Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Hera

Έτερος εγώ
Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali
Untitled-1-10-770x433.jpg
Fatmira Nikolli – Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i Korçës, shpërngulet për në Kavala të Greqisë. Janë vitet 1700 dhe kryefamiljari është tregtar. Më 4 mars 1769 familja shqiptare bëhet me djalë, historia e njeh si Mohamed Ali, sundimtari i Egjiptit. Dinastia e tij e drejtoi Egjiptin prej 1805-ës deri më 1952. 3 shekuj më pas, një tjetër Mohamed mbërrin në Zëmblak. Është shkrimtari Mohamed Salmawy nga Egjipti, që ka mbërritur në fshat për të kërkuar gjurmët e babait të Egjiptit modern. Ka gjetur këtu të vetmen gjë që nuk mund të gjente në Kajro, shpirtin shqiptar të udhëheqësit të kahershëm. Salmawy në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregon projektin për një film për Mohamed Alinë me ndihmën e shoqatës së Miqësisë Arabo-Balkanike (Arab Balkans Friendship Association), që drejtohet nga Salah Abou El Magd dhe regji të Ilir Harxhit. Skenari do të jetë i Salmawy, i cili ndan me ne edhe detaje interesante dhe frymëzuese nga jeta e tij si shkrimtar, si kujtimet nga sheshi “Tahihr” ku mes më shumë se 20 milion qytetarëve kundërshtoi regjimet autokrate dhe bashkë me kolegë intelektualë mbrojtën Shtëpinë e Operës.
Sipas Malmawy, bashkimi i intelektualëve me qytetarët që gjetën fuqinë e tyre, ka shpëtuar Egjiptin nga ajo që mund të quhet dimri arab.
lg.php


