Ne jemi per te na "ashtu" robt

! - !

Once upon a time...
ARTAN FUGA

Ligjërimet seksiste dhe të dhunshme në planin psikologjik, ofenduese në hapësirën mediatike të Shqipërisë, si në mediat komerciale lineare, konvencionale, ashtu edhe në mediat sociale, nuk janë të rastit. Dihet që komunikimi në web, jo vetëm në mediat sociale, por edhe website të mediave lineare, e rrit agresivitetin dhe potencialin difamator të komunikimit masiv. Nuk është ndonjë çudi. Çdo teknologji, çdo media, ka anët e veta avantazhuese dhe ato negative. Edhe një veturë, kur del në rrugë, rrit rrezikun e aksidenteve, por nuk i hedhim gurin si shkaktare e tyre. Është shoferi që vret!
Web e shton edhe potencialin seksist të komunikimit për ndofta dhjetëra arsye të studiuara tashmë, por nga të parat është anonimati i emetuesve të mesazheve, postimeve, komenteve. Jo më kot, Platoni, te vepra e tij “Republika”, tregon mitin e bariut të Mbretit, që kur gjeti një unazë në kullotë dhe e kuptoi se me ta vendosur në gisht atë bëhej i padukshëm, nga bari i edukuar, i respektueshëm, i lindi dëshira e mbajtur e fshehtë të shkonte në dhomën e gjumit të mbretëreshës.
Qysh nga zbulimet e mëdha të Walter Lippmanit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është zbuluar ndofta edhe më parë me punimet e Dyrkheimit, Robert Ezra Park, Gustav Le Bon, etj., si edhe vulosur përfundimisht nga idetë dhe zbulimet e Erving Goffmanit se individi, jashtë kontrollit dhe ndikimit të opinionit publik, shpërqendrohet, çmendet, bëhet skizofren, paranojak dhe humb çdo kontroll moral mbi sjelljen dhe të folurin e tij. Anonimati në web e bën që ky kontroll të dobësohet. Kam konstatuar se ka një përpjesëtim të drejtë në rrjetin tim social “Facebook”, që ka gjithsesi rreth 100 deri 120 mijë vizita aktive në javë, midis rritjes të agresivitetit diskursiv e seksist, edhe rritjes së profileve anonime, ose profileve fake. Aq më tepër që kjo rritet sepse edhe kur janë me emër referuesit seksistë apo difamues, më rezulton që shkruajnë nga emigrimi, pra, jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë nga marrëdhënia ilokutore e komunikimit, sy më sy, me një fjalë janë të pakapshëm në rrugë.
Në këtë kuptim nuk ndodh vetëm transformimi i turmës kriminale në turmë inteligjente në web, por kemi edhe lindjen e individit kriminel, që në realitet nuk ndodh haptazi, për shkak të këtij ndryshimi antropologjik gjigant, krijimit të dixhital citizen. Individ i guximshëm, i papërgjegjshëm, sepse anonim bëhet kriminel.
Po të shohim dhunën verbale dixhitale në media ndaj femrës, më duket se ajo paraqitet në disa forma:
E para, drejtpërdrejt ndaj personazheve femra në opinionin publik, qofshin këto gazetare, opinioniste, deputete, ministre. Por, këtu duhet të shtoj se seksizmi, sipas parametrave të sotëm, nuk shfaqet vetëm në sharjet, fyerjet apo shpifjet ndaj tyre, në banalizimin e portretit të tyre fizik, por edhe kur ato privilegjohen, apo duket se promovohen bazuar në cilësitë e tyre si femra, ta zëmë kur deputete opozitare sinonimohen me emra artistesh filmi.
E dyta, në mënyrë indirekte, atëherë kur një dhunë verbale bashkëvepruese mes komunikimeve midis meshkujve, ky i fundit degjeneron dhe menjëherë kalon në prekjen e imazhit të nënave, grave dhe motrave të tyre, sikurse ndodhi në një emision të muajit të fundit te “Zonë e Lirë”, ku gazetari e shtynte të zhvillohej me frazën pak a shumë: E mo le të shpërthejë dufi! Në këtë mënyrë, femra bëhet objekt i ndërmjetëm i sherrit mashkullor, si Helena e Trojës bëhej preteksti i sherrit mes trojanëve dhe athinasve. Në fakt, në këtë rast kemi një nga ato që quhen psikopatologji komunikimi sepse jemi në kushtet e sublimimit të një libidoje seksuale të ndaluar në realitetin moral real. Pra, kemi një kapërcim të atyre që quhen mekanizma prohibitivë libidinalë në jetën reale. Ky sublimim që është një dukuri universale në komunikim, por kjo është histori tjetër, shkon deri në atë pikë sa kur meshkujt që duan të lavdërojnë dikë thonë: Ah çfarë bir Rrugaçe është ai!!! E kanë fjalë për dikë që shfaqet si takticien i zoti. Ose e kanë si shenjë përkëdhelie: Ai është për t’i “ashtu” robt e shtëpisë!!!
