Maradona apo Messi do ta shpëtojë Argjentinën?

E3

Anëtar i Nderuar
V.I.P
Legjenda e futbollit, Maradona, ka qenë burim i vazhdueshëm shqetësimi për fansat dhe admiruesit e tij kudo në botë, e veçanërisht në Argjentinë. Tani ai është trajneri i Kombëtares dhe bashkatdhetarët shpresojnë shumë që Diegito t’i rikthejë skuadrës lavdinë e së shkuarës. E megjithatë, shanset më të mëdha të fitores për Argjentinën qëndrojnë në këmbët e një tjetër emri: Lionel Messi-t

Autobusi transporton skuadrën kombëtare argjentinase në një resort shumë ekskluziv në Mar de Plata, në bregun e Atlantikut. Skuadra duhet që të luajë një ndeshje miqësore kundër Xhamajkës në darkë. Autobusi me yjet argjentinas ndalon në hyrjen e “Grand Hotel Provincial”, ku skuadra do të qëndrojë. Për 6 orë të gjithë lojtarët dhe trajneri i tyre, Maradona, duhet të jenë në stadium.

Maradona do të bëjë 20 hapa nga hoteli në autobus. Gjatë atyre 20 hapave ai nuk do të japë intervista, por thjesht do t’ua bëjë me dorë admiruesve dhe gazetarëve dhe më pas do të vazhdojë rrugën. “Deri më tani gjithçka ka qenë shumë e qetë”, thotë një grua që punon në recepsionin e hotelit. Rreth autobusit janë grumbulluar disa tifozë. Maradona dhe klani i tij kanë mbërritur një ditë më parë dhe herë pas here ai qëndron në hollin e hotelit për të shijuar në vetmi ndonjë puro. Që kur e emëruan trajner të skuadrës Kombëtare të futbollit, Maradona ka mbajtur veshur vetëm kostumin sportiv të Kombëtares. Ai është shumë i dhënë pas atij kostumi dhe nuk do ta heqë deri sa të përfundojë i gjithë kampionati.

Me të mbaruar puron, ai e hedh diku bishtin e mbetur dhe largohet nga holli. Qëndrimin e ka të drejtë, edhe pse rreth mesit i qëndrojnë sasi dhjami të cilat nuk ka mundur dot t’i heqë. Merr për nga dhoma e konferencave dhe ka një pamje prej njeriu të kënaqur. Konferenca e shtypit është e gjitha e përqendruar te Juan Roman Riquelme, një lojtar i klubit Boca Juniors të Buenos Aires, i cili me kokëfortësi ka refuzuar që të luajë për Argjentinën, për shkak se ai e konsideron Maradonën një trajner të pazotin. Gazetarët e pyesin Maradonën në lidhje me një mendim të tillë dhe përgjigjja është: “Argjentina nuk ka një lojtar shumë të mirë në mesfushë, ndaj pyetja ime është: A do të ketë mirësinë Riquelme që ta ndihmojë skuadrën në këtë ditë të vështirë?”, përgjigjet me një pyetje Maradona.

Megjithatë, më pas duket se i kujtohen deklaratat e mëparshme të lojtarit, aspak miqësore ndaj tij, dhe vazhdon: “Ne u kualifikuam në finalen e Botërorit pa ndihmën e tij dhe nuk ia kemi nevojën as tani”. Por ai e di se prania e Riquelme në mesfushë është shumë e rëndësishme dhe do të bënte diferencë në lojën kundër kundërshtarit. Maradona ndihet i mërzitur dhe tashmë e ka shkëputur vëmendjen nga Riquelme. Gjithsesi, puroja i ka përfunduar dhe në këto e sipër thotë: “Unë mendoj se vetëm burrat duhet që të lejohen të mbajnë veshur kostumin e Kombëtares”.

