Kujtesa e fëmijëve, thesar i paçmuar

braziljania

Anëtar i Nderuar
Kujtesa ka të bëjë me depozitimin e informacionit që merret, ruajtjen dhe ripërdorimin e tij më vonë.

Procesi i kujtesës përkon me procesin e komunikimit, të të mësuarit dhe të ndërgjegjes.

Tek fëmijët kujtesa shpesh identifikohet me të mësuarit mirë të mësimeve, me të mbajturit mend përmendësh, por ata nuk e dinë se kujtesa ka të bëjë edhe me komunikimin e përditshëm, me zakonet dhe shprehitë, me njohjen e objekteve vetjake.

Në moshën parashkollore, mosha 3-6 vjeç, si dhe në moshën 6-11 vjeç është karakteristike kujtesa mekanike, që realizon futjen dhe riprodhimin e informacionit pa e përpunuar dhe pa e ndryshuar. Kjo lloj kujtese, siç dihet, ka shumë pak rendiment. Lloji i informacionit që riprodhohet më lehtë në këto mosha është informacioni që lidhet me kujtesën figurative ose shqisore.

Fëmija është shumë më tepër shqisor sesa verbal. Kur do të fiksosh diçka në mendjen e tij, është më mirë t’ia tregosh objektin sesa të përdorësh emrin e tij.

Në fillim të moshës 9-11 vjeç kujtesa konkrete fillon të alternohet me atë abstrakte. Kujtesa, sipas shqisave, në moshën e re shkollore paraqitet kryesisht në tre lloje: kujtesë pamore, dëgjimore e lëvizore.

Në moshën e fëmijërisë këto lloje kujtesash funksionojnë të përziera bashkë, si për shembull, përvetësimi i shkrimit dhe i këndimit bëhet nga fëmija duke alternuar të trija këto lloje kujtesash.

Pas moshës 9 vjeç kujtesa pamore e tejkalon kujtesën dëgjimore.

Kujtesa lëvizore gjithashtu është shumë efektive te fëmijët, sidomos kur shoqërohet me llojet e tjera të kujtesave. Të mësuarit e një vjershe përmendësh i shton të mbajturit mend pamor (të vendit ku ndodhen fjalët e vjershës, rreshtat).

Për kujtesën dëgjimore e pamore është bërë një vëzhgim me fëmijë të moshave të ndryshme. Atyre iu dha një material për ta përsëritur. Kur iu dha diçka për ta riprodhuar fëmijëve të moshës 6-8 vjeç, ata përsëritën 80% të materialit. Fëmijët e moshës 9-11 vjeç përsëritën 90% të materialit, kurse fëmijët e moshës 12 vjeç e përsëritën materialin 100%.

Duke pasur parasysh rolin e kujtesës mekanike në moshën e re shkollore, me interes shfaqet edhe roli i përsëritjeve gjatë procesit të të mësuarit. Kështu për shembull: mësimi i vjershës përmendësh, i alfabetit, i tabelës së shumëzimit është një mësim mekanik. Megjithatë, ajo që duhet pasur parasysh këtu është se përsëritja nuk duhet parë si një riprodhim mekanik i të njëjtit veprim.

Përsëritja që ka efekivitet duhet të ngrihet nga njëra përsëritje te tjetra, duke u bërë gjithnjë e më ekonomike, duke shmangur harxhimet e padobishme të gjesteve, të kohës. Maksimumi i asaj që arrihet me përsëritje të shumta është një regjistrim e ruajtje për një kohë të shkurtër të informacionit dhe një harresë e shpejtë. Ashtu si edhe për kujtesën afatgjatë, edhe për kujtesën afatshkurtër përforcuesja më e mirë është praktika, pra, vënia në zbatim të asaj që është mësuar. Përsëritjet në moshën e re shkollore janë shumë të rëndësishme. Sa më i madh të jetë numri i seancave, aq më i lartë do të jetë rendimenti i të mbajturit mend. Ndërkaq, për të shmangur harresën, intervalet e pushimit s’duhet të jenë të gjata. Duke krijuar intervale pushimi në mendje krijohet një ide e qartë dhe materiali nis të kuptohet, edhe pse të kuptuarit lidhet ngushtë me ruajtjen në kujtesë të një strukture të qartë të informacionit. ثshtë e domosdoshme të kombinohen lëndë të natyrave të ndryshme gjatë të mësuarit. Pas leximit të mësohet matematika, pas matematikës gjuha, etj. Aftësia e fëmijëve për të fiksuar fraza e fjali abstrakte ndryshon nga mosha në moshë.

