Titulli: Napolon Zerva = Enver Hoxha ?!!!
Dosja e Enver Hoxhës si spiun fashist dhe eliminimi i Koçi Xoxes
Partia Komuniste e Jugosllavisë donte të ndizte një zjarr të madh në Shqipëri, ndërsa OVRA vendosi që ta mashtronte duke ndezur thjesht një «cigare». E ku kishte njeri më të përshtatshëm për këtë gjë se tregtari i cigareve Enver Hoxha, i cili shtirej si komunist kafeneve, me lejen e OVRA? Enver Hoxha ishte njëri nga njerëzit që italianët donin ta shikonin në udhëheqjen e partisë komuniste
që do të krijohej në Shqipëri, madje njeriu që ata donin ta shikonin pranë emisarëve jugosllavë. Enver Hoxha u konvenonte edhe jugosllavëve, të cilët donin që njerëzit të cilët do të zgjidheshin në udhëheqjen komuniste shqiptare, kur nuk qenë të etnive të tjera, të qenë njerëz të tillë, që të kishin sa më pak ndjenja nacionale dhe mundësisht për shkaqe të ndryshme t’ u ishte kultivuar një urrejtje për nacionin (kombin) dhe vendin e tyre, si dhe të ndiheshin të lidhur, në një mënyrë ose në një tjetër, me sllavët. Në këtë mënyrë këta njerëz do të zbatonin çfardo urdhrash që do t’ u thoshin jugosllavët, sado në kundërshtim që të qenë me interesat shqiptare. Enver Hoxha edhe ishte shqiptar (në letër), edhe nuk ishte, se ai biologjikisht nuk ishte i biri i Halil Hoxhës, por bastardi i Halil Musa Beut, bimbashit boshnjak të Gjirokastrës. Enver Hoxha i kishte vuajtur shumë talljet se ishte i biri i bimbashit, se ishte boshnjak, kështu që kjo ishte kthyer, së paku në një subkoshiencë, në një urrejtje për shqiptarët, Shqipërinë, nacionin shqiptar. Kështu, që Enver Hoxha, për arsye të ndryshme ishte njeriu i pëlqyer për të qenë në udhëheqjen komuniste shqiptare, si për për fashistët italianë, ashtu dhe për komunistët jugosllavë.
Enver Hoxha shkruan në kujtimet se ai i mori për drekë dy «ilegalët» serbë në shtëpinë e vet në Tiranë, ku banonte me qira familja e vet:
Pas mbledhjes shkuam për të ngrënë bukë së toku në shtëpinë time me dy dhoma, që ndodhej në Kodrën e Kuqe. Miladinin e Dushanin i njoha me plakun e me anenë, të cilët i përqafuan dhe u uruan mirëseardhjen. Miladini pasi i përqafoi pleqtë e mi, dukej i malluar, ndoshta ngaqë kishte kohë pa e parë nënën e tij... Pleqtë nuhatën që të dy shokët tanë ishin të huaj, por s’ pyetën se nga, pse e dinin që edhe ata i ndiqte policia si djalin e tyre e si Pilon që ata e njihnin qysh më parë. Sanoja përgatiti darkën që na shijoi aq shumë, sa «u shqepëm së ngrëni», si i thonë fjalës.
Por Miladin Popoviç kërkohej nga policia si i arratisur, prandaj ai nuk mund të shkonte kështu në shtëpinë e Enver Hoxhës, të cilën duhet ta survejonte policia fashiste, për shkak të lidhjeve të këtij të fundit me komunistët. Kur policia fashiste të shikonte se në shtëpinë e Enver Hoxhës në Kodrën e Kuqe hynë disa burra, aq më tepër dy shtatlartë, të cilët nuk ngjanin si gjirokastritë, çka qenë dy komunistët serbë, do të dyshonte dhe rrethonte shtëpinë e të kontrollonte. A nuk ndodhi kështu në Kodrën e Kuqe me Vojo Kushin dhe shokët e tij? Merret vesh, Enver Hoxha dhe Miladin Popoviç kishin garancinë e OVRA.
