Leximet e Meshës dhe Lutja e besimtarëve,Ungjilli dhe Predikimi

Katoliku

Antar Aktiv
Leximi i parë (Urt 12, 13. 16-19)
Ti i dhuron mundësinë e pendimit të mëkatit.

Lexim prej Librit të Urtisë


Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka, që të kujdeset për të gjithë, para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt. E njëmend fuqia jote është parimi i drejtësisë e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave, pra edhe mundesh t’i kursesh të gjitha. Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë, kur s’besohet në gjithëpushtetësinë tënde dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s’të njohin.
Ti, ngaqë je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe: pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash. Duke vepruar në këtë mënyrë ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit.

Fjala e Zotit




Psalmi 86 (85)
Ref:
Ti je i mirë, o Zot, e na falë.

_____________________________
Ki mëshirë për mua, o Zot,
se gjithë ditën të thërras në ndihmë.
Dëgjoje, o Zot, lutjen time,
vështroje zërin e lutjes sime.
_____________________________
Të gjithë paganët prej teje të krijuar,
do të vijnë e do të adhurojnë, o Zot,
dhe do të madhërojnë Emrin tënd,
sepse ti je i madhërueshëm e bën mrekulli,
ti je i vetmi Hyj.
_____________________________
Por ti, o Zot, Hyj i mëshirshëm e i dhimbshëm,
i ngadalshëm në zemërim, plot dashuri e duresë,
shiko mbi mua e ki mëshirë për mua.
_____________________________



Leximi i dytë (Rom 8, 26-27)
Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, Shpirti Shenjt na ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë me lutje si duhet, por vetë Shpirti Shenjt lutet për ne me ofshamë të patregueshme. E Ai që i njeh zemrat, e di dëshirën e Shpirtit Shenjt ‑ se ai lutet për besimtarët ashtu si do Hyji.

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve
Tث DIELAT GJATث VITIT (6)

M: Vëllezër dhe motra, t’i lutemi Zotit, Atit tonë të mirë, për bashkësinë tonë famullitare, për ipeshkvin tonë, për popullin tonë, për mbarë Kishën Katolike, dhe për mbarë njerëzimin duke thënë:
O Zot, na dëgjo.
_____________________________
1)O Atë i mirë, Ti i njeh fare mire nevojat tona. Përgatite mendjen, zemrën dhe vullnetin tonë për kremtimin e meshës së shenjtë, të lutemi.
O Zot, na dëgjo.

2)O Jezu Krisht, ne nuk dimë se si të lutemi e çka të kërkojmë. Bashkëngjiti lutjet tona të varfra me uratën tënde, të lutemi.
O Zot, na dëgjo.

3)Ende ka shumë njerëz që nuk të kanë njohur Ty. Bëj që jeta jonë të jetë dëshmi tërheqëse që bota ta kuptojë se Ti je në Kishën dhe me Kishën tënde, të lutemi.
O Zot, na dëgjo.

4)Për hir të fëmijëve të pafajshëm dhe pleqve e plakave të vuajtura, ndale luftën kudo në botë. Bëj që njerëzit ta kuptojnë dhe ta shijojnë bukurinë e jetës së përbashkët ne falje, mirësi, mirëkuptim dhe dashuri, të lutemi.
O Zot, na dëgjo.

5)Mos lejo që fara e mirë të bjerret, por bëj që çdo frymëzim të zbatohet edhe në vepra të mira, të lutemi.
O Zot, na dëgjo.
_____________________________
M: O Atë i mirë dhe tejet i dashur, na dëgjo dhe na ndihmo në jetën e përditshme që mos të fyejmë Ty, dhe Kishën tënde, të mos turpërojmë famullinë dhe popullin tonë, por të mirën që e kemi njohur bëj që ta zbatojmë në jetë. Nëpër Krishtin Zotin tonë.

Amen​


Ungjilli (Mt 13, 24-43)
Lëni të rriten bashkë deri në të korra.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi.
Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. Shërbëtorët iu afruan të zotit të shtëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra? Ai u përgjigj: ‘Armiku e bëri këtë!’Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’ Jo ‑ u përgjigj ai ‑ se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin! Lërini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj për ta djegur, e grurin mblidheni në drithnikun tim!’“
Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër;
“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të saj.”
U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:
“Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell, derisa të mbruhet e gjitha.”
Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra që të plotësohej fjala e profetit: ‘Do të flas në shëmbëlltyra, do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’.
Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën: “Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.”
Ai u përgjigj: “Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Kortarët janë engjëjt. Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashënjyesit dhe ata që bëjnë keq, e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.
Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

Fjala e Zotit


Predikimi

PSE EKZISTON E KEQJA Nث BOTث?​

Besimtarë të dashur!

Njeriu qysh prej fillimit e përjetonte si një prej fshehtësive më të mëdha fshehtësinë e mëkatit, apo – me fjalë të tjera – gjithmonë shumë e mundonte pyetja: Pse ekziston e keqja në bote? Të gjitha religjionet mundoheshin të jepnin njëfarë përgjigjeje në këtë pyetje. Një prej përgjigjeve është edhe raporti biblik për mëkatin e parë, për mëkatin e Adamit dhe Eves.
Edhe leximet e sotme të Shkrimit shenjt merren me këtë problem – qesin pak më shumë dritë në këtë problematikë.
Për të zgjidhur deri diku problemin e ekzistencës e së keqes në botë, duhet para së gjithash të marrim para sysh këto fakte:

1)Zoti, Krijuesi i botës është absolutisht i mirë. Në të s' ka asgjë të keqe. Ai pra as nuk mund të krijonte të keqen në botë.

2)Zoti është i gjithëpushtetshëm. Ai është më i fortë se mëkati. Pse atëherë Zoti nuk e zhduk mëkatin dhe me të edhe çdo të keqe?

3)Zoti është dashuri. Ai me dashuri krijoi botën. Ai i do të gjitha krijesat e veta. Pse atëherë lejon që krijesat e tija të vuajnë, të pësojnë, t’i mundojë e keqja?

Në këto pyetje na përgjigjen leximet e sotme.

l)Pasi Zoti është i mirë, ai njeriun e ka krijuar të lirë – që të mund të vendoset lirisht për Të ose kundër Tij.

2)Pasi është i gjithëpushtetshëm, atij nuk i ngutet që ta zhdukë të keqen menjëherë. Ai mund të durojë. Ai ka kohë mjaft. Sepse më në fund gjithsesi gjyqi është në dorën e tij.

3)Pasi Zoti është dashuri, pasi i do krijesat e veta – ai ua jep mjaft kohë të kthehen, të pendohen për mëkatin e vet dhe me vullnet të lirë t'i shërbejnë prapë Atij, dhe kështu të shëlbohen.

Leximi i parë nga Libri i Urtisë thotë se edhe vetë pendimin për mëkate na e jep Zoti. Shën Pali në Letrën e vet Romakëve shkruan se vetë Shpirti Shenjt lutet për ne në shpirtin tonë me ofshame të patregueshme. Pra, vetë Zoti, sa i lejon vullneti ynë i lirë, realizon në ne shëlbimin tonë.

Por më së miri këtë na shpjegon Jezu Krishti me shëmbëlltyrën për egjrën e përzier me grurë. I zoti i shtëpisë nuk lejon që të shkulet egjra prej grurit – që mos të dëmtohet gruri. Ashtu vepron edhe Zoti: nuk lejon që e keqja të zhduket para kohe, sepse ashtu do të zhdukej edhe shumëkush prej atyre që pas do kohe do të pendoheshin dhe do të ktheheshin në rrugë të drejtë, e kështu do të shëlboheshin.

E për sa i takon së keqes – edhe mbarimi i saj dihet: sikurse bujku do ta djegë egjrën në ditë të korrjes, po ashtu edhe Zoti ditën e gjyqit të fundit do t’i ndajë të këqijtë prej të mirëve: të mirët do t’i shpërblejë me lumturinë e amshuar, kurse të këqijtë do t’i dënojë me mundimin e amshuar. Kështu do të dalë në pah edhe mirësia e Zotit, edhe pushteti i tij, si edhe drejtësia dhe dashuria e tij.

Dhashtë Zoti që, duke i pësuar të këqijat e kësaj bote, të meritojmë ta gëzojmë shpërblimin e të Madhit Zot ditën e gjyqit të tij të drejtë.

Amen.
 
E diela e XVII. Gjatë vitit – “A”

E DIELA E XVII. GJATث VITIT – “A” (27. 07. 2008)


Leximi i parë (1 Mbr 3, 5. 7-12)

Jepja, o Zot, urtinë shërbëtorit tënd!

Lexim prej Librit të Parë të Mbretërve

Në ato ditë, në Gabaon, Zoti iu shfaq Salomonit natën në ëndërr e i tha: “Kërko çka do që të jap unë!” Salomoni tha: “E tani, o Zot, Hyji im, ti e bëre mbret shërbëtorin tënd në vend të babait tim, Davidit. Mirëpo, unë jam djalosh i ri dhe nuk di si duhet mbretëruar. Shërbëtori yt është në mes të popullit që ti e ke zgjedhur për vete, të popullit e panumërt që nuk mund të njehet as nuk mund të numërohet për shkak të madhësisë. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër që di të mësojë, që të dijë ta gjykojë popullin tënd e të dijë ta dallojë të mirën prej së keqes. Sepse, kush është ai që do të mund ta gjykojë popullin tënd të madh?”
Zotit i pëlqeu kërkesa e tillë që Salomoni i bëri dhe Hyji i tha Salomonit: “Pasi ti kërkove këtë gjë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por kërkove urtësinë për të bërë drejtësi, ja, po bëj ashtu siç kërkove ti: po të jap mendje të kthjellët e plot kuptim kaq sa të tillë nuk e ka pasur askush para teje dhe s’do ta ketë askush pas teje si ti.”

Fjala e Zotit


Psalmi 119 (118)

Ref:Ligji yt, o Zot, është gëzimi im
____________________
Para se sprovova vuajtjen u enda larg teje,
por tani unë e mbaj fjalën tënde.
Më i mirë është për mua ligji yt
se me monedha ari e argjendi.
____________________
Le të më ngushëllojë, pra, përdëllimi yt
sipas premtimit që i dhe shërbëtorit tënd.
Ardhtë mbi mua mëshira jote e do të jetoj,
sepse ligji yt është kënaqja ime.
____________________
Oh, sa i dua urdhërimet e tua:
më tepër se arin, se gurin e çmueshëm.
Nergur i mbaj urdhërimet e tua të gjitha,
e urrej çdo udhë gënjeshtre.
____________________
Të mrekullueshme janë dëshmitë e tua,
prandaj i mban shpirti im.
Zbulesa e fjalëve të tua ndriçon:
të miturit i bën të urtë.
____________________

Leximi i dytë (Rom 8, 28-30)

Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ne e dimë se Hyji në gjithçka bashkëpunon me ata që e duan, me ata që, me vendimin e tij, janë të thirrur. Sepse ata që ka njohur që më parë, ata edhe i paracaktoi të jenë të ngjashëm me Birin e vet, kështu që Biri i tij të jetë vëllai i parë në mes të shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, ata edhe i grishi; ata që i grishi, ata edhe i shfajësoi, ata që i shfajësoi, ata edhe i lavdëroi.

Fjala e Zotit


Ungjilli (Mt 13, 44-52)
Mbretëria e Zotit – visar i fshehur.

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me visarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë. Mandej Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. Kur e gjen një perlë me vleftje të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.”
Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh. A i kuptuat të gjitha këto?” “Po!” – i përgjigjën ata. E ai u tha: “Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan zotështëpisë, që nxjerr nga visari i vet gjëra të reja e të vjetra.”

Fjala e Zotit





Predikimi


Mbretëria e Zotit – visar i fshehur

Shumë njerëz të sotëm, të cilët dëshirojnë të jenë “bashkëkohorë” dhe “modernë”, të cilët kujtojnë së janë shumë të mençëm, nuk tregohen mjaft të mençëm kur është në pyetje feja. Fenë s’mund ta kuptojnë sa duhet dhe sa dëshirojnë me arsye. Prandaj ose thonë se nuk besojnë, ose nuk duan të besojnë derisa t’u vërtetohen të vërtetat e fesë me argumente të cilat ata mund t’i kuptojnë. Kështu shpeshherë humbin një visar të paçmueshëm, sepse – si po na mëson Krishti në Ungjillin e sotëm – Mbretëria e Zotit (apo, me fjalë të tjera: përmbajtja e fesë sonë) është sikur visari i fshehur në arë. Kush ta gjejë, ai shet gjithçka ka, shkon dhe e blen atë arë – për ta fituar ashtu atë visar, i cili ia sjell lumturinë e jetës.
Prandaj, ata që nuk duan të besojnë në fjalën e Zotit janë sikur njeriu i cili ka dëgjuar për visarin e fshehur në një arë, por kurrsesi nuk do të shkojë në atë arë për ta kërkuar, sepse tutet se ashtu do të dalë qesharak. Ai pret argumente. Pret t’i vërtetohet se kush e ka fshehur visarin, kur e ka fshehur, sa, qysh, çfarë visari: ar, argjend, perla, të holla... E derisa ky i mbledh argumente, tjetri që ka dëgjuar të njëjtën gjë shkon, kërkon ditë e natë derisa ta gjejë. E kur ta gjejë, e merr dhe shkon. Kurse ai njeri i parë, kur rastësisht kalon nëpër atë ar, e sheh gropën e zbrazët, prapë do të vazhdojë të mendojë: a ishte aty visari i fshehur, apo njëfarë i marri mundohej kot duke e kërkuar.
Krishti një herë ka thënë: “Ku është visari yt, atje është edhe zemra jote.” Shikoni! Krishti nuk ka thënë: “Ku është mendja jote se atje është edhe visari apo pasuria jote”. Mendja jonë shpesh herë gabon. Prandaj duhet t’i lutemi Zotit sikurse lutej mbreti Salomon. Duhet t’i lutemi për urtinë, për arsyen e shëndoshë, për aftësinë që të kuptojmë se çka është për të mirën tonë, çka është e dobishme për shëlbimin tonë. Sepse Zoti bashkëpunon me të gjithë ata që e duan, për të mirën e tyre.
Shën Pali thotë se Zoti na ka paracaktuar për shëlbim. Na ka paracaktuar të bëhemi të ngjashëm me të Birin e tij Jezu Krishtin. Pasi na ka paracaktuar, ai edhe na ka ftuar, na ka shfajësuar dhe na ka lumturuar.
Ne pra duhet t’i përgjigjemi thirrjes së Zotit, kështu që ta pranojmë Mbretërinë e Zotit, e cila është në bashkim me Jezu Krishtin. Ta pranojmë ashtu sikurse e kanë pranuar apostujt e tij. Levi tagrambledhës (më vonë shën Mateu apostull) është munduar krejt jetën për të grumbulluar sa më shumë pasuri të kalueshme, materiale, por ajo nuk ia solli lumturinë. Kur u takua me Krishtin, kur e zbuloi në të visarin e fshehur të Mbretërisë së Zotit, la gjithçka pati dhe shkoi pas tij. Në të ka gjetur kuptimin e jetës së vet. Njësoj edhe shën Andreu Apostull, i cili – kur e gjeti Krishtin – nuk mund ta fshihte më gëzimin dhe lumturinë e vet, por menjëherë shkoi dhe ia solli Krishtit edhe vëllain e vet Simon Pjetrin. Njësoj ishte edhe me Filipin, Natanaelin etj. Pra, ata kanë gjetur visarin për të cilin ka folur Krishti. Për këtë arsye ishin të gatshëm për atë visar të flijonin gjithçka kishin, madje edhe jetën e vet.
Në qoftë se ne e kemi zbuluar ne Jezu Krishtin dhe në Mbretërinë e tij visarin tonë të fshehur, kuptimin e jetës sonë – atëherë është e pamundshme që zemra jonë të jetë indiferente dhe që besimi ynë mos ta shndërrojë jetën tonë në përkim me vullnetin e Zotit.
Dhashtë Zoti këtë hir secilit besimtar!
 
E DIELA E XVIII. GJATث VITIT - A (03. 08. 2008)​


Leximi i parë (Is 55, 1-3)
Ejani e hani.

Lexim prej Isaisë profet

Kështu thotë Zoti: “O ju të gjithë që jeni të etshëm, ejani tek ujët, e të vijnë gjithashtu edhe ata që s’kanë para! Bleni drithë e hani; ejani e bleni pa para e pa pagesë verë e qumësht! Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme!
Ma vini veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë! Me ju do të lidh Besëlidhje të përhershme, po, do t’i ruaj të mirat e Davidit.

Fjala e Zotit


Psalmi 86 (85)
Ref: Hape dorën tënde, o Zot, dhe ngije çdo krijesë.

_____________________________
Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
_____________________________
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty,
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
_____________________________
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi.
_____________________________



Leximi i dytë (Rom 8, 35. 37-39)
Asnjë krijesë nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit në Krishtin.


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur.
Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë.

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve
Tث DIELAT GJATث VITIT (7)

M: Të bashkuar si vëllezër dhe motra rreth Sofrës hyjnore, si mysafirët e Krishtit, në Shtëpinë e Atit tonë, të lutemi me mendje dhe me zemër duke thënë:
Të dua Ty, o Zot.​
----------

1)O Jezu, ti ke thënë: Jo secili që më thotë: O Zot, o Zot do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por vetëm ai që e kryen vullnetit e Atit tim qiellor. Bëj që ta njohim dhe plotësojmë vullnetin e Atiti, të lutemi.
Të dua Ty, o Zot.​
----------

2)O Jezu, ti i ke thënë Martës: Martë, Martë, ti po brengosesh dhe shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, e nevojshme është vetëm një. Mos lejo që puna jonë familjare, profesionale të na ndajë prej Teje dhe prej Kishës, të lutemi.
Të dua Ty, o Zot.​
----------

3)O Jezu, na ndihmo ta njohim sa më mirë vetveten, të tjerët në dritën e të vërtetës dhe dashurisë tënde, të lutemi.
Të dua Ty, o Zot.​
----------

4)O Jezu, ne i pranojmë të gjitha mëkatet tona dhe të penduar të kërkojmë falje. Mos lejo të ndalemi vetëm te hapi i parë i pranimit, por të vijmë deri te përmirësimi, të lutemi.
Të dua Ty, o Zot.​
----------

5)O Jezu, takimi me Ty le të jetë begatim shpirtëror për ne, që sa më tepër të aftësohemi për t’u takuar dhe bashkuar me të afërmit tanë, të lutemi.
Të dua Ty, o Zot.​
---------

M: O Jezu Krisht, Zot e Njeri, ti erdhe në botë për shëlbimin e mbarë njerëzimit. Të falënderojmë për kujdesin dhe dashurinë tënde. Prano uratën, vullnetin, jetën tonë dhe vepro me ne gjithnjë për të mirën e njeriut të sotshëm. Ti që jeton dhe mbretëron përgjithmonë.

