Mendjemadhësia është pengesë për besimin

Mendjemadhësia është pengesë për besimin


Mendjemadhësia është të parit e vetes më lart dhe me më të madh se të tjerët; ta shohësh veten në pozita shumë më lart nga ato që meriton vërtet. Njeriu mund të shpëtojë nga krenaria vetëmse duke e forcuar më tej besimin. Sepse syri i njeriut që i forcohet besimi hapet ndaj së vërtetës dhe ai njeri e kupton se vetëm Allahu është i lartësueshëm. Në një hadith kudsi, Allahu i madhërishëm thotë: “Lartësimi është veshja ime e sipërme, ndërsa madhështia e poshtmja.” Sipas këtij hadithi, njeriu që është mendjemadh hyn në një lloj gare me Allahun (xhel’le xhelaluhu), duke kërkuar edhe ai pjesë prej cilësisë së “hyjnores”. Prandaj edhe Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) është thoshte: “Ai që ka qoftë edhe një grimcë të vetme mendjemadhësie në zemër nuk mund të hyjë në Xhenet.” Dhe që këtej duket fare qartë se si mendjemadhësia është një sëmundje mund të të gënjejë e të të bëjë të devijosh që në fillimet e të besuarit. Por është edhe një virus po aq i rrezikshëm për besimtarin, sepse nuk e lejon atë që të bëjë dot ndonjë hap përpara. Mendjemadhësia dhe besimi nuk mund të jetojnë dot në të njëjtin vend. Dhe, deri më sot, nuk është parë që nga mesi i njerëzve që ushqejnë një krenari të tepruar për vetveten të dalë ndonjë njeri i zgjedhur i Zotit, sepse një mendjemadh, edhe pse mund të jetë besimtar, ai njeri nuk mund të përparojë dot në besimin e tij, duke rënë kështu fli e krenarisë së vet. Ka disa njerëz, që, duke u nisur nga fakti që njerëzit i kanë njohur njëfarë pozite dhe posti si rrjedhojë e një vargu aftësish të veçanta që mund të ketë ai njeri, mund të dashurohen verbërisht pas pozitave që u ka dhënë mirëpandehma e njerëzve. Ata fillojnë të pandehin se petku që u është veshur u përket atyre me të vërtetë. Ky tip njerëzish – Zoti na ruajtë! – mund të humbin njëherë e përgjithmonë. I Dërguari i Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) na ka këshilluar se “Allahu e lartëson atë që tregohet i thjeshtë”, duke na ofruar kësisoj kriterin e përparimit të njeriut në rrugëtimin drejt kënaqësisë së Allahut. Nëse njeriu e sheh veten më poshtë se gjithë të tjerët, kjo do të thotë se ai është i destinuar për t’u lartësuar nga Krijuesi i natyrës së tij. Kjo është një e vërtetë, të cilën Bediuzamani i nderuar e shprehte kështu: “O njeri, që egoja të ka marrë çiftelinë dhe kokën ta ka rrëmbyer mendjemadhësia! Ky është ekuilibri që duhet të dish: në shoqërinë njerëzore, në ndërtesën e saj shoqërore, ka një dritare nga e cila ti shikon të tjerët e të tjerët të shohin ty. Nëse dritarja është shumë më lart se sa je i gjatë ti, do të të duhet të zgjatesh, të kërcesh, me mendjemadhësi, që të mund të shohësh e të të shohin; nëse qëndron më poshtë, atëherë t’i mund të përkulesh, të shohësh e të të shohin edhe të tjerët. Te njerëzit e përsosur masa e madhështisë është vogëlsia, ndërsa te të mangëtit madhështia është peshorja e vogëlsisë.” Ndërkohë, në vijim të hadithit të mësipërm, i Dërguari i Allahut thotë: “Dhe këdo që e kaplon mendjemadhësia Allahu di si ta shkatërrojë atë.” Në vetvete askush nuk është i madh. Qysh në krye, njeriu është krijuar nga një pikë uji të pistë. Ndërsa fundin e ka mes një grumbulli kockash ku ligjin e bëjnë krimbat. Pra, njeriu është mes dy ndyrësish të këtilla