Masakra ndaj gjuhës shqipe

Prof.dr.Pajtim BEJTJA/Masakra ndaj gjuhës shqipe do thellohet nëse gjuhëtarët nuk veprojnë me urgjencë.


Shumë njerëz mësojnë 3-4 gjuhë të huaja dhe nuk dinë të shkruajnë shqip

Kohët e fundit është zhvilluar një debat i ashpër për problemet e shqipes standarde. Në kuadër të këtij debati janë kryer veprimtari, janë shkruar artikuj nëpër gazeta dhe janë zhvilluar biseda në studio televizive. Mendimet kanë qenë të kundërta për masën dhe drejtimet e ndërhyrjes në rregullat e drejtshkrimit dhe në fjalorin e shqipes, madje është folur edhe për një standard të ri. Më në fund, gjithçka përfundoi me një propozim për të hequr “ ë”-në nga pjesë të ndryshme të disa fjalëve, numri i të cilave e kalon 2500-shin. Mendoj se, në parim, një standard i vendosur para dhjetëra vjetësh ka nevojë të përmirësohet (të korrigjohet, të pasurohet e të përditësohet), veçanërisht kur gjatë këtij intervali kohor kanë ndodhur ndryshime rrënjësore ekonomiko-shoqërore e teknologjike, që kanë ndikuar edhe në gjuhë. Duhet kujtuar se Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit,1972, në pikën III,2 të saj porosit: ”…duke marrë parasysh ndryshimet që pëson gjuha gjatë zhvillimit të saj si dhe çështjet e reja që nxjerr praktika gjuhësore, ‘Rregullave të drejtshkrimit’ t’u bëhen përmirësimet dhe plotësimet e duhura”. Në këto rrethana, në qoftë se heqja e “ë”-së, në disa fjalë, arsyetohet teorikisht, korrigjimi i standardit për këtë çështje mund të bëhet pa ndonjë shqetësim. Por duhet hequr dorë, nisur nga disa “shije” dialektore, nga “lufta” vend e pavend kundër “ë”-së, heqja e së cilës, në disa raste, e bën më të pazëshme rrokjen dhe e vështirëson shqiptimin e fjalës. Nga ana tjetër, nuk duhet menduar se shqetësimi i vetëm, që ekziston sot për shqipen standarde, është i natyrës drejtshkrimore, aq më tepër i lidhur vetëm me shkrimin apo mosshkrimin e një shkronje. Në shkrimet e botuara, janë evidentuar një sërë problemesh të tjera që lidhen me normën drejtshkrimore, si edhe me normat e tjera gramatikore. Gjithashtu, janë evidentuar probleme të shumta, të shkaktuara nga përdorimi pa nevojë i një morie fjalësh nga gjuhë të tjera, të cilave gjuha shqipe u ka lëshuar vendin, ndërkohë që ajo ka fjalët e veta, që janë në përdorim të gjallë e aktiv. Kjo, siç është vënë në dukje qartësisht, jo vetëm vështirëson komunikimin mes shqiptarëve, por nxit rënien në pasivitet të fjalëve shqipe, duke i hapur kështu rrugën leksikut me burim të huaj. Këtu nuk është fjala për ato fjalë të leksikut të përgjithshëm dhe terminologji të fushave të ndryshme, të futura nga gjuhët e tjera, veçanërisht nga anglishtja, së bashku me konceptet, objektet dhe institucionet e reja (si, p.sh., kurrikul, kompjuter, printer, internet etj. etj.). Futja e tyre, sidomos këta dy dhjetëvjeçarët e fundit, është favorizuar nga procesi i globalizimit dhe, në mënyrë të veçantë, nga revolucioni i teknologjive të informacionit e të komunikimit.