Amen.


Ungjilli (Mt 14, 13-21)
Të gjithë hëngrën e u nginë.


Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, kur Jezusi dëgjoi për vdekjen e Gjon Pagëzuesit, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar ‑ në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij në këmbë prej qyteteve. Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre.
Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë: “Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëri njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.” Jezusi u përgjigj: “Nuk është nevoja të shkojnë: jepuni ju të hanë!” Ata iu përgjigjën: “S’kemi këtu veçse pesë bukë e dy peshq.”
Jezusi vijoi: “M’i sillni këtu!”
Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar. I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës.
Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj.

Fjala e Zotit


Predikimi
Besimtarë të dashur!

Jepnu ju të hanë!​

Vëllezër e motra, faleminderit Zotit se sot në mesin tonë gati askush nuk është aq i varfër, sa që të dëshirojë të ngihet me bukë. Bukë kanë të gjithë. Por, mos të harrojmë se nuk është kështu gjithkund. Të paktën një e treta e botës edhe sot është e unshme. Shumëkujt edhe sot i mungojnë sendet elementare për të mbijetuar. Mungon buka, mungon uji, mungojnë ilaçet, mungojnë banesat... Njerëzit e tillë kanë nevojë për ndihmë. Jo vetëm për ndihmën e Zotit, për të cilën kemi nevojë të gjithë, por edhe për ndihmën tonë. Mirëkuptimi dhe organizimi i mirë i njerëzve mund të japin ndihmë të madhe.
Ndërkaq, edhe pse ne kemi shtëpinë, apo banesën tonë, megjithëse kemi ushqime dhe pije, kemi edhe veshmbathje dhe shumë të mirë tjera – megjithatë nuk ka njeri që nuk i mungon asgjë. Dikujt i mungon shëndeti, dikujt prindi, dikujt fëmija, dikujt bashkëshorti ose bashkëshortja, dikujt miku e dashamiri, dikush ka humbur të gjitha shpresat në një jetë më të mirë. Gjithkush, edhe ata që janë më të lumtur, dëshirojnë të jenë edhe më të lumtur. Dmth. edhe atyre diçka u mungon.
Për shumicën e të mirave është kujdesuar vetë Zoti. Ai të gjithëve na ka dhënë jetën, arsyen, vullnetin, aftësinë për të punuar dhe për të zbukuruar jetën tonë edhe më tepër. Na ka falur tokën, ujin, ajrin, diellin dhe të gjitha të mirat e nevojshme për jetë. Ne vetëm duhet t’i shfrytëzojmë të mirat që na i ka falur Zoti – dhe në qoftë se i ndajmë me drejtësi, dhe në qoftë se veprojmë me mend, askujt asgjë nuk duhet t’i mungojë.
Por, mjerisht, ne jemi të padrejtë, egoistë. Secili lakmon për vete dhe për familjen e vet. Secili dëshiron të ketë më shumë se tjerët, të jetë mbi të tjerët, t’i sundojë dhe t’i shfrytëzojë të tjerët për interesa të veta. E për këtë arsye lindin armiqësitë, grindjet dhe luftërat. Kemi ardhur në një pozitë të palakmueshme, kur njerëzit më nuk shohin rrugëdalje. Mirëpo, çdo besimtar është i vetëdijshëm se Zoti është i gjithëdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm dhe se Zoti mund t’ia kthejë botës paqen, mirëkuptimin dhe mirëqenien.
Po, e vërtetë është se vetëm Zoti mund të bëjë këtë mrekulli, të pamundshme për njeriun. Por, sikurse kemi dëgjuar në Ungjillin e sotëm, Zoti për një mrekulli të tillë kërkon bashkëpunimin tonë. Ai nuk kërkon prej nesh që ne të bëjmë mrekulli. Ne nuk jemi të aftë për një gjë të tillë. Krishti nuk kërkon të bëjmë as punë të mëdha. Kërkon vetëm atë çka ne mund të bëjmë, në qoftë se duam. Krishti nuk kërkon 5000 bukë, por të gjitha bukët që nxënësit i kanë. Ata një herë patën 5 bukë, dhe ato 5 bukët Krishti i shumëzoi për t’i ushqyer 5000 vetë. Tjetër herë patën 7 bukë. Me aq sa patën Krishti ushqeu të gjithë ata që kishin nevojë – dhe çdo herë ushqimi teproi.
Ky është mësim shumë i rëndësishëm për ne! Mos të ankohemi kot! Mos të humbim shpresat! Zoti kujdeset për ne. Zoti krejt botën e ka në dorë. Por Zoti kërkon domosdo edhe bashkëpunimin tonë, kontributin tonë. Jo pa masë, por aq sa kemi. Jo shumë, por krejt çka kemi. E atëherë askujt nuk do t’i mungojë asnjë gjë, që është e domosdoshme për këtë jetë, apo për jetën e amshuar.
Mos e kurse bukën tënde, në qoftë se mund ta ngish të unshmin. Mos i kurse teshat e tua, në qoftë se mund ta veshësh të zhveshurin. Mos e kurse gojën tënde, në qoftë se mund ta këshillosh të habiturin, apo ta mësosh të padijshmin. Mos e kurse fjalën tënde në qoftë se duhet ta qortosh mëkatarin. Por edhe më tepër ji bujar dhe zemërgjerë për të dhënë përkrahje, lëvdatë dhe falënderim për punë të mira që i sheh rreth vetes. Mos e kurse kohën tënde në qoftë se mund ta ngushëllosh të pikëlluarin, apo ta shoqërosh të braktisurin. Angazhoji edhe shokët e tu, për të vepruar së bashku për të mirën e të afërmit. Atëherë krejt bashkësia do të jetë më e gëzueshme, më e shëndoshë dhe më e lumtur. Askush nuk do të vuajë pa nevojë, e ai që s’ka rrugëdalje tjetër, do ta pranojë kryqin e vet me gëzim, i lumtur se krejt bashkësia e vëllezërve dhe e motrave të tija i ndihmon në bartjen e kryqit të tij.
S’ka gëzim më të madh sesa t’i ndihmosh të afërmit në bartjen e kryqit të tij. Kjo ndihmë krijon dhe zhvillon dashurinë ndërmjet njerëzve dhe njëkohësisht është burim i bekimit të begatshëm të Zotit për të dy palët. Dhashtë Zoti që secili prej nesh të bashkëpunojë me hirin e Zotit në zhdukjen e urisë dhe etjes së botës dhe në ngritjen e mirëqenies së të gjithë njerëzve me të cilët jetojmë!

Qoftë lëvduar Jezu Krishti!
A m e n.​
 
E DIELA E XIX. GJATث VITIT - A (10. 08. 2008)


Leximi i parë (1 Mbr 19, 9. 11-13)

Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit.​

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në ato ditë, si arriti në malin Horeb, Elia natën e kaloi në shpellë. Dhe, ja, iu drejtua fjala e Zotit e i tha: “ا’bën këtu, Eli? Dil jashtë e qëndro në mal para Zotit.” Dhe ja po kalonte Zoti! Para tij e çua një stuhi: erë e fortë! Tundte malet e thërrmonte qetat para Zotit: por Zoti nuk ishte në stuhi! Pas stuhisë ra tërmeti! Por Zoti nuk ishte në tërmet! Pas tërmetit erdhi zjarri! Por Zoti nuk ishte në zjarr! Pas zjarri një puhi fryme të hollë.
Kur e dëgjoi këtë Elia, e mbuloi fytyrën me leshnik, doli jashtë dhe qëndroi në derën e shpellës.

Fjala e Zotit.



Psalmi 85 (84)
Ref: Na e jep, o Zot, paqen e pranisë sate

_____________________________
Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër kthehen.
Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.
_____________________________
Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga tokae drejtësia do të shikojë prej qiellit.
_____________________________
Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.
_____________________________


Leximi i dytë (Rom 9, 1-5)
Do të dëshiroja unë vetë të isha i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi.​


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, them të vërtetën në Krishtin – nuk rrej – dëshmitare e kam ndërgjegjen time bashkë me Shpirtin Shenjt: ndiej në zemër një trishtim të madh dhe dhimbje të vazhdueshme. Po, do të dëshiroja unë vetë të isha i mallkuar, i ndarë prej Krishtit, në vend të vëllezërve të mi, në vend të bashkëkombëtarëve të mi për kah gjaku. Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, lavdia, besëlidhjet, ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyj i bekuar në shekuj. Amen.

Fjala e Zotit



Lutja e besimtarëve

M. Vëllezër e motra, të tërhequr nga shembulli i Jezusit që tërhiqet për tu lutur, edhe ne jemi të thirrur tani t’ia paraqesim Hyjit Atë në lutje, nevojat tona për jetën e çdo dite. Të lutemi së bashku e të themi:

O Zot, na shpëto.​
----------

1) Për Kishën, që u përhap Ungjillin të gjithë popujve të tokës, që ashtu si Pjetri, e mbështetur nga Jezusi të ecë mbi detin e stuhishëm të historisë duke besuar në praninë e Zotit të saj Mësues. Të lutemi.

O Zot, na shpëto.​
----------

2) Për ata që vuajnë si shkak i dhunës dhe i shtypjes, që atyre tu njihet e drejta për të ndërtuar me dinjitet të plotë të ardhmen e tyre, sipas planit të Hyjit. Të lutemi.

O Zot, na shpëto.​
----------

3) Për të gjithë ata që jetojnë në provë dhe humbasin besimin, që të jenë të inkurajuar nga fjala e Jezusit drejtuar apostujve: “Jam unë, mos kini frikë”. Të lutemi.

O Zot, na shpëto.​
----------

4) Për të gjithë ne, që në familje dhe në punë, në kënaqësi dhe në pushim të ndjejmë gjithmonë praninë ngushëlluese të Hyjit Atë. Të lutemi.

O Zot, na shpëto.​
----------

M. O Atë, që dëgjon gjithmonë bijtë e tu dhe shtrin dorën mbi ata që kanë nevojë që jetojnë në ujrat e vështira të provës, bëj që të eksperimentojmë mirësinë tënde të pafund dhe dhuratën e Pranisë sate të shenjtë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.

Amen.


Ungjilli (Mt 14, 22-33)
Urdhëro e unë do të vij te ti përmbi ujë.​

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Pasi që e ngiu turmën, Jezusi u urdhëroi nxënësve të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndajë popullin. Jezusi, si nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.
Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valësh, sepse frynte era e kundërt. Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. Kur nxënësit e hetuan duke ecuri përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. Por, menjëherë Jezusi u tha: “Zemër, jam unë, mos kini frikë!”
Pjetri përgjigji: “Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!” “Eja!” – i tha.
Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë, dhe bërtiti: “Më shpëto, o Zot!” Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha: “Fepakët! Përse dyshove?!”
Kur hynë në barkë, pushoi era. Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë: “Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”

Fjala e Zotit





Predikimi

Besimtarë të dashur!

Zoti I zbulohet zemrës së pastër dhe të qetë​

Vëllezër e motra, qoftë lëvduar Jezu Krishti!
Ju uroj paqe dhe çdo të mirë prej Zotit!

Krejt bota dhe krejt jeta jonë është në dorën e Zotit – prej realiteteve më të mëdha, e deri te ngjarjet më të vogla. Këtë të vërtetë e kuptojnë të gjithë ata që sado pak kanë njëfarë ideje për Zotin.
Megjithatë ne shpeshherë e keqkuptojmë Zotin. E dimë se Ai është i madh, i gjithëdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm – e kjo është e vërtetë. Por ne gabojmë kur madhërinë, urtinë, fuqinë dhe pushtetin e Zotit e krahasojmë dhe e matim me masa dhe me cilësi përkatëse njerëzore. Njeriu nuk është as hija e Zotit. Prandaj gjithmonë kur e imagjinojmë Zotin në përngjasim të njeriut, gabojmë!
Njeriu është krijuar në përngjasim të Zotit, e jo Zoti në përngjasim të njeriut. Për këtë arsye çdo krahasim i Zotit me njeriun çalon dhe nuk e qëllon realitetin.
Si çdo njeri, po ashtu edhe shën Elia profet ka pritur që Zoti t’i dëftohet në ndonjë dukuri madhështore, mbinatyrore. E ka pritur në stuhi të tmerrshme, por Zoti nuk iu zbulua në stuhi. Erdhi tërmeti, që po ashtu është një dukuri e jashtëzakonshme natyrore, por Zoti nuk iu dëftua as në tërmet. Edhe zjarri është madhështor: djeg male, shtëpi, qytete; shkrin gurin e metalin; shkatërron çdo gjë. Grekët e vjetër besonin së zjarri ka ardhur prej qiellit, prej hyjnive. Madhërisë së Zotit do t’i përshtatej dëftimi në zjarr, mendonte Elia. Por Zoti nuk tregohet as në zjarr.

Kur dhe ku u dëftua Zoti?

Vetëm kur gjithçka u qetësua, kur kaloi çdo tmerr dhe çdo dukuri madhështore, kur nisi të fryjë era e lehtë, e këndshme, e qetë, që krijon kënaqësi, paqe, qetësi, pushim prej çdo tmerri e çdo rreziku – atëherë, në atë puhi të lehtë Zoti i dëftohet Elisë. Ai nuk e tmerron. Nuk e vret. Nuk e qorton. Nuk i urdhëron me rreptësi, por e pyet: “Pse erdhe këtu?”
Shikoni: çfarë mrekullie! Zoti pyet. Zoti pret përgjigjen. Zoti dëgjon. Zoti ka kohë. Zotit nuk i ngutet! E lë Elinë që të qetësohet, të mendojë pse vjen në atë shkretëtirë. E lë që të formulojë ankesën e vet, të vetëdijesohet se për çka jeton, kujt i shërben, ku është kuptimi i jetës së tij, ku është vendi i tij.
E vetëm pastaj ia jep urdhrin sesi të vazhdojë shërbimin e vet dhe i tregon kë të shugurojë për pasardhësin e vet. Sepse nuk mbaron feja me Elinë. Nuk mbaron profecia me vdekjen e tij. Zoti veprën e vet do të vazhdojë nëpërmjet një profeti tjetër. Elinë do ta trashëgojë Elizeu. Por jo vetëm profeti, por edhe mbretërit e Izraelit, si edhe mbretërit paganë do ta kryejnë vullnetin e Zotit. Edhe ata i cakton dhe i shuguron Zoti. Ata ndoshta nuk janë as të vetëdijshëm se kush e drejton jetën e tyre, por Zoti gjithçka kaherë e ka paraparë, gjithçka ka parashikuar, gjithçka ka caktuar që prej amshimit. Njeriu do të jetë i lumtur vetëm në qoftë se me besim të plotë i dorëzohet vullnetit të Zotit.
Ungjilli na tregon se as Shën Pjetri nuk kishte kuptuar mirë se kush është Zoti dhe kush është Krishti. Edhe atë më tepër e fascinonte forca e stuhisë dhe e tmerronte rreziku i mbytjes në det – sesa gjithëpushtetësia e fshehtë e Zotit, të cilën e ka në dorë Jezu Krishti, Biri i Tij. Vetëm kur Krishti e shpëtoi, shën Pjetri dhe apostujt kuptuan se Zoti me të vërtetë sundon mbi të gjitha fuqitë natyrore dhe mbinatyrore.
Sa më shpesh gabojmë ne kur na duket se Zoti u ndihmon të fortëve, të pasurve, të dijshëmve, të shëndoshëve, të mëdhenjve – duke menduar se nuk na ndihmon aq fort neve, apo nuk është aq afër nesh. Gabim! Zoti është më afër nesh kur nuk e shohim, sesa kur na duket se e shohim dhe e ndiejmë afërsinë e tij.
Kisha e Krishtit gjatë tre shekujve të parë të krishterimit ecte nëpër histori si Krishti dhe shën Pjetri mbi ujëra të detit: nuk kishte kurrfarë mbështetje tjetër, përveç besimit të palëkundshëm në Zotin. Nuk kishte përkrahje as nga shteti, as nga shoqëria. Nuk kishte as pasuri, as shumë intelektualë, as shumë anëtarë, as fuqi ekonomike, as atë politike. E prapëseprapë faqet më të bukura të historisë së Kishës janë pikërisht prej këtyre tre shekujve të parë të krishterimit – sepse Kisha ishte mbështetur plotësisht në Zotin dhe vetëm në Zotin.
Të njëjtën përvojë e kanë edhe bashkësitë rregulltare, të cilat në fillim nuk kishin asgjë, përveç idealit të vet të besimit të plotë në Provaninë e Zotit dhe të shërbimit të afërmit. Provania e Zotit ua siguronte lulëzimin më mirë se institucionet më të forta shoqërore dhe shtetërore.
Gati të njëjtën përvojë e kanë edhe gati të gjithë bashkëshortët e rinj, të cilët në fillim nuk kanë asgjë, përveç shpresës në Zotin dhe dashurisë ndaj njëri-tjetrit. Dhe ditët më të lumtura të jetës së tyre zakonisht janë pikërisht ato kur nuk kanë tjetër mbështetje, përveç Zotit. Posa fillojnë të mbështeten në forcat e veta, në pasurinë e vet dhe në aftësitë e veta, fillojnë grindjet, përçarjet, mosmarrëveshjet, pakënaqësia – deri te rreziku i shkatërrimit të familjes.
Pra edhe sot Zoti na dëftohet në heshtje, në qetësi, në lutje, në paqe, në atmosferë pajtimi, mirëkuptimi dhe durese – e assesi në manifestime fuqie, force, pushteti, dhune, apo çfarëdo lloji sundimi. Zoti është dashuri, mirësi e butësi – dhe vetëm në atmosferë të tillë na zbulohet, vetëm në atmosferë të tillë mund ta njohim.
Prandaj t’u shmangemi të gjitha formave të vrazhda në marrëdhënie tona shoqërore. Të mundohemi ta zbulojmë praninë e Zotit në rrethana më të thjeshta të jetës: në kohën e mirë, në një lule pranë rruge, në përshëndetje të ëmbël, në fjalë të butë, në fëmijën e vogël, në plakun e lodhur, apo në lutje të qetë në vetmi. Zoti është i pranishëm edhe në të gjitha rrethana tjera, por më shumë i pëlqen të na dëftohet dhe të na zbulohet në ato më të thjeshta, që prekin zemrën e pastër, e aspak nuk u bien në sy njerëzve mendjemëdhenj.
Dhashtë Zoti që ta zbulojmë të gjithë dhe që vazhdimisht të shoqërohemi me Të! Amen.