Meqënëse Enver Hoxha nuk kishte asnjë lloj reputacioni si komunist, italianët përpunuan dhe zbatuan një plan për t’ i krijuar Enver Hoxhës shpejt dhe në mënyrë spektakolare një reputacion prej antifashisti me kurajë. Me këtë lidhet enigma e ngjarjes në 29 tetor 1941, në dyqanin «Flora». Por para saj vjen episodi në demonstratën antifashiste të 28 tetorit 1941 në Tiranë, që përbën një pikë të rëndësishme të «hagiografisë» së Enver Hoxhës. Enver Hoxha shkruan për këtë demonstratë:
Demonstrata u bë e madhe, e fuqishme, e furishme, ashtu siç e kishim parashikuar. U përleshëm e u gjakosëm me karabinierinë dhe me milicinë fashiste.
Në këtë demonstratë Enver Hoxha u përlesh me një kapiten të karbinierisë, gjë që e panë të gjithë pjesëmarrësit. Që e gjithë kjo ishte një inskenim, kuptohet së pari nga fakti se italianët në këtë demonstratë nuk qëlluan me armë. Në demonstratën e disa ditëve më pas në Korçë, ku do të vritej «miku» i vjetër komunist i Enver Hoxhës, Koçi Bako, italianët qëlluan me armë. Përleshja e Enver Hoxhës me kapitenin e karabinierisë ishte një performancë prej komediani. Por akti i dytë i komedisë dhe më i bukuri, u luajt të nesërmen, në dyqanin «Flora». Enver Hoxha shkruan në kujtimet:
Që të nesërmen u detyrova të hidhesha në ilegalitet. Ka edhe kjo historinë e vet. Në mëngjesin e 29 tetorit në «Flora» ia behën karabinierët. Dy prej tyre, krekosur me rripa meshini kryq e tërthor krahërorit e me këllëfët e revolverëve të hapur, hynë brenda, të tjerët qëndruan jashtë. Vetëm ato çaste e ndiem se ç’ gabim të madh kishim bërë. Kishim menduar se në rrëmujën e madhe të përleshjes së djeshme, në mes atyre qindra e mijëra demonstruesve, që tundën Tiranën, fashistët nuk na kishin identifikuar. E ja ku tani, thuajse të gjithë ne «punëtorët» e «Florës» ndodheshim përpara çarkut të tmerrshëm.
-Enver Hoxha!- thirri njëri nga karabinierët.- Dove e Enver Hoxha?!
Pilos e Ilo Dardhës që ndodheshin në banak u ngrinë pecetat në duar. Pasoi një çast heshtjeje, por unë ndërkaq e mblodha veten dhe nga arka e «pronarit ortak», zgjata kokën e gjithë «xhentilecë» provova të vetmen mundësi që mund të provohej:
-Ja këtu brenda është, prisni, ju lutem, ta lajmëroj,- u thashë me zë të qetë e me gjeste të një «gatishmërie» kaq shembullore, sikur mezi prisja rastin t’ u bëja pepinove një shërbim të çmuar!
Kisha goditur në shenjë. Më besuan. Hyra në pjesën e brendshme të dyqanit, duke thirrur me zë të lartë, «Enver, të kërkojnë», hapa me shpejtësi deriçkën e pasme, të çelur apostafat për raste të tilla, u lëshova në një rrugicë të ngushtë, kapërceva në oborrin e një plake të vetmuar dhe prej andej, duke i rënë mes për mes «lagjes së çobanëve», përshkova «i qetë», por me sytë katër bulevardin e madh. Pas disa çastesh kur hyra në lagjen popullore, matanë bulevardit, u binda se fashistëve vetëm emri u kishte mbetur në duar.
