Mesazhi i Konferences se Bujanit

fcbesia

Anëtar i Respektuar
Nga: Prof. Dr. Xhelal Gjeçovi

Konferenca e Bujanit, që u zhvillua pak më shumë se gjashtë dekada më parë, është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, me vlera jo vetëm historike, por dhe aktuale.
Peshën dhe rëndësinë asaj ia japin momentet në të cilat u mblodh e padyshim dhe vendimet që ajo mori. Konferencës i paraprinë zhvillime mjaft të turbullta, që vinin nga qëndrimet, nga presionet e nga përplasjet me udhëheqjen e Partisë Komuniste të Jugosllavisë e të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Pikërisht në prag të konferencës, udhëheqja e PKJ-së rriti trysninë ndaj organizmave të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës. Në udhëzimet e direktivat e dërguara njëri pas tjetrit, shprehej shqetësimi e mospajtimi me zhvillimet në Kosovë dhe paralajmërohej udhëheqja e Kosovës që të bënte kujdes e të mos binte nën ndikimin e linjës shqiptaromadhe. Kështu, Tempo, njëri nga udhëheqësit kryesorë të PKJ-së e të Shtabit të Përgjithshëm të UNçJ-së, në udhëzimin e datës 2 tetor 1943, ndër të tjera, shkruan: “Nga materialet tuaja shihet qartë se ju, që tani po bini nën ndikimin e klikës shqiptaromadhe në lidhje me kufijtë e ardhshëm ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë… Qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë. Ne jemi për luftën e përbashkët të popujve të Kosovës me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorëve nazifashistë. Në këtë rrugë të gjithë popujt, pra dhe ai i Kosovës, do të mund të fitojnë lirinë e tyre të plotë kombëtare. çështja e kufijve të ardhshëm ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë do të zgjidhet në bashkëpunim nga të dyja vendet. Si do të jetë kjo zgjidhje, kjo do të varet nga zhvillimi i situatës politike në Jugosllavi dhe në Shqipëri, kurse ne sot nuk mund të themi asgjë të përcaktuar në lidhje me këtë çështje”.
Kurse në një udhëzim tjetër, të lëshuar më 25 nëntor 1943, pra një muaj para konferencës, insistohej përsëri që “të keni kujdes që të mos bini në pozitat e reaksionit shqiptaromadh, sikurse keni vepruar në gazetën tuaj “Lirija”. Atje ju po flisni hapur se si Kosovën e kanë copëtuar; Mitrovicën, Vushtrinën e Podujevën e kanë marrë çetnikët serbë, kurse Kaçanikun e disa vende të tjera të banuara nga shqiptarët i kanë marrë bullgarët. Në një vend tjetër, ju ushtrinë e Kosovës e trajtoni si ndonjë ushtri aleate të UNاJ-së dhe UNاSH-së. Nga këto qëndrime duket qartë se ju në Kosovë, në të vërtetë, po pranoni linjën shqiptaromadhe. Ndërsa qëndrimi ynë është krejtësisht i ndryshëm”. Në këtë linjë është dhe letra e J.B.Titos e 2 dhjetorit 1943, drejtuar KQ të PKSH-së, në të cilën i tërhiqej vëmendja udhëheqjes së Shqipërisë për mendimet e shfaqura për çështjen e Kosovës. Në të theksohej, ndër të tjera, se sot nuk është koha që të diskutohet çështja e kufijve midis Shqipërisë e Jugosllavisë, por që të dyja këto vende të ngrihen në luftë kundër okupatorit nazifashist.
Këto deklarime, që shprehnin në thelb një qëndrim politik tashmë të përcaktuar të PKJ-së, e rritën shqetësimin në radhët e shqiptarëve e sigurisht dhe të udhëheqjes së Luftës Nacionalçlirimtare të Kosovës. Presionet e S.V.Tempos, vendimet e Mbledhjes së Dytë të KANا të Jugosllavisë dhe letra e Titos drejtuar KQ të PKSH-së, i bindën shqiptarët e Kosovës se nga udhëheqja e PKJ-së nuk mund të shpresohej zgjidhja e problemit të tyre kombëtar. Prandaj këtë çështje jetike shqiptarët dhe organizmat e tyre politike vendimmarrëse duhet ta merrnin vetë në dorë. Në rrethana të tilla, u përpunua ideja e mbajtjes së Konferencës së Parë Nacionalçlirimtare, nga e cila do të dilte Këshilli Nacionalçlirimtar i Kosovës, organi më i lartë i pushtetit, që do të kishte të drejtën të vendoste për të ardhmen e Kosovës.
