xhebrail
Mangup me Licenc

Maqedonia pas 12 viteve do të ketë më shumë popullsi shqiptare se sa maqedonase. Kjo është theksuar nga akademiku shqiptar Abdylmenaf Bexheti, i cili ka qenë edhe zëvendëskryetar i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë në Maqedoni, në regjistrimin e fundit të vitit 2011 që u anulua.
Bexheti thekson se, të dhënat e tij bazohen në një studim të Universitetit të Sorbonës, ku nënvizohet se maqedonasit do të kenë shumicën e popullsisë vetëm edhe gjatë 7 viteve të ardhshme. “Këtë fenomen e trajtojmë më shumë në analizat social-ekonomike dhe është një fenomen i pritur që para 15 vitesh. Do t’i referohem studimit të një studiuesi nga universiteti i Sorbonës në Francë, në vitin '98, doktor Ivan Savev. Ai parasheh dhe bën projeksionet dhe prognozën 20 vitet e ardhshme dhe 25 vitet e ardhshme, do të thotë 2020-2025, si do të zhvillohen marrëdhëniet demografike në vetë Maqedoninë, shtimi natyror i popullsisë dhe kështu me radhë. Savev konstaton, një skenar të ashtuquajtur ‘pesimist për ata dhe optimist për ne’. Në vitin 2020, popullsia shqiptare do të barazohet me popullsinë maqedonase, kurse në vitin 2025, popullsia shqiptare do të tejkalojë popullsinë maqedonase në përpjesëtim relativ”, sqaron eksperti Bexheti për Noa.al
Debatet për rritjen e popullsisë shqiptare dhe uljen e asaj maqedonase kanë vijuar edhe tek qarqet akademike maqedonase, të cilët kanë kërkuar që popullsia maqedonas të rrisë trendin e lindjeve.
Qeveria e Maqedonisë akoma ka në fuqi një strategji që nxit dhe mbështet në aspektin social të gjitha çiftet që lindin fëmijën e dytë dhe të tretë. Për çdo fëmijë të tretë çdo çift merr rreth 140 euro në muaj edhe kjo përkujdesje sociale vazhdon për 10 vitet e ardhshme.
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka apeluar që popullata maqedonase të shtojë numrin e fëmijëve, sepse kjo është pasuri për vendin dhe për ruajtjen e traditës.
“Problemi ynë është aspekti demografik apo siç e kam quajtur recesioni i popullsisë. Në zgjidhjen e këtij problemi duhet të bashkohemi dhe të mobilizohemi, por edhe të veprojmë bashkërisht, pa dallim të përkatësive tona. Ky është një recesion demografik që po vazhdon me dekada. Kjo duhet të jetë shqetësim. Në vend që të kemi paralele me 35 nxënës, ne kemi paralele me 8, 10,15 apo 20 nxënës. Shkollat që dikur kanë pasur mijëra nxënës, sot kanë nga 500 apo 600 nxënës. Demografia dhe lindjet kanë rëndësi të madhe për ekonominë, arsimin, infrastrukturën, sistemin e pensioneve dhe kompanitë”, ka deklaruar kryeministri Gruevski.
Në Maqedoni pikërisht për shkak të shifrave dhe analizave kontradiktore mbi numrin e popullsisë dështoi procesi i regjistrimit në vitin 2011. Shqiptarët pretenduan se me këtë regjistrim do të ketë rritje të popullsisë shqiptare dhe ulje të asaj maqedonase. Nga kontradiktat e ndryshme në terren lidhur me shifrat e popullsisë së regjistruar, Qeveria ndërpreu procesin e regjistrimit, duke e shtyrë në afat të pacaktuar.
Sipas regjistrimit të vitit 2002 në vend jetojnë: maqedonas 1, 297,981 (65.17%), shqiptarë 506,083 (25.17%), turq 77,959 (3.85%), romë 53.879 (2,66 %), serbë 35.939 (1,78 %), boshnjakë 17.018 (0,84 %), arumunë 9.695 (0,48 %), etj./Indeksonline/