Loja me shifrat/ A kanë paguar të pasurit më shumë me Ramën

te-pasurit-1.jpg


Një nga gjërat të cilave Edi Rama po i trembet më shumë, është etiketimi që ka zënë vend si “kryeministri i të pasurve”, me të cilët ai ndan pushtetin e koncesioneve, PPP-ve, tenderave pa garë dhe lejeve të ndërtimit.

Pikërisht për këtë, në konferencën e zakonshme për shtyp të së martës, ai ka thirrur në ndihmë një grafik, që mëton të tregojë se gjatë qeverisjes së tij 8 vjeçare “oligarkët” kanë paguar më shumë se kurrë në buxhetin e shtetit.
“Ja sa para më shumë ka marrë shteti nga xhepi i më të pasurve. Plot 142% më shumë se në vitin 2013 kur qeveriste PD-ja”- tha kryeministri, i cili provokoi duke thënë se nëse fiton kjo opozitë, që flet e flet ditën kundër oligarkëve por flirton natën me ta, kjo shifër do të ulet nga taksa 9% që propozon Basha .

Në fakt, askush nuk mund të vërë bast se sa të fituar do të jenë oligarkët nga një fitore e mundshme e opozitës, por një gjë tashmë është e vërtetuar, qeverisja e rilindjes ka qenë plot bereqet për ta.
Shifrat dhe grafikët që nxjerr kryeministri janë manipulativë. Aty ai paraqet vërtet një grup të pasurish që kanë paguar më shumë taksa, por kjo ka ndodhur se nën regjimin e Ramës ata kanë fituar ekstremisht më shumë, duke e përqëndruar pasurinë e vendit vetëm në disa duar, që marrin çdo garë e tender pa konkurrencë, duke qenë të privilegjuar në treg.
Dhe nëse ka një argument që e nxjerr kallp shifrën dhe grafikun e kryeministrit, ai është fakti se hendeku i pabarazisë në mes të pasurve dhe të varfërve në këtë vend është shtuar gjatë qeverisjes socialiste.

Kur ishte në opozitë, Rama kishte si një nga slloganet kryesore zvogëlimin e pabarazisë mes të pasurve dhe të varfërve.
Por, me ardhjen e tij në pushtet, sipas Indeksit GINI, treguesit më serioz të matjes së pabarazisë në botë, dëshmohet se ajo u rrit. Vënia në funksionim e taksimit gjoja progresiv gjatë viteve 2014- 2018 tregon se pjesa e të ardhurave e përfituar nga 10%-shi më i varfër i popullsisë ra nga 3.7% në vitin 2012, në 2.9% në vitin 2014, në 3% gjatë viteve 2015- 2017. I njëjti tregues provon se 10%-shi më i pasur i popullsisë e rriti kontrollin e tij mbi të ardhurat që prodhon ekonomia nga 22.9% në vitin 2012 (niveli më i ulët që nga 1996) në 25.5% në vitin 2014, dhe 25% për vitet 2015- 2017.
Pra gjithçka është e qartë. Në pushtetin e Ramës të pasurit janë bërë më të pasur në raport me të ardhurat totale të vendit (pavarësisht nga grafikët e pagimit të taksave që nxjerr kryeministri) dhe të varfërit akoma më të varfër.
Këtë anomali e ka kuptuar edhe vetë Rama, i cili para se të fillonte pandemia, i ftoi 200 më të pasurit e vendit, për të kontribuar për komunitetin, me 2% të fitimeve të tyre. “Ju i keni dëgjuar ftesat për të djegur ndërmarrjet tuaja, bankat, bëhen ftesa për t’iu turrur shtëpive tuaja”, u tha Rama përfaqësuesve të 200 biznesmenëve më të mëdhenj, në tetor 2019.

Kryeministri iu propozoi atyre që të bëheshin lokomotiva morale të shoqërisë duke investuar nga paratë e tyre për më të pamundurit dhe më të vobektët. Propozimi i shefit të qeverisë, prezumonte dhënien e një shifre 2% të dividentit.
Edhe kur ra pandemia, Rama e përdori këtë retorikë anti oligarkike duke u bërë thirrje më të pasurve të shesin vilat dhe jahtet e tyre për të paguar punëtorët .


Por me mënyrën si e ka ngritur pushtetin e tij, ai përfundoi sërisht duke ndihmuar të pasurit preferencialë. Sikurse tregoi një investigim i BIRN, një grup i vogël prej 10 biznesesh, fituese të koncesioneve gjatë qeverisjes së Ramës, u bënë njëherazi përfituesit më të mëdhenj të kredive të subvencionuara nga qeveria për përballimin e pandemisë së COVID-19, duke thithur gati gjysmën e fondit të miratuar nga bankat.

©Lapsi.al
 

Attachments

  • te-pasurit-1.jpg
    te-pasurit-1.jpg
    44.6 KB · Shikime: 0
  • te-pasurit-1.jpg
    te-pasurit-1.jpg
    44.6 KB · Shikime: 0

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top