Një tjetër tezë për origjinën e Skënderbeut

Preng Cub Lleshi
Ka një mal të lartë me burime arkivore, me dokumenta, me vepra artistike në prozë dhe poezi dhe libra të mirëfilltë historie, që kanë për objekt familjen princore të Kastriotëve, origjinën e saj legjendare dhe jetën e luftërat e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Dhe është vështirë t’i ngjitet në majë këtij mali historiani a dashamirësi i historisë. Megjithatë, duke u përpjekur për të përshkuar ndonjë shteg në shpatin e këtij mali, shqiptari ndjen dëshirën të thotë diçka për figurën e Gjergj Kastriotit, që e ka përshkuar si meteor i ndritshëm qiellin e historisë kombit shqiptar, duke e bërë atë me dritë edhe në vitet më të errta të robërisë turke.

ORGE_KASTRIOTI_SKANDERBEG_by_alaudinelezi-893x1024.jpg
Duke e soditur një copëz të këtij qielli të përflakur, historiani apo dashamirësi i historisë e ndjen se edhe ai duhet ta ndezë një dritë në shtigjet e pafundme të malit të historisë. Se, ndoshta, edhe kjo dritë e zbehtë u ndihmon udhëtarëve të tjerë për t’u ngjitur më lart në shtigjet e thepisur të këtij mali. ثshtë kjo arsyeja që u ndala në fillim të një shtegu që është konsideruar si një shteg i errët, ku është vështirë të kalohet.

Edhe pse Fan S. Noli sjell në veprën e tij mendimin e historianit austriak Jakob F. Falmerajer, se “Të gjesh origjinën e një kreu fisi shqiptar, është një mundim sa i kotë, aq edhe i padobishëm”, ai përsëri, në të gjitha variantet e veprës për Heroin Kombëtar Gjergj Kastriotin, u referohet të dhënave të historianëve të ndryshëm mbi origjinën e fisit të Kastriotëve, mbi vendorigjinën e tyre të lashtë.

Kështu ai përmend një dokument të Fermenxhin, sipas të cilit “Kastriotët quheshin kështu sepse ishin nga një katund i quajtur Kastrat në malësinë e Hasit”. Më tej, po ky historian, përmend P.Lukarin, që kishte pohuar se familja e Gjon Kastriotit “doli nga fshati i Kastratit nën juridiksionin e Asit (Hasit- shënimi im.) jo shumë larg lumit Drin”.

Sipas të dhënave të Gjon Muzakës, që ishte bashkëluftërar i Gjergj Kastriotit dhe njohës i mirë i fisnikëve shqiptarë të kohës, “gjyshi i Skëndërbeut- Pal Kastrioti, kishte në zotërimin e vet feudal vetëm 2 fshatra: Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm”. Nisur prej këtij pohimi të Gjon Muzakës, si dhe nga emri i fshatit Kastriot të rrethit të Dibrës, ka gjetur një përkrahje të gjerë edhe teza që e kërkon vendorigjinën e Kastriotëve pikërisht në këtë fshat. Këtë e shtroi si ide edhe Fan S. Noli, pavarësisht se nuk e mbrojti, por gjeti një mbështetje të fortë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Në ditët tona këtë tezë e mbron historiani Kristo Frashëri e ndonjë tjetër.

Teza e tretë për vendorigjinën e Kastriotëve lidhet me pohimet e historianit të madh të Skënderbeut, Marin Barleti, i cili, në veprën kushtuar jetës dhe bëmave të Gjergj Kastriotit, thekson se Kastriotët ishin nga një familje e vjetër prej Matit. Duke mbajtur parasysh këtë, Fan Noli sjell në veprën e tij edhe pohimin e Dhimitër Frëngut, sipas të cilit “z. Gjon Kastrioti qe ai që sundoi atë pjesë të Shqipërisë, e cila quhet edhe sot Mati a Vumenishti”. Megjithatë, Fan Noli, duke i përmendur të gjitha këto teza, në variantin e vitit 1949 të veprës së tij mbi heroin tonë kombëtar, shkruan: “Me këto dëshmime parasysh mund të konkludojmë se çështja e llagapit të Kastriotëve mund të quhet e shkoqitur në një mënyrë mjaft të kënaqshme”.

Rreth këtyre tre tezave kanë polemizuar historianët shqiptarë gjatë gjithë shekullit XX e deri në ditët tona, në agimet e shekullit XXI. Në grupin e historianëve që mbronin tezën se vendorigjina e Kastriotëve duhet kërkuar në Has të Kukësit, hynte edhe më i madhi i gjysmës së dytë të shekullit XX- Aleks Buda, edhe pse, me ndonjë parashtrim të tij, e kundërshton këtë.

Grup tjetër përbëjnë ata historianë që e kërkojnë vendorigjinën e Kastriotëve në fshatin Kastriot të Dibrës, ku hyn në ditët tona Kristo Frashëri e të tjerë. Dhe janë më të paktë ata historianë që mbështesin tezën e Marin Barletit, i cili e kërkonte origjinën e Kastriotëve në Mat, shkruar në trajtën “Aemathia”.

