edhe një klasifikim i frikshëm i agjencisë më të famshme në botë për monitorimin e ndeshjeve, Sport Radar. Ajo e renditi Shqipërinë në vend të parë në botë sa u përket trukimit të ndeshjeve, duke lënë pas me një diferencë të theksuara Italinë e vendit të dytë apo kampionatet e tjera. Vetëm në një periudhë prej dy vjet e gjysmë, kjo agjenci kishte pikasur 97 ndeshje të trukuara për arsye përfitimi financiar. Një raport i tillë, i detajuar, tronditi shumë federata të tjera, por jo atë të Shqipërisë, e cila nuk u lëkund nga pozitat e saj, madje deklaroi se janë thjesht perceptime.
Kombëtarja
Një 2012 me oshilacione për kombëtaren shqiptare, e cila niste një epokë të re nën drejtimin e italianit Xhani De Biazi. Kuqezinjtë e nisën vitin me një miqësore të humbur në minutat e fundit ndaj Gjeorgjisë (2-1), ndërsa më pas erdhën takimet ndaj Iranit apo Katarit, që sollën fitore. Në muajin shtator, Shqipëria nisi aventurën në kampionatin botëror, me eliminatoret e grupit E. Ndeshja e parë, ajo ndaj Qipros, u fitua në shifrat 3-1, por pavarësisht se mund të duket një diferencë e madhe, në fushë nuk qe aspak kështu. Edgar اani ishte ai që i dha avantazhin 2-1 kombëtares kuqezi, ndërsa Erjon Bogdani realizoi një gol të mrekullueshëm nga 30 metra. Pas këtij takimi, Shqipëria u mund 2-0 në Zvicër, në një sfidë që më shumë u mbajt mend për polemikat jashtë fushe, për shkak të futbollistëve me origjinë kosovare që vishnin fanelën e helvetëve. Por, rezultati më i rëndë i De Biazit, ishte humbja 1-2 me Islandën. Kuqezinjtë u dukën superiorë në fushë, por miqtë, me një përulje të admirueshme, arritën të shënonin dy herë, duke marrë 3 pikë që ndoshta as ata vetë nuk i mendonin përpara takimit. Një tjetër aspekt i paharrueshëm i asaj sfide ishte përbaltja ekstreme e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Gjithsesi, kjo humbje bëri që në takimin pasardhës, ndaj Sllovenisë, kombëtarja shqiptare të ishte e frikshme në fushë. De Biazi nisi t’i njihte më mirë lojtarët dhe vendosja e tij në fushë bëri që kuqezinjtë të fitonin 1-0, falë një goli të Odise Roshit. Kombëtarja kuqezi ka 6 pikë pas 4 ndeshjesh, por ka luajtur tre takime në fushën e saj.
Trajnerët
Viti 2012 ka regjistruar një vals të jashtëzakonshëm trajnerësh në futbollin shqiptar. Sidomos sezoni aktual, ka qenë në përmasa të frikshme sa u përket teknikëve që janë larguar. Që në javën e parë, Flamurtari largoi Shkëlqim Muçën, pas një barazimi në Berat, ndërsa Tirana hoqi Hulian Rubio Sançez, që kërkonte një rrogë të madhe për këtë klub. Spanjolli më pas zëvendësoi Shkëlqim Muçën në Vlorë, por duke dështuar totalisht në këtë fazë të parë. Ndërsa Tirana mori nën drejtim Artur Lekbellon, që pavarësisht se ishte një njohës i mirë i ambientit, nuk arriti të bënte diçka. Probleme patën edhe klube si Vllaznia, e cila në verë nënshkroi me teknikun Shpëtim Duro. Për shkak se rezultatet nuk ishin ato të pritshmet, Duro mbetet edhe sot në rrezik për t’u larguar nga drejtimi i shkodranëve. Në muajin nëntor, Tirana ia besoi pankinën Alban Tafajt, si një njeri që e njeh mirë ambientin, ndërsa Flamurtari largoi Rubio Sançez për të marrë Ernest Gjokën.

Pergatiti: Altin Latifi
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top