Nje lutje-Jorge Luis Borges

Buzët e mia kanë shqiptuar dhe do të shqiptojnë me mijëra herë dhe në të dy gjuhët intime të miat, Atin Tonë, por unë e kuptoj vetëm pjesërisht. Këtë mëngjes, të një korrikut të 1969-s, dua të provoj një lutje personale dhe jo të trashëguar. E di se bëhet fjalë për një sipërmarrje që kërkon një sinqeritet më tepër se njerëzor. Në radhë të parë, është e qartë se më ndalohet të kërkoj. Të kërkoj që të mos erren sytë e mi, do të ishte një marrëzi; e di se mijëra njerëz që shohin nuk janë domosdoshmërisht të lumtur, të drejtë a të ditur. Procesi i kohës është një zinxhir pasojash dhe shkaqesh, kështu që të kërkosh çdo favor, sado i çastshëm të jetë, është të kërkosh që të thyhet një hallkë e këtij zinxhiri të hekurt, është të kërkosh që tashmë të jetë thyer. Askush nuk e meriton një mrekulli të tillë. Nuk mund të lutem që të më falen gabimet; falja është një akt i huaj dhe në këtë rast vetëm unë do të shpëtoja. Falja dëlir të fyerin, jo fyesin, të cilit pothuaj nuk i përket. Liria e vullnetit tim ndoshta është trillim, por mund të jap apo të ëndërroj se jap diçka. Mund të jap kurajën, që s’e kam; mund të jap shpresën, që s’është tek unë; mund të tregoj vullnetin për të mësuar atë që thuajse s’e di apo që e shoh vagëllimthi. Dua të kujtohem më shumë si mik se sa si poet; që dikush të përsërisë një kadencë të Dunbar-it a të Frost-it apo të njeriut që pa në mesnatë pemën që rrjedh gjak, Kryqin, dhe të mendojë se, për herë të parë, e dëgjoi nga buzët e mia. Të tjerat nuk më interesojnë; shpresoj që harresa të mos vonohet. Nuk i dimë qëllimet e universit, por dimë se të gjykosh me kthjelltësi dhe të veprosh me drejtësi do të thotë t’i mbështesësh këto qëllime, që nuk do të na shfaqen kurrë.
Dua të vdes krejtësisht, dua të vdes me këtë shok, këtë bashkudhëtar, trupin tim.

FRAGMENTE TË NJË UNGJILLI APOKRIF

3. Fatkeq i varfri në shpirt, pasi nën dhe do të jetë ai që qe mbi dhe.
4. Fatkeq ai që qan, pasi ka fituar zakonin e mjerë të të qarit.
5. Lum ata që e dinë se vuajtja nuk është një kurorë lavdie.
6. Nuk mjafton të jesh i fundit për të qenë ndonjëherë i pari.
7. Lum ai që nuk këmbëngul për të pasur të drejtë, pasi askush nuk e ka ose që të gjithë e kanë.
8. Lum ai që fal të tjerët dhe ai që fal veten e tij.
9. Fatlum të qetët, pasi nuk u duhet të bien dakord me mospërputhjen.
10. Fatlum ata që nuk kanë uri për drejtësi, pasi e dinë se fati jonë, i prapë apo i mëshirshëm, është vepër e rastësisë, që është e padeshifrueshme.
11. Fatlum zemërgjerët, pasi lumturia e tyre është në ushtrimin e zemërgjerësisë dhe jo në pritjen e një shpërblimi.
12. Fatlum ata me zemër të pastër, pasi gjejnë Zotin.
13. Fatlum ata që vuajnë nga persekutimi për shkak të drejtësisë, pasi për ta është më e rëndësishme drejtësia se fati i tyre njerëzor.
14. Askush nuk është kripa e tokës; gjithkush, në ndonjë çast të jetës së tij, është.
15. Le të ndizet drita e një llambe, edhe pse asnjë njeri të mos e shohë, Zoti do ta shohë.
16. Nuk ka rregull që të mos mund të thyhet, gjithashtu edhe këto që po them dhe ato që kanë thënë profetët.
17. Ai që vrau për shkak të drejtësisë, a për shkak se ai e besoi të drejtë, nuk ka faj.
18. Veprat e njerëzve nuk e meritojnë as zjarrin e as qiejt.
19. Mos e urre armikun tënd, nëse e bën, je, në njëfarë mënyre, skllavi i tij. Urrejtja jote kurrë s’ka për të qenë më e mirë se paqja jote.
20. Nëse të fyen dora jote e djathtë, fale; je trupi yt dhe shpirti yt, dhe është e vështirë, ose e pamundur, të vendosësh kufirin që ju ndanë.
24. Mos e fry kultin e së vërtetës; nuk ka njeri që në fund të ditës, të mos ketë gënjyer, shpesh herë me të drejtë.
25. Mos u beto, pasi çdo betim është një vënie në pah.
26. Rezistoi të keqes, por pa mahnitje dhe pa tërbim. Kujt të të plagosë faqen e djathtë, mund t’i kthesh tjetrën, gjithmonë nëse nuk e bën nga frika.
27. Unë nuk flas për hakmarrje e as për falje; harresa është e vetmja hakmarrje dhe e vetmja falje.
28. T’i bësh mirë armikut tënd mund të jetë vepër e drejtësisë dhe s’është e vështirë; ta duash, vepër engjëjsh dhe jo njerëzish.
29. T’i bësh mirë armikut tënd është mënyra më e mirë për të kënaqur vanitetin tënd.
30. Mos grumbullo ar në tokë, pasi ari është ati i dembelizmit, dhe ky, i trishtimit dhe mërzisë.
31. Mendo se të tjerët janë të drejtë ose do të jenë, e nëse nuk është kështu, nuk është gabimi yt.
32. Zoti është më zemërgjerë se njerëzit dhe do t’i matë me tjetër masë.
33. Të shenjtën jepua qenve, perlat e tua hidhua derrave; e rëndësishme është të japësh.
34. Kërko për kënaqësinë e të kërkuarit, jo për atë të të gjeturit…
39. Dera është ajo që zgjedh, jo njeriu.
40. Mos e gjyko pemën nga frutat e saj e as njeriun nga veprat e tij; mund të ketë më të këqija apo më të mira.
41. Asgjë nuk ndërtohet mbi gur, gjithçka mbi rërë, por detyra jonë është të ndërtojmë sikur rëra të ishte gur.
47. Lum i varfri pa hidhërim apo i pasuri pa mendjemadhësi.
48. Lum të guximshmit, ata që e pranojnë me të njëjtën gjendje si humbjen, si duartrokitjet.
49. Lum ata që ruajnë në kujtesë fjalë të Virgjilit apo të Krishtit, pasi këto do u japin dritë ditëve të tyre.
50. Lum ata që dashurohen dhe ata që dashurojnë dhe ata që mund të heqin dorë nga dashuria.
51. Lum të lumët.


Virtualsophists
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top