Duke gjykuar mbi tezat kontradiktore për vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve, historiani serioz, por edhe dashamirësi i historisë ka të drejtë të pyesë: Vallë, i kanë analizuar këta historianë të gjitha parashtrimet e gjersotme për vendorigjinën e Kastriotëve?

Dhe përgjigja vjen e menjëhershme: Jo! Janë parashtruar dhe diskutuar vetëm tre teza që janë konsideruar si më të rëndësishmet rreth kësaj çështjeje dhe janë lënë jashtë vëmendjes teza, që mund të argumentohen me më shumë të dhëna nga historiografia shqiptare dhe nga personalitete të shquara në fusha të ndryshme të dijes. E tillë është teza e Athanas Gegës, i cili e vlerëson Kastrin në Vig të Mirditës si vendorigjinën më të mundshme të Kastriotëve.

Për të arritur në Kastër të Mirditës etnografike, do të na duhet të bëjmë një rrugë të gjatë nëpër dokumente të ndryshme, duke sjellë përsëri teza e antiteza mbi vendorigjinën e familjes princore të Kastriotëve. Dhe le ta nisim shtegtimin tonë për në Kastër me pohimin e historianit Kasem Biçoku, i cili ka theksuar se “Ky lumë (Mati–shënimi im) shërbente si kufi ndarjeje me një tjetër njësi administrative, të ndarë në vilajete, të përfshirë në një regjistër të veçantë të emëruar “Defteri i emrit të Gjonit”. (Gjon Kastrotit), ku gjendeshin të shënuara edhe fshatrat e vilajetit të Dhimitër Jonimës, që shtriheshin nga Lezha në Rubik”.

Ky pohim sikur na thotë prerë se tokat midis rrjedhës së mesme dhe të poshtme të lumit Mat dhe Drin ishin territore të dy fiseve legjendare, disi rivalë midis tyre: Kastriotëve dhe Dukagjinëve. Kësaj ideje i vjen në ndihmë edhe pohimi i historianit Selami Pulaha, i cili kumton se “në vitin 1431 u vunë për herë të parë nën zotërimin e timarit krahinat e përfshira në zotërimet e Gjon Kastriotit e të Gjergj Aranitit në vilajetin e Dhimitër Jonimës (krahina mes Rrëshenit e Lezhës).” Dhe, pas këtij pohimi, ai shton: “Ka mundësi që rregjistrimi të jetë shtrirë në veri, në krahinat e Tanush Dukagjinit, deri në Danjë”, që është cepi veriperëndimor i Mirditës etnografike.

Që në territoret e shtetit të Arbërit, vatra e të cilit ishte Mirdita, banonte edhe fisi i Kastriotëve, na dëshmon edhe akademiku Dhimitër Shuteriqi, kur na sjell një dokumet të përcjellë edhe prej Fan Nolit. Sipas këtij dokumenti Gjon Kastrioti “më 1407 pretendon të ketë kisha të cilat ….. ishin pjesë e peshkopatës së Arbërit. Midis tyre është edhe Shën Mëria e Ndërfanës. Ai thotë se, që prej 800 vjetësh, peshkopata e Arbërit vendosej në tokat e sunduara … prej tij”. Duket, pra, se edhe të parët e Gjon Kastriotit ishin nga këto treva, ndryshe nuk do të kujtohej të përmendte një kohë prej 800 vjetësh!

Po le të sjellim edhe një pohim të historianit më të shquar të shekullit XX, Aleks Budës! Ai, duke iu referuar J. Radoniqit, pohon qartë: “Sipas të dhënave të një marrveshjeje tregtare me qytetin e Dubrovnikut (1420), tokat që iu përkisnin zotërimeve të Gjon Kastriotit nisnin (vini re: nisnin!) në perëndim në bregdet, në rrethinat e qytetit të Lezhës dhe arrinin deri në rrethinat e Prizrenit, dmth, përfshinin trevën në jug të lumit Drin: Mirditën e Lumën”.

Këto ide i gjejmë të shprehura qartë edhe tek historiani Selman Riza në librin “Kosova gjatë shekujve XV-XVII”, kur shkruan: “Sipas burimeve osmane, Kastriotët ishin pronarë të tokave në mes të Shkodrës dhe të Lezhës. Në kohën e Balshajve, sëbashku me Dukagjinët, Kastriotët u shpronësuan, kurse pas vdekjes së Balshës së dytë (1385), u bënë përsëri zotërues të tokave të veta…”. Dhe pas këtyre pohimeve lapidare që përbëjnë edhe dokumenta të mirëfilltë, nuk ka si të mos besojmë se vendorigjina e Kastriotëve, ashtu si edhe e Dukagjinëve, duhet kërkuar në trevat e Mirditës etnografike!