lg.php
– Hera e parë në Shqipëri. A patët mundësi të vizitoni vendin, apo keni qenë vetëm nëpër takime?
Ndjej sikur kam qenë në të gjithë vendin, sepse kam qenë në Gjirokastër dhe kam ndaluar në shumë vende. Kam qenë në Korçë dhe në Pogradec dhe kam shkuar deri në Zëmblak, një fshat të vogël, shumë larg, pothuaj afër kufirit grek. Zëmblaku është fshati prej ku iku një familje shqiptare për t’u zhvendosur në Kavala, ku sollën në jetë shqiptarin që më vonë mundi të gjente ngjashmëri mes shqiptarëve dhe egjiptianëve. Ai udhëtoi drejt Egjiptit, ra në dashuri me të. Egjipti po ashtu e respektoi dhe e pëlqeu atë aq shumë, sa i shkroi Sulltanit në Stamboll duke i thënë se donin që Mohamed Ali, Shqiptari të ishte sundimtar i Egjiptit. Ai u bë sundimtar i vendit, e modernizoi dhe e transformoi në arsim, ushtri, agrikulturë, ekonomi, politikë, duke e bërë Egjiptin një vend me peshë në skenën ndërkombëtare të kohës. Dinastia e tij qëndroi me ne (në Egjipt) për 200 vjet, deri në kohën e revolucionit më 1952.
-Përmes rrëfimit tuaj për vizitat, ju treguat edhe arsyet e ardhjes në Shqipëri, kërkimi i gjurmëve të Mohamed Ali. Pse kërkon një shkrimtar si ju, të gjejë gjurmët e një sundimtari?
Jam në Shqipëri, sepse po gjej rrugët në të cilat ka kaluar ky burrë i madh, që të shkruaj historinë e Mohamed Ali për një film të kalibrit ndërkombëtar prodhuar nga Shoqata e Miqësisë Arabo-Balkanike (Arab Balkans Friendship Association që drejtohet nga Salah Abou El Magd. Ndonëse kjo shoqatë është e re këtu, në një kohë superfuqish përreth na duhet të komunikojmë e të kemi fuqinë tonë, sepse kemi shumë të përbashkëta. Problemet tona ngjajnë dhe shumë prej historisë sonë kanë ngjashmëri. Ne mbase jemi të aftë të kemi edhe zgjidhje për problemet e njëri-tjetrit, mbase më tepër se shumë prej vendeve të zhvilluara.
-Dhe të dyja vendet, si Egjipti, si Shqipëria, ia dolën t’i mbijetojnë Perandorisë Osmane, duke ruajtur identitetin e tyre, apo jo?
Të dyja vendet e ruajtën identitetin dhe këtë e kam vënë re kur kam ardhur në Shqipëri. E kuptoja se nuk isha në Gjermani, Francë, Zvicër, e as në Itali. Arrija të shquaja identitetin qartësisht, sidomos në karakterin e njerëzve. Ka një karakter kombëtar shqiptar, për të cilin nuk jemi të ndërgjegjshëm derisa vijmë këtu.
-Si shkrimtar, si do ta përshkruanit këtë karakter?
WhatsApp-Image-2019-09-19-at-11.18.351.jpg
E kam diskutuar me miqtë këtu dhe mund të them se mbase në një anë, komunizmi pati një anë të mirë për Shqipërinë, në sensin që duke e mbyllur Shqipërinë tërësisht, bëri që të ndalohej ‘ardhja’ e sëmundjeve të Europës. Arriti të ruante veten. Dhe e gjej karakterin shqiptar ende shumë human. Ndjej humanizmin, marrëdhëniet e ngrohta njerëzore, ndershmërinë e njerëzve, vlera që sot zor i gjen në vendet e industrializuara ku njerëzit janë të sjellshëm e të mirë, por mund të jetosh me vite në një vend e të ikësh, pa bërë asnjë mik. Ndërsa në Shqipëri, me këdo që flet e bën mik. Këto ditë që kam dalë me mikun tim regjisor Ilir Harxhi, që do jetë regjisor i filmit, e shihja që ai ndalonte për të blerë diçka dhe bisedonte për minuta të tërë me njerëz. Në fillim, mendoja se bisedonte ngaqë i njihte, por më vonë kuptova që jo vetëm se e njihnin, por sepse njerëzit flasin më njëri-tjetrin. Ka ngrohtësi, ka komunikim. Ka humanizëm e ndjenja. Ju ende keni atë që Perëndimi e ka humbur, që është familja. Shpresoj të mos i harroni këto që ju bëjnë të veçantë. Kam udhëtuar në shumë shtete, por këtu ka vende të mrekullueshme po ashtu. Keni kuzhinë të mrekullueshme e ushqime të shëndetshme dhe është kuzhinë që dallohet, krejt e veçantë nga shumë vende që kam qenë.
