Instituti i Shëndetit Publik shpërndan informacion, fletëpalosje në të gjithë vendin
Sapo është konfirmuar që gripi i derrit është edhe në Shqipëri, kërkesat dhe pyetjet e qytetarëve janë të përditshme e të shumta. Instituti i Shëndetit Publik, përveç direktivave që u ka dhënë strukturave shëndetësore në të gjithë vendin për t‘ia transmetuar popullatës, ka nisur edhe me zbatimin e strategjisë së informimit për mbrojtjen dhe mbajtjen me informacion të vazhdueshëm të të gjithë qytetarëve. Konkretisht, dje drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, ka sqaruar se veç spoteve publicitare që do të jepen vazhdimit në televizione, do të jepen falas në të gjithë vendin fletëpalosje me informacion, në mënyrë që secili të dijë si të mbrojë veten dhe të afërmit. Kohë pas kohe do të jepen informacione të fundit dhe do të bëhen njoftime për të gjithë situatën dhe ecurinë e AH1N1 në vendin tonë.
Informacioni mbrojtës
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, disa janë masat që duhet të merren parasysh nga popullata. "Hidhni shamitë e mbështjella në koshin e mbeturinave. Lani sa më shpesh duart me ujë dhe sapun pasi jeni kollitur ose keni teshtirë", thotë ISHP-ja në direktivat e saj. "Mos prek sytë, hundën dhe gojën. Në këtë mënyrë mikrobet përhapen më shumë. Pastroni sipërfaqe dhe dezinfektoni mjediset ku ka të sëmurë", janë këshillat e tjera të Institutit të Shëndetit Publik. Por, sipas drejtorit të ISHP-së, në këtë kohë asnjë nuk ndalohet të kryejë udhëtime, të mos dalë në publik apo të ndryshojë stilin e jetesës, duke kaluar në izolim. Të vetmit që duhet të izolohen janë ata që sëmuren gjatë kësaj kohe. Por, në ambientet ku jetojnë duhet të kryejnë procesin e dezinfektimit dhe të ajrosjes. Disa nga masat që rekomandohen për udhëtarët janë kontrolli i vetvetes. Deri në 7 ditë pas mbërritjes në atdhe ata duhet të kenë në kontroll nëse shfaqin simptoma të gripit.
"Nëse vëreni temperaturë të lartë, dhembje fyti, dhembje koke, dobësi, ethe, rrjedhje të hundëve, kollë, diarre dhe të vjella duhet të paraqiteni dhe të kërkoni ndihmë mjekësore.
Rruga e infektimit
Pasi virusi ka pësuar ndryshim, infeksioni te njerëzit me këtë virus janë vënë re që nga viti 1950 kryesisht në persona të cilët kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me derrat.
Infeksioni merret me anë të kontaktit të ngushtë me derrat apo mjedisit të ndotur nga derrat, nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, sidomos kollitjes dhe teshtitjes. Nëse mishi i derrit gatuhet, virusi nuk transmetohet nga ngrënia e mishit apo produkteve të tij, pasi virusi shkatërrohet në temperaturë mbi 60 gradë Celsius. Veten e mbrojmë duke mbajtur të gjitha rregullat dhe higjienën personale. "Duhet të mënjanojmë kontaktin me njerëzit e sëmurë, të qëndrojmë në shtëpi nëse jemi të prekur nga viroza. Shkoni menjëherë te mjeku për konsultë, mos pështyni në tokë", thuhet në direktivat e ISHP-së.
Sakaq, mjekët këshillojnë për të gjithë që vaksina të merret vetëm me rekomandimin e specialistit dhe jo secili me mendjen e tij.
SHQIP