Qoftë lëvduar Jezu Krishti!
 
EDIELA E XX. GJATث VITIT - A​
(17. 08. 2008)


Leximi i parë (Is 56, 1. 6-7)
Do t’i shpie ardhacakët në Malin tim të shenjtë.

Lexim prej Librit të Isaisë profet


Kështu thotë Zoti: “Mbani të drejtën e zbatoni drejtësinë, sepse shëlbimi im është duke ardhur e s’vonon të dëftohet drejtësia ime. Kurse bijtë e ardhacakut, që do t’i mbështeten Zotit për ta adhuruar atë, për t’ia dashur emrin Zotit, për të qenë shërbëtorët e tij, të gjithë ata që do ta ruajnë të shtunën e nuk do ta çnderojnë, që do ta mbajnë besëlidhjen time, do t’i shpie në malin tim të shenjtë dhe do t’i gëzoj ata në shtëpinë e uratës sime; flitë e shkrumbimit e theroret e tyre do të jenë të pëlqyeshme mbi lterin tim, sepse shtëpia ime do të quhet Shtëpi Urate për të gjithë popujt.”

Fjala e Zotit.


Psalmi 67 (66)

Ref:
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj.

_____________________________
Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,
bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,
që në tokë të njihet udha e tij,
në të gjitha kombet shpëtimi i tij.
_____________________________
Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,
sepse popujt i gjykon me drejtësi,
sepse kombet mbi tokë ti i sundon.
_____________________________
Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,
mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!
Na bekoftë Hyji!
Frikë e paçin mbarë skajet e botës!
_____________________________


Leximi i dytë (Rom 11, 11-15. 29-32)
Dhuratat dhe grishja e Hyjit nuk tërhiqen.


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve


Vëllezër, unë si apostull i paganëve do të jem i lumtur në shërbesën time nëse do t’i nxis në xhelozi ata të gjakut tim e nëse do të mund të shëlboj ndonjë ndër ta. Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, çka thua do të jetë atëherë pranimi i tyre në fe, në qoftë se jo kalim prej vdekjes në jetë? Sepse dhuratat e Hyjit nuk tërhiqen.
Dhe njëmend, sikurse ju dikur nuk iu bindët Hyjit, e tani, për shkak të padëgjesës së tyre, fituat mëshirën, ashtu edhe ata tani, për shkak të mëshirës suaj, u bënë të padëgjueshëm, në mënyrë që edhe ata ta fitojnë mëshirën. Pra, Hyji i ka ndryrë të gjithë njerëzit në padëgjesë, që të ketë mëshirë për të gjithë.

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve


M.Vëllezër e motra, të dashur, vendi ku jemi mbledhur është shtëpia e lutjes për të gjithë; në emër të të gjithë njerëzimit, t’ia drejtojmë Hyjit lutjen tonë. Të lutemi së bashku e të themi:

O Zot, ki mëshirë për ne.
----------

1) Që Kisha të jetë vendi ku askush s’është i huaj dhe çdo bir i saj të angazhohet për të shembur muret e paragjykimeve dhe të ndarjes. Të lutemi.

O Zot, ki mëshirë për ne.
----------

2) Që të kultivohet gjithmonë dialogu mes Besimeve, veçanarisht me vëllezërit tanë hebrenj, që Hyji “zgjodhi së pari mes të gjithë njerëzve për të pranuar fjalën e tij”. Të lutemi.

O Zot, ki mëshirë për ne.
----------

3) Për prindërit që shohin fëmijët e tyre duke u larguar nga shtëpitë, për arsye të drogës, kriminalitetit dhe të shoqërisë së keqe, që të ndjekin shembullin e gruas kananease që nuk lodhet duke i kërkuar Krishtit shërimin e së bijës. Të lutemi.

O Zot, ki mëshirë për ne.
----------

4) Që Zoti të shërojë besimin tonë nga ftohtësia dhe ta bëjë të guximshëm si atë të gruas së Ungjillit. Të lutemi.

O Zot, ki mëshirë për ne.
----------

M. Atë i Shenjtë, shikoje me të mirë besimin e bashkësisë sonë, na vish me ndjenjat e Krishtit dhe na ndihmo ta dëshmojmë me jetën tonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.


Ungjilli (Mt 15, 21-28)
O grua, e madhe është fejas jote!​

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut


Në atë kohë, Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. Dhe, ja një grua nga Kananeja, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë e të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” Por ai nuk i përgjigji fare.
Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nder e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!”
Ai u përgjigji: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”
Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!” Jezusi i përgjigji: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua qesësh këlyshëve të qenve.”
“Po, o Zot – shtoi ajo – se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”
Atëherë Jezusi i përgjigji: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Në atë moment u shërua bija e saj.

Fjala e Zotit



Predikimi

Besimtarë të dashur!


Të gjithë keni dëgjuar ngjarjen prej Ungjillit se si Jezusi e shpërblen fenë e gruas Kanaane. Kush ishte ajo grua, dhe pse Jezusi menjëherë nuk ia shëroi të bijën? Gruaja kanaane ishte prej një populli pagan – nuk ishte Izraelase. Kur erdhi ajo të kërkojë ndihmë prej Jezuesit, ajo punë ishte më e çuditshme se sa kur do të vinin muslimanët ose paganët të kërkonin ndihmë në Kishën Katolike. Ata që janë prej popujve që nuk besojnë në Krishtin, sipas mendimit të shumë katolikëve s’kanë çka të lypin në Kishën e Krishtit.
Kështu diçka ishte edhe me gruan kanaane. Dhe, kuptohet, Jezusi nuk u përgjigj aspak, sepse ai nuk është dërguar paganëve, por izraelasve. Ai ndihmon besimtarëve, e jo atyre që s’kanë fe.
Edhe apostujt e lusin Jezusin që ta ndihmojë, që mos t’i mërzisë më, por Jezusi nuk ndihmon as në lutjen e tyre. Kur ndihmoi Jezusi? – Kur e ka parë fenë e gruas. Kur gruaja pranoi se Jezusi s’ka për detyrë ta ndihmojë, sepse me të vërtetë duhet të kujdesohet më së pari për popullin e zgjedhur të Zotit, por ajo e lut që t’ia japë të paktën aq sa u bie qenve prej tryezës së fëmijëve. Këto fjalë dolën prej burimit të fesë së zjarrtë, të cilën Jezusi menjëherë e lëvdoi dhe po në atë moment ia plotësoi dëshirën.

اka na mëson ky tregim?

Më së pari na mëson se Mbretëria e Zotit, të cilën Krishti e predikon, nuk është rroga, të cilën Zoti ka me borxh t’ua japë besimtarëve të vet, por ajo gjithmonë është dhuratë e dashurisë së Zotit ndaj nesh, të cilën ne e pranojmë me besim dhe me falënderim, e jo me pretendim se ajo na takon si meritë, apo shpërblim. Feja jonë vetëm është kusht që të mund të pranojmë dhuratën e Zotit.
P. sh. ti dëgjon se dikush të ka dërguar letrën e rekomanduar. Duhet vetëm të shkosh në postë për ta marrë. Letra të sjell një lajm shumë të mirë dhe të gëzueshëm. Ti nuk e meritove atë letër, as nuk e paguan. Ajo të vjen falas. Megjithatë nuk do ta marrësh nëse nuk beson se ajo ka ardhur dhe nëse nuk shkon në postë për ta marrë. Nëse ti nuk beson lajmëtarit dhe nëse nuk shkon në postë, dashamiri yt kot ta ka dërguar letrën. Ti nuk do ta fitosh, pasi nuk beson. Kështu diçka është edhe me dhuratat e Zotit. Ti ato i fiton falas, nëse beson. Nëse nuk beson, mund të lodhesh sa të duash, nuk do të fitosh asgjë.
I dyti mësim është ky: Pasi Mbretërinë e Zotit e fitojmë falas, pa merita tona, atëherë nuk jemi vetëm ne trashëgimtarë të saj, por secili njeri që beson në Zotin. Sepse që Besëlidhja e Vjetër thotë se edhe të bijtë e të huajve do të vijnë në malin e shenjtë të Hyjit, dhe shtëpia e Zotit do të quhet “shtëpi urate për të gjitha kombet”.
S’ka njeri të privilegjuar. Para Zotit nuk është më i madh as më i mirë izraelasi se egjiptiani, shqiptari se serbi, turku se egjiptiani, evropiani se afrikani, amerikani se kinezi. Të gjithë njerëzit para Zotit janë të njëjtë. I dallon vetëm feja. Prej secilit komb secili njeri që beson në Zotin dhe në Birin e tij Jezu Krishtin, shëlbuesin tonë, do të shëlbohet. Njësoj: prej secilit komb asnjë njeri që nuk beson në Zotin dhe nuk i kryen ato vepra që i kërkon Zoti dhe ndërgjegjja e tij, nuk do të shëlbohet – pa marrë para sysh prej të cilit komb do të ishte dhe pa marrë para sysh në të cilën organizatë fetare mund të jetë. Sepse asnjë prej atyre që veprojnë kundër ligjit të Zotit dhe kundër ndërgjegjes së vet, nuk është besimtar, edhe pse ashtu quhet dhe vetë thotë se beson. Beson vetëm ai që tregon fenë e vet me vepra – ashtu sikurse e tregoi gruaja kanaane, me sinqeritet dhe me përvujtëri.
Kisha prej nesh sot kërkon që secili besimtar të jetë “dëshmitar i ringjalljes dhe i jetës së Zotit tonë Jezu Krishtit dhe shenjë e Hyjit të gjallë (LG 38). A jemi ne dëshmitarë të tillë. A dalim ne çdo të diele pas meshe prej kishe më katolikë dhe më të gatshëm që të jetojmë bashkë me njerëz të tjerë, me popuj të tjerë, me religjione të tjera, me njerëz që mendojnë ndryshe? A jemi të gatshëm të pranojmë secilin njeri në bashkësinë e besimtarëve të Krishtit, sepse shohim se Krishti u ndihmon edhe paganëve që me gjithë zemër besojnë në të? Nëse nuk jemi të tillë, t’i hapim zemrat tona dhe të ndihmojmë të gjithë njerëzve me të cilët takohemi të kthehen kah Krishti, të kenë besimin e pakufishëm në të, që të mund të marrin edhe shpërblimin e tij – Mbretërinë qiellore.

A m e n.
 
Redaktimi i fundit:
E DIELA E XXI. GJATث VITIT – “A” (24. 08. 2008)

Leximi i parë (Is 22, 19-23)
Mbi shpatullën e tij do ta vë çelësin e shtëpisë së Davidit.​

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Kështu thotë Zoti Sebnës: “Do të të heq prej vendit tënd, do të të shkarkoj prej detyrës sate. Shërbëtorin tim do ta ftoj atë ditë, Eliakimin, birin e Helcisë, do t’ia vesh unë petkun tënd, do ta ngjesh me brezin tënd, do t’ia dorëzoj pushtetin tënd. Do të jetë baba për banorë të Jerusalemit e për shtëpinë e Judës. Mbi shpatullën e tij do të vë çelësin e shtëpisë së Davidit; ai do të çelë e askush s’do të mbyllë, ai do të mbyllë e askush s’do të çelë. Si gozhdë do ta ngul në një vend të fortë e do të jetë fron lavdie i shtëpisë së babait të tij.

Fjala e Zotit.


Psalmi 138 (137)
Ref:
Mos na braktis, o Zot, për dashurinë e besnikërinë tënde.

_____________________________
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit tënd të shenjtë.
_____________________________E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë, ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë.
_____________________________Sepse i Lartë është Zoti e i shikon të përvujtët
e prej së largu i dallon krenarët.
E amshueshme është, o Zot, mirësia jote:
mos e përbuz veprën e duarve të tua!
_____________________________


Leximi i dytë (Rom 11, 33-36)
Gjithçka është prej Tij, nëpër Të dhe për Të.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve


O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tij, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tij! E njëmend, ‘kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar? Kush i dha Atij më parë që të jetë detyrë t’i kthehet?’
Sepse, gjithçka është, është prej Tij, nëpër Të dhe për Të. Qoftë lavdëruar përgjithmonë e jetës! Amen!

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve

Tث DIELAT GJATث VITIT (8)

M.Vëllezër e motra, Mesha është kulmi i lutjes dhe burimi i jetës me Zotin dhe me të afërmin. Me zemër të çiltër të ndezur në dashuri, të lutemi.

Fol, o Zot, ne të dëgjojmë.​
----------

1)Foli, o Zot, mendjes, vullnetit, ndjenjave tona. Fjala jote le të jetë dritë dhe udhë për këmbët tona, të lutemi.

Fol, o Zot, ne të dëgjojmë.​

2)Ti ke thënë: prej fryteve të tyre do t’i njihni. Bëj që fjala jote të zbërthejë në vepra bujarie, mirësie, dashurie, shërbimi dhe flijimi, të lutemi.

Fol, o Zot, ne të dëgjojmë.​

3)Ti na flet gjithmonë nëpërmjet Biblës, Kishës dhe ndërgjegjes sonë. Bëj që të jemi të kujdesshëm ndaj Teje, të lutemi.

Fol, o Zot, ne të dëgjojmë.​

4)Jeta e përditshme na shqetëson dhe na shurdhon me lajme të ndryshme, shpeshherë të zeza dhe të kobshme. Shtoje në ne fenë, shpresën dhe dashurinë, sidomos kur gjendemi në vuajtje dhe mjerime, pikëllime, të lutemi.

Fol, o Zot, ne të dëgjojmë.​

5) Psalmisti lutet kështu: nëse ti nuk flet, unë ndihem si në varr. Bëj që të kemi sa më shumë meshtarë të shenjtë, predikatarë të fjalës sate, të lutemi.

Fol, o Zot, ne të dëgjojmë.​

6) Bëj që rinia jonë ta dëgjojë me zemër të pastër ftesën tënde: eja pas meje, në kushtim të plotë të jetës, të lutemi.

Fol, o Zot, ne të dëgjojmë.​
----------

M. O Jezu Krisht, së bashku me shën Pjetrin edhe ne po të themi: Ti i ke fjalët e jetës së pasosur. Nëpërmes dëgjimit, bëj të vijmë te pranimi dhe zbatimi i porosisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.




Ungjilli (Mt 15, 21-28)
Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut


Në atë kohë, kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “ا’ thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”
Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; do të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetë.”
“Po ju – u tha atyre – ç’ thoni: kush jam unë?”
Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!”
Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! Edhe unë po të them: Ti je Pjetër – Shkëmb, dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time, dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!
Ty do t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”
Atëherë u urdhëroi nxënësve që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.

Fjala e Zotit.


Predikimi


Besimtarë të dashur, të mendojmë pak vetëm mbi një pyetje: Kush është Krishti për ne?
Përgjithësisht ne dimë diçka për Zotin, por a dimë kush është ai për mua, për ty?…
Në leximin e dytë i dëgjuam fjalët e shën Palit, i cili na thotë se gjithçka është prej Zotit dhe për Zotin. Njeriu është krijesë e madhe – krijesa më e madhja e Zotit, por ai është vetëm krijesë! Dmth. ai nuk mund të okupojë vendin e Zotit. Ne na ka krijuar Zoti. Ne kemi jetën prej Zotit dhe duhet të jetojmë për Zotin. Jeta jonë do ta ketë kuptimin e plotë vetëm në qoftë se do të jetojmë në harmoni me Zotin, ashtu sikurse na ka mësuar Jezu Krishti – edhe me fjalë, edhe me vepra.

Por kush është Zoti, kush është Jezu Krishti? Kush është ai për ne?

Krishti jetonte në popullin izraelas tridhjetë e tre vjet. Edhe publikisht vepronte tre vjet, por prapëseprapë populli nuk e ka njohur, nuk dinte mirë se kush është ai. Sepse Jezusi nuk krenohej. Nuk thoshte: unë jam Zot, unë jam biri i Hyjit, unë jam Krisht, Mesia, i Shuguruari i Hyjit. Nuk krenohej, pra, por vepronte. Njerëzit duhej të kuptonin prej veprave të tija se kush ishte ai. Ndoshta edhe ndonjë prej nxënësve të tij nuk dinte kush ishte Jezusi prej Nazaretit. Për këtë arsye ai dëshironte t’ua zbulonte nxënësve të vet fshehtësinë se kush është ai, kush është ai për ne.
Prandaj i pyeti çka thonë njerëzit e tjerë për të, dhe dëgjoi përgjigje të ndryshme: se është Elia, Jeremia, Gjon Pagëzuesi, ose ndonjë profet tjetër. Por vetëm Pjetri, në emër të të gjithë nxënësve, e jep përgjigjen e saktë: “Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë!”
Fjala Krisht do të thotë se Jezusi është këtu për ne, për dobinë tonë: Zoti e dërgoi të shpëtojë popullin e tij nga mëkati dhe nga çdo e keqe. Krishti është njeri i Zotit, i cili e jep jetën e vet për njerëzimin. Pjetri dinte pra fare mirë se kush është Krishti për ne. Fjala e dytë na thotë edhe kush është ai për vete: ai është Biri i Hyjit, ai është i ngjashëm me Hyjin, ai është vetë Hyji.
Edhe ne na pyet Krishti: “Kush jam unë?” Kjo pyetje e ka rëndësi shumë të madhe për ne. Sepse Zoti nuk është këtu materialisht. Nuk mund ta prekim. Zoti nuk do që ta pranojmë kundër vullnetit tonë. Ai do që të besojmë lirisht. Për këtë arsye ai na jep mundësinë që ta njohim prej veprave të tija.
E në qoftë se lirisht pranojmë se ai është Hyji ynë, Krijuesi, Shëlbuesi ynë, dhe nëse veprojmë ashtu sikurse na ka mësuar Krishti, atëherë edhe ne do të jemi shkëmb sikur Pjetri, shkëmb i fesë së sigurt dhe të palëkundshme, fesë e cila do të na çojë te caku ynë i fundit – në lumturinë e amshuar.
Vetëm mos të harrojmë kurrë pyetjen e Krishtit: Kush jam unë për ty, pikërisht për ty – për ty personalisht?!”
 