Vendimi për thirrjen e konferencës u mor në një konsultë të organizuar në Malet e Sharrit në fillim të nëntorit 1943 nga Komiteti Krahinor i PKJ-së për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit. Në rezolutën e miratuar aty, ndër të tjera, thuhej: “Të ndërmerret menjëherë konvokimi i konferencës më të gjerë për formimin e Këshillit Nacionalçlirimtar të përbashkët për tërë Kosovën. Në konferencë do të përfaqësoheshin të gjitha nacionalitetet dhe të gjitha rrymat politike që ishin në pozitat e luftës kundër okupatorit, pasi nga kjo luftë do të sigurohej e drejta e vetëvendosjes”.
Në përputhje me orientimet e konsultës, Komiteti Krahinor mori masat e duhura që të sigurohej një pjesëmarrje sa më e gjerë, sidomos e njerëzve me influencë, pavarësisht nga bindjet e përcaktimet e tyre politike. Në këtë mënyrë do të arrihej të sigurohet një përfaqësim i gjerë i shtresave dhe i forcave shoqërore të Kosovës, çka do t’i jepte konferencës legjitimitetin e plotë për të marrë vendimet e duhura. Mirëpo, në këtë proces dolën një numër vështirësish. Disa qarqe me influencë nga radhët e nacionalistëve hezituan t’i përgjigjeshin ftesës për të marrë pjesë në konferencë, me arsyetimin se platforma e shpallur nga PKJ-ja kurrsesi nuk çonte në zgjidhjen e problemit të shqiptarëve, rrjedhimisht dhe përpjekje të tilla, siç ishte organizimi i konferencës, sipas tyre, nuk do të sillte ndonjë rezultat konkret e nuk do mund të ndryshonte asgjë në qëndrimin ndaj shqiptarëve. Në rrethana të tilla, kontaktet me disa persona me autoritet nga qarqet nacionaliste si: Bedri Pejani, Selman Riza, vëllezërit Kryeziu etj., nuk dhanë rezultatet e pritura, për rrjedhojë nuk u bë e mundur që të sigurohej pjesëmarrja e tyre në konferencë.
Konferenca i zhvilloi punimet më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944 në kullën e Sali Manit, bajraktarit të Krasniqes, që ndodhej pranë bazës së Shtabit Kryesor të UNç të Kosovës dhe të Komitetit Krahinor për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit. Në konferencë morën pjesë 49 delegatë që përfaqësonin të gjitha viset dhe shtresat shoqërore të Kosovës. Midis pjesëmarrësve kishte komunistë, nacionalistë dhe atdhetarët të tjerë demokratë, përfaqësues të Forcave të Armatosura, të rinisë e të gruas antifashiste etj. Midis delegatëve nuk kishte mosmarrëveshje me karakter ideologjik, ndoshta dhe për arsye se nacionalistët vinin si individë, “si patriotë pa parti”, me opinione personale, pa qenë të organizuar në ndonjë rrymë apo parti politike të caktuar. Ata ishin shprehur të gatshëm për të luftuar pushtuesit nazifashistë dhe me gjithë rezervat, kishin pranuar që kjo luftë të inkuadrohej me luftën e popujve të Jugosllavisë.
