Mënyrë e re trajtimi për kancerin e mushkërive

Kresha

A pretty face can never trick me
Një formë e re terapie me rrezatimit shton gjasat për një jetë më të gjatë për ata që luftojnë me kancerin e mushkërive.



Mjekët kanë eksperimentuar një trajtim jo-kirurgjik të këtij kanceri. Gjatë procedurës, tumori goditet me një numër shumë të vogël dhe shumë të përqëndruar rrezesh të fuqishme; çdo tumor goditet 1 deri në 5 herë. Shkalla e suksesit ofron shpresa për pacientët që kanë qeliza jo të vogla të pa-operueshme kanceroze në mushkëritë e tyre.

Gjatë studimit, 55 pacientë u trajtuan me procedurën e re me rreze. Prej tyre, vetëm 1 pacient pati një përsëritje të tumorit kryesor. Kjo tregon se në afro 98 përqind të rasteve tumori kryesor u vu nën kontroll për rreth tre vjet pas terapisë. Pas tre vjetësh, më shumë se gjysma e pacientëve në studim, 56 përqind, vazhdonin të jetonin. Gjithashtu, efektet anësore me këtë terapi të re ishin më të pakta sesa në trajtimet me terapi të tjera.

Kanceri jo-melanoma

Marsi është muaji i parë i pranverës dhe rrethet mjekësore e përdorin këtë për rizgjimin e vetëdijes publike rreth kancerit lëkurës që shkaktohet nga qëndrimi i gjatë nën rrezet ultra vjollcë të diellit.

Dy studime të reja tregojnë se kanceri i lëkurës i llojit jo-melanoma prek individë më shumë se të gjitha kanceret e tjera së bashku. Përhapje në përmasave të tilla ndonjëherë quhet epidemi.

Kanceri i lëkurës i llojit jo-melanoma mund të jetë më pak agresiv sesa kanceri i llojit melanoma, por është shumë më i përhapur dhe përgjegjës për sëmundje të rënda, kosto të lartë trajtimi, dhe vdekje.

Në të kaluarën, kanceri i lëkurës i llojit jo-melanomas nuk regjistrohej si kancer në regjistrat e statistikave mjekësore. Shkencëtarët rishikuan të dhënat e 50 vjetëve të fundit dhe arritën në përfundimin se në vitin 2007, 13-milion amerikanë të racës së bardhë, kishin të paktën nga një kancer i llojit jo-melanoma.

Studimi gjithashtu tregoi se mes 70 vjeçarëve, një në pesë individë kishte pasur kancer jo-melanoma në lëkurë, dhe shumë prej tyre më shumë se një herë.

Numri i përgjithshëm i procedurave për trajtimin e kancerit të lëkurës mes të moshuarve mbi 65 vjeç është gjithashtu në rritje; nga rreth 1.6 milionë procedura në vitin 1992 në rreth 2 milionë procedura në vitin 2006.

Sipas një studimi, fushatat për edukimin e publikut për mbrojtjen nga dielli gjatë periudhës së verës, kanë qenë zhgënjyese përsa i përket ngadalësimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje. Prandaj studimi rekomandon kryerjen e më shumë kërkimeve në fushën e trajtimit dhe parandalimit të kancerit të lëkurës jo-melanoma.

Kimoterapia, si mënyrë trajtimi edhe për të moshuarit me kancer në zorrën e trashë

Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit kancerin e zorrës së trashë mes sëmundjeve më vdekjeprurëse. Në vitin 2004, rreth 639-mijë njerëz në mbarë botë vdiqën nga kanceri i zorrës së trashë. Në qoftë se diagnostikohet në kohë, ky lloj kanceri mund të trajtohet efektshëm me kirurgji dhe kimioterapi. Por një studim i kohëve të fundit, botuar në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë, tregon se pacientëve të moshuar me kancer jo gjithmonë u ofrohet një tjetër mundësi trajtimi që mund të zgjasë jetën e tyre.

Marty Petcoff është operuar nga kanceri në zorrën e trashë që kishte arritur në fazën e tretë. Kanceri quhet i fazës së tretë kur përhapet përtej shtresave të mesme të zorrës së trashë dhe ka shumë të ngjarë t’i jetë afruar nyjeve limfatike.

Marty është optimist se trajtimi me kimioterapi pas operimit, do të jetë i suksesshëm.Petcoffi dhe pacientë të tjerë të moshuar jo gjithmonë i nënshtrohen kimioterapisë. Për asrye të moshës, mjekët zakonisht nuk e rekomandojnë.

Shkencëtarët kryen një studim mes 675 pacientë të diagnostikuar me kancerin e zorrës së trashë në fazën e tretë. Të gjithë ata ishin trajtuar me operacion.

Mes 202 pacientëve mbi moshën 75 vjeç, vetëm gjysma (101) u pranuan të trajtoheshin edhe me kimioterapi, një mundësi që iu dha 87 për qind të pacientëve më të rinj në moshë, pjesmarrës në studim.

Dr. Katherine Kahn dhe grupi i shkencëtarëve të korporatës Rand që kryen këtë studim, arritën në përfundimin se pacientët e moshuar që morrën trajtimin shtesë me kimoterapi e përballuan atë njësoj si pacientët më të rinj në moshë.

Por gjatë terapisë u bënë disa dallime; pacientëve të moshuar iu dha kimoterapi me doza më të vogla dhe për një periudhë kohe më të shkurtër sesa pacientëve më të rinj në moshë. Por tek pacientët e moshuar u vunë re më pak efekte anësore nga barnat kimoterapike sesa tek pacientë të rinj.

Një anketë mes mjekëve në vitin 2008, kishte arritur në përfundimin se efektet e mundëshme anësore përbëjnë një arsye që mjekët nuk rekomandojnë trajtim shtesë me kimoterapi për pacientët e moshuar që ishin operuar nga kanceri në zorrën e trashë.

Doktoresha Kahn thotë se dhënat e studimit të fundit tani tregojnë se më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet aftësisë fizike të pacientit për të përballuar kimoterapinë. Mjekët, thotë ajo, nuk duhet të bazohen automatikisht tek mosha e pacientit për të rekomanduar ose jo trajtimin me kimoterapi./voa/
 
Back
Top