dhe vetëm falë rrezatimeve që vijnë prej Allahut (xh.sh.) arrin që të përfitojë prej sekretit të krijimit për të qenë krijesa më e përsosur. Ndërsa ‘mendjemadhësia’ që përdoret në hadithin e bekuar është ajo mendjemadhësi që ka të bëjë me shfaqjen e vetes me të madh përmes rrugësh artificiale. Me një fjalë, njeriu që e shet veten për të madh është i vogël në vetvete. Sepse nëse njeriu do të kishte ndofarë madhështie, dihet se kjo është e mundur vetëm sajë lidhjes dhe marrëdhënies së fortë me Allahun (xhel’le xhelaluhu). Andaj edhe në njërin prej shumë ajeteve kuranore thuhet: “Ai që i meriton më së shumti qerasjet dhe mirësitë e Allahut është ai që është më i devotshëm ndër ju.” Siç e vëreni, në ajet nuk thuhet “ai që është më i madhi”, por “ai që i meriton më së shumti qerasjet dhe mirësitë e Allahut”. Njeriu f iton madhështi për aq sa ç’është i devotshëm karshi Krijuesit të tij. Mirëpo kjo nuk është madhështi e individit në vetvete. Ndoshta edhe kur e sheh veten si një “kitmir” pranë portës së Allahut, ky mund të jetë një vlerësim a kompliment i madh që i vjen nga ana e Allahut. Njeriu do ta vërë kokën mbi pragun e portës së Tij, njësoj si një ‘kitmir’ – siç e thotë edhe imami i Allvarit – dhe do të buçasë si ujërat me rrëmbim. Do të qajë si Ejubi e do t’i çahet mushkëria nga të qarët, që Allahu ta kapë për dore dhe t’i thotë: “Jo, ti nuk je i tillë, ti je një pasqyrë shumë e vyer e imja, që kush sheh në të më sheh Mua”, duke e nderuar dhe vlerësuar vetëm ashtu siç e ndien ai veten të vlerësuar. Tani, nëse njeriu vazhdon të tregohet mendjemadh edhe pse është i vetëdijshëm për natyrën e tij, atëherë është e kuptueshme se tek ai njeri nuk gjendet kurrfarë ekuilibri. Vetëpëlqimi – siç u shpreha edhe më sipër – është që ta shfaqësh veten me të madh kur nuk je i tillë, duke i parë të tjerët poshtë vetes. Nëse njeriu bie pre e artificializmave dhe kërkon të duket si i madh – siç e thotë hadithi – Allahu e shkatërron, e zhyt atë edhe më thellë në tokë. Edhe sikur të jetë besimtar, ky njeri e ka të pamundur që të përparojë. Dhe, për sa kohë që nuk bën asnjë hap përpara edhe rrugëtimin për në botën tjetër do ta ketë duke u zvarritur. Në këtë këndvështrim, mendjemadhësia është parë si një ndër shkaqet kryesore të mosbesimit. Sepse një njeri që nuk e hedh dot tej ndjesinë e madhështisë, edhe nëse nuk ka hyrë në atmosferën e besimit, e ka të pamundur që të ketë fatin e përftimit të frymës së besimit. Ashtu siç nuk pati besuar dot lideri i hipokritëve, Abdullah ibni Ubej ibni Selul. Ai ishte njeri shumë i zgjuar dhe i ditur që e kalonte pjesën më të madhe të ditës me hebrenjtë dhe që i njihte shumë mirë, si Ungjillin, ashtu edhe Teuratin. Priste që ta caktonin udhëheqës të Medinës, pikërisht sepse bartte këto cilësi. Pikërisht në atë kohë, me të lindur Dielli i Vërtetë në Medinën e Shndritshme, u fik edhe qiriri i gënjeshtarit. Ja, kështu pati nisur problemi i mospranimit të Abdullah ibni Ubejit. Nuk do ta mundte dot kurrë mendjemadhësinë që kishte përbrenda, duke ushqyer veç urrejtje për të Dërguarin e Allahut (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem). Njeriu që i pëlqen vetja, edhe nëse arrin në ndonjë majë, as që mund të mendohet se do të mund të rrijë dot gjatë aty, sepse me kalimin e kohës rënia do të jetë e pashmangshme. Bediuzamani i nderuar thotë se “nijeti për