Shkaqet e fiksimit dhe të ruajtjes keq të informacionit në kujtesën e fëmijëve duhen kërkuar në mësimin e ndërprerë, pasi mësimet nuk mësohen deri në fund me po atë interes. Vëmendja ka pasur ulje e ngritje, njohuritë kanë pasur boshllëqe, sepse fëmija nuk i ka vënë detyrë vetes t’i mposhtë vështirësitë deri në fund dhe është kënaqur me një sukses të pjesshëm.

Këtu del si detyrë që fëmija të kontrollohet gjatë studimit ose në përfundim të tij. Mësimi më tepër regjistrohet pjesërisht, përvetësohet pjesërisht dhe ruhet në mënyrë të shpërndarë në kujtesë, si rrjedhojë ai nuk mbahet mend.

Faza e riprodhimit është e lidhur ngushtë me një nënfazë të saj, me njohjen. Kjo fazë përqendrohet në aftësinë për të njohur, për të mbajtur mend dhe për të rikujtuar një informacion. ثshtë e kuptueshme se njohja realizohet më shpejt se riprodhimi, sepse njohja realizohet me anë të perceptimit. Pra, për fëmijët është më e thjeshtë të njohin sesa të riprodhojnë. Të mbajturit mend të fëmijës mund të kontrollohet edhe me anë të recitimit.

Nga eksperimentet e ndryshme është parë se fëmijët e moshës 6-8 vjeç mund të riprodhojnë në çast figura gjeometike e fjalë në masën 80%, kurse fëmijët e moshës 9-10 vjeç arritën të riprodhojnë në masën 90%.

Në moshën 6-8 vjeç ka një prirje të theksuar për të fantazuar. Fëmijët kanë dëshirë për të sajuar gjithçka. Kjo imagjinatë pengon riprodhimin me vërtetësi të informacionit, por sidoqoftë një fëmijë me imagjinatë të tillë nuk ka kujtesë të dobët. Ata regjistrojnë shpejt dhe fakti që i shtojnë diçka informacionit do të rregullohet me kalimin e kohës. Fëmijët, shpesh, pa marrë një informacion të saktë kalojnë në një informacion tjetër dhe kështu informacionet e marra jo siç duhet e humbin sensin e drejtimit kyesor. Një nga elementët që e dëmtojnë kujtesën është çrregullsia, mungesa e aftësisë dhe e dëshirës për të renditur njohuritë e marra. Ky tipar vihet re te fëmijët e shkollave fillore. Fëmijët me një karakteristikë të tillë mbajnë mend pak dhe në mënyrë të çrregullt. Me këta fëmijë duhet punuar më parë për ndryshimin e veçorive të tjera në lidhje me karakterin e tij.

Të tjerët janë mësuar të punojnë sipas skemave që i kanë huazuar nga të rriturit. Faza e ruajtjes së kujtesës së tyre funksionon relativisht mirë, informacioni ruhet mirë. Ruhet më mirë ai informacion që përsëritet me të njëjtat gjeste, fjalë. Por kur atyre u jepet një informacion i ri për ta riprodhuar, truri i tyre bëhet i paaftë për riprodhim.

Pjesa më e mirë e fëmijëve të kësaj moshe janë të rregullt e sistematik dhe për më tepër kujtesa e tyre funksionon shumë mirë dhe ruan çdo gjë. Ata pranojnë çdo vërejtje të të rriturve gjatë kryerjes së detyrave të shtëpisë, janë të vëmendshëm, s’humbasin asgjë nga ajo që u thuhet. Tipa të tillë hasen më shumë në moshën 9-11 vjeç, që u takon klasave të tretë dhe të katërt të shkollës tetëvjeçare. Këta tipa fëmijësh shpesh ngatërrohen me tipin e fëmijës tepër të butë, që në të vërtetë haset shumë rrallë.

Te fëmijët e parë është e vështirë për mësuesin a edukatorin të kuptojë arsyetimin, të menduarin, kujtesën e tij. Ai të krijon idenë se regjistron çdo gjë që thuhet e dëgjohet, por nuk është ashtu. Pranimi i çdo gjëje është tregues i mungesës së vëmendjes dhe i mungesës së regjistrimit të informacionit, ose i një kujtese që regjistron në mënyrë mekanike dhe aspak me logjikë. Ai ka mungesë interesash dhe pasioni, prandaj ai meriton vëmendje të përhershme. Paqëndrueshmëria e vëmendjes, dobësia e saj janë gjithashtu një faktor tepër negativ për kujtesën e fëmijës.