Argjentina e ka fituar për herë të fundit Kupën e Botës në kampionatin botëror të Meksikës, të organizuar në vitin 1986. Në çerekfinale skuadra me ngjyrën blu të errët mundi Anglinë falë dy golave të papërsëritshëm të Maradonës. Njëri ishte goli i famshëm që u bë me dorë, që në fakt nuk duhet të ishte lejuar dhe tjetri ka mundësi që të zërë vendin e parë në renditjen e golave më të bukur të finaleve të botërorëve. Ishte një gol për realizimin e të cilit Maradonës iu desh që të driblonte dhe të shmangte me mjeshtëri nga rruga Peter Beardsley, Peter Reid, Terry Butcher, Terry Fenwick dhe më në fund edhe portierin e mrekullueshëm, Peter Shilton. Për shumë argjentinas, këta gola dhe fitorja e kësaj finaleje ishte hakmarrja e ëmbël ndaj britanikëve dhe luftës me ta për ishujt Faklands në vitin 1982. Që nga ajo lojë e lavdishme, Maradona u vendos në piedestalin e heroit në vendin e tij dhe figura e këtij lojtari mori përmasat e Che Guevarës, Eva Peron dhe këngëtarit të tangos, Carlos Gardel. Në sytë e bashkatdhetarëve ai ishte një legjendë e gjallë. Viti 1986 është arsyeja e vërtetë e gjendjes së Maradonës në postin aktual, atë të trajnerit të Kombëtares së Argjentinës. Pa dyshim që zgjedhja e tij nuk ishte një zgjedhje logjike. Vendosja e Maradonës në drejtimin e skuadrës kombëtare është tërësisht një vendim jologjik, por sigurisht një veprim i guximshëm deri në çmenduri. Maradona është 49 vjeç dhe i akuzuar nga shteti italian për mospagimin e 42 milionë dollarëve taksa nga paratë e marra gjatë periudhës kur luante në Kampionatin Italian. Ka qenë i droguar për një periudhë të gjatë dhe po për një periudhë të gjatë e ka kaluar kohën nëpër klinikat e rehabilitimit. Vetëm një vit para se të thirrej për të marrë detyrën që ka sot, në vitin 2008, Maradona u shtrua në një spital psikiatrik për shkak të agravimit të problemeve me alkoolin. Por Argjentina është toka e njerëzve që ëndërrojnë të ringjallin lavdinë e së shkuarës përmes personit që e mishëron atë më së mirë: Maradonës. Dhe për argjentinasit Maradona, pavarësisht gjithë ulje-ngritjeve të jetës së tij personale dhe problemeve të shumta, vazhdon të jetë një legjendë dhe njeriu i vetëm që mund të ngjallë sërish një ëndërr të varrosur. Argjentinasit janë aq të çmendur në besimin që kanë, sa e presin me sigurinë më të madhe këtë mrekulli. Besimi te magjia e Maradonës është rikthyer te shumë njerëz që presin dhe shpresojnë duke u lutur. Por për këtë, Maradona ka nevojë për një kujdes të veçantë. Dr. Alfredo Cahe është drejtori i një klinike në Calle Uruguay në Buenos Aires. Ai është caktuar prej pak kohësh edhe si mjeku personal i Maradonës. اdo ditë ai i bën analizat, i mat presionin e gjakut dhe i jep këshilla të rrepta për mënyrën e të ngrënit dhe të të pirit. Maradona zakonisht e gënjen mjekun, duke i thënë se menyja e tij ishte plot me fruta dhe zarzavate. Shpesh të dy burrat ulen së bashku për të biseduar si dy miq të vjetër. Maradona ndërkohë, çdo dy muaj, bën një bllok të plotë të analizave të trupit në klinikën e mjekut të tij personal. Cahe e nisi lidhjen me Maradonën që kur ai nënshkroi kontratën e parë me Boca Juniors dhe më pas kur trajneri i skuadrës, Silvio Mazolani, pësoi një atak në zemër pas humbjes së skuadrës së tij me River Plate 3:0. Të tre golat i shënoi Maradona. Cahe e vizitoi Maradonën edhe në Spanjë, kur ai luante për Barcelonën dhe më pas edhe në Napoli. Ishte pikërisht ai që e shoqëroi në Kubë për të takuar Fidel Kastron. Por me kalimin e viteve, misioni i Cahe u bë gjithnjë e më i vështirë për të sjellë në rrugë të mbarë një ish-lojtar në mbipeshë dhe me shumë probleme varësie me alkoolin dhe drogën. Po ta pyesësh mjekun, ai ka po aq besim te Maradona, sa edhe bashkatdhetarët e tij dhe beson verbërisht në një ringjallje. Ai është i kënaqur me situatën shëndetësore të Maradonës, edhe pse pak kohë më parë ai për pak sa nuk vdiq. Por doktori nuk thotë atë që është e vërtetë, pra dëmin e parikthyeshëm që ka shkaktuar në trurin e Maradonës alkooli dhe droga, të cilat ai i frekuentoi për një kohë të gjatë.