Gabimet drejtshkrimore

Shkeljet e standardit janë bërë aq masive, saqë shpeshherë format e çrregullta janë bërë mbizotëruese dhe heqja e “ë”-së nga disa fjalë, sado e drejtë qoftë kjo, të duket fare e parëndësishme. Kështu, për shembull, me përjashtim të fjalorëve, emri Yzberish, në shumicën e rasteve, madje edhe në logon e Kombinatit të Mishit (KMY), shkruhet dhe shqiptohet gabimisht Yzberisht, duke i shtuar një “t” në fund. Ka edhe fjalë të tjera, të cilave u shtohet gabimisht nga një shkronjë në fund ose diku brenda tyre. Për shembull, shkruhet dhe thuhet “garazhd”, “zvicerian” dhe “inspektoriat”, në vend të “garazh”, “zviceran” dhe “inspektorat”, përkatësisht. Gabimet drejtshkrimore që bëhen, janë të natyrave nga më të ndryshmet. Kështu, disa fjalë të huaja, që janë bërë pjesë e leksikut të gjuhës shqipe, shkruhen dhe shqiptohen gabim, shpeshherë duke ndërruar edhe vendin e tingujve. P.sh., thuhet “martenitet” në vend të “maternitet” (shtëpi lindjeje), “infakt” apo “infrakt” në vend të “infarkt” (mbyllje e enëve të gjakut), “boljer” apo edhe “buljer” në vend të “boiler” (zierës apo ngrohës uji), “andresë” në vend të “adresë”, “ventratë” në vend të “vetratë” (“xhamllëk”), “ambazhur” në vend të “abazhur”, “prespektivë” në vend të “perspektivë”, “korrespodent” në vend të “korrespondent”, “afrofe” në vend të “aforfe” (nga frëngjishtja “à forfait”, që do të thotë “qesim”), “kokteil” në vend të “koktej” etj.. Në fjalë të tjera, zëvendësohet një shkronjë a një tingull me një tjetër. Për shembull, shkruhet e thuhet “albitër” në vend të “arbitër”, “dakort” (në akord) në vend të “dakord”, “eleminim” në vend të “eliminim”, “energjitike” në vend të “energjetike” (rrënja e fjalës është “energje”), “dokumenta” në vend të “dokumente”, “denancim” në vend të “denoncim”, “difekt” në vend të “defekt” (d-efekt) etj. Te të gjitha njoftimet për dhënie të ndonjë objekti me qira, fjala “qira” shkruhet gabimisht “qera”. Te mjaft emra njerëzish “i”-ja zëvendësohet në të shkruar e në të folur me “j”, si p.sh., shkruhet e thuhet “Arjan” në vend të “Arian”, “Marjana” në vend të “Mariana” etj. Dhe, kur gabime të tilla bëhen në shkrimin e emrave të përveçëm apo të familjeve në dokumente shtetërore identifikimi, kjo sjell pasoja tepër të pakëndshme dhe probleme administrative për qytetarët.

Fjalët e importuara

Disa fjalë, që kanë hyrë në gjuhën shqipe dhe që kanë “c” ose “g” të ndjekur nga një “e” ose “i”, shkruhen gabimisht me “ç”, përkatësisht me “xh” ose me “g”, në vend që të shkruhen me “c” përkatësisht me “gj”, sipas drejtshkrimit të shqipes standarde. Kështu, shkruhet “çertifikatë” në vend të “certifikatë”, “proçes” në vend të “proces”, “koefiçient” në vend të “koeficient”, “defiçit” në vend të “deficit”, “liçensë” në vend të “licencë” etj.; “dixhital” në vend të “digjital”, “axhenda” në vend të “agjenda” dhe “gen” në vend të “gjen”, kur shkenca përkatëse shkruhet “gjenetika”. Ngatërrohen në të shkruar dhe numrat arabë (1,2,3..) e romakë (I,II,III…). Numrat arabë duhen shkruar me nyje të përparme dhe me mbaresë, kurse numrat romakë pa to, (p.sh.: Kreu i 2-të ose Kreu II), mirëpo, nganjëherë, ndeshim që të shkruhet: Kreu i 2, Kreu i II-të ose Kreu i II etj.