Ky tregim i Enver Hoxhës është një përrallë për kalamajtë. Kur karabinierët italianë, të cilët ishin profesionistë, shkonin të bënin arrestimin e një antifashisti të rrezikshëm, nuk shkonin verbërisht, por bënin një plan sipas manualeve përkatëse. Në këtë plan merreshin masa që identifikohej personi që kërkohej të arrestohej, si dhe rrethohej vendi që t’ i pritej këtij çdo mundësi ikjeje. Kështu ndodhi kur fashistët shkuan të arrestojnë Qemal Stafën, Vojo Kushin dhe shokët e tij, Perlat Rexhepin dhe shokët e tij. Por në rastin e Enver Hoxhës nuk ndodhi kështu?! ثshtë krejt e pabesueshme që karabinierët dhe agjentët e OVRA, të cilët sigurisht qenë bashkë me ta, të shkonin për të arrestuar Enver Hoxhën pa pasur me vete asgjë për identifikimin e tij. Karabinierët kur shkuan të arrestojnë Enver Hoxhën, duhet të kishin me vete një fotografi të tij, çka qe rregulli minimal në këto raste. Këtë fotografi ata mund ta kishin siguruar ose nga fotografitë që bënë gjatë demonstratës së një dite më parë, ose nga dosja e Enver Hoxhës, derisa ai pretendon se është pushuar nga puna si mësues në Lice, për veprimtari antifashiste.
Edhe sikur italianët ta kenë bërë gabimin diletant, që të mos kishin me vete fotografinë e personit që kërkonin, nuk mund të pranohet që ata të kenë bërë gabimin e dytë krejt prej diletanti, që të mos rrethonin ndërtesën dhe një zonë të gjerë rreth saj. Sipas manualeve që zbatoheshin në këto raste, nuk lejohej të dilte askush nga zona e rrethuar, që në momentin që fillonte aksioni për arrestimin e personit apo personave të kërkuar. Në rast se sinjalizohej që aksioni qe kryer me sukses, atëherë zona çbllokohej, ndërsa në rast se sinjalizohej se të kërkuarit nuk ishin gjetur në ndërtesë, atëherë fillonte krehja e zonës, domethënë kontrolli i imtësishëm i saj. Kështu ndodhi kur u vranë Qemal Stafa, Vojo Kushi, Perlat Rexhepi, si dhe në shumë raste të tjera, kur italianët nuk qenë treguar aq idiotë sa të hynin nga dera kryesore, duke mos e rrethuar ndërtesën dhe zonën, duke u dhënë kështu mundësi të kërkuarve që të largoheshin nga dera e pasme, ose nga muret e oborrit të shtëpive. Në të gjitha rastet, veç atij të Enver Hoxhës, italianët rrethonin ndërtesën dhe madje gjithë lagjen, siç thotë kënga për Perlat Rexhepin dhe shokët e vet:
Drita dal ka herë,
ç’ po troket një derë.
اelnie mor të mjerë,
se nuk ikni dot!
Madje italianët, në rastin e Enver Hoxhës bënë dhe gabimin e fundit diletant, duke mos e shoqëruar personin i cili u tha se po shkonte të njoftonte atë që ata kërkonin. Mos ndoshta Enver Hoxha kërkon të na bëjë të besojmë se karabinierët menduan se kur i kërkuari të mësonte se po e kërkonin karabinierët, nuk do të ikte, por do të paraqitej tek ata? Qemal Stafa, Vojo Kushi, Perlat Rexhepi etj., del se qenkan treguar shumë idiotë, se kur u trokitën fashistët në derë të shtëpisë, nuk shkuan t’ u hapin derën dhe t’ i pyesin se kë kërkojnë, pastaj t’ u thotë se Qemal Stafa, Vojo Kushi, Perlat Rexhepi janë brenda dhe se po shkojnë t’ i lajmërojnë. Sipas eksperiencës të Enver Hoxhës me karabinierët, fashistët duhet të prisnin te dera kryesore, duke pasur kështu mundësi të kërkuarit të dilnin nga dera e pasme.
Ajo që i ndodhi Enver Hoxhës në 29 tetor 1941 është rasti klasik i një loje për t’ i dhënë kredibilitet një agjenti. Enver Hoxha, pasi del nga dera e pasme e dyqanit «Flora», që gjendet pak metra larg kryqëzimit ku priten Rruga e Barrikadave me Rrugën e Dibrës, në rrugën që lidh kryqëzimin në fjalë me Sheshin «Skënderbej», në vend që të vazhdojë të ecë në rruginat e lagjes për të dalë jashtë Tiranës në drejtimin ku sot është stacioni i trenit, kthehet majtas, duke dalë në atë që sot është Bulevardi «Zog I» (vazhdimi i bulevardit kryesor). Kapërcen dhe bulevardin për të hyrë në lagjen që ishte në anën tjetër, pra në bllokun mes Bulevardit «Zog I» dhe Rrugës së Durrësit. Në një kthesë, në të djathtë të Rrugës së Durrësit, pra në bllokun ku u fut Enver Hoxha, ishte shtëpia e Esat Dishnicës, çka e ka pohuar vetë Enver Hoxha, siç e kam cituar më lart në këtë libër.