-A keni gjetur gjurmë të Mohamed Ali këtu? Sigurisht, në pothuaj 3 shekuj, nuk kemi ruajtur gjurmë të tij a të familjes, por a keni mundur ju të ndjeni gjurmët e tij në Shqipëri, të gjeni copëza të asaj që ai ishte?
Një prej gjërave që po kërkoja është karakteri i Mohamed Ali. E dija çfarë ka bërë, di historinë e tij, di si erdhi në Egjipt, di arritjet e tij, di edhe mendimet e tij, cili ishte vizioni i tij, por nuk njihja burrin (njeriun brenda tij). Tani që kam ardhur në Shqipëri, ndjej se e kam takuar atë burrë. E kam takuar atë, përmes njerëzve të fshatit të tij, përmes bashkëkombësve të tij. Kur lexoj tani, disa prej letrave të Mohamed Ali, që i kisha lexuar edhe ne Egjipt, i shoh ndryshe. Janë letra që ai ua çon të bijve, që ishin udhëheqës ushtarakë: Ibrahim Pasha pushtoi Sirinë, Arabinë Saudite; Ismail Pasha pushtoi Sudanin. Ai u shkruante letra ku u thoshte të bijve: duhet të jeni të sjellshëm me njerëzit që pushtoni, nuk duhet t’i poshtëroni ata, duhet të respektoni kulturën e tyre. Kur e them këtë, pasi kam parë njerëzit këtu, karakterin e tyre, kuptoj që Mohamed Ali ishte thjesht si ata. Ky udhëtim më ka ndihmuar të takoj Mohamed Ali. Nuk kam marrë këtu informacione të reja për të, informacionet i kam në Egjipt, por doja të njihja njeriun. Unë në Zëmblak kam takuar njerëz që nuk kishin ikur kurrë nga fshati dhe prej aty erdhi familja e tij, ndaj mund ta shihja Mohamed Alinë aty në secilin njeri që takova. E ndjej se ky film do të ndryshojë konceptin për Mohamed Ali. Ka diçka për Mohamed Ali – kur ai erdhi në Egjipt, Egjipti qeverisej nga ata që ne i quajmë ‘mamlukë’- të ardhur si skllevër në Egjipt për t’u bërë më vonë, liderë dhe qeveritarë të provincave të ndryshme. Pra, Egjipti ishte i ndarë mes mamlukëve. Mohamed Ali që kishte tjetër vizion për Egjiptin kuptoi që duhej të çlirohej nga këta mamlukë në mënyrë që të bashkojë vendin. I ftoi të gjithë në pallatin e tij në Kajro, erdhën dhe para se të iknin u vranë të gjithë. Njerëzit përpiqen ta shohin Mohamed Alinë përmes kësaj ngjarjeje, që është ngjarje e përgjakshme, por të gjitha letrat dhe sjellja e tij me njerëzit në Egjipt tregojnë një njeri tjetër. Tregojnë një njeri human, të dashur e të sjellshëm. Gjatë kërkimit tim kam zbuluar se ai në fakt nuk ishte i bindur për vendimin e vrasjes së mamlukëve. Ai nuk ishte për masakrën, për këshilltarët i thoshin se duhej ta bënte. Mendoj se e kishte këtë konflikt, mes humanizmit të tij në një anë dhe nevojës për të sunduar vendin dhe për t’u çliruar nga mamlukët. Kur u bë masakra, ai refuzoi të shihte trupat, edhe kur i thanë që i kemi kokat e tyre, ai nuk pranoi. Si shkrimtar po shoh edhe të shkruaj edhe një vepër për Mohamed Ali përveç skenarit të filmit. Mendoj filmi që do të jetë një hap që do afrojë popujt tanë dhe ndaj duhet falënderuar shoqata e miqësisë Arabo-Ballkanike për këtë që po bën.
– Por Mohamed Ali nuk është e vetmja lidhje mes dy vendeve?
Mohamed Ali nuk është pika e vetme e takimit. Ju e dini që mbreti Zog kur la Shqipërinë shkoi në Greqi e në vend të tjera, por më pas u vendos në Egjipt. Fakti që u vendos atje, dhe fakti që mbreti i Egjiptit, Faruku e ndjeu se e kishte për detyrë të strehonte një mbret shqiptar, sepse ai vetë kishte origjinë shqiptare, është shumë domethënëse.
– Ata nuk e harruan lidhjen e tyre?
Jo, nuk e harruan. Po flisja sot me ish-ambasadorin shqiptar në Egjipt dhe po më thoshte se ka shumë shqiptarë në Egjipt që i takonte kur ishte atje. E pyeta nëse ishin bërë egjiptianë, apo ishin ende shqiptarë, por ambasadori më tha se nuk shihte ndonjë diferencë, nuk mund t’i dallonte.