Redaktimi i fundit:
E DIELA E XXII. GJATث VITIT – “A” (31. 08. 2008)

Leximi i parë (Jer 20, 7-9)
Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën!

Lexim prej Librit të Jeremisë profet


Më ngashënjeve, o Zot, dhe unë lejova të ngashënjehem, qe më i fortë se unë dhe më mbizotërove. U bëra gazi i ditës, të gjithë më përqeshin. Sa herë që më duhet ta shpall fjalën, më duhet të lëshoj kushtrimin, të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!”
Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën! Atëherë thashë me vete: “Më s’do të mendoj për Të, në emër të Tij më nuk do të flas!” Atëherë në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, i ndryrë në eshtrat e mi: u mundova ta mposht, por s’munda!

Fjala e Zotit.


Psalmi 63 (62)
Ref:
Shpirti im ka etje për ty, o Zot
.

_____________________________
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj.
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron trupi im,
si tokë e shkretë, e thatë, e paujë.
_____________________________
Kështu erdha në Shenjtëroren tënde
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:
buzët e mia do të të lavdërojnë.
_____________________________
Kështu do të të bekoj në jetën time,
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,
me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.
_____________________________
Sepse ti je bërë ndihma ime,
prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty,
e djathta jote më mban.
_____________________________


Leximi i dytë (Rom 12, 1-2)​

Kushtoni trupin tuaj fli të gjallë.


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve


Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit – porsi kultin tuaj shpirtëror. Mos ju përshtatni më parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur.

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve


M.Vëllezër e motra, ta pranojmë fjalën e Krishtit që na fton të ngjitemi me të mbi Kalvar, duke bartur kryqin tonë. Të lutemi së bashku e të themi:

O Zot, eja na ndihmo.​
----------

1)Për Kishën e shenjtë, shtegtare në botë, që Shpirti Shenjt të na bëjë ne besimtarëve të kryejmë, të ndriçuar nga Fjala, një liturgji të vërtetë në të cilën ofrojmë të gjithë jetën tonë. Të lutemi.

O Zot, eja na ndihmo.​
----------

2)Për bashkësitë e krishtera të persekutuara, për Ipeshkvinjtë, meshtarët dhe diakonët që takojnë vështirësi dhe refuzim, që besimi i tyre të mos pakësohet. Të lutemi.

O Zot, eja na ndihmo.
----------

3)Për të varfrit, të uriturit, të burgosurit, fëmijët dhe të gjithë ata që vuajnë, që të ndjehen të mbështjellë dhe të mbështetur nga forca e Zotit Jezus. Të lutemi.

O Zot, eja na ndihmo.​
----------

4)Që të gjithë ne të mësojmë se kryqi i Krishtit është dashuri e pafund. Të lutemi.

O Zot, eja na ndihmo.​
----------
M.O Zot, Hyji ynë, Biri yt i dashur na kërkon që ta ndjekim në rrugën e kryqit. Na ndihmo të ecim përpara të vendosur për të arritur me të në gëzimin e mbretërisë sate. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.



Ungjilli (Mt 16, 21-27)
Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të shkribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.
Atëherë Pjetri e ndau veçmas e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!”
Jezusi u kthye e i tha Pjetrit: “Shporru meje, he djall! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”
Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.
ا’ dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet? Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.”

Fjala e Zotit



Predikimi


Besimtarë të dashur!

Njeriu i thjeshtë, kur mendon vetëm me krye të vet, shpeshherë gabon duke kërkuar lumturinë dhe kënaqësinë – sepse kënaqësia e vogël që e ka afër, i duket më tërheqëse dhe më e vlefshme sesa kënaqësia, apo lumturia e madhe, që e ka më larg dhe të cilën shpeshherë nuk e sheh aspak – sidomos në qoftë se as nuk mundohet për të shikuar jetën në tërësi dhe ashtu siç është në vetvete, e jo vetëm ashtu siç duket nga ana e jashtme.

S’ka njeri, që nuk e dëshiron lumturinë. I vetmi problem është se e kërkon në rrugë të gabueshme.

Jeremia, profet i Zotit, mendon se Zoti e ka mashtruar – pasi në shërbim të Zotit ka hasë në vështirësi, probleme dhe rreziqe.

Shën Pjetri, duke e pasur para sysh vetëm lumturinë, gëzimin dhe kënaqësinë që i takon Zotit – nuk mund të kuptonte se Krishti, Biri i Zotit duhet të vuajë. Por Krishti e qorton rreptësisht dhe njëkohësisht e mëson edhe atë, edhe apostujt e tjerë, edhe ne që jetojmë sot.

Pra, Zoti ne nuk na mashtron. Ai na ofron shëlbimin, jetën dhe lumturinë e amshuar, por na e tregon edhe rrugën kah jeta e vërtetë, e plotë, rrugën kah lumturia e amshuar. Jetë dhe lumturi nuk ka pa kryq. Prandaj Krishti është i qartë: “Kush nuk e merr kryqin e vet çdo ditë e nuk shkon pas meje – nuk mund të jetë nxënësi im!”

Ne të gjithë jemi nxënës të Krishtit, madje edhe vëllezër e motra të tija, pasi – me anë të sakramentit të pagëzimit – jemi bërë fëmijë të Zotit. E sikurse Krishti nuk e gëzoi lumturinë e Atit pa ia hapur derën e parajsës krejt njerëzimit, duke e kaluar jetën shumë të rëndë dhe duke bartur kryqin e vet deri në vdekje, po ashtu as ne nuk mund të krenohemi me emrin e lavdishëm të krishterë, pa e përqafuar jo vetëm kryqin e Krishtit, por para së gjithash kryqin tonë të përditshëm – sepse vetëm kryqi është çelës i parajsës, çelës i lumturisë së amshuar.

Kryqat tanë janë të llojllojshëm. Dikush e ka kryqin e sëmundjes, dikush kryqin e varfërisë, dikush kryqin e problemeve familjare, dikush kryqin e moskuptimit, apo të mospranimit, e nënçmimit, e përbuzjes, e padrejtësisë, kryqin e urrejtjes etj. Për disa kryqa kemi faj vetë, për disa ka faj tjetërkush, kurse për shumë kryqa dhe shumë probleme s’ka faj askush – por duhet t’i përballojmë njerëzisht, me faqe të bardhë e me duresë, pa i rënduar të tjerët me problemet tona personale.

Kryqi ynë për ne është njëkohësisht barrë dhe bekim. Barrë është në qoftë se nuk e pranojmë vullnetarisht, apo e kundërshtojmë. Por në qoftë se e pranojmë me dashuri dhe me nënshtrim të përvujtë ndaj Atit qiellor, i njëjti kryq është për ne mjet pastrimi, mjet shpëtimi, mjet fitimi i shumë meritave, apo me fjalë tjera: burim hiri dhe bekimi.

Kështu, p. sh., burri për gruan dhe gruaja për burrin janë kryq. Ata, në qoftë se nuk e pranojnë njëri-tjetrin, familja e tyre bëhet ferr. Por në qoftë se ata kryqin e vet e pranojnë me dashuri, si dhuratë të Zotit – ata njëri për tjetrin bëhen gëzim dhe bekim, apo burim i lumturisë dhe i jetës në kuptim të plotë të fjalës. Familja e tyre bëhet parajsë tokësore.

Fëmijët për prindin janë kryq. Por në qoftë se ky kryq është pranuar prej dorës së Zotit me dashuri, si dhuratë, atëherë ata fëmijë janë bekim i prindërve të vet, burim i gëzimit për ta, kuptimi i jetës së tyre, siguria dhe lumturia e prindërve të vet edhe në këtë jetë edhe në amshim.

Edhe prindi për fëmijën është kryq, sepse fëmija në shumë e shumë pikëpamje varet prej prindit të vet. Prandaj, në qoftë se nuk e do, apo nuk e pranon si dhuratë të çmueshme të Zotit, dhuratë të ëmbël, megjithëse ndonjëherë të rëndë – prindi me të vërtetë për fëmijën mund të jetë barrë tepër e rëndë. Por i mjeri fëmijë, i cili mbetet jetim, pa prind! Sepse prindi i pranuar me dashuri dhe i nderuar si prind – megjithëse është kryq, është para së gjithash bekim, gëzim, siguri dhe lumturi për fëmijët e vet.

Puna për njeriun është kryq. Ajo, në qoftë se nuk është pranuar vullnetarisht, mund të jetë dënim dhe shenjë skllavërie. Por i mjeri njeri i cili nuk ka punë, apo nuk është i aftë për punë! Sepse puna e pranuar vullnetarisht, me gëzim dhe me dashuri, është bekim për njeriun – si për atë që punon, po ashtu edhe për atë për kënd punon. Me anë të punës Zoti dëshiron që njeriun ta afrojë vetvetes dhe ta shpëtojë. Por kjo bëhet vetëm me pranimin e lirë të kryqit të punës.

Edhe sëmundja dhe vdekja janë ndër kryqat e pashmangshëm në jetën e njeriut. Edhe ato Zoti na i ka lënë si shkallë për t’u ngjitur tek Ai. Kush e pranon përvujtnisht, për dashuri ndaj Zotit, kryqin e sëmundjes dhe të vdekjes, ai pastrohet dhe shenjtërohet dhe dita-ditës ngjitet më afër Zotit. Kush nuk i pranon – ai vuan fort, por vuan kot. Nuk përparon, nuk fiton gjë me ato vuajtjet e veta, por vetëm humb dhe është në rrezik që ta humbë plotësisht kuptimin e jetës së vet. Prandaj besimtari edhe këtë kryq do ta pranojë me mirënjohje prej dorës së Zotit, kështu që edhe sëmundja dhe vdekja të bëhen për të burim bekimi dhe mjet shëlbimi.

Dhashtë Zoti që secili prej nesh, duke përqafuar kryqin tonë, të cilin Zoti dita-ditës na e dërgon, ta gëzojmë paqen e shpirtit që në këtë jetë, e ta fitojmë atë lumturi të amshueshme për të cilën Ati ynë i mirë qiellor edhe na ka krijuar.

Qoftë lëvduar Jezu Krishti! Amen.
 
E DIELA E XXIII. GJATث VITIT - A (07. 09. 2008)

Leximi i parë (Ez 33, 7-9)
Nëse ti nuk i flet të patenzonit, unë do të kërkoj gjakun e tij prej dorës sate kur ai të vdesë.

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti: “Ty, o biri i njeriut, unë do të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoji ata në emër tim. Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patenzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. Por, në qoftë se e qorton të patenzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.”

Fjala e Zotit.

Psalmi 95 (94)
Ref:
O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd

_____________________________
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
_____________________________
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai e ruan.
_____________________________
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
_____________________________


Leximi i dytë (Rom 13, 8-10)
Dashuria është zbatimi i përsosur i Ligjit.


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve


Vëllezër, askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar ligjin. Sepse: ‘Mos bëj kurorëthyerje! Mos vrit! Mos vidh! Mos lakmo!’ e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër, është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i ligjit.

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve



M.Vëllezër Krishti na ka thënë: “Nëse dy nga ju mbi tokë do të merren vesh për të kërkuar çfarëdo gjëje, Ati im që është në qiell do t’ua japë”. Me këtë besim ia drejtojmë Hyjit lutjen tonë. Të lutemi së bashku e të themi:

Na dëgjo, o Zot.
----------
1)Për Kishën: që të jetë bashkësi vëllazërore pranimi dhe pajtimi, dhe të ndihmojë për të falur, e jo për të dënuar. Të lutemi.

Na dëgjo, o Zot.
----------
2)Për prindërit dhe edukuesit: që të kryejnë me dashuri dhe durim ndreqjen vëllazërore të të rinjve dhe fëmijëve. Të lutemi.

Na dëgjo, o Zot.
----------
3)Për ne këtu të pranishëm që secili prej nesh të ndihet përgjegjës i shpëtimit të tjerëve dhe të ndihmojë vëllain për t’u rritur drejt shpëtimit. Të lutemi.

Na dëgjo, o Zot.
----------
4)Mesha e së dielës na bashkon rreth Krishtit: që t’i besohemi Atij që është paqe dhe dashuri, dhe kështu të bëhemi edhe ne një bashkësi e vërtetë e vëllezërve dhe motrave. Të lutemi.

Na dëgjo, o Zot.
----------
M.O Hyji, Ati ynë që na ka ripërtërirë me hirin e faljes, bëj që jeta jonë të bëhet gjithmonë e më shumë shenjë e dashurisë sate për të gjithë. Amen.



Ungjilli (Mt 18, 15-20)
Ne qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd.​

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllanë tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merre me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.
Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, dhe çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.
Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell do t’ua japë. Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.”

Fjala e Zotit


Predikimi:


Besimtarë të dashur!
A i keni dëgjuar mirë fjalët e Ezekielit profet nga leximi i parë? Përveç këtij leximi nuk do të na duhej asgjë tjetër për mësim mbi jetën tonë të përbashkët. Por sepse të tre leximet e sotme e plotësojnë këtë mësim, do të mendojmë edhe ne mbi këtë punë.
Ne kur lexojmë Shkrimin shenjt, shpeshherë na duket se ai nuk është i shkruar për ne, por për ata njerëz që kaherë kanë jetuar dhe vdekur. Kur flitet për një profet, na duket se kjo nuk na përket neve, sepse ne nuk jemi profetë, as nuk i kemi profetët midis nesh. A kemi të drejtë apo jo?
Që të mund të përgjigjemi në këtë pyetje, na duhet para së gjithash të dimë se kush është profeti. Në Shkrimin shenjt i kemi katër libra të profetëve të mëdhenj (siç ishte edhe Ezekeli profet), dhe 12 libra të profetëve të vegjël. Por në popullin izraelas ishin shumë më tepër profetë. اdo kohë e kishte profetin e vet, por vetëm disa prej tyre shkruanin libra.
Sipas Shkrimit shenjt profet ishte ai njeri të cilin e ka dërguar Zoti, i cili flet në emër të Zotit atë çka i urdhëroi Zoti. Zoti është pra, në vendin e parë në jetën e profetit.
Profeti nuk është tjetër por mjet, ndërmjetës, lidhja ndërmjet Zotit dhe njeriut. Ai është i lirë si çdo njeri tjetër, por njëkohësisht ka një detyrë, jo vetëm mundësinë, por detyrën!, që tua përcjellë njerëzve porosinë e Hyjit.
Profeti shëlbohet duke predikuar. Sepse në qoftë se nuk predikon dhe nuk i qorton mëkatarët, ata nuk do të shëlbohen, sepse nuk do të kthehen prej mëkateve të tyre, kurse fajtor për humbjen e tyre do të jetë profeti! Në qoftë se mëkatari nuk dëgjon, fajtori i vetëm i fatkeqësisë së vet është ai vetë, kurse profeti shëlbohet, sepse ai e ka kryer detyrën e vet.
Mos mendoni se Zoti i flet kështu vetëm Ezekielit profet! Ne të gjithë jemi profetë njëri për tjetrin. Kur e sheh dikë se gabon, mos u shtir kinse nuk e sheh, por qortoje, ndihmoje që të përmirësohet, përndryshe ti do të jesh fajtor së bashku me të! Kjo nuk është vetëm detyra e besimtarëve të rritur. Edhe fëmijët mund të edukojnë njëri tjetrin.
Siç Hyji i dërgoi profetët që të jenë mësues të popullit izraelas, po ashtu edhe Krishti na dërgoi ne që të jemi drita e botës dhe kripa e tokës, që njerëzimi të përmirësohet përmes të krishterëve.
A e kryejmë ne detyrën tonë? Në qoftë se jo, le të fillojmë që në këtë moment. Por gjithmonë duhet të kemi para sysh parimin, normën e veprimtarisë së profetit: dashurinë. Sipas fjalëve të shën Palit, dashuria është zbatim i përsosur i Ligjit. E dashurinë e vërtetë e kemi vetëm në qoftë se duam çdo njeri porsi vetveten.
اdo kush e di çka do të thotë fjala “porsi vetveten”. Dashuria u përket të gjithëve njëlloj, jo vetëm familjes dhe ndoshta edhe popullit tonë, por mbarë botës. Profeti pa dashuri nuk është profet i Zotit. Po ashtu askush nuk mund të jetë i krishterë në qoftë se nuk i pranon të gjithë njerëzit porsi vëllezër.
Për këtë arsye Krishti na mëson se si duhet ta qortojmë fajtorin me dashuri: më së pari vetëm për vetëm, atëherë me dy a tre miq, që mos të turpërohej vëllai ynë; e vetëm në rast se nuk i dëgjon miqtë, duhet ta qortojnë publikisht.
Ndërsa na mëson se si të sillemi me fajtorin (dmth. duke e qortuar), Krishti na e jep të drejtën edhe t’ia falim gabimin, dhe çka i falim ne, do t’ia falë edhe ai. A keni menduar dikur se sa nder të madh ne ka dhënë Krishti, kur na autorizoi që në emër të tij të mund t’ia falim mëkatet njëri tjetrit, dhe t’ia sigurojmë njëri tjetrit mbretërinë qiellore? Kush prej nesh ia jep të drejtën tjetrit të falë në emër të tij? E sa më i madh është Krishti se ne, e prapëseprapë ai na e jep këtë të drejtë! Pse nuk e shfrytëzojmë autoritetin tonë, pushtetin tonë për këtë lloj bamirësie?
Le të bëhemi, pra, të vetëdijshëm për thirrjen tonë që të bëhemi profetët e Zotit në këtë botë, ta vazhdojmë veprën e Jezu Krishtit, ta përshkojmë botën me dashuri dhe kështu t’ia hapim dyert e parajsës çdo njeriu me të cilin takohemi.
T’i lutemi Zotit gjatë kësaj jave që të na ndihmojë në këtë punë. Amen.
 
E DIELA E XXIV. GJATث VITIT – “A” (14. 09. 2008)

NGADHثNJIMI I KRYQIT Tث SHENJTث


Leximi i parë (Nr 21, 4-9)

Kushdo që e shikon gjarprin bronzi, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, do të shpëtojë.