Gabime në format gramatikore

Gabime të shumta bëhen jo vetëm në drejtshkrim e drejtshqiptim, por edhe në përdorimin e formave gramatikore, siç janë gjinitë e emrave e të mbiemrave, vetat e foljeve apo trajtat e shkurtra të vetorëve etj. Dihet se disa klasa emrash mashkullorë e ndërrojnë gjininë në shumës dhe që përcaktorët (mbiemrat dhe përemrat) që i shoqërojnë, në shumës vihen në gjininë femërore. Emra të tillë janë ata që e bëjnë shumësin me prapashtesat “e” dhe “ra”. Mirëpo, shpesh, dëgjojmë, p.sh., që të thuhet “talente të rinj”, “shkrime të tjerë”, “personazhe publikë”, “shira të rrëmbyeshëm”, “këta tre male të lartë”, “qytete të vegjël dhe të mëdhenj”, “puse të thellë”, në vend të “talente të reja”, “shkrime të tjera”, “personazhe publike”, “shira të rrëmbyeshme”, “këto tri male të larta”, “qytete të vogla dhe të mëdha”, “puse të thella” përkatësisht. Nga një herë, ndodh, që për të njëjtën situatë gramatikore standardi herë zbatohet e herë jo, gjë që flet për një zbatim të pavetëdijshëm të tij. Për shembull, shkruhet “vende të mëdha e të vogla” dhe tre-katër rreshta më poshtë “qytete të mëdhenj e të vegjël”, kur kemi të bëjmë me dy emra mashkullorë që shumësin e bëjnë me “e”. Ndodh, edhe më keq, kur një emri i vihen dy mbiemra ose një mbiemër dhe një përemër me gjini të ndryshme, si për shembull “objekte të shumtë, të ndërtuara me rrasa” apo “këto qytete të mëdhenj”. Një gabim i ngjashëm bëhet me fjalën “element”, e cila shumësin zakonisht e bën me “e”, me përjashtim të rasteve kur flitet për njerëz, në të cilat e bën me “ë”. Pra, duhet të thuhet, p.sh., “janë kapur disa elementë të rrezikshëm kriminalë” dhe “karboni dhe squfuri janë elemente kimike”. Nga ana tjetër, u ndërrohet në mënyrë të gabuar gjinia përcaktorëve të disa emrave mashkullorë që nuk përfshihen në dy klasat e më sipërme. Kështu, të gjithë lexuesit e faqeve të para të gazetave në stacionet televizive thonë “këto tituj/artikuj” dhe shumë njerëz thonë “ato burra”, “këto politikanë”, “lekë të reja”, “flokë të gjata” etj., kur duhet të thuhet “këta tituj/artikuj”, “ata burra”, “këta politikanë”, “lekë të rinj”, “flokë të gjatë” etj. E njëjta gjë ndodh edhe me disa emra me karakter ndërkombëtar të futur në gjuhën shqipe, si objektiv, interes etj., si dhe me disa emra shqip, si hap, këshill etj. që shumësin e bëjnë me “a”. Përgjithësisht, atyre përcaktorët u vihen në gjininë femërore, si për shembull, thuhet “objektiva të qarta”, “këto interesa të rëndësishme”, “hapa të mëdha” dhe “këshilla vendore”, në vend të “objektiva të qartë”, “këta interesa të rëndësishëm”, “hapa të mëdhenj” dhe “këshilla vendorë”. Shmangie në lidhje me gjininë vërehet edhe në përdorimin e përemrit pronor “ynë”, që shoqëron emrat e gjinisë mashkullore. Ai pothuajse është hequr nga përdorimi, ngaqë shumica e njerëzve thonë “populli jonë”, “vendi jonë”, në vend të “populli ynë”, “vendi ynë” etj. Shpesh ngatërrohen vetat e foljeve. Kështu, dihet që foljet në vetën e tretë njëjës të kohës së tashme të mënyrës lidhore duhet të shkruhen me -ë në fund, mirëpo bëhet e kundërta. Për shembull, shkruhet “Unë do të punojë” dhe “Ai do të punoj”. Në mjaft raste, vërehet përdorimi i gabuar i disa fjalëve në shoqërime të caktuara fjalësh. Kështu, përdoret rëndom togfjalëshi “për arsye sepse”, kur duhet thënë “për arsye se”, togfjalësh që është i barabartë me “sepse”. Pra, duhet thënë “nuk erdha për arsye se…” ose, që është njësoj dhe më shkurt, “nuk erdha sepse…”, dhe jo “nuk erdha për arsye sepse…” Po kështu, edhe togfjalëshi “për faktin sepse”, që nuk është në natyrën e shqipes, duhet zëvendësuar me lidhëzën “sepse”. Me lidhësen “sepse” rëndom bëhet edhe një gabim tjetër. P.sh., për të lajmëruar mosardhjen, thuhet: “ju njoftoj sepse nuk do të vij”, kur duhet thënë: “ju njoftoj se nuk do të vij”. Në disa raste përdoret forma e gabuar “pasi që”, duke shtuar një lidhëse ftilluese pas asaj të shkakut ose të kohës. Gabohet shpesh, edhe në të folur, edhe në të shkruar, në përdorimin e përemrit “kush”, i cili duhet të përdoret vetëm për njerëz, i pashoqëruar me emra dhe vetëm në numrin njëjës. P.sh., duhet pyetur “kush e shkroi?”, duke kuptuar një njeri dhe jo “kush gazetë e shkroi”, po “cila gazetë e shkroi”; duhet shkruar “cili faktor ndikoi” dhe jo “kush faktor ndikoi” etj. Gabime bëhen edhe në përdorimin e apostrofave dhe të trajtave të shkurtra të përemrave. Kështu, shpeshherë, në shkrimet hiqen gabimisht apostrofat në trajtat e shkurtra të bashkuara të përemrave (p.sh., shkruhet “ti them” apo “tu them”, në vend të, përkatësisht, “t’i them” dhe “t’u them”) dhe shkruhen gabimisht me apostrofë format e shkurtra të shkrira të përemrave (p.sh., shkruhet “m’a dha” apo “t’a dha”, në vend të “ma dha” dhe “ta dha”). Gjithashtu, trajta e shkurtër “i” e njëjësit përdoret gabimisht në vend të “u”-së së shumësit; për shembull shkruhet “idetë i përkasin elitave”, në vend të “idetë u përkasin elitave”.

