Ilir Meta shpërtheu në akuza të forta ndaj Edi Ramës në Berat.
Meta doli komplet jashtë figurës që ndërtoi me aq përkushtim këto 4 vite, si njeriu që moto kishte shprehjen “me qetësi dhe dashuri”.
Ai akuzoi Ramën se pi doping. Dhe kur pi doping (drogë), sipas Metës, njeriut i duket vetja i fortë. Por, presidenti i zgjedhur thotë se shumë shpejt Rama do t’i kërkojë falje Petrit Vasilit.
Sipas Metës, as Sali Berisha i I-rë (i viteve 90-të) nuk ka mundur të nënshtrojë popullin e Beratit, dhe jo më Rama, që sipas tij, nuk mban dot as ekuilibrin.
“Nuk ka patur gjunjë as Berisha i parë për të nënshtruar popullin e Beratit e jo më të kenë gjunjë këta që nuk mbajnë dot as ekuilibrin e tyre e jo më të trembin Beratin, Kuçovën, Skraparin. Kur njeriu pi doping kujton se është i fortë, por kur t’i dalë dopingu do i kërkojë falje Petrit Vasilit.” – u shpreh Meta.
Kjo është deklarata më e fortë e Metës ndaj Ramës, që prej asajt të vitit 2011, që e cilësonte Ramën një “fundërrinë të pashembullt të shoqërisë shqiptare”.
Duke e quajtur Beratin vendin e gabuar për t’i shpallur luftë LSI-së, Meta tha se nuk kanë krahasim vendimet e PS me ato të LSI në këtë qytet.
Ai tha se ish-bashkëkryetari i tij i shpalli luftë LSI-së me shpifje të shëmtuara dhe të papranueshme. Meta tha se në Berat ka pasur harmoni mes PS-LSI por prej tre muajsh në krye të grupit të punës erdhi një kumarxhi që iu bën presion njerëzve.
“Kë grua socialiste ka hequr LSI këtu në Berat, Arta Daden apo Valentina Leskaj, apo shumë e shumë gra me kontribute të çmuara për t’i zëvendësuar me biznesmenë? Nuk i heq LSI-ja gratë socialiste por ish-bashkëkryetari im zgjodhi vendin më të gabuar, Beratin për të hapur luftë me LSI-në me shpifje nga më të shëmtuara dhe më të papranueshmet. Berati e di shumë mirë se ka pasur një harmoni të shkëlqyer gjatë këtyre viteve mes PS- LSI por prej tre muajsh në krye të grupit të punës ka ardhur një kumarxhi dhe ju bën presion njerëzve që të mos shkojnë me LSI-në. E di Berati dhe ndaj do votoj për LSI-në sepse kjo është partia e socialistëve dhe jo oligarkëve”, - deklaroi Meta.
LAPSI.AL