Zbulohet shkaku i vërtetë i vdekjes së Moxartit
New York – Vdekja e kompozitorit Volfgang Amadeus Moxart në moshën 35-vjeçare është shkaktuar nga komplikacione në fytin e tij. Këtë e bën të ditur një studim holandez i bërë publik ditën e hënë.
Që prej vdekjes së kompozitorit të madh në vitin 1791, kanë qarkulluar teori të ndryshme mbi shkaqet e mundshme të vdekjes së tij të parakohshme. Helmim i qëllimshëm, ethet reumatike, trikinoza, një sëmundje parazitare e shkaktuar nga ngrënia e mishit të derrit të pa gatuar, janë disa nga versionet që janë përhapur në mbarë botën.
Në certifikatën e tij të vdekjes, zyrtarisht ishte regjistruar se shkaku i vdekjes së Moxartit ishte “hitziges Frieselfieber”, një lloj etheje, e cila shkakton skuqje të menjëhershme të lëkurës.
Por kërkues nga Universiteti i Amsterdamit në Hollandë thonë se studimet e bëra në të kaluarën mbi vdekjen e kompozitorit, janë bazuar në të dhëna jo shumë të besueshme, si për shembull dëshmi të njerëzve që panë me sy ditët e fundit të Moxartit. Këto dëshmi janë shkruar disa dekada pas vdekjes së tij.
Studimi i tyre i ri, i bërë publik në Kronikat e Mjekësisë së Brendshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bazuar në informacione nga regjistrat zyrtarë të vdekjes të marrë në Vjenë që prej vitit 1791. Këto të dhëna e vendosin vdekjen e Moxartit në një kontekst më të gjerë. Ai vdiq në Vjenë.
“Zbulimet tona tregojnë se Moxarti ishte viktimë e një epidemie që prekte fytin dhe shkaktonte çrregullime të tij. Shumë njerëz të tjerë u prekën nga ky infeksion gjatë muajit që vdiq kompozitori. Pra, ai ishte njëri prej personave të shumtë të prekur nga epidemia që shkaktonte komplikacionin vdekjeprurës,”- thotë për Reuters Health, Riçard Zegers, kërkues në Universitetin e Amsterdamit në Hollandë.
Zegers dhe kolegët e ti shprehen se kjo “mini epidemi” që prek fytin, e quajtur ndryshe “streptococcal pharyngitis”, mund të ketë buruar nga spitali ushtarak i qytetit.
Sipas të dhënave nga dëshmitarët, Moxarti pati në fillim “ethe inflamatore”, që përputhet me një komplikacion të fytit.
Kompozitori që shkroi më shumë se 600 vepra gjatë jetës, pati një dhimbje të shpinës që sa vinte dhe shtohej, e cila u shoqërua më pas nga një infeksion i vazhdueshëm në fyt, i njohur si “glomerulonephritis”.
Zegers thotë se ka mundësi që Moxarti të ketë patur edhe ethe, të cilat, ashtu si komplikacioni i fytit, mund të jenë shkaktuar nga një infeksion i bakterit Streptokok, por kjo ka më pak mundësi të ketë ngjarë, sepse sipas dëshmitarëve, Moxartit iu shfaq një skuqje e lëkurës në periudhën e fundit të sëmundjes, ndërsa gjatë etheve, skuqja shfaqet që në fillim.