Maradona ia dedikon statusin e tij legjendar jo vetëm ditëve të tij të mira dhe lojërave të pafund të futbollit që mishëronin gjenialitetin dhe pasionin e tij për këtë lojë, por dhe dështimeve të mëdha të jetës. Madje këto të fundit e kanë bërë më njerëzor dhe më popullor. Ai është një njeri që ka prekur kulmet me dorë dhe ia ka dalë që të mbijetojë. Maradona ishte i varur ndaj kokainës edhe kur ishte një lojtar profesionist. Ai nuk arrin që të kujtojë asnjë nga ditëlindjet e fëmijëve të tij kur ishin të vegjël, aq i droguar ka qenë. E megjithatë ai vazhdon që të konsiderohet si futbollisti më i madh i të gjitha kohërave. Sikur të arrinte, këtë herë në pozicionin e trajnerit, që të sillte kupën e botës në Argjentinë, Maradona pa frikë që do të shndërrohej në vendin e tij në një shenjtor dhe kjo do të ishte një ringjallje.

Por, pavarësisht simbolikës shumë të fuqishme që mbart prezenca e Maradonës në lojën e Argjentinës në këtë botëror, një tjetër person konsiderohet si kyçi i fitores së Argjentinës. Ai është një djalë trupvogël, i ndrojtur, që ka gjysmën e moshës së Maradonës: Lionel Messi. Ai është shumë i ri, vetëm 22 vjeç, shumë i sjellshëm dhe shumë modest. Tërësisht e kundërta e Maradonës. ثshtë lojtari më i mirë në botë dhe golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll, njeriu që ose mund të shndërrohet në shpëtimtarin e Maradonës, ose në humbësin e tij. “Unë mund të them vetëm se Leo ka më shumë mbështetje nga argjentinasit, nga sa kam pasur unë në vitin 1986”, thotë Maradona. Maradona duhet që të arrijë të kuptojë se përse Messi nuk luan kurrë në atë nivel të lartë për Kombëtaren e vet, siç luan për klubet e vendeve me të cilat ai ka vendosur kontrata. Sigurisht që për këtë ka disa teori. Njëra syresh është se Argjentina, ndryshe nga Barcelona, nuk ka një mesfushor të nivelit të Xavit që t’i japë shumë mundësi Messi-t për të shënuar. Një tjetër pretendim është se fajtori është Maradona. Messi nuk e ka idenë se çfarë të bëjë në fushën e lojës së Kombëtares, sepse është Maradona i pari që nuk ka asnjë ide. Sa për Maradonën, ai ka dyshime se ky talent i jashtëzakonshëm nga një qytet provincial i Argjentinës mund të shkatërrojë gjithçka. Nëse Messi do të luajë keq në Afrikën e Jugut, Argjentina do ta ketë shumë të vështirë që të bëjë përpara dhe të kualifikohet më tej. E megjithatë, askush përveç Maradonës nuk e fajëson Messi-n. Të gjithë në rastin e humbjes, ashtu si edhe të fitores, do ta drejtonin gishtin te Maradona. Por Messi nuk është Maradona. Për të vënë në shfrytëzim sa më mirë gjenialitetin e tij në fushën e lojës, ai ka nevojë për rregull dhe disiplinë dhe jo për kaos dhe rrëmujë. Messi ka fituar Legën e Kampionëve dhe ka shënuar një gol thuajse identik me atë që i dha Maradonës famë të jashtëzakonshme. Për shumë gazeta sportive në Argjentinë dhe gjetkë, ai është rimishërimi i Maradonës si lojtar dhe mund të quhet fare mirë trashëgimtari i tij në lojë. Por a është Messi në të vërtetë Maradona i ri? Këtë do ta tregojë mirë ky kampionat botëror, që sapo ka filluar, ku do të ndeshen lojtarë, por edhe trajnerë e tifozë; ku do të ndeshet lavdia e së shkuarës me shpresën e madhe për ringjalljen e saj.
shqip
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top