Kuptimi i fjalëve

Një grup gabimesh janë ato që kanë të bëjnë me shtrembërimin e kuptimit të fjalëve, për shkak të njohjes së mangët të leksikut të shqipes apo të gjuhëve të huaja. I tillë është përdorimi i një fjale në vend të një tjetre me kuptim të afërt, por jo të njëjtë. Kështu, dëgjojmë të thuhet e të shkruhet që u rrëzua busti i Enver Hoxhës, u ngrit busti i nënë Terezës apo ai i Isa Buletinit, kur ato janë shtatore (statuja). ثshtë njësoj si të ngatërrosh xhaketën me kostumin. Ndodh edhe më keq, kur në një artikull gazete përdoren të dy termat për të njëjtin objekt skulpturor. Po t’u referohemi fjalorëve, busti është një skulpturë që paraqet pjesën e sipërme të trupit të njeriut që nga mesi e lart ose kokën dhe një pjesë të kraharorit dhe jo të gjithë trupin, si shtatorja. Një gabim i të njëjtit lloj bëhet në disa reklama televizive kur flitet për lavaman (duarlarëse), prej lavo (laj)+mano(dorë) dhe paraqitet lavapjatë (pjatalarëse) [prej lavo piatto(pjatë).Shumë njerëz ngatërrojnë fjalë të afërta nga ana fonetike, por krejtësisht të ndryshme nga ana kuptimore, si: adaptoj (përshtat) dhe adoptoj (1. birësoj; 2. pranoj; p.sh. një rezolutë, një vendim etj.); stimuloj (nxit) dhe simuloj (shtirem); mëshiroj (ndjej mëshirë për dikë, i fal gabimin) dhe mishëroj (shpreh diçka në trajtë konkrete, e trupëzoj: p.sh. mishëroj në art një ide); mostër (gjedhe; p.sh. mostër gjaku, dheu, minerali, stofi etj.) dhe monstër (përbindësh); njësoj (bashkoj në një të vetme, unifikoj) dhe njehsoj (llogarit, bëj veprime me numra); afroj (e çoj më afër, më pranë) dhe ofroj (bëj ofertë, propozoj; p.sh. ofroj një çmim, një mundësi etj. dhe jo afroj…); klimatike (që ka të bëjë me klimën; p.sh.: kushtet klimatike) dhe klimaterike (që ka klimë të mirë për shëndetin; p.sh.: vend klimaterik apo qendër klimaterike), “përshkuan” (kaluan nga njëra anë në tjetrën etj.) dhe “përshkruan” ( paraqitën me shkrim a me gojë tipare, dukuri a rrethana të ndryshme), “recesion” (rënie, p.sh. rënie ekonomike) dhe “recension” (vlerësim kritik për një vepër artistike, për një punim shkencor, për një shfaqje etj.); “vogëlia” (mosha e njomë, fëmijëria, mituria) dhe “vegjëlia” (shtresa e varfër e popullsisë); “prefekt” (kryetar prefekture) dhe “perfekt” (i përsosur), “detal” (secila nga pjesët përbërëse të një makine a të një mekanizmi) dhe “detaj” (hollësi) etj.

