Medikamentet kurative për të ndalur rishfaqjen e infeksioneve urinare

fshatari

Anetar
urology-surgeries.jpg
Shumica e infeksioneve urinare trajtohen nga mjeku juaj i familjes apo një mjek i përgjithshëm, por kur ka rikthime të infeksioneve apo një infeksion kthehet në kronik, ju duhet të drejtoheni tek një mjek i specializuar për problemet renale (nefrolog) për të përcaktuar dhe gjetur shkaqet apo anomalitë urologjike që e mbajnë këtë infeksion të gjallë.

Testet dhe diagnoza

Analiza e urinës për të parë nëse ka leukocite, eritrocite apo baktere. Për të parandaluar kontaminim e analizës duhet të keni parasysh të pastroni zonën gjenitale, me një pecetë antiseptike dhe të merrni për analizë porcionin e mesëm të urinës. Analiza e urinës ndonjëherë e shoqëruar edhe me një urokulturë do t`ju tregojë keni apo jo infeksion dhe ndaj cilit medikament është i ndjeshëm mikrobi. Edhe pse testet e thjeshta nuk dallojnë dot lokalizimin e infeksionit, temperatura e lartë dhe dhimbja e mesit tregojnë për prekje të veshkës. Nëse një infeksion vazhdon (kronicizohet) apo edhe në raste të infeksioneve të vetme tek fëmijët nën 5 vjeç nevojiten metoda të tjera diagnostikimi si: ekografia, urografia intravenoze, grafia direkte, cistografia apo edhe cistouretrograma miksionale (tek fëmijët) për të përcaktuar qartë problemet e strukturës së sistemit urinar.

Trajtimi medikamentoz

Nëse simptomat janë tipike për një infeksion urinar dhe jeni përgjithësisht mirë me shëndet, atëherë trajtimi i parë janë antibiotikët, zgjedhja e të cilëve bëhet në bazë të ndjeshmërisë së bakterit (urokultura).

Infeksioni i thjeshtë

Medikamentet më të përdorshme janë:

Amoxicillin (Alfasit 375 mg, 750 mg)

Nitrofurantoin (Furadantin, Macrodantin)

Cefalosporinat (Oraceftin 250 mg, 500 mg dhe Ceclor 250 mg, 500 mg)

Ciprofloxacin (Cipro)

Levofloxacin (Levaquin)

Sulfamethoxazole-trimethoprim (Baktrima)

Tetracyclini dhe doxycyclini për clamidia dhe mykoplazma

Zakonisht simptomat zhduken që në ditët a para të përdorimit të antibiotikëve, por ato duhet të vazhdohen për sa kohë jua ka përshkruar mjeku në mënyrë që infeksioni të zhduket komplet. Për një infeksion të pakomplikuar dhe nëse jeni i shëndetshëm mund të merrni mjekim për disa ditë. Mund ta shoqëroni antibiotikun edhe me medikamente për dhimbjen (analgjetike) që lehtëson djegien gjatë urinimit por kujdes se një efekt anësor i këtyre medikamenteve është edhe ngjyrimi i urinës në blu të lehtë apo portokalli.

Infeksioni që rishfaqet, pse?

Duhet thënë se 20% e femrave që kanë kaluar një episod, do të kalojnë një të dytë dhe 30% e këtyre do të kalojnë një të tretë. Nëse keni një infeksion që rikthehet, mjeku juaj do t’ju rekomandojë një trajtim më të zgjatur me antibiotikë që mund të shkojë nga 6 muaj deri në 2 vite apo një program vetëtrajtimi me antibioterapi për pak ditë sapo të keni simptoma të infeksioneve urinare. Testet e përdorura në shtëpi për detektimin e infeksionit urinar (ndryshojnë ngjyrë në prani të infeksionit nga prania e nitriteve në urinë) janë shumë të vlefshme. Për infeksione të lidhura me aktivitetin seksual rekomandojmë marrjen e një doze të vetme me antibiotikë pas aktit seksual. Në rastin e femrave në postmenopauzë, rekomandojmë terapi me estrogjene intravaginale për të ulur incidencën e infeksioneve rekurente të traktit urinar. Infeksionet e rënda me temperaturë të lartë dhe dhimbje mesi kanë nevojë për hospitalizim dhe antibiotikë intravenozë.

Po në shtëpi ç`masa mund të marrim?

Pini shumë ujë për të holluar urinën dhe për të shpëlarë bakteret që ndodhen në to. Mos merrni alkool, kafe dhe pije që përmbajnë lëng limoni e kafeinë derisa infeksioni të jetë zhdukur, pasi ato irritojnë fshikëzën e urinës dhe shtojnë ndjesinë e urinimit të shpeshtë dhe me urgjencë. Ndaloni duhanin. Përdorni të ngrohta mbi barkun tuaj për të ulur presionin e fshikëzës dhe diskomfortin.

ا’masa parandaluese duhet të kemi parasysh?

Pini shumë lëngje sidomos ujë. Lëngu i boronicës apo edhe tabletat me boronicë është parë se kanë veti kundër infeksionit dhe rishfaqjes së tij vetëm kujdes mos e merrni së bashku me holluesit e gjakut si varfarina, sepse mund të keni hemorragji. Kujdes me lëngun e boronicës tek ata me histori familjare për gurë në veshka. Pastrohuni nga para – pas në tualet pas urinimit apo defekimit në mënyrë që të shmangni përhapjen e baktereve nga zona anale në ureter dhe vaginë. Urinoni sa më shpejt të mundeni pas aktit seksual dhe pini një gotë ujë për të shpëlare bakteret. Urinoni sa herë që të keni ndjesinë, mos e mbani urinën. Pastrohuni mirë para aktit seksual. Preferoni dushin ndaj vaskës. Mos përdorni produkte intimale irrituese si shampo, deodorantë, pudra, sapunë që mund të irritojnë uretrën. Mos hani ushqime pikante. Evitoni konstipacionin. Ndaloni duhanin (njihet si faktor madhor në kancerin e fshikëzës së urinës).

Të rejat?

Tashmë, është hedhur në treg një vaksinë e cila rrit aftësitë natyrale për të luftuar infeksionin, duke dhënë (intravenoz, nga goja apo edhe intravaginal – tek femrat) mikrobin e ngordhur dhe duke nxitur një përgjigje të organizmit me prodhimin e antitrupave në mënyrë që kur të futet mikrobi në organizëm, ky i fundit të jetë gati ta luftojë fuqishëm.





*Erjola Bolleku, mjeke nefrologe në pavijonin e nefrologjisë në QSUT, Tiranë
21/10/2009
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top