Në botimet serbe e jugosllave është shkruar shumë për pjesëmarrjen në konferencë të delegatëve nga territoret jashtë Kosovës, si për Tefik çangën nga Shkodra, i poshter Ndoun, Veli Maxhun Doçin, Shaban Haxhin, Jalë Sali Bajraktarin nga Malësia e Gjakovës, për pesë delegatë të tjerë nga treva e Plavës dhe e Gucisë, ndër ta dhe për Sadik Bekteshin etj. Pjesëmarrjen e tyre ata e kanë paraqitur si ndërhyrje të Shqipërisë në problemet e Kosovës. Në të vërtetë pjesëmarrja e tyre ishte rrjedhojë e rrethanave të kohës dhe e vendit ku u mbajt konferenca. Në Malësinë e Gjakovës, nga vinin kryesisht ata, në atë kohë vepronin batalioni “Bajram Curri”, batalioni “Rinia”, Batalioni I i Malësisë dhe batalioni “Perlat Rexhepi” i Shkodrës, si dhe aradha “Emin Duraku”. Për malësorët e për kosovarët atëherë kufiri midis Kosovës e Shqipërisë konceptohej si një vijë imagjinare, dëshmi e padrejtësisë së bërë më 1913-ën. Tani në marrëdhëniet Malësi e Gjakovës - Kosovë, ishte krijuar një realitet i ri, me lidhje e me komunikim të drejtpërdrejtë të njerëzve në të dyja anët e kufirit. Nga ana tjetër, delegatët nga Malësia e Gjakovës dhe trevave të tjera nuk ishin të deleguar të PKSH-së, por veprimtarë të lëvizjes, apo luftëtarë të njësive partizane që vepronin në këtë zonë.
Konferencën e përshëndetën personalitete të njohura të luftës si: Fadil Hoxha, komandanti i Shtabit Kryesor të UNç të Kosovës, Pavle Joviçeviqi, sekretar politik i Komitetit Krahinor, Xhafer Vokshi, në emër të Rinisë Antifashiste, Sabrije Vokshi, në emër të gruas antifashiste dhe në emër të Brigadës Kosovare-Maqedonase, komisari i saj politik Xhevdet Doda. Në konferencë përshëndeti dhe përfaqësuesi i misionit anglez, major Baily, i cili vlerësoi angazhimin e shqiptarëve në Luftën Antifashiste dhe siguroi mbështetjen e aleatëve për ta.
Gjatë tri ditëve të konferencës, delegatët diskutuan mbi dy referatet e paraqitura, njëri “mbi situatën politike”, mbajtur nga Mehmet Hoxha, ish-prefekt i Elbasanit, tani një ndër figurat kryesore të luftës dhe tjetrin “Mbi rolin e këshillave nacionalçlirimtarë”, mbajtur nga Xhavit Nimani, një ndër udhëheqësit e Komitetit Qarkor të PKJ-së për Rrafshin e Dukagjinit. Pas diskutimeve, me propozimin e Zekeria Rexhës, u miratua ngritja e një komisioni për hartimin e rezolutës dhe të proklamatës, si dokumente kryesore që do të aprovoheshin në konferencë. Në komision bënin pjesë figura të njohura të Kosovës si: Z. Rexha, M. Hoxha, H. Dushi, P. Joviçeviq, Xh. Hana, F. Hoxha, Xh. Nimani dhe M. Miçkoviq. Gjatë diskutimit të tyre, mbi përmbajtjen e rezolutës, reagoi i pari P. Joviçeviqit, sekretar politik i Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit. Në ndërhyrjen e tij, Joviçeviqi tërhoqi vëmendjen se si duhej kuptuar e drejta e popujve të Jugosllavisë për vetëvendosje. Në asnjë dokument të udhëheqjes jugosllave, theksoi ai, nuk flitej për ndarje të krahinave, as për vendosje kufijsh e aq më pak për njohjen e kufijve që ka vendosur fashizmi. Këto çështje, tha ai, do të diskutohen pas çlirimit. Prandaj paragrafi i rezolutës ku flitej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sipas tij, duhet të hiqej. I menjëhershëm ishte dhe përgjigjja e Hajdar Dushit, i cili duke iu referuar dhe artikullit të J.B.Titos, botuar në organin e PKJ “Proleter”, ku ndër të tjera thuhej se pjesëmarrja në luftën kundër fashizmit i garantonte çdo kombi të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje, hodhi poshtë pretendimet e Joviçeviqit dhe argumentoi të drejtën e pamohueshme të popullit të Kosovës që të vendosë vetë mbi fatin dhe të ardhmen e tij.