Lexim prej Librit të Numrave


Në ato ditë, Izraelitët u nisën prej malit Hor pët t’i rënë rreth e tërthor tokës së Edomit udhës që shpie te Deti i Kuq. Por populli udhës filloi ta humbasë durimin. Zuri të ankohej kundër Zotit e Moisiut. Thonin: “Pse na nxore nga Egjipti? A për të vdekur në këtë shkretëtirë? S’ka bukë as s’ka ujë; kurse kjo e zezëhaje na e mërziti shpirtin!”
Për këtë arsye Zoti çoi në popull gjarpërinj të hidhur, të cilët e hanin popullin dhe vdiqën shumë njerëz prej Izraelit. Atëherë erdhën te Moisiu e i thanë: “Bëmë mëkat kur folëm kundër Zotit e kundër teje; lutu ti që të na i heq qafës gjarpërinjtë!”
Moisiu u lut për popull, e Zoti tha: “Punoje gjarprin helmues e vëre në shtyllë si shenjë: kushdo që, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, poqese e shikon, do të shpëtojë.”
Moisiu e punoi një gjarpër prej bronzit dhe e vuri për shenjë, këdo që hante gjarpri, si e shikonte atë, shërohej.

Fjala e Zotit.


Psalmi 78 (77)

Ref:
Ti, o Zot, je shëlbimi ynë.
_____________________________
Dëgjoje me kujdes, populli im, mësimin tim,
vëru vesh fjalëve të gojës sime.
Po e hap gojën time për të mësuar me shëmbëlltyra,
do t’ju tregoj fshehtësi të kohëve të shkuara.
_____________________________
Kur i vriste, atëherë e kërkonin,
e përsëri ktheheshin te Hyji;
u binte në mend se Hyji është strehimi i tyre,
Hyji i tejetlartë Shëlbuesi i tyre.
_____________________________
Porse prapë e gënjenin me gojën e tyre
e rrenin me gjuhën e vet:
zemra e tyre nuk ishte me të,
besë nuk kishin në besëlidhjen e tij.
_____________________________
E Ai, i mëshirshëm, ua falte fajin,
në vend që të shkatërronte,
shpeshherë e ndalte zemërimin e vet,
e nuk ndizej në furinë e vet.
_____________________________



Leximi i dytë (Fil 2, 6-11)
Krishti e përuli vetveten, prandaj Hyji e lartësoi.


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve


Krishti Jezus, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri.
E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq.
Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” në nder të Hyjit Atë.

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve


M. Të shpëtuar prej gjakut të Krishtit të thërrasim Hyjin, Atin tonë, që nga pema e kryqit na e dhuron prapë frytin e shëlbimit. Të lutemi së bashku e të themi:

Nëpërmjet misterit të Kryqit, na shpëto o Zot.​
----------

1) Për Kishën, që nëpërmjet fjalëve dhe veprave të saj, të komunikojë gjithmonë atë dashuri të pafundme që Ati na ka zbuluar nëpërmjet Kryqit të Krishtit. Të lutemi.

Nëpërmjet misterit të Kryqit, na shpëto o Zot.​
----------

2) Për ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët, që me forcën e Shpirtit Shenjt të mund të jenë shërbëtorë besnikë të Atij që është lartësuar mbi kryq, për t’i tërhequr të gjithë drejt vetes. Të lutemi.

Nëpërmjet misterit të Kryqit, na shpëto o Zot.​
----------

3) Për të gjithë ne që jemi pagëzuar në Pashkën e Krishtit, që të shprehim në jetën e përditshme misterin e Krishtit, i cili është buka e thyer dhe vera e derdhur për shpëtimin e botës. Të lutemi.

Nëpërmjet misterit të Kryqit, na shpëto o Zot.​
----------

4) Për të përndjekurit për shkak të besimit të tyre dhe të drejtësisë, që nga Kryqi i Krishtit të marrin qartësinë e fitores së dashurisë mbi urrejtjen, smirën dhe mbi të keqen. Të lutemi.

Nëpërmjet misterit të Kryqit, na shpëto o Zot.​
----------

5) Për vëllezërit dhe motrat tona, që janë të plagosur në trup dhe në shpirt, që të ndjejnë praninë e Krishtit të kryqëzuar që ndriçon dhe ngushëllon në orën e provës. Të lutemi.

Nëpërmjet misterit të Kryqit, na shpëto o Zot.​
----------

M. O Atë i mirë, që ke lartësuar në lavdi Birin tënd, shërbëtorin besnik deri në vdekje, vendos në ne forcën e Shpirtit tënd, që duke mbajtur me dashuri peshën e Kryqit të mund të marrim pjesë edhe ne në lavdinë e të Ringjallurit. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.


ALLELUJA!

Po të adhurojmë, o Krisht e po të bekojmë,
sepse me kryqin tënd të shenjtë e shpërbleve botën mbarë.



Ungjilli (Gjn 3, 13-17)​

Duhet që Biri i njeriut të lartësohet.​


Nikodemi e takon Jezusin natën, por nuk e ka kuptuar se vetëm Jezusi i dërguar nga qielli, mund të na zbulojë Atin. Nga froni mbretëror i kryqit, Krishti tërheq ndaj vetes të gjithë njerëzit dhe u jep jetën atyre që e pranojnë me besim dhe dashuri. Jezusi është ai shpëtimtar, të cilin Hyji Atë me dashurinë e tij të pafund na dhuron për të na komunikuar jetën e vet hyjnore.



Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjnit

Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli. Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.
Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të.

Fjala e Zotit


Predikimi:

Kryqi është lavdia dhe lartësimi i Krishtit​

Ne e kremtojmë festën e kryqit të shenjtë, nëpërmjet të cilit u përzunë errësirat dhe u kthye drita. E kremtojmë festën e kryqit të shenjtë, dhe kështu, së bashku me të Kryqëzuarin, të lartësohemi dhe të madhërohemi edhe ne. Vërtet ne shkëputemi nga toka e mëkatit dhe ngrihemi drejt lartësisë. ثshtë aq e madhe pasuria e kryqit saqë ai që e ka atë ka një thesar të vërtetë. Dhe e quaj me të drejtë kështu, sepse me emër dhe vepër është më i çmueshëm se çdo e mirë. Pikërisht në të gjendet tërë shëlbimi ynë. Ajo është mjeti dhe udha për t’u kthyer në gjendjen e fillimit.

Nëse vërtet nuk do të kishte kryq, nuk do të kishte as Krisht të kryqëzuar. Po mos të kishte kryq Jeta nuk do të varej në dru. E po mos të ishte gozhduar Jeta në dru, nga kraharori i saj nuk do të rridhnin ato burime të pavdekësisë, gjaku dhe uji, që e pastrojnë botën. Gjykimi i dënimit i shkruar për shkak të mëkatit tonë nuk do të shqyhej, ne nuk do të kishim lirinë, nuk do të mund të shijojmë nga druri i jetës, parajsa nuk do të ishte hapur për ne. Po mos të kishte qenë kryqi, vdekja nuk do të ishte mposhtur, ferri nuk do të ishte zhveshur.

Kryqi, pra, është një burim vërtet i mrekullueshëm dhe i pakrahasueshëm, sepse nëpërmjet tij kemi fituar shumë të mira, aq më shumë të mira sa më e madhe të jetë merita e tij, por që para së gjithash është fryt i mrekullive dhe i vuajtjes së Krishtit. ثshtë i çmueshëm pastaj kryqi sepse është së bashku vend ekzekutimi dhe trofe i Hyjit. Vend ekzekutimi për shkak të vdekjes së tij të vullnetshme mbi të. Trofe sepse me anë të tij u mund djalli dhe bashkë me djallin u mposht edhe vdekja. Pushteti i ferrit ligështohet dhe kështu kryqi është bërë shpëtimi i përbashkët i tërë gjithësisë.

Kryqi është lavdia e Krishtit, lartësimi i Krishtit. Kryqi është kelku i vlefshëm dhe i paçmueshëm që i përmbledh të gjitha vuajtjet e Krishtit, është përmbledhja më e mirë e mundimit të tij. Për të na bindur se kryqi është lavdia e Krishtit, dëgjojë atë që ai thotë: “Tani u lavdërua Biri i njeriut! Edhe Hyji u lavdërua në të. Nëse Hyji u lavdërua në të edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete. Po, madje menjëherë do ta lavdërojë! (Gjn 13, 31-32).

Dhe prapë: “E tani, o Atë, më lavdëro para teje me atë lavdi që e kisha te ti para së filloi të ishte bota.” (Gjn 17, 5). Dhe akoma: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” (Gjn 12, 28) – për të treguar atë lavdërim të Krishtit, dëgjoje atë që thotë ai vetë: “E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit” (Gjn 12, 32). A e sheh pra se kryqi është lavdia dhe lavdërimi i Krishtit.

(Nga “Fjalimet” e shën Andresë nga Kreta, ipeskëv)
 
E DIELA E XXV. GJATث VITIT – “A” (21. 09. 2008)

Leximi i parë (Is 55, 6-9)
Mendimet tuaja, nuk janë mendimet e mia.


Lexim prej Librit të Isaisë profet


Kërkojeni Zotin deri sa mund të gjendet, thirreni në ndihmë deri sa është afër! Le ta lërë i patenzoni udhën e vet, njeriu i keq synimet e veta, le të kthehet te Zoti e ai do të ketë mëshirë për të, tek Hyji ynë që është bujar në falje.
Sepse mendimet tuaja nuk janë mendimet e mia, as udhët tuaja, nuk janë udhët e mia – thotë Zoti. Sepse, sikurse qielli që është i lartë në krahasim me tokën: po ashtu edhe udhët e mia janë të larta në krahasim me udhët tuaja dhe mendimet e mia në krahasim me mendimet tuaja!

Fjala e Zotit


Psalmi 145 (144)
Ref.:
Zoti është afër atyre që e kërkojnë.

_____________________________
اdo ditë do të të bekoj,
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës.
Zoti është i madh e i lavdërueshëm,
e pashqyrtueshme është madhëria e tij!
_____________________________
Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
_____________________________
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
_____________________________


Leximi i dytë (Fil 1, 20-27)
Dhuratat dhe grishja e Hyjit nuk tërhiqen.


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.


Vëllezër, Krishti do të madhërohet në trupin tim, si në jetofsha si në vdissha.
Vërtet, për mua Krishti është jetë, dhe vdekja fitesë! Por në qoftë se jeta në trup më mundëson një veprimtari frytdhënëse, çka atëherë të zgjedh? Nuk po di! Jam ndërdyzash: dëshiroj të shkoj e të jem me Krishtin, sepse kjo është gjë shumë, shumë më e mirë, por të jetoj në këtë trup është më e nevojshme për ju. Për tani e di se do të mbetem dhe do të rri në mesin tuaj për përparimin tuaj e në gëzim të fesë, që mburrja juaj për mua në Jezu Krishtin të shtohet, kur përsëri të vij ndër ju.
Ju veç, jetoni në mënyrë të denjë të Ungjillit të Krishtit, që – kur të vij e t’ju shoh, ose larg prej jush – kur të dëgjoj për ju, të ndiej se jeni të qëndrueshëm në një shpirt dhe se, një zemre, luftoni të gjithë së bashku për fenë e Ungjillit.

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve

M. Vëllezër dhe motra, profeti Isaia sot na ka kujtuar që Zoti është gjithmonë afër atyre që e thërrasin. Të ngushëlluar nga kjo e vërtetë, t’ia drejtojmë Atij lutjen tonë plot besim. Të lutemi së bashku duke thënë:

O Zot, na dëgjo.​
----------

1) Për Papën, Ipeshkvin, klerin dhe diakonët, që duke zhdukur çdo inat dhe xhelozi si bijtë e të vetmit Atë, të dinë të jenë dëshmitarë të pajtimit dhe të paqes. Të lutemi.

O Zot, na dëgjo.​
----------

2) Për punëtorët dhe punëdhënësit: që punëtori të angazhohet me zell, e punëdhënësi t’i japë rrogën që meriton, duke ruajtur në mes tyre respektin dhe harmoninë. Të lutemi.

O Zot, na dëgjo.​
----------

3) Për ata që janë të thirrur në vreshtin e Zotit, bëj që mos të lejojnë të kufizohen nga xhelozia dhe përbuzja e të tjerëve. Të lutemi.

O Zot, na dëgjo.​
----------

4) Për ata që kërkojnë Zotin me zemër të sinqertë, që në çdo ngjarje të jetës, të ndjejnë praninë e Zotit, që të hapen në besim dhe të eksperimentojnë provaninë e tij. Të lutemi.

O Zot, na dëgjo.​
----------

5) Për ne të pranishëm në këtë eukaristi, që të vetëdijshëm për dobësitë tona, të dimë t’i afrohemi mëshirës së Zotit për të qenë të denjë për dashurinë e tij, për të angazhuar më mirë energjitë tona në vreshtin e tij që është Kisha. Të lutemi.

O Zot, na dëgjo.​
----------

M. O Hyj Ati ynë, që u shfaqesh atyre që të kërkojnë dhe kanë nevojë për ty, dëgjoji lutjet e popullit tënd që mbështetet në ty dhe bëj që pasi të ketë punuar në vreshtin tënd duke dëshmuar dashurinë tënde, të marrë shpërblimin e amshuar. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.


Ungjilli (Mt 20, 1-16)
Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?


Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut


Në atë kohë, Jezusi u tregoi nxënësve të vet këtë shëmbëlltyrë: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet. E, si u godit me punëtorët nga një denar në ditë, i çoi në vreshtin e vet. Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa do të tjerë duke ndenjur të papunë në treg e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’ Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ Ata i përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’
Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën – fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar. Kur erdhën të parët, menduan se do të marrin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. Duke e marrë, ankoheshin në zotshtëpinë e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’
E ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u godite me mua nga një denar? Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’
Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!”

Fjala e Zotit.


Predikimi
Zoti vepron ndryshe​

Besimtarë të dashur!
Te njerëzit që janë pak informuar për fe, më i madhi rrezik për pastërtinë e fesë së tyre është parafytyrimi i Zotit në trajtë të njeriut. Si mos të ishte krijuar njeriu në trajtë të Zotit, por Zoti në trajtë të njeriut!

Pse është i gabueshëm dhe i rrezikshëm kuptimi i tillë?

Edhe ne në mësim feje shpeshherë Zotin ua paraqesim fëmijëve si njëfarë plaku të mirë, të fortë dhe të bukur, me mjekër të bardhë dhe të gjatë, me duar të hapura për t’i marrë ngryk fëmijët e vet. Në këtë mënyrë mundohemi të shpjegojmë fëmijëve disa cilësi të Zotit: se Ai është i gjithmonshëm, i gjithëpushtetshëm, i mirë dhe i dashur. Ndërkaq, njëkohësisht theksojmë se Zoti faktikisht nuk duket ashtu, sepse ai është shpirt i pastër, i padukshëm. Por figura të tilla na ndihmojnë të tregojmë diçka më tepër për Zotin.

Njeriu shpeshherë e mat Zotin me vetvete: e qet Zotin në kufijtë e veta, e kjo është e pamundshme. P. sh. për njeriun e tillë Zoti duhet të jetë i drejtë, por vetëm ashtu sikurse ai (njeriu) e kupton drejtësinë. Sipas mendimit të njeriut të tillë, Zoti do të duhej që menjëherë ta vriste mëkatarin, posa ai të bëjë mëkat. Sipas mendimit të tillëve Zoti – nëse dëshiron të jetë i drejtë – nuk do të guxonte ta falte mëkatin, sepse ajo do të ishte padrejtësi ndaj të mirëve (ndër të cilët njerëzit e tillë më së pari e llogarisin vetveten, sepse janë aq mendjemëdhenj, që kurrë nuk shohin mëkatin e vet; në sytë e tyre krejt bota është e keqe, e vetëm ata janë të mirë).

Zoti duhet të jetë dashuri e përsosur, por vetëm ndaj atyre të cilët edhe ai njeri i do dhe aq sa ai i do. Sipas mendimit të “besimtarëve” të tillë Zoti nuk guxon të duajë armiqtë e tyre. Edhe Zoti do të duhej të jetë armik i armikut tim.

Kështu sundimtarët kujtonin se Zoti është mbret porsi mbretërit e tjerë. Populli i varfër dhe i nëpërkëmbur, i cili i urrente sunduesit e vet – nëse nuk dinte për Zotin diçka më tepër, por e kuptonte vetëm si njëfarë zotërie që sundon me dhunë – mund edhe ta urrente Zotin, sepse nuk dinte së Zoti nuk i përngjan njeriut, por njeriu duhet te mundohet që t’i përngjajë Zotit.

Pasi njeriu nuk e njihte Zotin, Krishti erdhi në këtë botë që të na e tregojë Atin. E tregonte edhe me fjalë edhe me vepra. Shpallte Ungjillin, dmth. lajmin e mirë për Mbretërinë e Zotit. Zotin si Mbret dhe Mbretërinë, apo pushtetin e tij, na tregonte me shëmbëlltyra:që të kuptojmë sa më lehtë se drejtësia e Zotit e tejkalon drejtësinë tonë, dhe se dashuria e tij nuk mund të krahasohet me dashurinë tonë.

Zoti është ai Atë i mirë dhe i mëshirshëm, i cili djalit plangprishës ia fal gabimin dhe e pranon me gëzim, megjithëse mëshira e tillë vëllait të tij i duket e padrejtë.

Zoti është ai punëdhënësi, i cili paguan të gjithë punëtorëve njësoj, megjithëse disave ajo u duket e padrejtë. Ai faktikisht s’është i padrejtë ndaj atyre punëtorëve, që kanë punuar krejt ditën, sepse ua ka dhënë rrogën e plotë. Mirëpo, ai është i mëshirshëm edhe ndaj atyre që kanë punuar më pak – sepse të gjithë njësoj duhet të jetojnë dhe ta gëzojnë jetën, e cila për të gjithë është vetëm dhuratë e pamerituar e Zotit.

Më në fund, a nuk sillen edhe njerëzit ndaj fëmijëve të vet njësoj? Athua të gjithë fëmijët njësoj punojnë? E prapëseprapë prindi kujdesohet që asnjë prej tyre mos të jetë as pa bukë, as pa veshmbathje, as pa shkollë etj. Madje, për më të paaftin kujdesohemi më tepër – dhe nuk na dhimbet mundi, në qoftë se mund t’i ndihmojmë sado pak!

E kur të plaket prindi, ai nuk llogarit sa ka punuar kush, por edhe ai më i vogli, i posalinduri, merr të njëjtin trashëgim sikur më i madhi vëlla, i cili shumë vjet u ka ndihmuar prindërve të vet. E nëse prindi vdes papritmas, të njëjtën gjë bën shoqëria, apo gjyqi në emër të shtetit.

