Kritikë e marrëzishme letrare

2012-04-25-HowToFeelSuperior.jpg

Kritikë e marrëzishme letrare

Edhepse zëri im s’është melodik si lahuta e Fishtës, dhe unë nuk e trazoj malësinë e madhe, fuqia e argumenteve të cilat i sjell i mposhtin edhe paradigmat të cilat imponohen si portrete hijerëndë gjergjiane. Gjergji i parë gaboi, po jo më pak se ky tjetri, i cili nëpërmjet tingujve dehëse të ndërthurura brenda disa vargjeve epike tenton me dështim t’i jap një drejtim tjetër të vërtetave historike. Në anën tjetër, atdhedashuria e çiltër, projektohet bujshëm nga Frashëri – vend i zhvillimit bujqësor dhe i majmërisë së bagëtive. Ky po, që thërret në zhvillim, në ecje përpara, në njohje të vlerave dhe në shërbim të kombit. Por, edhe këtij i vëmë damkë, se shkruante nga tokat e thata prej gjakut “okupator”; shkruante me pendën e sulltanit duke shijuar rehatinë larg vatanit.
Epopeja e Naimit sikur s’e mbush mjaftueshëm ngjyrshmërinë e fantazisë që ne kemi krijuar për veten. Sikur, as ai s’mjafton, dhe as kumbimi i vargjeve të tij, të cilat pikturojnë panoramën e traditave dhe kulturës sonë. Se ne, ne duam të gërmojmë thellë. Duam të shkojmë atje ku shkoi Laso Gusha, madje edhe përtej. Ne s’na mjafton as Poradeci, e as thellësia e filozofisë së gjenialitetit të Këngëve të Tjera. Jo, për ne këto janë ninulla; ne jemi më të arrirë se kaq. Ne jemi më të lexuar, vetën nuk e gjejmë as në poezi dashurie, e as në ato patriotike, as në ato që i kushtohen natyrës. Madje, jo as atëherë kur këto paraqiten në formë të një drame.
Ne nuk na magjeps as Dritoja, i cili i dha dritë Doruntinës. Se ne vetë, jemi më të pashëm, më të shkathtë dhe më studioz. Ne s’duam përralla alla agolliane e as vargje për Lulet e fushës së Burkut. Jo, se Dritoja nuk na nxjerr ne në dritë. As pastërtia e gjuhës së tij, s’është mjaftueshëm e pastër në raport me shpirtin tonë puritan. Ngaqë, ne jemi më të lirë se Vargjet e Lira të Nikollit. Ne s’duam të influencohemi nga një Millosh, edhe nëse ai shkruan bukur. Ne s’duam të dëgjojmë as Lahutën e këtij Gjergji tjetër, i cili s’është gjë tjetër veçse një i sëmur, i pajetë, i marrë pas një Curri.
Ç’i duhet miletit të lexojë boshllëqe të pakuptimta të dikujt i cili s’përmendet në emër të tij, por i duhet një nofkë si Migjeni për ta njohur. Ne, na duhen vepra, ama të jenë vepra, jo si ajo Vepra e atij Fanit. Pse ç’solli Vepra, veç dokrrave historike? Pse të vepron të mësuaka kjo Vepra e këtij Noli. Pse, ti paskëshe nevojë të mësoje të ecësh mbi të vdekurit? Apo të interesuaka për gjethesh pranvere, për moçale të pista apo se ç’bëjnë fëmijët kur janë vetëm? Po, jo ore jo, ne s’na duhen gjepura koti, se ne vetë bëjmë dhe vepra.
Mos vallë mendon se kemi interesim për fletore me ngjyra; fletore të verdh?! Po ç’është me fiksimin e Ismailit për kronikat. Këto i lexojmë në shtypin tonë të përditshëm. Ç’i duhej atij të bënte kronika guri, e të bëhet sikur po zhytet thellë në historinë tonë. Pse ne s’dimë çfarë ndodhi, ç’lavdi kishim e sa të arrirë ishim, në kohën e asaj që ai e quan diktaturë. A një shqiptar frankofon e ditka se cila kësulë i rri më mirë popullit e vatanit tonë?! Jo, mor jo! Tregoni Kadaresë se ne veçse kemi dal nga kështjella, na kaloi edhe dimri i vetmisë së madhe, tani bëjmë dhe dasma, ku na shërbejnë nëpunësit e pallatit të ëndrrave.
S’kemi ne asnjë nevojë për ushtri të gjallë a të vdekur, e as për një gjeneral që ta udhëheq atë. Ne jemi të ndriçuar, edhe xhepat i kemi plotë dritë. Ne s’na duhen vargjet e Xhepit, e as Ndriçimi me dramat e tij. Ne s’duam të gjuajmë kot me shkronja për t’i kënduar dashurisë, e as që duam të lidhemi me ato që ndjejmë thellë brenda nesh. Ndjenjat e thella, janë të thella për një arsye, që të humbin në terrin e thellësisë së tyre. S’ka pse hedh dritë mbi to Ndriçimi; e as s’ka pse të fus dorën e tij në xhepin e shpirtit Xhepi. Xhepat tona janë aq të thella sa e fusim dhe Bashën bashkë me të gjitha përrallat e tij.
Prit, që kur, u vlerësuaka edhe përkthimi i dikujt si Eqremi, vlerë? Ose, që kur, përkthimi qenka pjesë e letërsisë, e përkthyesi të numërohet mes letrarëve si unë. Fajet i ka koha, edhe njerëzit s’janë pa faj. Të gjithë janë të fajshëm që s’vlerësojnë vepra të vërteta, madje i quajnë llomotitje, ata pak njerëz, që lexojnë shkrime të mia. Në djall me ta, dhe me të gjithë të tjerët, unë e di sa i aftë e i arrirë jam, e këta le të merren me këta humbës historik. Është humbje e tyre, jo e imja.

A2.
 
Kur mos dija ben kompozimet e dijes,finalja e shfaqjes edhe dramaticiteti.
Dicka mjafte e perseritur dhe rutine ne shoqerine tone!
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top