Ne Vend Te Reformave

WxP

Staf në FV.AL
NE VEND TE REFORMAVE

Prof. Bejo Duka

Ka disa javë, që mediat po përcjellin tek publiku “reformat” në sistemin tonë arsimor. Reforma si koncept shpreh ndryshime thelbësore, në përmbajtje dhe në formë të subjektit që ajo prek. A janë të tilla masat që po ndërmerren në sektorin e arsimit dhe shkencës?
Sistemi arsimor në Shqipëri përballet me probleme të shumta si: infrastruktura mjaft e amortizuar sidomos në zonat rurale, mungesa thuajse totale e laboratorëve, kurrikula të vjetëruara apo me përmbajtje të pa studiuar mirë, tekste të mbingarkuara dhe pa elementë praktikë, treg i monopolizuar i librit shkollor, ekzistenca e strukturave joefektive për kualifikimin e mësuesve, kontrolle të pastandartizuara të dijeve të nxënësve, arsim profesional infantil, mungesa e institucioneve të pavarura për vlerësimin e dijeve të nxënësve, etj.
Me përjashtim të vullnetit të mirë, që drejtuesit e Ministrisë së Arsimit e shprehin në çdo takim apo intervistë që japin, masave të ndërmarra nga Ministria e Arsimit iu mungojnë mjaft elemente të rëndësishme, për t’u konsideruar si reforma që do të çonin përpara arsimin shqiptar. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e ka filluar reformën nga fundi, nga e ashtuquajtura matura shtetërore e kombinuar kjo, me seleksionimin e studentëve për të hyrë në universitete. Wshtë hartuar një skemë e stërholluar përllogaritjeje notash duke pretenduar që përmes saj, do të arrihet vlerësimi i jashtëm i nxënësve. Por a janë këto skema çelësi i zgjidhjes së problemit? Ka shumë eksperienca që tregojnë se, në shoqërinë shqiptare aty ku rregullat kanë qenë më të stërholluara, aty kanë qenë edhe abuzimet më të mëdha.
Nga takimet e zhvilluara me grupet e interesit, ka rezultuar që ka edhe në Tiranë shkolla ku mësimdhënia lë për të dëshiruar. A ka bërë Ministria e Arsimit vlerësime për nivelin e mësimdhënies, për të gjithë arsimin e mesëm dhe a janë bërë publike fakte të tilla? Mjaft familje vihen tani përpara faktit të kryer, që shkolla ku kanë mësuar fëmijët e tyre nuk siguron të njëjtin standard, si një shkollë tjetër që ndodhet vetëm 1 km larg. Mungesa e vlerësimeve të tilla, mungesa e mësuesve me kualifikimin e nevojshëm, nuk i jep të drejtë Ministrisë që ta fillojë vlerësimin nga nxënësit, pa vlerësuar më parë mësuesit dhe shkollat. Nxënësit e shkollave të mesme e kanë filluar garën pa një start të barabartë dhe ky është një fakt që e komprometon procesin.
Zgjedhja e dy provimeve të detyruara Matematikë dhe Letërsi duket logjike, por këto lëndë duhet të ishin me dy nivele: niveli më i ulët të ishte i detyrueshëm dhe niveli më i lartë të ishte në lëndët me zgjedhje, duke e rritur më tej numrin e lëndëve me zgjedhje, numri i të cilave duhet rritur akoma me ndarjen e disiplinave Kimi, Biologji, etj.
Ana pozitive që unë shoh në këtë hap të Ministrisë, është vendosja e nxënësve nën presionin e një vlerësuesi të jashtëm. Por sa është i besueshëm ky vlerësues që ka caktuar Ministria, Qendra e Vlerësimit të Provimeve? A është në gjendje ajo të menaxhojë dhjetra-mijëra provime nxënësish, ndërkohë që drejtoria e këtij institucioni deklaron se pyetjet e provimeve do të jenë të hapura?
Forma e zgjedhur me pyetje të hapura lë shteg që korrigjimi të ketë doza subjektivizmi madje edhe vlerësime kontradiktore nga vlerësues të ndryshëm, angazhon një numër të madh mësuesish lëndësh të ndryshme, por do të marrë dhe një kohë shumë të gjatë nga provimi tek deklarimi i rezultateve. A është e nevojshme një harxhim kaq i madh energjish, ndërkohë që duke përdorur metodat moderne të vlerësimeve masive, ato me pyetje të mbyllura (me përgjigje alternative), jo vetëm që do të shmangej subjektivizmi, por do të kurseheshin fonde të mëdha. اështja është se hartimi i pyetjeve të mbyllura kërkon hartues të kualifikuar dhe mori të madhe pyetjesh. Përvojat e kësaj qendre me testin e përgjithshëm për në universitete në vitet e kaluara, dëshmojnë që mungojnë kapacitetet për të hartuar teste të tilla.