Pra, nëse drejtësia jonë ndaj anëtarëve të familjes sonë nuk është e njëjtë me drejtësi ndaj njerëzve të tjerë, mos të harrojmë se të gjithë njerëzit janë një familje e madhe e Zotit dhe se drejtësia jonë nuk mund as të krahasohet me drejtësinë e Zotit.

Zoti jep shiun të mirëve dhe të këqijve dhe bën që dielli i tij të ndriçojë të drejtit e të padrejtit – pa marrë para sysh se çka do të thonë ata njerëz, të cilët kujtojnë se janë të denjë t’ia caktojnë ligjin e sjelljes edhe Zotit.

Këtu më së miri shohim se mendimet e Zotit pa masë i tejkalojnë mendimet tona, se udhët e Zotit janë shumë larg udhëve tona. Dhashtë Zoti që t’u afrohemi sa më tepër mendimeve dhe udhëve të Atit tonë qiellor! Amen
 
E DIELA E XXVI. GJATث VITIT – “A” (28. 09. 2008)

Leximi i parë (Ez 18, 25-28)
Nëse i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet, ai ia kthen jetën vetvetes.



Lexim prej Librit të Ezekielit profet


Kështu thotë Zoti: “Ju thatë: ‘Nuk është e drejtë udha e Zotit’. Dëgjoni, pra, shtëpia e Izraelit: A thua mënyra e sjelljes sime vërtet s’është e mirë? Apo më parë mënyra e veprimit tuaj është e keqe? Sepse, kur i drejti e lë drejtësinë e vet e bën padrejtësinë, ai do të vdesë: për shkak të padrejtësisë që bëri, do të vdesë. E kur i paudhi kthehet prej paudhësisë së vet që e ka bërë, e bën të drejtën e drejtësinë, ai ia kthen jetën vetvetes. Ai pleqëron imët dhe kthehet nga të gjitha padrejtësitë që i ka bërë, këndej do të jetojë e jo, nuk do të vdesë.”

Fjala e Zotit.



Psalmi 25 (24)
Ref:
Le të bie ndër mend, o Zot, dashuria jote.

_____________________________
Bëj t’i njoh, o Zot, udhët e tua
e m’i mëso shtigjet e tua.
Më drejto me të vërtetën tënde dhe më mëso,
sepse ti je Hyji im, Shëlbuesi im.
_____________________________
Të të bien në mend mëshirat e tua, o Zot,
dhe dashuria jote që është e amshueshme.
Mos i kujto fajet e rinisë sime e paudhësitë:
të të bie në mend për mua sipas dashurisë sate,
- për hir të mirësisë sate, o Zot.
_____________________________
I ëmbël e i drejtë është Zoti,
mëkatarët i kthen në udhë të drejtë,
të përvujtëve u prin në drejtësi,
të butëve ua mëson udhën e vet.
_____________________________


Leximi i dytë (Fil 2, 2-11)​

Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus.


Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.


Vëllezër, nëse vlen gjë ngushëllimi në Krishtin, nëse qortimi me dashuri, nëse pjesëmarrja në Shpirtin Shenjt, nëse vlen gjë zemra e dhimbshme, atëherë ma plotësoni gëzimin: jetoni në marrëveshje, kini të njëjtën dashuri, jini një zemre, një mendimi! Mos bëni asgjë për kryelartësi, as për mendje të madhe, por, me përvujtëri, mbani njëri-tjetrin më të madh se veten. Mos kërkoni vetëm të mirën tuaj, por edhe të mirën e tjerëve.
Kini në ju po ato ndjenja që ishin në Krishtin Jezus, i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekje në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër, që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë, dhe çdo gjuhë të dëshmojë: “Jezu Krishti është Zot!” Në nder të Hyjit Atë.

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve


M. Vëllezër dhe motra, sot fjala e Zotit na fton të bëhemi të ndërgjegjshëm mbi nevojën për të stabilizuar marrëdhënie të sinqerta mes nesh. Duke ia paraqitur Zotit nevojat e botës mbarë, t’i kërkojmë edhe për ne hirin e një kthimi të vërtetë. Të themi së bashku.
Na jep, o Zot, sinqeritetin e zemrës.​
----------

1) Për Papën, Ipeshkëvin dhe të gjithë njerëzit e Kishës: që sipas shembullit të Jezusit, të mos e lënë veten të udhëhiqen nga shpirti i mburrjes dhe i interesit, por të punojnë gjithmonë në vreshtin e Zotit me entuziazëm, përvujtëri e guxim, të lutemi.
Na jep, o Zot, sinqeritetin e zemrës.​
----------

2) Për botën politike dhe shoqërore, që të jetë e udhëhequr nga persona që kërkojnë me të vërtetë të mirën e përbashkët dhe mbrojnë mbi të gjitha drejtësinë, kushtet e domosdoshme për të arritur përparimin e vërtetë dhe paqen në mes popujve. Të lutemi.
Na jep, o Zot, sinqeritetin e zemrës.​
----------

3) Për të varfrit, të sëmurët dhe për të vuajturit: që në solidaritetin dhe në ndihmën e të krishterëve të ndjejnë praninë dhe ngushëllimin e Krishtit, i cili duke u mishëruar ka dhënë jetën e vet për shpëtimin e të gjithëve, të lutemi.
Na jep, o Zot, sinqeritetin e zemrës.​
----------

4) Për fëmijët dhe të rinjtë tanë që kanë filluar shkollën, që të dëgjojnë me respekt dhe mirënjohje mësuesit e tyre, të lutemi.
Na jep, o Zot, sinqeritetin e zemrës.​
----------

5) Për bashkësinë tonë të mbledhur në kremtimin eukaristik, që të jetë e aftë të shpallë besimin e vet, jo vetëm me fjalë, por me vepra dhe me dëshminë e jetës, të lutemi.
Na jep, o Zot, sinqeritetin e zemrës.​
----------

M. O Hyj, që me urtinë tënde e udhëheq historinë dhe e përmbush me bekimin tënd, dëgjoje lutjen tonë besimplote dhe përtërije në ne kujtesën e mrekullive që ke bërë në Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur, i cili jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.



Ungjilli (Mt 21, 28-32)​

Tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit.


Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut


Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve dhe kryetarëve të popullit: “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ Ai i përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai i përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. Cili prej të dyve e kreu vullnetin e t’et?”
I thanë: “I pari!”
“Përnjëmend po ju them, – vazhdoi Jezusi – tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë, u ju nuk i besuat; tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.”

Fjala e Zotit


Predikimi:


Besimtarë të dashur!

Vëllezër dhe motra, në shumë raste të ndryshme flitet për karakterin e njeriut. Për dikë thuhet se është karakter, apo ka karakter të fortë. Për tjetërkënd themi se s’ka karakter. Ata me karakter i respektojmë dhe i nderojmë, kurse ata pa karakter i përbuzim, u shmangemi, distancohemi prej tyre.

Mirëpo, nuk është çdo karakter me të vërtetë karakter. Ka edhe “karaktere” (nën thonjëza). Karakteri i vërtetë dallohet prej këtij tjetri si fytyra prej dyfytyrësisë, si e vërteta prej rrenave.

Zakonisht themi se karakter të fortë ka ai që e mban fjalën. Dhe me të vërtetë është ashtu. Por jo gjithmonë.

Karakter të mirë dhe të fortë ka ai njeri, i cili e mban fjalën e mirë, që nuk ndërron mendimin e drejtë, që është i palëkundshëm në qëndrime pozitive dhe në rrugë të ndershme.

Karakter të mirë ka edhe ai njeri, i cili – kur kupton se ka gabuar në fjalë apo në vepër – pranon gabimin dhe e ndërron mendimin, përmirëson qëndrimin, e shkel fjalën e keqe dhe e zëvendëson me të mirën, duke u munduar që t’i zhdukë edhe pasojat e këqija të gabimit të mëparshëm.

Ndërkaq, karakter i keq, apo “karakter” (nën thonjëza), apo kurrfarë karakteri s’është njeriu, i cili i thotë fjalët e mira, por nuk i zbaton. Me vepra i demanton.

Njësoj i keq është ai i cili gabon me vetëdije apo pa vetëdije, por më vonë kupton se ka gabuar, por nuk pranon gabimin. ثshtë mendjemadh. Kujton se e humb karakterin e vet nëse ndërron qëndrimin, megjithëse edhe vetë e sheh se është në rrugë të gabueshme. “Karaktere” asi soji ne i kemi mjaft. Rrallë kush është i gatshëm të pranojë gabimin e vet dhe të niset rrugës së drejtë. Më mirë i duket të qëndrojë në terr, se sa ta lajë fytyrën dhe të dalë në dritë të ditës.

Njerëzit e tillë sillen pikërisht sikur djalli i mallkuar: megjithëse është i vetëdijshëm se ka qenë i lumtur në mbretërinë e Zotit, derisa i ka shërbyer Krijuesit të vet, prapëseprapë mendja e madhe nuk e lë të përvujtërohet, të përulet para të madhit Zot, dhe të bëhet prapë engjëll. Më tepër i pëlqen ta ruajë karakterin e vet të keq, se sa ta ndërrojë qëndrimin e keq.

E duhet të dimë se asnjë i shenjtë nuk u bë i shenjtë pa përvujtëri. Shumë shenjtër të mëdhenj dikur ishin mëkatarë, por u kthyen. Pranuan gabimin dhe bënin pendesë deri në vdekje. Kështu bëri shën Pali apostull, si edhe vendasi ynë, shën Jeronimi, ditën e të cilit do ta festojmë pasnesër (më 30 shatator). Kështu bëri edhe shën Augustini, një prej teologëve më të mëdhenj të Kishës. Ashtu bëri shen Françesku i Asizit dhe shumë e shumë shenjtër të tjerë.

As ata njerëz që prej fëmijërisë së vet ishin kushtuar Zotin, nuk kanë kaluar pa sprova, pa tundime, pa kriza, pa momente të vështira, prej të cilave s’ka rrugëdalje tjetër përveç vetëmohimit, përveç pendesës në përvujtëri. Sepse askush nuk mund të bëhet i shenjtë me fuqitë e veta natyrore, pa u mbështetur në të madhin Zot dhe në mëshirën e tij.

Gjithkush është i vetëdijshëm se babai s’mund të jetë i kënaqur me djalin, i cili ia jep fjalët e mira, por punët i ka të këqija. Më i kënaqur do të jetë me atë, që – megjithëse në fillim me fjalë apo me vepër distancohet prej babait – prapëseprapë dikur kthehet dhe kryen vullnetin e tij.

Kuptohet se edhe më mirë është që mos t’i kundërshtojmë Atit tonë qiellor aspak. Por nëse ndoshta kemi gabuar, le t’u përngjajmë shenjtërve të Zotit, dhe të penduar për të zezat që i kemi bërë – t’i kthehemi Atit tonë. Mos të ndodhë edhe me ne çka ndodhi me farisenjtë, që ata të cilët me fjalë, me pozitë dhe me traditë ishin me të vërtetë shumë më larg Zotit se ne, të hyjnë në Mbretërinë e Zotit para nesh ose ndoshta edhe pa ne.

Shën Mihilli, shën Jeronim dhe shën Françesku na ndihmofshin që të fitojmë karakterin e vërtetë dhe të pashlyeshëm të fëmijëve të Zotit! Amen
 
E DIELA E XXVII. GJATث VITIT – “A” (05. 10. 2008)

Leximi i parë (Is 5, 1-7)
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit.​


Lexim prej Librit të Isaisë profet


Do t’ia këndoj të dashurit tim këngën e mikut tim mbi vreshtin e tij. Miku im kishte vreshtin në një kodër të pëlleshme. E rrëmihi, ia qëroi gurët, e mbëltoi me hardhi të zgjedhura, në midis të tij e ndërtoi kullën, në të punoi edhe shtrydhësin.
Priste se do t’i bënte rrush, por ai i bëri vetëm larushk. Tash, banorë të Jerusalemit e ju burrat e Judesë, ndajeni këtë pleqëri mes meje e vreshtit tim. ا’u desh tjetër të bëja për vreshtin tim e që s’e paskam bërë? Shpresoja se do të më jepte rrush, përse më dha vetëm larushk? Juve tash po ju dëftoj ç’do t’i bëj unë vreshtit tim: do ta shthur gardhin e tij, që ta shkretojnë e ta bëjnë djerrinë do t’i rrëzoj ledhet e tij që ta shkelin mirë e mirë. Le të bëhet krejt i shkretë mos të kihet as mos të mihet, le ta mbulojnë halluga e ferra; reve do t’u urdhëroj një pikë shi mbi të të mos lëshojnë.
Vreshti i Zotit të Ushtrive është shtëpia e Izraelit, fidanët e zgjedhur të tij janë banorët e Judesë. Prita të ushtrojnë virtytet, kur qe, vetëm paudhësi; drejtësinë prita, ja ofshamat!

Fjala e Zotit.



Psalmi 80 (79)
Ref:
Vreshti i Zotit është populli i tij

_____________________________
Vreshtin nga Egjipti e nxore
e, për ta mbjellë atë, paganët i dëbove;
pinjollët e tij arritën deri në det,
shermendet i qiti deri në lumë.
_____________________________
Gardhin pse ia theve
që ta vjelë çdo kalimtar?
E dëmtoi derri i egër,
e kulloti çdo egërsirë.
_____________________________
Kthehu, Hyji i ushtrive,
shikoje nga qielli e shihe,
eja, shihe këtë vresht,
dili zot se ti vetë e mbolle:
djalit që për vete e rrite.
_____________________________
Kurrë më nuk do të largohemi prej teje:
na përtërij e do ta thërrasim emrin tënd.
O Zot, Hyji i ushtrive, deh ti, na përtërij,
kthjelle fytyrën tënde e na shpëto!
_____________________________


Leximi i dytë (Fil 4, 6-9)​
Hyji që jep paqen, do të jetë me ju.



Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve


Vëllezër, për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka ‑ me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim ‑ paraqitjani Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund ta mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus.
Së fundi, o vëllezër, mundohuni të keni për zemër gjithçka është e vërtetë, gjithçka është e ndershme, gjithçka është e drejtë, gjithçka është e pastër, gjithçka është e shenjtë, gjithçka është e denjë për dashuri, gjithçka është e denjë për lavdi, gjithçka është virtyt. اka keni mësuar, çka keni marrë, çka keni dëgjuar dhe parë në mua ‑ atë bëni ‑ dhe Hyji që jep paqen do të jetë me ju.


Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve


M. Vëllezër dhe motra, jemi të bashkuar me Krishtin si shermendet me hardhi. T’ia paraqesim Atit lutjet tona, të sigurt se Ai na dëgjon. Të lutemi së bashku.
Ardhtë mbretëria jote, o Zot.​
----------

1) Për Kishën: që ta ndjejë se është vreshti i dashur i Zotit, që prodhon fryte bamirësie, drejtësie dhe paqeje. Të lutemi
Ardhtë mbretëria jote, o Zot.​
----------

2) Për barinjtë e Kishës: që të jenë profetë dhe udhëheqës të përgjegjshëm për t’i udhëhequr njerëzit drejt Hyjit Atë. Të lutemi.
Ardhtë mbretëria jote, o Zot.​
----------

3) Për vëllezërit tanë të sëmurë: që besimi në Hyjin t’i ngushëllojë dhe të na japë të gjithë neve një bashkëndarje të sinqertë të vuajtjes së tyre dhe të shpresës së tyre për një rikthim në jetën normale. Të lutemi.
Ardhtë mbretëria jote, o Zot.​
----------

4) Për të gjithë besimtarët në Krishtin: që të ndjehen personalisht të thirrur për të bërë pjesë në vreshtin e Zotit dhe të marrim mbi vete detyrat që u takojnë. Të lutemi.
Ardhtë mbretëria jote, o Zot.​
----------

5) Për bashkësinë tonë: që të jetojë me intensitet nën shikimin e Hyjit dhe të kultivojë në çdo situatë virtytet njerëzore. Të lutemi.
Ardhtë mbretëria jote, o Zot.​
----------

M. Pranoji, o Atë i mirë, lutjet që Kisha, vreshti yt, po t’i drejton. Vendos në zemrat tona Shpirtin Tënd, në mënyrë që fjala që na ke dhuruar të ngulë rrënjë të thella në jetën tonë dhe të japë gjithmonë fryte mirësie, dashurie dhe paqeje. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.



Ungjilli (Mt 21, 33-43)​
Vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë.


Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut


Në atë kohë, Jezusi u tha kryepriftërinjve, kryetarëve dhe pleqve të popullit: “Dëgjoni shëmbëlltyrën tjetër: Ishte një zotshtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.
Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. Prapë dërgoi shërbëtorë tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.
Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri-tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë. Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”
I përgjigjën: “Të këqijtë do t’i zhbijë keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”
Jezusi u tha: “A nuk e lexuat asnjë herë në Shkrimin shenjt: ‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit u bë guri i këndit; kjo është vepër e Zotit, se ç’mrekulli në sytë tanë!’
Prandaj po ju them: juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saja

Fjala e Zotit


Predikimi:



Besimtarë të dashur!
Vëllezër dhe motra, pasi çdo fjalë e Shkrimit të shenjtë është drejtuar jo vetëm popujve të vjetër, por edhe secili prej nesh, po ashtu është drejtuar neve edhe kjo fjalë që e dëgjuam sot.

Vetë Shkrimi shenjt thotë se vreshti i Zotit është mbarë populli izraelas. Në vend të lindë dhe të japë vreshtarit të vet fryt të mirë, rrush, ai ia ka prodhuar larushk, dhe për këtë arsye vreshtari do ta dënojë.

Jezu Krishti popullin izraelas e krahason jo vetëm me vresht, por edhe me punëtorët në të. Ata ishin punëtorë që nuk japin frytet pronarit të vreshtit. Ata kanë munduar dhe i kanë vrarë të dërguarit e Zotit, profetët e tij. E kanë vrarë edhe të Birin e tij, Jezu Krishtin. Për këtë arsye i zoti i vreshtit, Hyji i gjithëpushtetshëm do ta marrë prej tyre vreshtin e vet dhe do t’ua japë punëtorëve më të mirë. Dhe me të vërtetë, ashtu edhe u bë: para Krishtit populli i zgjedhur i Zotit ishte vetëm populli Izraelas, ndërsa pas Krishtit është një popull i ri, popull besnik, Kisha e Krishtit, e përbërë prej të gjithë popujve të botës.