Përdorimi i gabuar

Një nga deformimet më të rëndomta është përdorimi pa nevojë, e madje disa herë edhe në mënyrë të gabuar, i një numri të madh fjalësh të huaja, të cilave shpesh u vihen mbaresa shqipe, të tilla si: “implementim” (në vend të “zbatim”, “futje”, “vënie në jetë”), “impakt” (në vend të “ndikim”), “surprizohem” (në vend të “befasohem”), “konsideroj” (në vend të “marr parasysh”; p.sh.: “e konsideroj këtë fakt”, në vend të “e marr parasysh këtë fakt”), “anunçoj” (në vend të “njoftoj”, “lajmëroj”, “kumtoj” apo “shpall”, sipas rastit), “impresion” (në vend të “përshtypje” apo “mbresë”), “previzion” (në vend të “parashikim”), “dipendohet” (në vend të “varet”), “resurse” (në vend të “burime”), “trend” (në vend të “prirje”; p.sh.: prirjet e zhvillimit të vendit), “të detajshme” (në vend të “të hollësishme”), “në mënyrë frekuente” (në vend të “shpesh” apo “shpeshherë”), “agravim” (në vend të “rëndim”; p.sh. rëndim i gjendjes, i sëmundjes), “abdejtoj” (në vend të “përditësoj” ose edhe “freskoj”, “përtërij”), “është involvuar” (në vend të “është përfshirë”), “abandonoj” (në vend të “braktis”), “bilaterale” (në vend të “dypalëshe”), “bipartizan” (në vend të “dypartiak”), “nukleare” (në vend të “bërthamore”), “event” (në vend të “ngjarje”), “term” (në vend të “afat”; p.sh. afat dyvjeçar), “inaugurim” (në vend të “përurim”) etj. etj. Madje, disa herë renditen njëra pas tjetrës në të njëjtën fjali fjala shqipe me të huajën përgjegjëse; p.sh., thuhet “një ndikim dhe një influencë”, apo “një përvojë dhe një eksperiencë” etj. Për shkak të njohjes së pamjaftueshme të gjuhës së huaj, disa herë bëhen përkthime të gabuara të disa fjalëve. P.sh., në italishte karboni si element quhet carbonio, kurse qymyri carbone. Duke i ngatërruar këto dy fjalë, rëndom dëgjojmë në emisionet e lajmeve që të thuhet “minierë karboni”, në vend të “minierë qymyri”. Në raste të tjera, shkak i këtyre gabimeve është mosnjohja e leksikut abstrakt të shqipes. Kështu, fjala angleze “approach” shpesh përkthehet “përqasje”, që do të thotë “krahasim”, në vend të “qasje”, që në kuptimin kryesor do të thotë “mënyra si bëhet diçka; nga kapet diçka për ta bërë a për ta zgjidhur, si trajtohet një çështje”. Disa herë fjala “avantazh” në vend që të shqipërohet “epërsi”, përkthehet gabimisht “përparësi” (që është sinonim i “prioritet”-it). Një gabim që bëhet shpesh, sidomos nga gazetarët, është që disa fjalëve të huaja, që kanë hyrë në shqipe me një a dy valenca gjuhësore, u jepen edhe valenca të tjera, si në gjuhët e huaja. Për shembull, termi “argument” në gjuhën shqipe ka si kuptim kryesor “një arsyetim që përdoret për të vërtetuar ose për të kundërshtuar një mendim”, mirëpo, nën ndikimin e disa gjuhëve të tjera, në shumë emisione lajmesh thuhet që “kalojmë në një argument tjetër”, kur duhet të thuhet që “kalojmë në një temë tjetër”. Po kështu, fjala “develop” përkthehet nga anglishtja pothuajse gjithmonë “zhvillim”, kur ajo, sipas rastit e rrethanave, duhet të përkthehet edhe me disa fjalë të tjera, si “hartoj” (një program, një projekt etj.), “shtjelloj” (një temë, një mendim), “përsos” (diçka), “përhapet” (një sëmundje a epidemi), “shfrytëzoj” (një minierë), “sqaroj”, “zbuloj” a “bëj të qartë” (një fakt), “ndërtoj”, “përpunoj” etj. Ngatërresa kanë lindur edhe me shkrimin e emrave të huaj të njerëzve e të vendeve, të cilët, sipas Drejtshkrimit (1973), duhen shkruar siç shqiptohen afërsisht në gjuhët nga depërtojnë. Shkrimi si në origjinal, siç praktikohet rëndom, e vështirëson, në mos e bën të pamundur leximin drejt të tyre, sidomos kur lexuesit nuk e njohin gjuhën e huaj përkatëse.