Në njëfarë mënyre, këtu kemi edhe një dukuri sadomazokizmi të përhapur në shoqëritë me edukatë familjare autoritare, sepse në këtë rast mes sharjes dhe lavdërimit vendoset një korrelacion i pandashëm, pra, sharja është lavdërim dhe lavdërimi është sharje. Është një sadizëm sa kohë është një sharje që bazohet në një dëshirë përdhunimi, por që në të vërtetë e përjashton këtë të fundit dhe është mazokizëm sepse “sulmohet” një vlerë e ruajtur me pasion, pra, që konsiderohet e vlefshme, pikërisht sepse kërkohet të bëhet objekt i dëshirave të të tjerëve.
Pra, kam konstatimin se objekt i dhunës seksiste është jo vetëm femra, por kryesisht mashkulli. Ndërkaq, edhe që femra është objekt i këtij dhunimi verbal, edhe kur janë meshkujt që degradojnë në gjuhë të urrejtjes komunikimin midis tyre. Ndodh sikurse në jetën reale, në histori, ushtria armike përdhunon realisht femrat e popullsisë të pushtuar duke bërë kryqëzimin e racave.
Kemi edhe një dukuri imitimi, që është sigurisht element nga më të rëndësishmit në komunikimin masiv. Kjo duket sepse edhe nga titujt e mediave që janë monitoruar sharjet dhe komunikimi me nota seksiste vjen më shumë nisur nga komunikimi midis politikanëve, midis deputetëve, ose nga komunikimi i Kryeministrit me deputetët. Imitimi gjithmonë zbret nga individët me status social më të lartë tek ata me status më të ulët. Media merr pikërisht ato fraza sepse në kushtet e voyerizmit libidinal ato tërheqin klikime më të shumta dhe bëhen virale në mënyrë krejt të natyrshme. Pra, politika duhet të mendojë fillimisht për kodet e komunikimit brenda vetes, pastaj ta çojë mendjen te ligje që kërkojnë të rregullojnë edhe modelin libidinal të mashkullit shqiptar, që në fund të fundit në një masë të madhe nuk bën dallimin midis një komenti në “Facebook” dhe një bisede te tarraca e birrarisë të lagjes.
Mashkulli, kur fyhet, trajtohet si femër. Para dy ditësh, mua një profil fake i një gruaje më kishte quajtur “balerinë”!!! Kurse mashkulli kundërshtar kur shahet quhet me emra në gjininë femërore: Rrugaçe, prostitutë, lavire, bushtër etj. Ndërkohë, sipas logjikës të një maçizmi heteroseksual ekstrem, sharja më e rëndë për një mashkull është: “ai pederasti”! Dhe, në fakt, të gjitha sharjet nëpërmjet femrës, mes meshkujve, kanë origjinë heteroseksuale maçiste bazuar tek obsesioni maskilist se në seks është burri aktiv dhe që merr qejfin në seks dhe gruaja është pasive dhe nuk ka asnjë akses në libidon e aktit seksual!!!
Dhe duhet theksuar se gjuha seksiste nuk shkon vetëm në një kah, nga shoqëria opozitare drejt pushtetit, por edhe nga pushteti drejt gazetareve, deputeteve gra apo politikaneve femra. Në punimet në komisionet e Kuvendit kam parë tmerre kur të ftuar krerë institucionesh kanë masakruar etikisht gra deputete opozitare, sikurse edhe gazetare në hyrje të ndërtesave të institucioneve që përfaqësojnë.
Mbi të gjitha, në disa media që janë afër pushtetit dihet që funksionojnë ato që quhen hapësira interaktive dhe që përdoren nga redaksitë për të vendosur profile false, që dihet se kush i paguan, nxit, mobilizon, për të sulmuar sikurse thuhet me sharje, shpifje, difamacione seksiste, jo vetëm, çdo burrë a grua që është kritik. Në këtë mënyrë, ky ligjërim ka një funksion, nuk është as i rastësishëm dhe as një kaprico psikologjike apo një sëmundje hiperndjeshmërie seksuale diskursive. Është një barrierë që vendos për të mbajtur të mbyllur kufijtë e hapësirës publike, të opinionit publik. Të gjithë ata që stepen nga këto adresime seksiste, mbyllin gojën. Është një formë e shprehjes së shoqërisë piramidale, që ne kemi në politikë, në pushtet, në opozitë, në ekonomi, në arsim, pra, edhe në ndërtimin e hapësirës publike, pra, në tru. Por, kjo gjuhë e urrejtjes, sikurse thonë studimet, ka edhe funksionin latent, sikurse do ta quante Robert K Merton, pra, atë të devijimit të dhunës reale drejt gjuhës që përfaqëson simbolikën dixhitale të dhunës reale, pra, në njëfarë mënyre edhe mekanizmin e irealizmit të saj. Jakobi nuk ther djalën, por ther qengjin!!!


Panorama.al
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top