Pra, tani ne – besimtarët e krishterë – e kemi marrë vendin e privilegjuar të popullit izraelas. Por mu për këtë arsye nuk guxojmë të biem në gjumë, pasi edhe neve mund të na gjejë ajo e zezë që e gjeti popullin Izraelas. Sikurse Zoti na besoi neve Ungjillin e vet dhe Mbretërinë e vet, ai po ashtu mund edhe ta marrë prej nesh. Më duket se duhet seriozisht të mendojmë për këtë fakt. Në qoftë se shumica e popullit tonë e ndërroi fenë, duke u bërë myslimanë – kjo do të thotë se Zoti tashmë na ka dënuar, e ka marrë mbretërinë e vet prej duarve tona, pasi nuk kemi dhënë fryte të cilat lyp ai dhe të cilat duhet t’ia lindim dhe t’ia japim Atij.

Ndoshta edhe ne i kemi vrarë profetët e Zotit. Ndoshta nuk e kemi dëgjuar mësimin e tyre, porosinë e Zotit, të cilën ata na e sillnin. Ndoshta për shkak të përtacisë ose për shkak të zakoneve të vjetra, që nuk janë prej Zotit, por janë shpikje e zemrës së prishur të njeriut, ne i kemi bërë në asgjë punët që Kisha e Krishtit lyp prej nesh dhe në këtë mënyrë praktikisht kemi dalë prej Kishe, kemi dalë prej vreshtit të Zotit, edhe pse ndoshta ende quhemi katolikë.

Sa vrasje ka në popullin tonë, sa hakmarrje, sa vjedhje, sa plaçkitje, sa padrejtësi, sa inate, sa punë të panevojshme ditën e diele dhe ditën festë, sa gënjeshtra, sa mosbesnikëri, sa mashtrime dëshmojnë se as ne nuk i japim Zotit frytet e vreshtit, frytet e fesë, të shpresës në Zotin, fryte të dashurisë, që na i ka dhënë Zoti si dhuratë të pamerituar, vetëm për të mirën tonë. Atëherë nuk është për t’u habitur nëse ai këtë fe të mirë dhe të shenjtë, fenë me të cilën krenohemi, e merr prej nesh dhe e jep një populli tjetër, që deri tani nuk ishte popull i zgjedhur, populli i tij.

Nuk themi se çdo gjë është e zezë. Tek ne ende ka mikpritje, ka besë, ka besim, ka burra dhe gra të ndershme, ka njerëz që janë të gatshëm edhe të vdesin për fenë e vet, ka njerëz, besimtarë të mirë, të cilët, sado që të ishin të varfër, as nuk do të punojnë ditën e diell dhe ditën festë, as nuk do të vjedhin gjëra të huaja, pa marrë para sysh se të kujt janë. Ka njerëz që jetojnë prej Ungjillit dhe për Ungjill, prej Krishtit, me Krishtin dhe për Krishtin, prej feje dhe për fe. Por ka edhe të tillë që janë shumë larg prej fesë, e nuk janë as të vetëdijshëm se sa larg janë, sikurse nuk dinin as krerët e popullit Izraelas, që mendonin se mbretëria e Zotit është në duar e tyre, nuk ishin të vetëdijshëm se mu ata janë më të largët prej asaj mbretërie dhe prej shëlbimit të vet.

T’i bëjmë pyetje çdo njëri prej nesh ndërgjegjes sonë, ta bëjmë seriozisht rrëmimin e shpirtit dhe ta shohim: mos jemi edhe ne ata punëtorë të këqij të vreshtit, që nuk i japin Zotit fryte të duhura.

Dhashtë Zoti që të jemi ndër ata që prodhojnë dhe i japin të madhit Zot fryte drejtësie, dashurie dhe shenjtërie!

Të mundohemi t’i përmirësojmë ato qëndrime dhe ato punë që deri tani nuk përputheshin me ligjin e Zotit dhe me mësimin e Krishtit – dhe të ecim gjithnjë e më mirë rrugës së shëlbimit. Amen.
 
E DIELA E XXVIII. GJATث VITIT - A (12. 10. 2008)

Leximi i parë (Is 25, 6-10)
Zoti do të bëj një gosti e do të fshijë lotin nga çdo fytyrë.


Lexim prej Librit të Isaisë profet


Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plotë me palcë, me verë të kulluar, të qartë si loti. Në këtë mal Ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt. Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë.
Dhe do të thuhet po atë ditë: “Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti, në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli, sepse dora e Zotit mbi këtë mal pushon!” E për tokë do të shkelmohet në vend të vet Moabi, siç shkelmohet kashta në gropë të plehut.

Fjala e Zotit.


Psalmi 23 (22)
Ref:
Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon


_____________________________
Nëpër fusha të gjelbra Ai më jep pushim,
më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
_____________________________
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes,
s’trembem nga e keqja
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba
për mua janë ngushëllim.
_____________________________
Ti ma shtron tryezën përpara
Ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen,
gotën ma mbush plot e përplot.
_____________________________
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit
derisa të jem gjallë.
_____________________________


Leximi i dytë (Fil 12-14, 19-20)
Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!



Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.


Vëllezër, di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka: të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak!
Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi! Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën time. Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli, nëpër Jezu Krishtin. Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

Fjala e Zotit


Lutja e besimtarëve



M. Ati i thërret të gjithë në festën e amshuar në mbretërinë e Tij. Nuk mjafton të jesh i thirrur, por duhet të sjellësh veshjen e duhur që shpreh ndryshimin e mënyrës së të jetuarit sipas mësimeve të Ungjillit. Të themi së bashku:

Na jep, o Atë, Shpirtin tënd të Shenjtë.​
----------
1) Për Kishën, që të ndihmojë njerëzit e kohës së sotme, sidomos të rinjtë që të bëhen të varfër për Krishtin, që të lirë nga tundimi i parasë të provojnë gëzimin e dashurisë që dhurohet. Të lutemi.

Na jep, o Atë, Shpirtin tënd të Shenjtë.​
----------
2) Për ata që punojnë në radio-televizione, që të dinë se “në qoftë se nuk ka vend për Krishtin nuk ka vend as për njeriun”. Të lutemi.

Na jep, o Atë, Shpirtin tënd të Shenjtë.​
----------
3) Për ne të krishterët, që gjatë këtij muaji kushtuar misioneve, të mos mungojë pjesmarrja jonë e vëmendshme dhe bujare, për një rritje njerëzore dhe të krishterë. Të lutemi.

Na jep, o Atë, Shpirtin tënd të Shenjtë.​
----------
4) Për ne të gjithë të bashkuar në emër të Krishtit, që nga Fjala dhe Eukaristia të marrim fuqinë për të qenë besnikë ndaj Zotit dhe të gatshëm për tu shërbyer vëllezërve. Të lutemi.

Na jep, o Atë, Shpirtin tënd të Shenjtë.​
----------
M. Atë i mirë, Ti që na fton të gjithëve për të marrë pjesë në gëzimin e dasmës së Birit tënd na bëj lajmëtarë të dashurisë sate, që të gjithë njerëzit kudo të shpërndarë nëpër botë të bashkohen sa më shumë në banketin Tënd. Amen.


Ungjilli (Mt 22, 1-14)​

Këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!


Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut


Në atë kohë, Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati; i preva demat e mi e bagëtitë e majme Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’
Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. Të tjerët, mandej, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre.
Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’
Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar.
Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: ‘Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”

Fjala e Zotit


Predikimi


Besimtarë të dashur!


Vëllezër dhe motra, të gjithë ne që besojmë në Krishtin, jemi si një familje e vetme e Zotit. Zoti, si Ati i mirë qiellor, i do të gjithë fëmijët e vet, e do krejt familjen e vet. Askënd nuk përjashton prej dashurisë së vet, prej zemrës së vet, prej mbretërisë së vet.

I do Zoti edhe krijesat e tjera, por më së shumti njeriun. Të gjithë njerëzit i do Zoti, por posaçërisht ata që besojnë në Birin e tij Jezu Krishtin.

Lavdinë qiellore, të cilën Zoti ia ka përgatitur Birit të vet, Jezu Krishti e krahason me një gosti të madhe, me dasmë të djalit të hasretit. Zoti ka vetëm një Bir me natyrë hyjnore. Të gjithë ne jemi krijuar prej Zotit në kohë, në një moment të historisë. E nuk jemi krijuar si hyjni, por si njerëz të dobët dhe të vdekshëm. Vetëm Jezu Krishti është lindur prej Atit para çdo kohe, para krijimit të botës. Vetëm ai është Hyj me natyrë – sikur Krijuesi ynë.
Prandaj, kur Biri i Zotit korri fitoren mbi vdekje, Zoti ia bëri një gosti të madhe – si një dasmë, dhe në atë gosti thirri para së gjithash fëmijët e vet, familjen e vet, ata që besojnë në Krishtin, që janë pagëzuar në emër të tij, që krenohen me emrin e tij.
Dhe çka ndodhi? Kemi dëgjuar: ata që ishin thirrur, nuk u përgjigjën. Secili kishte ndonjë interes tjetër, kishte tjetër punë, që i dukej më e madhe se të vijë në gostinë e Mbretit, të jetojë me Birin e tij dhe të gëzohet së bashku me të.
Atëherë Zoti i thërret të tjerët. I thërret të gjithë ata që janë të gatshëm të dëgjojnë thirrjen e tij dhe që interesat e veta t’ua nënshtrojnë interesave të tij. Ata u përgjigjen. Kështu ata që me thirrje ishin të fundit, me shpërblim u bënë të parët.
Zoti është Mbret i madh. Salla e tij nuk mbushet lehtë. Në të ka vend për të gjithë njerëzit. Sado që të vijnë, vend gjithmonë ka më tepër. Prandaj Zotit nuk i dhimbet as koha as mundi, por pa ndërprerë i dërgon shërbëtorët e vet për t’ia prurë edhe më tepër mysafirë dhe për t’ia mbushur sallën.
Shërbëtorët e tij veprojnë dhe kanë sukses. Shumëkush vjen në gostinë e Mbretit të madh dhe Mbreti është i kënaqur, por jo plotësisht. Sepse në gostinë e tij u gjetën do rrugaçë, të cilët nuk u veshën në petkun e dasmës, por hynë në dasmë në mënyrë skandaloze, pa u veshur si i ka hije vendit dhe rrethit. Të tillët Mbreti i hidhëruar i qet jashtë, në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.
Ne jemi fëmijët e Zotit, familja e tij. Mos jemi, vallë, edhe ne ndër ata që nuk e dëgjojnë zërin e tij dhe nuk duan të shoqërohen, të gëzohen dhe të festojnë me Birin e tij? Kush në këtë jetë s’ka kohë për Krishtin, për gostinë e tij, e cila është mesha e shenjtë dhe jeta sakramentale – nuk do të ketë kohë as Zoti për të në jetën tjetër.
Sepse Zoti na thërret sot, e jo nesër. Tash, e jo më vonë. Menjëherë, e jo pasi që t’i kryejmë disa punët tona, që s’kanë lidhje me lavdinë e Zotit.
E nëse nuk jemi ndër ata që Zotit i thonë: “Jo”, mos jemi ndër ata që në mënyrë të padenjë hyjnë në gostinë e tij? Mos jemi ndër ata që Korpin e Gjakun e Krishtit e marrin në shpirt të papastër, në shpirt të patenzonë, të padenjë që të jetë tempull dhe shenjtërore e Shëlbuesit tonë? Nëse jemi të tillë, do të na përjashtojë Mbreti i madh prej shoqërisë së Birit të vet.

Dy sende pra duhet t’i kemi para sysh sot:

1) të mundohemi që të jemi gjithmonë të gatshëm ta dëgjojmë zërin e Zotit, që na thërret nëpërmjet Shkrimit shenjt, nëpërmjet predikuesve të Ungjillit dhe shërbëtorëve të tjerë, si edhe nëpërmjet ndërgjegjes sonë;
2) nëse nuk e kemi tradhtuar Zotin dhe nëse shkojmë pas tij – të mundohemi të shkojmë gjithmonë në mënyrë të denjë: të pastër, të drejtë, të pervujtë dhe të shenjtë. Nëse shohim se nuk jemi të tillë, menjëherë të pendohemi, të rrëfehemi dhe ashtu të pajtohemi me Atin tonë qiellor, me Mbretin tonë, kështu që të mund të japim në mënyrë të denjë nder dhe lavdi Birit të tij, i cili në lavdinë e vet jeton dhe sundon në shekuj të shekujve. Amen.
 
E DIELA E XXIX. GJATث VITIT – “A” (19. 10. 2008)

E diela e Misioneve


Leximi i parë (Is 45, 1. 4-6)
Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt.



Lexim prej Librit të Isaisë profet


Kështu thotë Zoti për Kirin, të shuguruarin e vet: “Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt, për t’i vënë në ikje mbretërit, për t’i hapur para tij dyert; edhe dyert para tij s’do të mbyllen.
Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit e të Izraelit, të të zgjedhurit tim, të thirra ty me emrin tënd, të shënova megjithëse s’më njihje. Unë jam Zot e tjetër s’ka: përveç meje Hyj tjetër s’ka! Të ngjesha në armë, megjithëse s’më njihje, që të dihet prej lindjes në perëndim, se posë meje, askush tjetër s’është!”

Fjala e Zotit.



Psalmi 96 (95)

Ref:
Ty, o Zot, të qoftë nderi dhe lavdia!

_____________________________
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
_____________________________
Sepse i madh është Zoti,
tejet i denjë për t’u lavdëruar,
më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve,
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
_____________________________
Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij.
_____________________________
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
_____________________________



Leximi i dytë (1 Sel 1, 1-5)
Kemi para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme.


Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve


Pali, Silvani dhe Timoteu: Kishës së Selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot. Paçi hir dhe paqe! Gjithmonë i falënderohemi Hyjit për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë.
Sepse, o vëllezër të dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, mbasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju jo vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju.

Fjala e Zotit



Lutja e besimtarëve


M. Vëllezër e motra, sot së bashku me mbarë Kishën të shpërndarë nëpër botë, të cilën e përfaqësojnë misionarët, Ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, motrat dhe vullnetarët laikë, t'ia hapim zemrën tonë Ungjillit e t’i kërkojmë Atit forcën për të dëshmuar mbretërinë e Tij në vendet ku jetojmë. Të lutemi së bashku:
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!

----------

1) Për Papën, ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët që të nxisin vëllazërimin dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet popujve dhe Kishave të të gjithë botës. Të lutemi.
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!

----------

2) Për misionarët dhe misionaret, që janë nisur prej bashkësisë sonë, që të ndjejnë sa më afër bashkimin jetësor dhe mbështetjen në lodhjet apostolike. Të lutemi.
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!

----------

3) Për shoqërinë tonë, udhëheqësit e saj, që të nxisin të mirën e përbashkët duke i respektuar ligjet dhe të drejtat e të gjithë anëtarëve. Të lutemi.
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!

----------

4) Për të rinjtë e kohës sonë, që takimi me Krishtin e varfër e të përvuajtur t’i mahnitë dhe të nxisë në ta zgjedhje të forta e të vendosura për jetën e tyre. Të lutemi.
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!

----------

5) Për bashkësinë tonë, që t’u japë jetë përvojave të forta të bashkimit me Krishtin Mësues, që është zanafillë e kuptim i çdo angazhimi misionar. Të lutemi
Ardhtë Mbretëria jote, o Zot!

----------

M. O Atë, ti që kënaqesh me lutjen e atij që e pranon fjalën Tënde, eja në ndihmë dobësive tona dhe, ndërsa punojmë për një njerëzim më të drejtë, bëj që të bashkëpunojmë për ndërtimin e mbretërisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.




Ungjilli (Mt 22, 15-21)
Jepni Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.


Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut


Në atë kohë, farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë. Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk këqyr ç’pozitë kanë njerëzit! Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatim apo jo?”
Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha: “Shtiracakë, pse po më sprovoni? Ma tregoni monedhën e tatimit!”
Ata ia sollën një denar. “E kujt është – u tha – kjo fytyrë e ky mbishkrim?”
“E Cezarit!” – i përgjigjën ata.
Atëherë Jezusi u tha: “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.”

Fjala e Zotit



Predikimi



Vëllezër dhe motra, sot është Dita e misioneve. (Jo dita e “emisioneve” – si n ndonjëherë thonë fëmijët e vegjël, por: dita e “misioneve”! Emisioni është dërgim, apo transmetim i programit televiziv apo të radios. Misioni është dërgimi, apo veprimtaria e Kishës në botë jokatolike).

Në këtë javë edhe në mësim feje ne u kemi folur nxënësve për misionet, por nuk mjafton vetëm kaq. Duhet edhe një herë të shpjegojmë disa koncepte, nocione, shprehje, disa mendime themelore, për shembull: çka është Kisha, Kisha katolike, misioni, misionari etj.

Fjala “Kishë” është marrë nga fjala greke që do të thotë bashkësi, bashkësia e besimtarëve që besojnë në Jezu Krishtin. Ndërtesa kishë e ka emrin nga bashkësia e besimtarëve që quhet Kishë, e bashkohet dhe lutet në atë ndërtesë. Kisha e shenjtë e Krishtit nuk është kishë-ndërtesë, megjithëse edhe ajo është e shenjtë, por shumë më e shenjtë është Kisha-bashkësi – bashkësi e atyre që besojnë në një Hyj të vetëm në tri veta hyjnore: në Hyjin Atë, në Birin e tij, Jezu Krishtin, dhe në Shpirtin Shenjt Hyj.

اka do të thotë shprehja: “Kisha katolike”? Fjala “katolik” greqisht do të thotë: i gjithmbarshëm, i përgjithshëm, universal. Kisha katolike, pra, është Kisha e gjithmbarshme, universale; Kishë e cila e përfshin tërë botën dhe të gjithë besimtarët – dhe e cila i ka në disponim të gjitha mjetet e shëlbimit, me të cilat i shenjtëron besimtarët e vet. Edhe pse mbarë bota nuk është katolike, Kisha katolike është hapur për të gjithë njerëzit e botës, dhe e ka për detyrë që ta predikojë ungjillin të gjithëve.

Në botë i kemi katër raca të ndryshme njerëzore: raca e bardhë – që jemi ne, Evropianët; raca e zezë – që jeton kryesisht në Afrikë; raca e verdhë – që jeton kryesisht në Azi (kinezët, japonezët etj.); dhe raca e kuqe – të cilët janë Indianët e Amerikës. Në çdo racë të botës kemi shumë katolikë. Jo vetëm besimtarë të thjeshtë, por po ashtu edhe meshtarë dhe ipeshkvij.