Enver Hoxha, edhe pasi pretendon se kërkohej të arrestohej nga fashistët, vazhdoi të banonte si «ilegal» në qytetin e Tiranës, ku qëndroi deri në maj 1943, pa u kapur nga italianët, çka duket e vështirë për t’ u besuar, se Tirana atëherë ishte një qytet i vogël me 40 mijë banorë. Dhe ai për pjesën më të madhe të kohës rrinte në shtëpinë e Bahri Omarit, siç e pohon vetë. Por ku do ta kërkonin së pari fashistët përveçse tek shtëpia e Bahri Omarit, apo ajo e Esat Dishnicës? Këto që bëri Enver Hoxha mund t’ i bënte vetëm një njeri që kishte garanci nga OVRA se nuk do të prekej. Deri në 29 tetori 1941, pra dy vjet e gjysëm pas pushtimit fashist, Enver Hoxha kishte qenë legal, dhe vetëm atëherë u bë ilegal, por duke mbetur në qytetin e Tiranës edhe për 15 muaj, deri në maj 1943.
Gjërat bëhen më të dyshimta po të mendosh se italianët nuk ia internuan familjen Enver Hoxhës, siç bënë në raste më pak të rënda, siç thotë ajo kënga komuniste e kohës së Luftës së Dytë Botërore:
Ku e kam vajzën,
ku e kam djalin?
Ma kanë tret’ në burg të zi.
Farefisin ma kanë hedhur,
larg në ishuj, në Itali.
Familja e Enver Hoxhës, babai, nëna dhe motra e pamartuar, qëndruan në Tiranë gjatë gjithë kohës që Enver Hoxha ishte ilegal, nga 29 tetori 1941, deri në 17 nëntor 1944, kur gjermanët u larguan nga Tirana. Dikush mund të thotë se familjen e Enver Hoxhës e mbronte Bahri Omari. Por në rast se Enver Hoxha nuk kishte lidhje me italianët, atëherë ata do të internonin edhe Bahri Omarin, bashkë me familjen e Enver Hoxhës, në rast se Bahri Omari ndërhynte në mbrojtje të tyre. Atë mbrëmje Enver Hoxha ka shkuar në shtëpinë e Bahri Omarit, gjë të cilën na e pohon Luan Omari:
Jeta e tij legale siç dihet, vazhdoi deri në demonstratën e 28 tetorit 1941. Atë ditë, nga mbarimi i demonstratës m’ u afrua Sofokli Buda dhe më tha se Enverin donin ta arrestonin, prandaj unë duhej ta gjeja në «Kursal» ose në «Flora». Këtu, një shok, që më vonë u vra në kampet gjermane të përqëndrimit (më duket se e quanin Ilo), më tha se Enveri ishte larguar duke i shpëtuar arrestimit. Në mbrëmje Enveri erdhi për pak kohë në shtëpi. Pastaj u largua duke na thënë se do të fshihej pasi e kërkonte policia.
Kështu, Enver Hoxha, kur nuk ishte në dyqanin «Flora» ishte në kafe «Kursal» në kafenenë më luksoze të Tiranës në atë kohë, ku mblidhej elita e regjimit, si dhe të pasurit (Hotel «Dajti» me kafenetë e tij luksoze do të hapej vetëm në 1943.). Dhe a nuk duhet të ishte shtëpia e Bahri Omarit vendi i parë ku do ta kërkonin fashistët Enver Hoxhën, përveç shtëpisë së tij? Enver Hoxha më tutje tregon për ato që kanë ndodhur në vazhdim në atë natë të 29 tetorit:
E vetmja gjë që më mbajti në ankth e në shqetësim gjithë atë ditë ishte fati i shokëve. Por, në mbrëmje vonë, në bazën ilegale ku isha vendosur, brofa në këmbë gjithë gëzim, kur pashë Pilon të hynte. Ishte gjithë qejf.