– Ju folët për një roman për Mohamed Ali, dhe si shkrimtar ju keni shkruar “Krahët e fluturës”, një roman që parashikoi revolucionin e Egjiptit. Çfarë ju bëri ta kuptonit atë që do ndodhte?
Është një roman që u bë shumë i famshëm, i përkthyer në disa gjuhë, sepse përshkroi me detaje çfarë do ndodhte me revolucionin e 2011-ës. Unë nuk kisha qëllim të parashikoja revolucionin, por një shkrimtar e sheh realitetin nga lart, ka një shikim meditativ. Shkrimtari është si një zog që sheh gjithë pyllin dhe mund të thotë nëse do bjerë shi, nëse do dalë një ylber, apo nëse po afrohet zjarri. Pas revolucionit, shumë gazetarë më thanë se mbase unë isha i vetmi në Egjipt, që nuk u surprizova nga revolucioni. Ju thosha se përkundrazi, unë isha ai që u surprizova më shumë, sepse të shkruash për një revolucion në Sheshin “Tahrir” është një gjë, por të shkosh në sheshin “Tahrir” dhe të shohësh detajet e romanit tënd të ndodhin para syve të tu, është një gjë tjetër.

– Si u prit romani kur e shkruat?
Pata fat që botuesi nuk e publikoi menjëherë. Unë e dorëzova në shtator 2010 dhe ai e botoi në dhjetor, ndërsa revolucioni ndodhi në janar 2011. Unë doja të botohej sa më shpejt, por botuesi nuk u bë gati para dhjetorit, sepse ai mendonte panairin e librit që ne kemi në janar. U mërzita që vonoi tre muaj për t’u botuar. Revolucioni u bë në janar, por njerëzit nuk kishin kohë ta lexonin dhe ta gjykonin. Ata e mësuan për romanin, si një roman që ka parashikuar çfarë do të ndodhë. Reagimi i publikut ishte pozitiv. Por isha me fat edhe që qeveria nuk e kishte lexuar, se përndryshe mbase do isha në burg. Një shkrimtar që ka bërë një kritikë në një gazetë të njohur arabe ka shkruar se “nëse autoritetet në Egjipt do të lexonin më shumë romane se raporte sigurie, do t’i kishin shpëtuar vetes shumë probleme”.
– Bota arabe është prekur nga shumë revolucione e përplasje që në sytë tanë janë interpretuar si “pranvera arabe”. Megjithatë, pas këtyre pranverave ne dimë që ka vende që mbetën të shkatërruara, dhe pranverat u bënë dimra. Nuk e di nëse unë kam pamjen e plotë të asaj që po ndodh në Lindje pas ‘pranverave’, cila është pamja e një shkrimtari si ju për këto?
Është e vërtetë se këto kryengritje në botën arabe kanë shkatërruar shumëçka. E para që shkatërruan ishin qeveritë e vjetra, me diktatorë, njerëz që nuk sollën zhvillim – dhe këtu po përgjithësoj sigurisht. U rrëzuan këto qeveri, por për shkak se këto regjime, ishin autokratike, nuk kishin ndërtuar një sistem politik që do të funksiononte pas ikjes së tyre. Kështu që ne mbetëm me një zbrazëti të madhe, në kaos. Sistemi me të cilin diktatorët qeverisnin u shkatërrua dhe nuk kishte asgjë që mund të funksiononte. Ky kaos ishte shumë ftues për fuqitë e huaja që kishin interesa në botën arabe, mbi naftën, pozitën strategjike, bazat ushtarake apo çfarëdo tjetër. Duke pasur kaos, ata panë një situatë të përshtatshme për të ndërhyrë dhe e bënë dhe ajo që kemi në shumë vende të Lindjes së Mesme është një fushë beteje mes superfuqive që kanë interesa e për këtë mjaft të shohim Sirinë e Libinë. Vetëm Egjipti ka shpëtuar.
– Ka shpëtuar? Si ia doli të shpëtojë?
Sepse me rënien e Mubarak, partia e fuqishme që mori pushtetin ishte “Vëllazëria Myslimane”. Por, njerëzit sapo kishin rrëzuar diktaturën e Mubarak dhe kur ata e panë veten një vit më vonë në një diktaturë tjetër, që ishte edhe fetare, çka do të thotë edhe më keq, dhe që shteti po kthehej në një ‘Iran’ tjetër, ata vendosën ta rrëzonin atë diktaturë. Në mungesë të një fuqie tjetër politike, e vetmja që mbetej ishte ushtria. Vëllazëria Myslimane shpërndau parlamentin, nuk njohu Kushtetutën dhe miratoi një tjetër kushtetutë-fetare këtë herë, presidenti nxori një dekret që i bënte vendimet e tij të pakthyeshme dhe njerëzit nuk e pranuan. Presidentit iu kërkuan zgjedhje, ai nuk pranoi duke thënë që do ndërtonte një Kalifat të ri. Miliona njerëz dolën në sheshin “Tahrir” saqë unë aty as nuk mundja të lëvizja.
– Ju ishit në shesh?
Po, sigurisht.
– Pra, shkrimtari ishte në sheshin “Tahrir” bashkë me protestuesit?
Po, patjetër. Do ju tregoj edhe se ç’ka bërë tjetër ky shkrimtar.
– Është tejet i rëndësishëm roli i shkrimtarëve dhe intelektualëve në shoqëri në raste si ky, apo jo?