thjeshtësi e shfaq atë, ndërsa nijeti për madhështi e zhbën atë.” Madhështia nuk arrihet duke e pasur si qëllim; ajo ose është ose nuk është në shpirtin e njeriut dhe nëse është, ajo është kthyer në ves të tijin. Ai është mendjemadh dhe është helmuar tashmë prej helmit të saj. Poende edhe thjeshtësia ose gjendet në shpirtin e njeriut ose jo dhe çfarëdolloj gjëje që të zotërojë ai njeri, prapë si të thjeshtë do ta shihni. Nëse ka arritur që t’ia bëjë vetë llogarinë vetes, duke e kontrolluar mirë botën e vet të brendshme dhe ka arritur që të thotë se “unë jam më i vogli ndër njerëz”, atëherë kjo tregon se ai ka arritur që ta ruajë vlerën e vet. Një ditë, teksa shohin nja dy këlyshë duke luajtur me njëri-tjetrin, nxënësit e Mevlanës shkojnë tek ai dhe i thonë: “Shikojini pak se sa të dashur janë; si luajnë me shoshoqin.” Mevlana i dëgjon këto fjalë dhe u përgjigjet: “Provoni t’u hidhni aty ndonjë kockë dhe pastaj shikojini se sa të dashur do të tregohen!” Po, edhe gjendjen e vërtetë të një njeriu atëherë mund ta kuptoni, kur t’i ketë thumbuar ndonjë gjilpërë në egon e tyre. Sepse morali i stisur, i arritur përmes mendjes vetëm sa për t’u dukur mirë në sytë e njerëzve është shumë ndryshe nga morali i vërtetë që fshihet brenda natyrës së njeriut. Përsa i përket kësaj çështjeje mund të dallojmë dy lloje njerëzish. Njëri syresh nuk është i ndershëm. Kur është vetëm nuk u vë asnjë lloj kufizimi syve dhe sheh ç’t’i zënë sytë, por kur është me shokët afër i ul sytë poshtë, për t’u dukur i ndershëm në sytë e tyre. Kjo është thjesht artificiale, një sjellje e stisur. Ndërsa tjetri është ai që edhe po t’i rrëshkasë syri drejt pamjeve të mëkatit, e torturon ndjenja e pendesës aq sa nuk sheh zgjidhje tjetër pos drejtimit kah Allahu (xhel’le xhelaluhu) me fjalët: “Aman, o Zot, unë gabova.” Ky është i sinqertë, i natyrshëm. Sepse njeriu mund të bjerë edhe në mëkat. Mirëpo rënia në sjellje të stisura, artificiale, kundrejt një mëkati përbën një mëkat më të madh edhe se ai vetë. Kështu që, edhe nëse njeriu pretendon, apo bën nijet që të shfaqet si më i madh se ç’është në të vërtetë, madhështia e tij nuk do të jetë asgjë më tepër se sa një mendjemadhësi artificiale dhe e sajuar. Dhe mendjemadhësia e shfaqur artificialisht (përpjekja për t’u mbajtur me të madh) pranohet edhe si kryelartësi. Me pak f jalë mund të kuptohet edhe si një detyrim që ia kërkon pozita apo detyra që të shfaqet i atillë. Për shembull, një hoxhë, teksa përsërit mësimin; një gjyqtar teksa jep vendimin në gjyq; një oficer teksa i mvesh vetes një sjellje të caktuar për të arritur disiplinën e kërkuar mes ushtarëve të tij, nuk mund të quhet mendjemadhësi, sepse ajo është veçse kryelartësia dhe serioziteti që kërkon pozita, apo profesioni, që ai përfaqëson. Kjo është e domosdoshme dhe nuk mund të cilësohet si mëkat. E atillë është edhe thjeshtësia. Njeriu e shkel dhe sprovon thjeshtësinë kur nijeti i tij është të shfaqë thjeshtësinë. Dhe kjo do të thotë se ai njeri nuk është njësuar me thjeshtësinë. Sepse, në të vërtetë ky njeri nuk është duke treguar thjeshtësi, por tregohet i dyfytyrë duke e shfaqur veten më të vogël nga ç’është.

Urtesi/al
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 6 46.2%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 15.4%
  • Bora e parë

    Votat: 3 23.1%
  • Larg

    Votat: 2 15.4%
Back
Top