Kurorëzime për seks në burg

agonqe

Antarë i ri
Gazeta Zeri

Prishtinë. I veshur me pantallona ngjyrë portokalli, Arben S. (28) hiqte e rikthente syzet në sytë e tij, ndërsa kujton kohën e para dhjetë vjetëve kur ishte martuar.

Me gruan e tij Mirandën, ai ka jetuar nëntë vjet, por për shkak të rënies ndesh me ligjin, në muajt e fundit Arbeni gjendet prapa grilave të Burgut të Dubravës dhe i dënuar me tre vjet për plagosjen e një personi.

Me gjithë martesën nga e cila ka dy fëmijë, 8 dhe 1 vjeç, Arbeni nuk kishte qenë i kurorëzuar. Mungesa e një letre të tillë ka bërë që Arbeni deri më tani të mos i shfrytëzojë dhomat e veçanta të burgut, dhoma në të cilat mund të qëndrojë me gruan së paku 3 orë, në çdo tre muaj.

Duke parë se një letër kurorëzimi dhe të qenit familjar i sjell benificione shtesë, Arbeni është kurorëzuar gjatë javës që lamë pas.

“Gruaja ime ishte këtu. Motrën dhe dhëndrin i kisha dëshmitarë, ishte ofiqari në burg dhe u kurorëzova”, tregon Arbeni.

Mirëpo, ai nuk është kurorëzuar sikur të ishte në liri. Në këtë ceremoni shumë të rëndësishme përpos luleve për t’ia dhuruar gruas, ka munguar edhe cakërrimi i gotave me të.

“E tëra zgjati 15 minuta. Mora urimet qysh është më së miri”, tregon ai.

“Nuk e shfrytëzova dhomën atë ditë se askush nuk më tha. Më erdhi keq nga familjarët, por më erdhi keq me ju thanë edhe këtyre të burgut”, thotë Arbeni.

Gjashtë dhoma intime

Burgu i Dubravës ka gjithsej gjashtë dhoma të veçanta, ose siç njihen dhoma intime. Këto dhoma janë shfrytëzuar si të tilla që nga 2008-ta, në kohën kur Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë një udhëzim administrativ, me të cilin të burgosurve iu lejohen intimitet edhe brenda burgut. Kjo është bërë me qëllim që të burgosurve t’iu mundësohet që të krijojnë familje edhe gjatë vuajtjes së dënimit në burg.

Gjashtë dhomat e veçanta gjenden jashtë perimetrit të pavijoneve të burgut. Ato gjenden në ndërtesën ku zhvillohen edhe vizitat familjare. Në këtë ndërtesë zhvillohen edhe kurorëzimet.

“Aty ku vijnë me më pa, aty edhe u kurorëzova”, tregon Arbeni.

“Nënshkruam që të dytë aty, ndërsa pas dy javësh e pres letrën e kurorëzimit”, tregon ky i burgosur, të cilit i kanë mbetur edhe pak më shumë se dy vjet për të dalë në liri.

“Jam djalë hasreti dhe prindërit sytë në mua i kanë”, thotë ai, duke aluduar se dëshiron që ta ketë edhe një fëmijë gjatë qëndrimit në burg.

Të burgosurit inkurajohen nga stafi i burgut për të shfrytëzuar dhomat intime.

“ثshtë shumë mirë për këta të burgosurit që kanë dënime afatgjate t’iu jepet mundësia e kurorëzimit. Pse janë në burg, nuk do të thotë që duhet të mbesin pa familje e fëmijë”, thoshte njëri nga punonjësit e Burgut të Dubravës teksa shoqëronte ekipin e gazetës në burg.

Veç personave që kanë dënime afatgjate, në burg kurorëzohen edhe persona me dënime të vogla. Të martën e kësaj jave është kurorëzuar Naim B. nga Mitrovica. Ky i fundit ishte i dënuar me gjashtë muaj burg, nga të cilët pesë i ka mbajtur.

“S’e di pse qenka kurorëzuar ky kur edhe një muaj del nga burgu”, thotë njëri nga punonjësit e burgut.

“Një muaj, një muaj. Po dëshiron ta shfrytëzojë kohën. Koha është e çmueshme”, ia kthen tjetri.

Më shumë se 30 kurorëzime

Nga koha kur Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë udhëzimin administrativ, numri i kërkesave të burgosurve për kurorëzim është rritur, pikërisht për faktin se dëshirojnë që t’i shfrytëzojnë dhomat intime.