Po, kjo bëri diferencën në Egjiptit e vendeve të tjera. Unë isha në sheshin “Tahrir” me miliona njerëz të tjerë, më e pakta ishin 21 milionë (më e shumta 30 milionë) që ishin dyfishi i atyre që votuan për presidentin Mohamed Morsi. Të gjithë kërkonin ndërhyrjen e Ushtrisë për ta rrëzuar Morsin dhe ushtria e bëri. Sa për intelektualët, unë besoj se qenë intelektualët që e nisën. Sepse, atë kohë isha president i Lidhjes së Shkrimtarëve të Egjiptit dhe kishim një asamble të përgjithshme ku thirrëm të gjithë shkrimtarët e intelektualët e vendit. Morëm një vendim aty që ne do ta tërhiqnim besimin nga veprimet e presidentit dhe kjo ishte e hera e parë në vend që gjatë qeverisjes së një presidenti intelektualët deklaroheshin zyrtarisht dhe me deklaratë që ata tërheqin besimin e tyre. Presidenti vendosi një islamik si ministër kulture dhe ministri mbylli Teatrin e Operës se ishte kundër besimit. Nxori drejtorin e Operës nga zyra. Atëherë ne shkuam të gjithë te Teatri i Operës dhe bëmë demonstratë dhe më pas shkuam te Ministria e Kulturës, hymë në zyrën e tij dhe nuk e lamë ministrin e Kulturës të hynte në ministri. Egjipti është një vend i kulturës, civilizimit, i artit, letërsisë dhe nuk mund të lejonim aty dikë që thoshte se statujat duhet të thyheshin se janë idhuj që ndalohen. Qëndruam një muaj në ministri e një muaj me vonë i gjithë vendi ishte në shesh, duke kërkuar të rrëzohej qeveria. Kjo e bëri Egjiptin ndryshe nga vendet e tjera: ishte një vend me histori, kulturë e civilizim, intelektualët ishin të fortë dhe njerëzit që ishin të margjinalizuar për dhjetëra vite, papritur rifituan fuqinë e tyre kur rrëzuan Mubarak dhe ishin aty gati me fuqinë e tyre për të rrëzuar edhe Morsin. Ishte opinioni publik, fuqia e njerëzve, lidershipi i intelektualëve dhe kjo e ndihmoi Egjiptin të rrinte në këmbë, e të mos përfshihej në luftë civile si shumë vende. Ndaj për Egjiptin, pranvera arabe ishte e mirë edhe pse ende nuk i ka dhënë frytet e veta në vende te tjera. Revolucionet e suksesshme kanë pasur sukses sepse ka pasur unitet mes njerëzve dhe intelektualëve, kjo ka ndodhur edhe në revolucionet franceze. Nuk do ta harroj kurrë ditën kur të rinj të revolucionit egjiptian erdhën para Lidhjes së Shkrimtarëve për ta na falënderuar. Na falënderuan e na thanë që ne ju treguam rrugën e se shkrimet tona kishin qenë frymëzuese për ta. Pa këtë lidership intelektual revolucioni s’mund të jetë revolucion- mund të jetë grusht shteti e gjithçka, por jo revolucion. Bëhet revolucion që ndryshon shoqërinë dhe e vë në rrugë të drejtë kur është ky bashkim mes intelektualëve dhe publikut.
KUSH ËSHTË MOHAMED SALMAWY
Mohamed Salmawy është shkrimtar egjiptian i njohur gjerësisht në të gjithë botën arabe. Ka qenë për një kohë të gjatë president i Unionit të Shkrimtarëve të Egjiptit, sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Shkrimtarëve Arabë dhe i Unionit të Shkrimtarëve afrikano-aziatikë. Autor i më shumë se 30 librave, që nga botimet letrare e deri te temat politike dhe kulturore. Ai botohet njëkohësisht në disa prej gazetave kryesore të vendit të tij dhe veprat letrare të Salmawy janë përkthyer në disa gjuhë të botës. Romani i tij i jashtëzakonshëm, “Krahët e fluturave”, në të cilin parashikoi revolucionin e 25 janarit 2011 në Egjipt, u përkthye në italisht, anglisht, frëngjisht, rumanisht dhe në gjuhën urdu, ndërsa autobiografia e tij, “A day or just about” është cilësuar si një nga më të mirat në vitet e fundit. Gjatë gjithë karrierës së vet, Mohamed Salmawy ka mbajtur disa detyra, përfshirë atë të nënsekretarit të Shtetit për Kulturë, Ndihmësministrin e Informacionit, kryeredaktorin e gazetës “Al-Ahram Hebdo” etj. Ka qenë anëtar i “Komitetit të Pesëdhjetëve”, të cilëve iu besua hartimi i kushtetutës së Egjiptit më 2014 dhe është votuar unanimisht si zëdhënësi zyrtar i Komitetit.
Salmawy është dekoruar në vende të ndryshme. Mban sot dekoratat Chevalier des Arts et des Lettres (Francë) 1995, Grande Officiale (Itali) 2006, Medaljen e Kurorës – Commandeur (Belgjikë) 2008, Urdhrin Shtetëror të Meritës për Letërsinë (Egjipt) 2013.
Mohamed Salmawy është i martuar me piktoren Nazli Madkour. Ata kanë dy fëmijë dhe pesë nipër e mbesa.
 

Attachments

  • Untitled-1-10-770x433.jpg
    Untitled-1-10-770x433.jpg
    38.6 KB · Shikime: 0
  • WhatsApp-Image-2019-09-19-at-11.18.351.jpg
    WhatsApp-Image-2019-09-19-at-11.18.351.jpg
    113.2 KB · Shikime: 0
  • Untitled-1-10-770x433.jpg
    Untitled-1-10-770x433.jpg
    38.6 KB · Shikime: 0
  • WhatsApp-Image-2019-09-19-at-11.18.351.jpg
    WhatsApp-Image-2019-09-19-at-11.18.351.jpg
    113.2 KB · Shikime: 0

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 6 46.2%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 15.4%
  • Bora e parë

    Votat: 3 23.1%
  • Larg

    Votat: 2 15.4%
Back
Top