Nga mosha 9-10 vjeç fëmijët fillojnë të shfaqin interesa për fusha të caktuara të dijes. Kjo vërehet edhe në rastet e përvetësimit më mirë ose më me kënaqësi të lëndëve të ndryshme. Interesat e veçanta i japin përparësi edhe llojeve të veçanta të kujtesës.

Një tjetër karakteristikë e moshës 6-7 vjeç është edhe ngatërrimi i kohëve të veprimeve, të së tashmes me të shkuarën dhe me të ardhmen.

Ky ngatërrim i ngjarjeve dhe i kohës ka të bëjë me faktin se kujtesa është e dobët dhe nuk mund të ndërtojë lidhje shkakore dhe kohore që i nevojitet kujtesës logjike. Por kjo gjendje ka edhe një shpjegim tjetër, që fëmija është i paqëndrueshëm nga ana emocionale, si rrjedhim ngjarjet duke mos u përjetuar thellë harrohen lehtë. Edhe diçka që krijon emocione të larta te fëmija le mbresa vetëm për një kohë të shkurtër. Fëmijët e vegjël gërshetojnë përjetimin e së tashmes me gëzimet dhe hidhërimet. Ai e ka të vështirë të kujtojë të kaluarën apo të mendojë për të ardhmen.

Me interes do të ishte të dihet se në ç’moshë fillojnë të regjistrohen te fëmija kujtimet që mbahen mend edhe kur rritet. Mendohet se këto kujtime i përkasin moshës 3-5 vjeç. ثshtë një moshë që ruan gjithçka. Por në moshën 5-7 vjeç një pjesë e mirë e këtyre kujtimeve zhduken, duke ngelur vetëm një pjesë e kujtimeve që ruhen deri në moshë të thyer. Ka një grup njerëzish që pohojnë se kanë kujtime që nga mosha 2 vjeç, kurse për grupin tjetër kujtimet filllojnë në moshën 7-8 vjeç. Ai grup që kujton mirë periudhën e fëmijërisë së hershme ka filluar të flasë tepër shpejt, kurse grupi tjetër, ose ka folur vonë, ose ka pasur shumë vështirësi në shqiptimin e fjalëve. Pra, mund të themi se gjuha është baza e zhvillimeve psikike të inteligjencës njerëzore.

Aftësia e fëmijëve për të emërtuar objektet që i rrethojnë apo emocionet që ata provojnë tregon se kujtesa e tyre funksionon mirë. Ka fëmijë që flasin në mënyrë korrekte. Te këta fëmijë mendohet se lidhja midis emocioneve dhe fjalëve që përcaktojnë ato të jetë e fortë. Ky do të ishte edhe shpjegimi i kujtesës së fortë te disa njerëz. Fëmijët, që në moshën 2-3 vjeç, me zhvillim të parakohshëm, që flasin si të rritur, e kujtojnë mjaft mirë këtë moshë. Prandaj, është mirë që fëmijët të nxiten të thonë gjithçka me fjalë. Ai edhe mund të gabojë, por duhet të korrigjohet. Kështu kujtesës i bëhet shërbimi i duhur, duke u zhvilluar edhe lloji i saj verbal.

Nga eksperimentet e bëra me nxënësit e tetëvjeçares u pa se, kur nuk ndihmohen nga fakte për të aktivizuar receptorët, ata kujtonin me vështirësi. Më së shumti ata kujtonin moshën 3-4 vjeç dhe më rrallë moshën 2-3 vjeç. Nga ritregimet e tyre gjejmë zmadhime e zbukurime, por edhe zbehjen e detajeve. Shpesh, ngarjet lidheshin me sëmundje, vdekje të njerëzve të afërm apo me diçka të bërë për herë të parë dhe që ka lënë mbresa për fëmijën.

Pra, këto kujtime kanë vlerën e tyre, pasi me to bëhet lidhja me të tashmen dhe me të ardhmen, dhe janë tregues i karakterit të fëmijës, të një periudhe pa paragjykime, pra, të një kujtese origjinale.

Për të mbyllur këtë punim me pretendime shkencore nxjerr si konkluzion se, përveç punës me të rriturit, për t’i shëruar ata nga sëmundjet psikike si: skleroza apo muret e kujtesës, duhet punuar me fëmijët, që ata të kenë një kujtesë të mirë.


Entela Hidri
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top