Për të shkuar drejt Kastrit në Vig të Mirditës, si vendorigjina më e mundshme e familjes princore të Kastriotëve dhe si vendlindja e Gjergj Kastriotit, na duhet të kujtojmë edhe një tezë që hedh historiani Kasem Biçoku, kur kundërshton që Kastrioti i Dibrës të jetë vatra e hershme e Kastriotëve. Dhe, për ta argumentuar tezën e tij kundërshtuese, shkruan:

“Nevojat e drejtimit të principatës (të Kastriotëve) kërkonin që Gjon Kastrioti dhe familja e tij të mos banonin në viset ekstreme lindore, siç ishin ato të Dibrës, por në një nga qëndrat kryesore të saj, prej nga Gjoni mund të drejtonte e administronte principatën e tij, siç u bë Kruja në kohën e Skënderbeut”.

Kështu, për atë që e njeh sado pak gjeografinë e viseve të Shqipërisë veriore, rezulton se ky historian nuk kundërshton vetëm tezën e Kristo Frashërit, që i bën Kastriotët me origjinë prej fshatit me të njëjtin emër në rrethin e Dibrës, por edhe tezën e tij, sipas të cilës vendorigjina e Kastriotëve duhet kërkuar në Kastrat të Hasit. Sepse edhe Hasi, që asokohe nuk kishte as emër, ishte një krahinë po aq e thellë, sa dhe Kastrioti i Dibrës. Sipas kësaj logjike, duket se “qëndra kryesore” nga Gjon Kastrioti mund të drejtonte dhe administronte principatën e tij, ishte Kastri në Vig të Mirditës.

Gjurmët për në Kastër na çojnë edhe në dritën e të dhënave që sjellin dy historianët më në zë që janë marrë me origjinën e Kastriotëve: Fan Noli në variantin e vitit 1921 të Historisë së Skëndërbeut dhe Athanas Gega në veprën “Arbëria, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu”. Për në Kastër na çojnë edhe parashtrimet e historianit Selami Pulaha me të dhënat që sjell për territoret ku shtriheshin, sipas tij, Kastriotët. Për në Kastër na çojnë edhe pohimet e udhëtarit frëng Ami Bue e të Hahn-nit, edhe pohimet e poetëve të shquar të rilindjes kombëtare Gavril Darës (I Riu), Risto Siliqi e Zef Jubani.

Duke i përmendur të gjithë këta, mbajmë parasysh faktin se idenë mbi origjinën mirditore të Kastriotëve e hodhi i pari historiani austriak Jakob F. Falmerajer. Ky, siç theksohet në librin “Elementi shqiptar në Greqi”, qysh në fillim të shekullit XIX, kishte pohuar qartë se “Kastriotët ishin nga fshati Kastër i Mirditës”. Një pohim i tillë nuk mund të kalohet në heshtje dhe, ca më tepër, të lihet në harresë nga historianët seriozë, kur merrën me vendorigjinën e Kastriotëve!

Nuk mund të lihet në harresë as pohimi i historianit turk Halil Inalçik, i cili ka shkruar se “Nga një shënim në defterin shqiptar lidhur me Skënderbeun mësojmë se në maji të vitit 1438 nëntë katundet nga vilajeti i Dhimitër Jonimës, që i përkisnin Skënderbeut, i ishin dhënë Andrea Karlos… Nëntë katundet në fjalë, me qenë se gjendeshin në defterin e Juvan Iliut, janë toka që i përkisnin babait të Skënderbeut”.

Këtë ide duket se e shpreh qartë edhe dijetari Shuflay, i cili, duke bërë fjalë për Gjon Kastriotin, shkruante: “Ivani (Gjon Kastrioti) shfaqet për here të pare në dokumente (1407) si Protektor i Peshkopatës së Arbëri” (“Arbanum”). Të njëjtën gjë na thotë edhe Jereçek, kur shkruan se “Për nga relata kishtare, vendi (tokat e Kastriotëve-shënimi im) i përkiste pjesërisht Peshkopatës katolike të Arbërit “Arbanum-it”), pjesa tjetër kishës serbe, prej ku kemi dhuratat që Ivan Kastrioti i bëri manastirit Hillandër, të themeluar nga serbi Nemanja”.

Këto pohime thonë shumë për vendorigjinën e Kastriotëve, kur mbajmë parasysh faktin që Mirdita, siç kanë pohuar shumë përsonalitete të njohuura të botës intelektuale në Shqipëri, ka qenë bërthama e Shtetit mesjetar të Arbërit. Se jo më kot arkeologu i shquar Neritan Ceka, duke folur për Mirditën, sjell në vëmendjen e historianëve teorinë e studiuesit gjerman G. Shtadmyler, sipas të cilës “kjo trevë përbën bërthamën qendrore ku u formua gjatë mesjetës popullsia arbërore”.

Një pohim të tillë, pothuaj, e bën edhe Prof. Dr. Muzafer Korkuti, i cili, në një intervistë dhënë një studiuesi të njohur mirditor, theksonte se mbishkrimi në Kishën e Gëziqit e mbështet tezën se “Mirdita ka qenë qendra e Shtetit të Arbërit”. Dhe parashtrime të tilla vështirë të mos e vënë në mendime historianin, kur ai tenton të merret me vendorigjinën e Kastriotëve!
dita
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top