Dihet dhe s’ka nevojë as të theksojmë se Kisha katolike është e hapur për çdo popull, çdo kombësi. Sikurse ka katolikë italianë, amerikanë, gjermanë, kroatë, shqiptarë, po ashtu ka edhe katolikë serbë, rusë, turq, japonezë, kinezë dhe përfaqësues të të gjitha kombësive tjera. Nuk ekziston më asnjë popull i zgjedhur, i privilegjuar. Tani janë të zgjedhur të gjithë ata që besojnë në Zotin, në Hyjin e vërtetë, i cili na është zbuluar nëpër Jezu Krishtin si Ati i të gjithëve. Jezu Krishti na shpëtoi të gjithë, e Kisha e tij është Kishë për të gjithë.

Kisha katolike është, pra, Kishë e gjithmbarshme, universale, edhe pse shumica e njerëzve ende nuk janë katolikë. Ja disa numra nga statistika botërore e Kishës! Në botë jetojnë më shumë se gjashtë miliard njerëz, por vetëm një e treta e botës beson në Krishtin, kurse katolikë janë vetëm 18 ose 19 % të njerëzimit! A thua kjo nuk na tregon shumë qartë se sa e madhe është detyra e Kishës që t’ua predikojë Ungjillin e Jezu Krishit atyre katër miliardë njerëzve që ende nuk e njohin Hyjin e vërtetë, as Birin e Tij, as një të vetmin Shëlbuesin e botës, Zotin tonë Jezu Krishtin?

Si e kryen Kisha detyrën e vet të shpalljes së Ungjillit?

Me këtë pyetje kimi ardhur te pyetja se çka janë misionet. Fjala latine “missio” dmth. dërgim.

Misionari është i dërguari i Kishës.

Sikurse Jezusi i dërgoi nxënësit e vet, apostujt, që ta predikojnë ungjillin – lajmin e gëzueshëm të shëlbimit, po ashtu edhe Kisha i dërgon misionarët e vet atyre që nuk besojnë në një të vetmin Hyjin e vërtetë, që ta predikojnë Ungjillin dhe ta përhapin fenë katolike, besimin në Zotin tonë Jezu Krishtin.

Misionarët janë apostujt e sotshëm, sepse fjala apostull në gjuhën greke dmth. i dërguari, njësoj sikur fjala misionar në gjuhën latine.

اka po bëjnë misionarët?

Para së gjithash misionarët e predikojnë ungjillin, lajmin e mirë të shëlbimit, atyre që kurrë nuk kanë dëgjuar as për Hyjin as për Jezu Krishtin. Ata i mësojnë, luten për ta, mundohen me ta dhe për ta...

Nuk ua mësojnë vetëm mësimin e fesë, por njëkohësisht i edukojnë, ua mësojnë shkrimin dhe leximin, ua sjellin kulturën dhe qytetërimin (civilizimin) e krishterë, evropian, duke respektuar, duke ruajtur dhe duke ungjillizuar edhe kulturën e tyre autoktone. Ata janë mësues të parë të shumë popujve të varfër të Afrikës, Azisë dhe të Amerikës Jugore. Ata sipas nevojës luajnë edhe rolin e mjekëve, elektricistëve, mekanikëve etj. Kujdesen njësoj për trup dhe për shpirt të atyre të cilëve i ka dërguar Zoti nëpërmjet Kishës së vet.

Edhe e lumja Nëna jonë Tereze, shqiptarja më e njohur në botë, ka qenë misionare. Ka punuar në Indi. Shëronte të gërbulurit, i ushqente të uriturit, ua shpëtonte jetën fëmijëve të braktisur, të cilët prindërit e tyre i kishin lënë në mëshirën e fatit. Ajo i merrte prej rruge, i ushqente dhe i edukonte. Sa qe e gjallë, ajo ua zëvendësonte edhe nënën edhe babën.

Puna e misionarëve, pra, është punë shumë e madhe, e lloj-llojshme dhe e vështirë. Prandaj duhet t’u ndihmojmë edhe ne. Para së gjithash me lutjet dhe sakrificat tona, por po ashtu edhe me ndihmën materiale. Sepse edhe në kohën tonë çdo vit vdesin rreth tridhjetë milionë fëmijë anembanë botës – vetëm për arsye të mungesës së ushqimit dhe të barërave! Sa ndihmë e madhe do të ishte sikur të kishim dhënë të gjithë ne që jemi tani këtu në kishë vetëm nga një euro si ndihmë për misione! E askush nuk do të bëhet i varfër për një euro, kurse duke e dhuruar, ne mund të bëjmë një vepër shumë të mirë dhe të çmueshme para Zotit. (Mirë është të dini se të gjitha dhuratat që do t’i jepni sot në kishë si lëmoshë, do të shkojnë pikërisht për misione.)

Le tu ndihmojmë vëllezërve dhe motrave tona që vuajnë. Le të ndihmojmë edhe misionarëve që predikojnë ungjillin, që të mund t’i drejtojnë të gjithë njerëzit kah Hyji i vërtetë. Sepse Zoti është një i vetmi Hyj. Ai nuk është vetëm Hyji ynë, por po ashtu edhe Hyji i atyre që nuk e njohin aspak (sikurse mund të kuptojmë edhe nga leximi i parë).

Krejt Kisha e Krishtit është Kishë misionare!

Jezu Krishti nuk ka dërguar vetëm apostujt për të shpallur Ungjillin, por të gjithë nxënësit e vet. اdo i krishterë duhet të jetë misionar i Krishtit në familjen e vet, ndër shokët e vet, në vendin e vet të punës, në fshatin e vet, në qytetin e vet – ndër ata njerëz me të cilët jeton. Vetëm një pjesë e vogël e misionarëve shkon në vende të largëta dhe në vise pagane për ta përhapur fenë në ato vende ku feja e krishterë ende nuk është e njohur, apo nuk është mjaft e fortë. Prandaj ne duhet jo vetëm t’u ndihmojmë misionarëve të tjerë, por edhe ne vetë duhet të jemi misionarë.

Ne, populli shqiptar, jemi në një situatë të tillë që mund ta shpallim Ungjillin çdo ditë – sepse jetojmë në rrethin e tillë, që nuk e njeh Jezu Krishtin si Zot. Atyre që janë larguar, mund t’ua shpallim fenë e vërtetë – fenë e të parëve tanë. Ata që dëshirojnë të kthehen në fenë e të parëve mund dhe duhet t’i pranojmë me përzemërsi, që të ndihen mirë në mesin tonë, si vëllezër dhe motra të dashura, dhe t’ua japim guximin që edhe ata të angazhohen në misionin e Kishës – para së gjithash duke i pranuar sakramentet e Kishës dhe duke e praktikuar personalisht fenë e krishterë, e pastaj edhe duke dëshmuar dhe predikuar edhe në rrethin e vet prej të cilit rrjedhin dhe ndër të afërmit e vet, të cilët ende nuk kanë guxim ta bëjnë hapin vendimtar: që ta pranojnë të vërtetën shpëtimsjellëse – se Jezu Krishti Zot është i vetmi shpëtimtar i tyre dhe i krejt botës dhe se askush tjetër nuk mund të na shpëtojë.

Shën Françesku i Asizit thotë se mund të dëshmojmë fenë tonë në dy mënyra: para së gjithash me jetën e mirë, me shembullin tonë – kudo që të gjendemi; e dyta mënyrë është predikimi – ku kemi mundësi për të predikuar dhe për të folur drejtpërdrejt për Krishtin.

Le të shfrytëzojmë çdo rast sado pak të volitshëm, që të marrim pjesë edhe ne vetë në këtë punë misionare të Kishës, e të ndihmojmë realizimin e Mbretërisë së Hyjit këtu mbi tokë. Kjo është vepër e pëlqyeshme për Zotin dhe shëlbimsjellëse për njeriun – si për atë kujt i predikohet Ungjilli, po ashtu edhe për atë person që e predikon…

Zoti jua shndrittë mendjen që ta kuptoni rëndësinë e kësaj pune dhe jua dhashtë urtinë dhe guximin që në vend të duhur të veproni në mënyrë të duhur – në nder e lavdi të Krishtit Zot. Amen.
 
E DIELA E XXX. GJATث VITIT - A (26. 10. 2008)



Leximi i parë (Dal 22, 21-27)
Nëse e dëmtoni vejushën e bonjakun, hidhërimi im do t ë ndizet flakë kundër jush.

Lexim prej Librit të Daljes


Kështu thotë Zoti: “Mos e keqtrajtoni vejushën as bonjakun. Nëse do t’i nëpërkëmbni, ata do të kërkojnë ndihmë prej meje e unë do ta dëgjoj ankimin e tyre. Atëherë hidhërimi im do të ndizet flakë e do t’ju prej me shpatë. Gratë do t’ju mbesin të veja e fëmijët bonjakë.
Nëse do t’i huajosh para ndokujt prej skamnorëve të popullit tim që është me ty, mos u sill me të si të ishe kamatari: mos i merrni kamatë.
Nëse për peng ia ke marrë të afërmit tënd gunën, ktheja para perëndimit të diellit. Sepse ajo është i vetmi petk me të cilin e mbështill trupin dhe s’ka tjetër në të cilin të bjerë të flejë. Nëse ankohet para meje, do ta dëgjoj, sepse kam dhembshuri.

Fjala e Zotit.


Psalmi 18 (17)
Ref:
Të dua, o Zot, fuqia ime.

_____________________________
O Zot, Qeta ime, fuqia ime, Shpëtimtari im!
Ti je Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!
_____________________________
Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm,
dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.
_____________________________
ثshtë Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim!
Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!
_____________________________


Leximi i dytë (1 Sel 1, 5-10)
Ju u kthyet kah Hyji prej idhujsh, që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë.​

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushëmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju. Edhe ju u bëtë ndjekësit tanë dhe të Zotit duke e pranuar Fjalën me gëzim që jep Shpirti Shenjt edhe pse në vështirësi të madhe, kështu që u bëtë shembull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akajës.
Sepse, prej jush, jo vetëm jehoi Fjala e Zotit nëpër Maqedoni e Akajë, por edhe feja juaj në Hyjin aq fort u përhap gjithkah, sa që ne s’kemi nevojë të flasim për këtë gjë. Sepse njerëzit vetë tregojnë për ne: ç’ pritje na bëtë, si u kthyet kah Hyj prej idhujsh, që t’i shërbeni Hyjit të gjallë e të vërtetë dhe që ta prisni nga qielli Birin e tij, të cilin e ngjalli nga të vdekurit, Jezusin, që na shpëton nga hidhërimi i ardhshëm.

Fjala e Zotit



Lutja e besimtarëve

M. Vëllezër e motra, çdo ditë jemi të thirrur të ushtrohemi krejtësisht në ligjin e dashurisë ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit. T’i kërkojmë ndihmë Shpirtit Shenjt, që është Shpirt i dashurisë, që të na edukojë e të na udhëheqë në rrugën e përshkuar nga Krishti. Të lutemi së bashku:

Na dëgjo o Zot.

----------

1) Për Papën tonë Benediktin, Ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët dhe të gjithë të krishterët që të dinë t’ua përhapin në plotësi të gjithë njerëzve dashurinë që e marrin prej Zotit. Të lutemi.

Na dëgjo o Zot.

----------

2) Për të gjithë ata të cilët punojnë në institucionet shoqërore, që të kenë parasysh që çdo krijesë është objekt i dashurisë së pambaruar të Zotit e për këtë të sforcohen për ta ruajtur dhe mbrojtur jetën qysh prej mishërimit. Të lutemi.

Na dëgjo o Zot.

----------

3) Për ata që jetojnë në varfëri dhe vuajtje, që të marrin prej neve të krishterëve jo vetëm ndihma materiale, por edhe shpirtërore dhe morale dhe të ndihen të pranuar e të dashur, sepse jemi bij të të njëjtit Atë. Të lutemi.

Na dëgjo o Zot.

----------

4) Për ne këtu të pranishëm, që nga dëgjimi i Ungjillit të sotëm, të mësojmë të zbulojmë fytyrën e Zotit në vëllezërit dhe motrat tona, por sidomos në ata që janë në vështirësi. Të lutemi.

Na dëgjo o Zot.

----------

M. O Zot, Ati i ynë, Ti që i ushqen besimtarët e tu me Korpin e Gjakun e Birit tënd, bukën e jetës dhe burimin e shëlbimit, na jep bukën tënde dhe fjalën tënde që në jetën e përditshme të mund të kryejmë vullnetin tënd dhe të lëvdojmë emrin tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.



Ungjilli (Mt 22, 34-40)
Duaje Zotin, Hyjin tënd dhe të afërmin tënd porsi vetveten!



Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut


Në atë kohë, farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan dhe njëri sish, mësues ligji, për ta vënë në provë, e pyeti: “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”
Jezusi u përgjigj: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Në këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”

Fjala e Zotit


Predikimi:



Besimtarë të dashur!

Leximi prej Shkrimit shenjt sot na tregon se dashuri të madhe e ka Zoti ndaj të gjithë njerëzve, sidomos ndaj të varfërve dhe ndaj atyre që janë pa fuqi dhe pa mbrojtje: ndaj të huajve, ardhacakëve, vejushave, dhe jetimëve, dmth. se Zoti më së shumti ka dashuri për ata ta cilëve askush nuk u tregon dashurinë, të cilët askush nuk i do.

Ne jemi të krijuar në përngjasim me Zotin. Prandaj edhe në jetë duhet të jemi të ngjashëm me Të. Më të ngjashëm do jemi nëse do ta kryejmë vullnetin e tij, nëse do t’i zbatojmë urdhërimet e tija. Krishti na mëson se më i madhi urdhër i Zotit është: Duaje Zotin, Hyjin tënd, përmbi të gjitha – me gjithë zemër, me gjithë, me gjithë fuqi dhe me gjithë shpirt; dhe njëkohësisht duaje edhe të afërmin tënd porsi vetveten. Zotin, pra, duhet ta duam më shumë se vetveten, e të afërmin, dmth. secilin njeri, së paku porsi vetveten.

Si zbatohet dashuria ndaj të afërmit, mund të shohim lehtë në jetën tonë të përditshme: çka bëjnë për ne prindërit tanë, fqinjët, shokët, miqtë, mësuesit, meshtarët, motrat e nderit etj., dhe çka bëjmë ne për ata. Mirëpo dashurinë e përsosur ndaj të afërmit, na tregon një tregim të bukur. Një shkrimtar i njohur shkruan kështu:

Dikur moti ka qenë në një qytet të madh një trupore e bukur bronzi, e veshur me petë të holla ari. Sytë i kishte dy gurë të çmueshëm safiri, e shqytin ia stoliste një rubin i bukur.

Ishte vjeshtë. Dallëndyshet shkonin në drejtim të jugut – në Egjipt. Një dallëndyshe u ul në krah të princit, dhe menjëherë ndjeu se mbi të ranë disa pika. Koha ishte e bukur. Nuk kishte as shi as re. Dallëndyshja ngriti kokën dhe vërejti se princi po qante. Lotët e tij binin në të.

– Pse po qan, burrë i fortë, e pyeti?

Princi iu përgjigj se në atë qytet sheh shumë nevoja dhe i vjen keq për vuajtje të popullit. E luste dallëndyshen të mbesë me të një natë, ta nxjerrë rubinin prej shqytit të tij dhe t’ia dërgojë një nëne me fëmijë të sëmurë, që nuk kishte të holla për mjekim. Dallëndyshja frikësohej se do të vonojë pas shoqeve të veta, por pranoi kërkesën e princit të bronztë dhe veproi ashtu siç i tha ai.

Pas asaj vepre të mirë dallëndyshja deshi të shkojë, por princi iu lut përsëri që t’ia nxjerrë syrin e safirit dhe ta çojë te një njeri i varfër, që nuk kishte veshmbathje të mira për t’u veshur ditën, as mbulesa për t’u mbuluar natën, dhe dridhej nga të ftohtit. Dallëndyshja u frikësua përsëri se do të ngrihet edhe ajo vetë nga të ftohtit, por i dhimbsej edhe syri i princit, por prapëseprapë ia plotësoi dëshirën dhe e shpëtoi njeriun e varfër.

Natën e tretë Princi kërkonte prej dallëndyshes t’ia nxjerrë edhe syrin tjetër që t’ia japë një ardhacaku nga një vend i largët, që nuk kishte para as për ushqim as për ta paguar banesën, por ajo nuk donte ta linte princin pa asnjë sy. Princi i tha:

– Ti mos u shqetëso për mua, sepse unë do të shoh me zemër.

Dallëndyshja pranoi kërkesën, por i tha:

– Tani sytë e mi do të shërbejnë ty.

Dhe dallëndyshja më nuk nxitonte për në Egjipt. اdo ditë u çonte nga një copë ar familjeve në nevojë, derisa princi nuk mbeti pa asnjë gjë të çmueshme në truporen e vet. Atëherë princi i tha:

– Tani mund të shkosh edhe ti në Egjipt.

Por për atë punë ishte tepër vonë dhe bënte shumë ftohët, kështu që dallëndyshja gati e ngrirë nga të ftohtit vetëm tha:

– Unë nuk shkoj askund prej teje, dhe e vdekur ra te këmbët e tija.

Qytetarët vërejtën se truporja e princit nuk ishte më e bukur dhe e çuan në fabrikë për ta shkrirë në bronz. I tërë trupi iu shkri, por vetëm zemra e princit nuk shkrihej. Zemrën ia hodhën në shportën e mbeturinave, ku gjendej edhe trupi i dallëndyshes së vdekur.

Atëherë Zoti prej qiellit e dërgoi engjëllin e vet në atë qytet që t’ia sjellë dy gjëra më të bukura që do t’i gjejë atje. Ai u kthye duke i mbajtur në duar dallëndyshen dhe zemrën e princit të bronztë. Dhe Zoti e lëvdoi:

– Mirë ke gjetur se çka ishte më e bukur në atë qytet!


Kështu mbaron tregimi.

Secili prej nesh mund të jetë ose princ ose dallëndyshe. Mirësinë e tyre nuk do ta shpërblejë bota. Ajo do t’i qesë në shportën e mbeturinave. Por dashurinë e tyre Zoti nuk do ta harrojë kurrë. Për dashurinë e tyre, për të cilën e kanë dhënë edhe jetën e vet, Zoti do t’u japë mbretërinë e vet, jetën e amshuar në gëzim dhe lumturi.

A do t’u përngjajmë ne princit dhe dallëndyshes?
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top