-Ama të punuar,- tha.- Ua le bajgat pepinove,- dhe më shpjegoi fill e për pe rrëmujën e zemërimin e karabinierëve kur e kishin kuptuar se ç’ u kishte ndodhur. Shokëve tanë për fat nuk u kishin bërë asgjë. Si duket emrat e tyre nuk qenë futur akoma në listat e kuesturës fashiste.
Pilo Peristeri, duke shkuar në shtëpinë ku ishte strehuar Enver Hoxha, shkeli një nga rregullat bazike të konspiracionit, se fashistët mund ta kishin ndjekur atë, dhe kështu t’ i çonte në shtëpinë ku ishte strehuar Enver Hoxha. Kjo mund të ndodhte vetëm nëse Pilo Peristeri kishte garanci se kjo nuk do të ndodhte. Enver Hoxha nuk thotë se e qortoi për ardhjen atje. Dhe si është e mundur që karabinierët nuk bënë as kontroll?! Nëse do të kishin bërë kontroll do të zbulonin literaturë komuniste dhe armë e do t’ i kishin arrestuar të gjithë. Sipas praktikës së fashistëve, duhej që këta t’ i arrestonin të gjithë ata që gjetën në dyqanin «Flora», së bashku me Pilo Peristerin, për t’ i marrë në pyetje. Të gjitha këto tregojnë se atë ditë OVRA nuk bëri një operacion serioz, por bëri një lojë, për të krijuar një legjendë, siç thuhej më pas në gjuhën e Sigurimit të Shtetit të Enver Hoxhës, legjendën e «ilegalit» Enver Hoxha, i cili kërkohej të arrestohej nga fashistët. Enver Hoxha, në të famshmen Tablo Sinoptike, thotë se Mehmet Shehu u bë agjent i italianëve, pasi kur erdhi nga Franca në Shqipëri, duke kaluar përmes Italisë, në 1942, italianët e lanë të lirë pasi e mbajtën 20 ditë të arrestuar. Por, si del jeta e Enver Hoxhës kur shqyrtohet me këto kategori që ai vetë shqyrton jetën e Mehmet Shehut?
Koçi Xoxe, kur erdhën fashistët ta arrestojnë në 1942 nuk iku dot nga dera e pasme. Ai u arratis nga burgu, në prill 1943, me anë të një tuneli nëntokësor që hapën të burgosurit në burgun e Tiranës. Pas luftës, Koçi Xoxe, kur u bë ministër i Brendshëm, filloi një hetim për spiunët e fashizmit në radhët e komunistëve. Koçi Xoxe, në hetimin e njerëzve të dyshuar për lidhje me policinë sekrete fashiste përdorte një metodë të thjeshtë, por shumë efikase, të marrë nga shërbimi sekret sovjetik. Koçi Xoxe nuk mblidhte prova për të vërtetuar dyshimet që ekzistonin ndaj një personi, por i kërkonte atij që të jepte shpjegime racionale për rrethanat kompromentuese të së kaluarës së tij, pra ia linte atij barrën e provës. Në rast se personi nuk jepte një shpjegim bindës, ai duhej që, ose të pranonte se kishte qenë agjent i shërbimit sekret fashist dhe të tregonte hollësisht këtë implikim, çka supozohej t’ i sillte lehtësim në trajtimin e tij, ose do të ndëshkohej maksimalisht. Koçi Xoxe kishte bërë dhe një dosje ku qenë evidentuar dhe të gjitha pikat e errta të veprimtarisë së Enver Hoxhës para dhe gjatë luftës. Xoxe mendonte se një ditë do të mund t’ i kërkonte llogari Enver Hoxhës për to. Një kopje e kësaj dosjeje duhet të ketë shkuar në Beograd, ndërsa origjinali ra në dorën e Enver Hoxhës, kur ky e eliminoi Koçi Xoxen. Enver Hoxha në kujtimet e veta duket se kryesisht merret me përgënjeshtrimin e kësaj dosjeje.
(Nga libri “Jeta e fshehur e Enver Hoxhës: (1908- 1944)
Nga Kastriot MYFTARAJ