Në fund, konferenca miratoi dy dokumentet e paraqitura, rezolutën dhe proklamatën, e më pas ajo zgjodhi Këshillin Antifashist Nacionalçlirimtar për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit, si organin më të lartë të pushtetit në Kosovë. Formimi i Këshillit Nacionalçlirimtar, krahas organizmave të tjerë që ishin formuar më parë, Shtabit Kryesor të UNç për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit dhe Komitetit Krahinor për Kosovën, që vareshin direkt nga organet respektive të federatës, përcaktonte pozitën e veçantë të Kosovës, barazinë e saj me republikat e tjera të Jugosllavisë.
Në rezolutën e miratuar në konferencë, ndër të tjera, thuhet: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”. Formulimi i një qëndrimi të tillë, siç thoshte Hajdar Dushi, mbështetej në vetë deklaratat e PKJ-së dhe të KANç-it të Jugosllavisë, në të cilat njihej parimi i vetëvendosjes së popujve deri në shkëputje, parim bazë ky i Kartës së Atlantikut, i shpallur solemnisht nga aleatët e koalicionit antifashist. Më poshtë në rezolutë theksohej se “Lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksuer e rrogtarëve të tij, është e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Garanci për këtë është UNç i Jugosllavisë dhe UNç i Shqipërisë, me të cilën është ngushtësisht e lidhur. Përveç këtyre, për këtë garantojnë aleatët tanë të mëdhenj, Bashkimi Sovjetik, Anglia e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit).
Miratimi i dokumenteve nga përfaqësues të mandatuar nga populli i Kosovës, përfshi dhe dy figurat qendrore të luftës në Kosovë, Pavle Joviçeviqin, sekretar politik i Komitetit Krahinor dhe Fadil Hoxhën, komandant i Shtabit Kryesor të UNç të Kosovës, u jepnin atyre gjithë vlerën, rëndësinë dhe legjitimitetin e duhur. Rezoluta e Bujanit pati dy efekte të menjëhershme. Së pari, ajo tregoi se të gjitha rrymat dhe grupimet politike në Kosovë kërkonin bashkimin me Shqipërinë; së dyti, ajo e vuri pjesën më të avancuar të komunistëve shqiptarë të Kosovës, me në krye Hajdar Dushin, në një pozitë konfrontimi të hapur me udhëheqjen e PKJ-së.
Sado që vendimet e Konferencës së Bujanit nuk u përfillën e nuk u respektuan nga udhëheqja partiake e shtetërore e Jugosllavisë, për shqiptarët ato do të mbeteshin një pikë referimi, një detyrë e një aspiratë e përhershme, një frymëzim për betejat e ardhshme politike të zhvilluara pas Luftës së Dytë Botërore, nga të cilat do të përcaktohej fati i Kosovës. Ato kurrsesi nuk do të mund të zhbëheshin apo të anuloheshin me dekrete, dokumente apo vendime të çfarëdo lloji, të forumeve partiake e shtetërore të Jugosllavisë. Në këtë rrafsh do të zhvlerësohesh letra e 28 marsit 1944-r të KQ të PKJ-së drejtuar Komitetit Krahinor të Kosovës, me të cilën i tërhiqej vëmendja këtij të fundit për vendimet e marra në Bujan; po ashtu dhe vendimet e manipuluara të Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, të thirrur në Prizren në korrik 1945, me të cilat shfuqizoheshin vendimet e Konferencës së Bujanit. Qëndrimet arbitrare të PKJ-së nuk do mund të ndalnin efektin e vendimeve historike të marra në Bujan. Përkundrazi, ato do të nguliteshin në kujtesën historike të popullit të Kosovës dhe do t’u përcilleshin brezave, nga viti në vit e nga dekada në dekadë, për të ardhur në ditët historike që jeton sot Kosova, si frymëzim e si mbështetje teorike, historike e ligjore për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. E vështruar nga ky aspekt, kjo ngjarje e madhe historike, organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit e saj meritojnë respekt e mirënjohje për këtë vepër historike, që kryen në ato vite të vështira në dobi të Kosovës, të ardhmes së saj.
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top