Ndryshon Kodi i Punës, si do të bëhen kontratat

AnGeLiC

VIP
V.I.P
Shiko fotografinë 1789140
Nga Neritan Gjergo

Pas një muaji do të nisë nga zbatimi Kodi i ri i Punës, i cili pëson mjaft ndryshime në marrëdhëniet mes punëmarrësve dhe punëdhënësve. Shumë prej neneve të miratuara, me kodin aktual nuk figurojnë, ndërsa risitë janë prezantuar dje me përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe përfaqësues të biznesit. Kështu, ligji i ri i jep më tepër të drejta të punësuarve, duke e detyruar punëdhënësin të krijojë kushte të përshtatshme të vendit të punës për të gjitha kategoritë, përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuar, gratë shtatzëna etj. Sa i përket lejes, nëse më herët mund të mos merrje leje vjetore, por në këmbim të saj pagë, me ndryshimet e bëra kjo nuk është më e mundur. Punonjësit e kanë të detyruar të bëjnë leje vjetore dhe kjo leje nuk mund të zëvendësohet më me kompensim financiar.

Ndërkohë, ndryshimet i kushtojnë vëmendje të posaçme mbrojtjes së gruas gjatë periudhës së shtatzënisë dhe pas saj. Si risى, në këtë aspekt, është e drejta e gruas shtatzënë për leje të pagueshme me qëllim kryerjen e vizitave mjekësore, kur ato janë të nevojshme gjatë orarit të punës; ndalimi për të kryer orë shtesë dhe të punojë natën; pushimi çdo 3 orë për jo më pak se 30 minuta; zgjatja e ndalimit të punës pas lindjes së fëmijës për nënat në 63 ditë, nga 42 që është aktualisht. Po ashtu lejen për lindjen e fëmijës nuk do ta marrin vetëm nënat, por edhe baballarët.

Ndërsa pas rikthimit në punë, 63 ditë pas lindjes së fëmijës, prindërit kanë të drejtë të marrin dy orë leje në ditë të paguar. Ligji sjell edhe një koncept të ri lidhur me punësimin e përkohshëm, duke prezantuar ngritjen e Agjencisë së Punësimit të Përkohshëm. Kjo Agjenci do të luajë rolin e punëdhënësit dhe do të punësojë individët, për punët e përkohshme në ndërmarrjet pritëse. Pra, Agjencia do të jetë punëdhënës i pavarur që do të sigurojë punë të përkohshme, sipas marrëveshjeve përkatëse, por që në kohëzgjatje kontratat nuk mund t’i kalojnë 2 vite në të njëjtën ndërmarrje.

Ndryshimet

Nëse me Kodin aktual për mbrojtjen gjatë dhe pas shtatzënisë, pushimi pa pagesë gjatë orarit të punës, llogaritet me 20 minuta për çdo tre orë, pas 23 qershorit, kjo kohë do të jetë të paktën 30 minuta për çdo tre orë. Gjithashtu, ndalimi i punës që sot është 42 ditë do të shtohet me 21 ditë. Ndërkohë, nenet shtesë që nuk ekzistojnë sot, parashikojnë se në rast kthimi në punë të punëmarrëses pas periudhës 63-ditore, punëdhënësi detyrohet të përshtatë përkohësisht vendin e punës; në të kundërt, duhet të kryejë transferimin e punëmarrëses në një punë të ngjashme.

Një tjetër pikë shtesë thotë se më mbarimin e lejes së lindjes, punëmarrësi ka të drejtë të kthehet në të njëjtin vend pune, ose të barasvlershëm me të, si dhe përfitojë çdo përmirësim të kushteve të punësimit që do të kishte përfituar gjatë mungesës. Një nen që futet për herë të parë ka të bëjë me detyrimin për informim. Sipas tij, punëdhënësi duhet të informojë përfaqësuesit e punëmarrësve dhe të konsultohet rregullisht, së paku, një herë në vit, për aktivitete aktuale dhe të ardhshme të ndërmarrjes, situatën ekonomike dhe gjendjen e marrëdhënieve të punësimit.

Po ashtu, punëdhënësi informon punëmarrësin e punësuar me kohë të pjesshme për vendet e lira të punës dhe i siguron mundësi të barabarta me punëmarrësin dhe punëkërkuesit e tjerë, për t’u punësuar në një punë më kohë të plotë. Detyrimi për informim vlen dhe për punëmarrësit me kohë të plotë që duan të punësohen me kohë të pjesshme. Ndërkohë, sa i përket sistemit të shpërndarjes së pagave, e cila aktualisht në ndërmarrje të ndryshme ndahet në formë fakultative, ose përmes bankës, ose pagesa në dorë, pas 23 qershorit, paga do të ndahet vetëm përmes sistemit bankar. Shekulli
 
Back
Top