Problem tjetër është koha e pamjaftueshme në dispozicion për të zbatuar këtë mënyrë të re të pranimit. Mesa duket, Ministria e ka zgjedhur këtë pjesëz reforme, që është më e prekshme për publikun dhe tërheq vëmendjen e tij, duke e larguar atë nga plagët e shumta të arsimit shqiptar.
E njëjta situatë vihet re dhe në arsimin e larte. Mangësitë e mëdha të arsimit të lartë, siç janë: infrastruktura dhe kushtet e punës së pedagogëve dhe studentëve të pakrahasueshme me vendet Europiane, asfiksimi i punës shkencore, akreditimi dhe vlerësimi i pakryer i shkollave të larta, standardizimi dhe klasifikimi i kurseve mësimore ende i pafilluar, mënyra e fitimit të titujve dhe gradave me votime gati qesharake, distanca e madhe e strukturave dhe kurrikulave universitare nga modeli evropian, mungesa e konkurrencës dhe motivimit të studentëve dhe pedagogëve, menaxhimi joefektiv i fondeve dhe vendimmarrja hermetike, përdorimi thuajse zero i teknologjive të informacionit, mekanizma zgjedhjesh që nxjerrin në drejtim përfaqësues të painteresuar për zhvillimin e njësisë që drejtojnë, etj., e bëjnë reformën një sfidë.
Nga moria e këtyre problemeve, është iniciuar diskutimi nga problemi më i fundit në këtë renditje, por jo më pak i rëndësishëm, ai i zgjedhjeve të titullarëve (dekanë dhe rektorë). Sido që të organizohen këto zgjedhje, në drejtim dalin individë që lakmojnë poste. Shumica e tyre, duke mos qenë të aftë të krijojnë autoritetin nëpërmjet mësimdhënies dhe kërkimit në fushat e tyre, përpiqen ta krijojnë atë përmes postit drejtues. ثshtë fenomen tipik shqiptar lakmimi i posteve nëpër universitete, ndërkohë që për profesorin e universiteteve të huaja marrja e një posti drejtues është një sakrificë, sepse është një pengesë për karrierën e tij shkencore dhe pedagogjike. Ka edhe rektor që deklaron që zgjedhjet duhet të bëhen me fushata, ku kandidati të shpalosë platformën e vet, pra të gënjejë sa më bukur si në zgjedhjet politike.
Mendoj se kriteret kryesore të vlerësimit të pedagogut janë: rezultatet e kërkimit, publikimet dhe referimet, kualifikimi në mësimdhënie, figura morale, vlerësimi i studentëve etj. Në shoqërinë shqiptare, pas përmbysjes së sistemit komunist të vlerësimit të personaliteteve, kemi ende një sistem të çorientuar vlerësimesh, dhe ende nuk janë krijuar autoritete të padiskutueshëm në fusha të ndryshme të shkencës dhe teknikës, zgjedhja e të cilëve në postet drejtuese të shkollave të larta do të ishte fare i lehtë. Në gjendjen aktuale, ndoshta një zgjidhje do të ishte reduktimi dhe shpërndarja e kompetencave (decentralizimi i tyre), afate të shkurtra dhe të papërsëritshme në pozicione të rëndësishme drejtuese etj., në mënyrë që të shmangen rastet e abuzimit në drejtim. Edhe grupet studentore nuk e kanë vetorganizimin e duhur për të ndikuar në jetën universitare, dhe shpesh në emër të tyre flasin përfaqësi të ndryshme, që nuk dihet se nga vijnë.
Nuk dua ta paragjykoj idenë që po diskutohet mbi krijimin e bordeve drejtuese të universiteteve, ashtu si në shumë universitete amerikane. Por mendoj se transplantimi vetëm i kësaj cilësie në universitetet shqiptare, ku përmbajtja vijon të jetë ende kryesisht një “hibrid” lindje-perëndim, do të ishte si një arnim i thjeshtë. Ndërkohë që shkolla e lartë ka nevojë për një reformë të thellë e serioze në përmbajtjen e saj, që nuk mund të kryhet pa një ekspertizë perëndimore dhe harxhime të mëdha fondesh.
Nga këto reforma të iniciuara, të krijohet përshtypja se Ministria në të kundërt të asaj që thotë populli “Ta kapë demin nga brirët”, duket sikur po e kap atë nga bishti.

*Fakulteti i Shkencave Natyrore
Universiteti i Tiranës
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top