Mihali bëhet Mishel

Përveç kësaj, përkthimet shpeshherë bëhen nga gjuhë të dyta dhe emrat në to shkruhen siç shqiptohen në këto të fundit, pasi përkthyesit nuk e dinë si shkruhen e shqiptohen ata në gjuhën e autorit. Në këto raste, mund të ndodhë, si në një libër për Kremlinin, të përkthyer nga frëngjishtja, ku Pjetri i Madh quhet si në këtë gjuhë, Pjeri i Madh dhe Mihali herë-herë quhet Mishel. Në disa libra, që përmbajnë personazhe ruse dhe janë përkthyer nga anglishtja, “c”-ja ruse është zëvendësuar me “ts” (p.sh., në vend të Golicin është shkruar Golitsin). Mendoj se emrat e huaj në shqip është më e përshtatshme të shkruhen siç shqiptohen dhe, në përmendjen e parë të tyre, në kllapa ose në poshtëshënim, të shkruhen si në origjinal. Epidemia e përdorimit të emërtimeve në gjuhë të huaj, kryesisht në anglisht, për kompanitë, bizneset, stacionet dhe programet radiotelevizive etj., që vihet re në dokumente të ndryshme dhe në shumë afishe, shpallje e reklama, ka sjellë vështirësi në kuptimin dhe leximin e tyre. Vështirësi kanë dalë, sidomos, në leximin e shkurtesave (akronimeve), pasi nuk ndiqen rregulla të njëjta. Kështu, te “AMC” (Albanian Mobile Communication), “C” latine shqiptohet si “C” e shqipes, kurse tek “Albtelecom”, “C” latine shqiptohet si “K” e shqipes.

Podiumi.com
 
Këto shqetësime i kam dhe unë, po nuk shikoj ndonjë zgjidhje.
Jo se s'ka zgjidhje, por s'ka vullnet nga qeveria.
Po të vazhdojnë gjerat kështu, shqiptarët bashkë me gjuhën e tyre, në një të ardhme të afërt do të shkrihen.
 
Sic jemi duke vazhduar keshtu, dita dites duke futur barbarizma kudo qofshin, ne shkolle, libra, media etj, shpejt do masakrohet per se gjalli gjuha jone.
 
Këto shqetësime i kam dhe unë, po nuk shikoj ndonjë zgjidhje.
Jo se s'ka zgjidhje, por s'ka vullnet nga qeveria.
Po të vazhdojnë gjerat kështu, shqiptarët bashkë me gjuhën e tyre, në një të ardhme të afërt do të shkrihen.

Do t'u shkrihen topet,,, e gjithe bota Shqip flet.

To view this content we will need your consent to set third party cookies.
For more detailed information, see our cookies page.


Valltanz me tej me mua oooreee


...vallzo me tej me mua mo vallzo me tej me mua???
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Kur flet shpirti.

    Votat: 6 27.3%
  • 2-Buzëqeshje Maskuar.

    Votat: 12 54.5%
  • 3-Jam femër.

    Votat: 2 9.1%
  • 4-Je ti Nënë.

    Votat: 1 4.5%
  • 5-Ne duart e kohes.

    Votat: 1 4.5%
Back
Top