Drejtori i burgut të Dubravës, Haki Maxharraj bën me dije se të burgosurit bëjnë kërkesë dhe me ndihmesën e familjarëve të tyre e sigurojnë praninë e zyrtarit komunal për kurorëzim, varësisht nga cila komunë vjen qifti.

“Ne ua lejojmë kurorëzimet derisa kërkesa vjen nga të burgosurit”, thotë drejtori Maxharraj.

“Kurorëzimet bëhen me qëllim të shfrytëzimit të benificioneve duke përfshirë edhe shfrytëzimin e dhomave të veçanta”, thotë ai, teksa mundohet të numërojë personat që janë kurorëzuar brenda institucionit që ai drejton.

“Vetëm në këtë javë janë bërë tri kurorëzime, për datën 14 maj e kemi të caktuar kurorëzimin tjetër”, thotë drejtori.

Gjatë javës, përjashtuar Arben S., dy kurorëzimet tjera kishin qenë me dënim nën 1 vit, ndërsa personi që do të kurorëzohet javën tjetër është me dënim prej 30 vjetësh për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Dokumenti që nxirret nga kurorëzimi në burg, sipas tij, është valid sikurse dokumentet që merren nga kurorëzimi në zyra komunale.

“Edhe në burg sjellin ëmbëlsirë, sjellin lule, vijnë dëshmitarë, por edhe ndonjë familjar”, thotë Maxharraj. Por, ndryshe nga liria, prapa grilave lulet, ëmbëlsira, e madje unazat eventuale, sipas drejtorit, kalojnë nëpër procesin e kontrollimit detal.

“Qendrat korrektuese mundohen që të ofrojnë kushte sa më të mira për personat që janë në vuajte të dënimit”, thotë drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Resmi Hoxha.

Edhe zyrtarë komunalë tregojnë gatishmëri në rast të kërkesave për kurorëzime.

“Komuna e Prishtinës, përkatësisht zyrtarët komunalë marrin pjesë në ceremoni të ndryshme kurorëzimi varësisht nga kërkesa e qifteve. Këtu përfshihet edhe burgu”, thotë zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi.

Ai pranon se zyrtarët komunalë marrin pjesë në kurorëzime edhe në burgje, por nuk ka ndonjë të dhënë se sa qifte të komunës së Prishtinës janë kurorëzuar në burg në vitet e fundit.

E kurorëzuara

Saranda L. është nga komuna e Prishtinës. Me Florim T., tashmë bashkëshort i saj ajo ishte njohur nga shkolla e mesme. Ishte fejuar tri vite pas njohjes por një gjaknxehtësi e të fejuarit e kishte ndarë fizikisht këtë qift.

“Ai (Florimi) e ka vrarë një person. Nuk e di pse, por e di që është dënuar me 15 vjet burgim. Pata menduar të ndahem, por nuk ma mori mendja”, thotë ajo. Tashmë 26 vjeçarja, Saranda thotë se e ka vizituar shpeshherë të fejuarin e saj.

“Shkoja me familjarët e tij në burg. Më vinte marre të flisja lirisht me të”, tregon ajo.

Vitin e kaluar, ajo thotë se është kurorëzuar në burg dhe nga ajo kohë ndihet më e relaksuar ngase tre orë në dy apo tre muaj, i ndan me bashkëshortin e saj.

“Ai nuk bën probleme në burg dhe ia kanë mundësuar këtë të drejtë. Shkoj më shpesh dhe rri në dhomën intime edhe me familjarët e burrit, por kur shkoj në dhomën intime rri me atë ma shumë, nuk shkoj me ta se më vjen keq. Shkoj ose me ndonjë taksi, ose me autobus”, tregon Saranda.

Kurorëzimi për të nuk do të thotë që vetëm të ketë marrëdhënie intime me bashkëshortin e saj, por ajo dhe të burgosurit e kurorëzuar, e kanë bindjen që në cilësinë e bashkëshortëve dhe të kurorëzuarve, burgu ka mëshirë për ta.

Njëri nga të burgosurit që sapo janë kurorëzuar shprehet se “unë e mbaj familjen. Jam dënuar për vjedhje të pyllit dhe si familjar mendoj se do të më lirojnë më herët nëse jam i kurorëzuar”.

(Emrat e disa të burgosurve janë ndryshuar për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Emrat origjinalë janë të njohur për redaksinë)


Burimi: Zeri.info - Kurorëzime për seks në burg
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top