Kuvendi pritet të miratojë sot ndryshimet në Kodin Rrugor, të cilat parashikojnë ashpërsimin e shumë masave.
Ndryshimet e propozuara që vitin e shkuar kur ministër i Brendshëm ishte Sandër Lleshaj, parashikojnë ashpërsimin e ndëshkimeve për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, mosmbajtjes së rripit të sigurimit, përdorimit të celularëve dhe po kështu për rastet e përdorimit të alkoolit.
Për drejtuesit e makinave:
- Gjobë 1,000-3,000 lekë nëse konstatohen pasagjerë që nuk kanë vendosur rripin.
- Gjobë 5,000-15,000 lekë për përdorimin e celularëve apo pajisjeve që kërkojnë përdorimin e duarve gjatë drejtimit të makinës;
- Tre muaj pezullim patente dhe heqje pikësh nëse je pikasur tre herë brenda vitit duke përdorur celularin gjatë drejtimit;
- Përveç gjobës për parkim të gabuar, për zënie trotuari reduktohen pikë në patentë;
- Këshillimi për shkelje regjistrohet në sistem dhe në rast përsëritjeje brenda një viti vendoset gjoba e parashikuar për shkeljen;
Për ata që do të drejtojnë motorë natën, do të duhet të mbajnë me detyrim një jelek fosforeshent në të kundërtën do të gjobiten 1,000-3,000 lekë.
Për tejkalimin e shpejtësisë:
Për tejkalimet e shpejtësisë janë parashikuar ndëshkime me nënndarje të ndryshme dhe jo më me një kategorizim të përgjithshëm sikurse ishte: “gjobë 2,000-15,000 lekë dhe pezullim patente 1-3 muaj për shkelje të shpejtësisë me mbi 20 km/orë nga shpejtësia e lejuar”.
Më poshtë masat e vendosura:
- Gjobë 1,000-3,000 lekë për tejkalim shpejtësie jo më shumë se 10 km/orë nga shpejtësia e lejuar;
- Gjobë 2,000-4,000 lekë për tejkalim shpejtësie deri në 30 km/orë nga shpejtësia e lejuar;
- Gjobë 5,000-15,000 lekë, tre muaj pezullim patente dhe reduktim pikësh, për tejkalim shpejtësie 30-50 km/orë jashtë qendrave të banuara dhe 20-40 km/orë në zonat e banuara;
- Gjobë 10,000-20,000 lekë, 3-6 muaj pezullim patente dhe reduktim pikësh, për tejkalim me më shumë se 50 km/orë të shpejtësisë së lejuar jashtë qendrave të banuara dhe mbi 40 km/orë në zonat e banuara;
Kur tejkalimi i shpejtësisë është përsëritur gjatë një periudhe dyvjeçare atëherë pezullohet patenta për 8-14 muaj – ishte 4-12 muaj.
Drejtimi i mjeteve nën efektin e alkoolit:
Njësoj si për tejkalimet e shpejtësisë, tashmë edhe përdorimi i alkoolit do të ketë nënkategori. Tashmë do të ketë sanksione edhe për ata që do të kenë nivel alkooli të ulët megjithëse nuk janë të dehur – i dehur konsiderohet një person me nivel 0.5 gram për litër.
- Gjobë 5,000-15,000 lekë nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli deri në 0.3 gram/litër;
- Gjobë 10,000-20,000 lekë dhe pezullim patente nga 3-6 muaj nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli 0.3-0.5 gram/litër;
- Gjobë 10,000-20,000 lekë dhe pezullim patente 1-2 vite nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli 0.5-0.8 gram/litër;
- Gjobë 20,000-40,000 lekë dhe pezullim patente 1-2 vite nëse drejtuesit i konstatohet nivel alkooli 0.8-1.5 gram/litër;
- Gjoba shtohet deri në dy të tretat kur drejtuesit konstatohen nën e efektin e alkoolit në orarin 22:00-07:00.
Kategorizimi për “biçikletë” zëvendësohet me “mjet me pedale”, në të cilin përfshihen edhe monopatet elektrike. Ndërkohë policisë do t’u jepet mundësia, që përveç gjobitjes, t’u konfiskojnë çdokujt mjetin e blinduar nëse qarkullon pa autorizim përkatës nga autoritetet.
/BoldNews