-
- Anëtarësuar më
- Feb 26, 2009
-
- Mesazhe
- 1,466
-
- Reagimet e mara
- 959
-
- Mosha
- 70
-
- Vendndodhja
- Danimarkë
-
- Website i juaj
- www.radioprojekt.dk
Adem Gashi
FALËNDERIM …
Një jetë misioni: 70 vjet me nxënësit, fjalën dhe ndërgjegjen e pastër
Të dashur miq, shokë, ish-nxënës dhe bashkëpunëtorë,
Sot mbusha 70 vjet dhe ndjej nevojën t’ju falënderoj nga zemra për të gjitha urimet, fjalët e mira dhe respektin që ma dhuruat. Ma mrekulluat këtë ditë të veçantë dhe më bëtë të reflektoj me mirënjohje për rrugëtimin tim jetësor.
Kam pasur një jetë aktive si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, profesion që nuk e kam konsideruar thjesht punë, por mision në jetë. Gjithmonë kam hyrë në klasë i përgatitur dhe i përkushtuar, dhe jam vlerësuar në shumë shkolla nga drejtuesit. Megjithatë, vlera më e madhe për mua ka qenë raporti i ndërsjellë i respektit me nxënësit dhe prindërit e tyre. Edhe sot, pas kaq vitesh, kënaqem pa masë kur më takojnë ish-nxënësit e mi; disa i njoh menjëherë, disa jo, sepse vitet kanë kaluar, por respekti mbetet.
Misionin e mësuesisë dhe mësimin në gjuhën shqipe e kam vazhduar edhe në Danimarkë ( në Qendrën e Refugjatëve në Randers ), larg atdheut, jo vetëm si mësues, por edhe si drejtor i shkollës shqipe. Ishin vite të rënda, plot plagë shpirtërore. Fëmijët vinin të traumatizuar nga lufta dhe dhuna, ndërsa mësuesit, edhe pse vetë bartnin të njëjtat dhimbje, gjenin forcë të jashtëzakonshme për t’u bërë dritë dhe shpresë për ta. Me altruizëm dhe përkushtim, ata ( mësuesit ) u dhanë fëmijëve jo vetëm mësim në gjuhën amtare, por edhe ngrohtësi, siguri dhe besim se identiteti dhe gjuha jonë do të mbijetojnë kudo që jeta na shpërndan.
Krahas mësimdhënies, kam qenë i angazhuar edhe në aktivitete kulturo-artistike me nxënës dhe jashtë shkollës. Në vitet ’90, si anëtar i PNDSH-së (Partia Nacional Demokratike Shqiptare), pata nderin të jem ideatori i parë për nxjerrjen e gazetës në gjuhën shqipe “Trojet Tona”. Po ashtu, në vitet e 90-ta ( 96-97) një kontribut timin e konsideroj edhe përpjekjen në pasurimin e gjuhës shqipe me fjalë të reja shqipe në fushën e gjëzëtarisë (enigmatikës), duke emërtuar disa lloje gjëzash sipas funksionit të tyre, si: Gjëzë ( enigmë ), Ndërrimor (anagram), Siandej (palindrom), Vizatimor i bardhë (rebus), Vizatimor i zi (karikaturë). Për këto do të flas më gjerësisht një herë tjetër.
Nga përvoja ime në misionin e mësimdhënies kam nxjerrë këtë përfundim:
Njeriu, në përgjithësi, është egoist, por mësuesi është ndryshe, sepse përveç fëmijës së vet, ai mban në zemër edhe nxënësit e tij dhe gëzohet sinqerisht për sukseset e tyre. Prandaj shpesh kam thënë: “Të gjithë fëmijët ua kalofshin prindërve dhe mësuesve të tyre.”
Nuk po dua t’ju lodh më shumë, por ndjej nevojën të them edhe këtë:
Nuk kam krijuar pasuri materiale për fëmijët e mi, por u kam lënë diçka më të çmuar: emrin e pastër dhe veprat e ndershme. Mund të them me bindje se:
-kurrë nuk kam bërë veprime të liga kundër atdheut,
-kurrë nuk kam spiunuar askënd,
-kurrë nuk kam shpifur për askënd, edhe kur më kanë lënduar, përkundrazi i kam falur pa kushte,
-kurrë nuk kam bërë komplot ndaj askujt,
-nuk kam shantazhuar askënd e as pranuar të shantazhohem,
-dhe mbi të gjitha, askënd nuk e kam prerë në besë
( prandaj secilin mund ta shikoj drejt në sy pa m’u dridhur qerpiku ).
Miq të mi, ju që ma mrekulluat ditën, ju falënderoj sinqerisht për urimet tuaja dhe për dashurinë që ma dhuruat me rastin e 70-vjetorit tim.
Ua kthefsha me të mira në gëzimet tuaja!
