Luigi Soreca, me gjuhë të drunjtë

Në Ditën e Europës, Ambasadori përfaqësues i Bashkimit Europian, kish botuar në një prej gazetave një shkrim simbolik për Ditën e Europës.
Me një shqipe relativisht bazike (nëse e ka shkruar vetë, në fakt duhet përgëzuar) u drejtohej qytetarëve shqiptarë për t’u folur për vlerat e Europës. Duke qëndruar koherent me situatën e pandemisë, ai e vë theksin te vlerat e paqes dhe solidaritetit.

Pa dashur të hyj në detajet e shkrimit, fokusi vihet te kontributi i BE-së, me ndihmat materiale që i janë dhënë Shqipërisë, jo vetëm financiare, por në kuadër të pandemisë globale deri te vaksinat. (Në fakt, trajtimi i rezervuar për këtë pjesë të Europës të quajtur Ballkani Perëndimor, pothuaj në nivelin e vendeve afrikane me kuotat si me pikatore të këtyre vaksinave, nuk i bën nder BE-së, ndonëse shqiptarët në të dy anët e kufirit nuk janë ankuar për këtë).
Ne që kemi jetuar nën diktaturën e regjimit komunist, një shkrim i tillë na kujton ato të cilat duhet t’u qëndronin strikt klisheve të marksizëm-leninizmit. Autorët duhet të përdornin një gjuhë të drunjtë, për të lartësuar veprat e ndërtimit socialist të vendit, të financuara nga ndihmat e Kinës komuniste, si shembulli i përkryer i internacionalizmit proletar. Edhe sot e kësaj dite, hidrocentralet mbi Drin, të ndërtuara me mbështetjen financiare kineze, prodhojnë energji për popullatën apo edhe për eksport. E mbase në një vit, ky prodhim në vlera monetare mund të jetë i krahasueshëm me ndihmat që përmend Ambasadori i nderuar e që Europa i akordon Shqipërisë.

Thënë kjo, nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që do të uronte të riktheheshim në marrëdhëniet me Kinën komuniste, qoftë edhe këtë të sotmen.
Në vitin e rënies së Murit të Berlinit, shqiptarët kanë qenë si popull në periudhën e varfërisë së skajshme, pothuaj në prag të urisë. Për këtë, vetë Ambasadori Soreca duhet të kujtojë imazhet e shqiptarëve varur në litarët e vaporëve, të cilët zbarkonin në Itali, tamam barkthatë e të leckosur.
Por edhe në ato kohë të mjerimit të madh, në Dhjetorin e përmbysjes së regjimit diktatorial komunist, 30 vite më parë, thirrja e shqiptarëve të uritur drejt qiellit, për ta dëgjuar e gjithë bota, ishte “Liri demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Thirrjet shoqëroheshin me ngritjen e dy gishtave lart në formën e germës “V”, simboli i “Victory” për fitoren e lirisë, sikurse ato të ngritura nga Churchill për ngadhënjimin mbi tiraninë naziste.
Për këtë arsye, nuk mund të mos të bëjë përshtypje që në shkrimin për Ditën e Europës, të simbolit tonë të lirisë e demokracisë, të mos ketë asnjë fjalë në gjithë shkrimin e Ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, për ngjarjen më të rëndësishme politike të vitit, zgjedhjet për Parlamentin e vendit, të zhvilluara vetëm dy javë më parë.

Kjo bëhet edhe më e rëndë kur problematikat e shfaqura në kufizimin e lirisë së votës, fshehtësisë së saj, por edhe imponimit e blerjes, apo tjetërsimit, si forma më banale, janë dëshmuar gjerësisht në media e më gjerë.
Përfaqësia e Bashkimit Europian, të paktën sikurse e kuptojmë ne, e mbase e idealizojmë, ka jo vetëm objektiv të zgjidhë se sa ndihma duhet të marrë Shqipëria dhe në cilat fusha, por edhe të vlerësojë sesa ajo po i afrohet Europës në disa fusha të tjera me rëndësi për qëndrueshmërinë dhe garantimin e lirisë e demokracisë, si shtylla për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Dhe, për ne shqiptarët, është me vlerë që përfaqësuesit e Europës të japin edhe vlerësimin për hapat që ne hedhim si shoqëri në këto fusha. Me pozicionimin në rolin e arbitrit, opinioni që ata japin për aktet dhe aktorët politikë në vend është i rëndësishëm për orientimin e shoqërisë sonë në përzgjedhjen e rrugës së duhur për të ndjekur. Shembulli që promovojnë e mbështesin duhet të jetë i njëjtë me atë që ata vetë do të parapëlqenin edhe për vendin e tyre europian. Kjo do të nxiste krijimin e një klime dhe atmosfere lirie, sikurse edhe kudo në Europë.

Shqipëria është ende një foshnjë demokracie dhe ka nevojë për mbështetje solide për kultivimin, mëkëmbjen dhe zhvillimin e institucioneve themelore të demokracisë. Para së gjithash, këtu do të renditej institucioni i votës së lirë.
Në këtë pikë, mësuesit apo kujdestarit nuk i falet të gabojë në zgjedhjen e shembullit pozitiv për t’u promovuar dhe për t’u mbështetur. Kjo do të sillte pasoja të pariparueshme për vendin tonë, i cili vjen nga një e shkuar mjaft e gjatë në diktaturë. Çdo cedim, sado i vogël në liritë e të drejtat e votës së lirë e të fshehtë, do të ishte fatal për demokracinë që ne kemi ëndërruar.
Në filmin “Aromë Gruaje” ka një finale të shkëlqyer ku Al Pacino, në rolin e një ushtaraku i cili ka humbur shikimin, i vetofruar si një prind kujdestar, mban një fjalë mbresëlënëse e kuptimplotë para aulës së një kolegji studentor, në mbrojtje të së vërtetës, së drejtës, integritetit e kurajës qytetare që përfaqëson një djalosh i thjeshtë, student e pa mbështetje pushteti apo paraje.

Rrethanat e vendosin këtë djalosh të brishtë, por me karakter, në një pozicion të vështirë, ku duhet të mbrohet nga përballja me kulisat e interesave të parasë e pushtetit, të pozicionuara në krah të prapësive, mashtrimit, shantazhit e blerjes së favoreve.

Është absolutisht një perlë e kinematografisë, vetë aktori i famshëm ka marrë çmim “Oscar” për këtë rol, por edhe një leksion shembullor për njerëzimin në mbrojtje e promovim të integritetit të qenies njerëzore. Nuk ka rrugë tjetër për të edukuar edhe një popull të tërë, përveç promovimit të së mirës, së drejtës dhe së vërtetës.
Është për të ardhur keq që Ambasadori i BE-së, Soreca, me gjuhën e drunjtë të përdorur zgjodhi indiferencën, injorimin e fakteve dhe mohimin e realitetit, si mesazh për shqiptarët në këtë Ditë simbolike të Europës, por edhe moment vendimtar për demokracinë në vendin tonë.

Ne besojmë se meritojmë më shumë.

/Monitor
 

Konkursi Letërsisë

  • Jeta pa ty

    Votat: 7 50.0%
  • Simfonia e bisedave tona

    Votat: 2 14.3%
  • Bora e parë

    Votat: 3 21.4%
  • Larg

    Votat: 2 14.3%
Back
Top