KRITIKA

Agim Baçi

Ne trashëguam në fillim të viteve ’90 një shkollë marksiste të këndvështrimit të arteve, ku teksti gjykohej në lidhje më shumë me rrethanat sesa me vlerat e përhershme njerëzore. Formalistët rusë nga njëra anë apo ajo që njihet si “Shkolla e Frankfurtit” nga ana tjetër, kanë edukuar teoricienët e asaj kohe, duke e parë artin dhe kritikën ndaj tij si një debat të jashtëm, vetëm shoqëror, dhe jo për të parë nga vetja, nga individualiteti i çdokujt që “e konsumon” artin, si një qenie e veçantë në botë. Ky këndvështrim vijoi edhe pas vitit 1990 pasi ata emra kishin ende kanalet e komunikimit mediatik dhe të shpjegimit të letërsisë në universitete. Mirëpo, të tilla këndvështrime, pa shpjegime që ta lidhnin letërsinë si me të përhershmen e bëjnë kuptueshmërinë ndaj arteve të përkohshëm, e për pasojë jo shumë të dobishëm, pasi përkohshmëria nuk ka një truall ku mund të mbështetesh për ide të qarta. Ndaj, mund të themi se, kritika ende nuk ka fituar autoritetin për të qenë orientuese serioze e lexuesit. Por nuk jam aq edhe me ata që thonë se nuk ka kritikë, pasi kur shprehen në këtë mënyrë duket sikur kanë në mendje atë lloj angazhimi shtetëror për të debatuar mbi librat.
Gjithsesi, për ne është e rëndësishme që letërsia të ecë me ritmin e duhur, pasi kritika është pasojë, ndërkohë që shkak mbetet gjithmonë letërsia. Dhe për të parë në sy jo vetëm letërsinë, por edhe shkollat e ndryshme të kritikës, duhet të njihemi me disa nga teoricienët që kanë lënë gjurmë në leximet e letërsisë, sidomos në kohët e sotme moderne.
P.sh: ka libra teorikë si “Hyrje në teorinë e letërsisë: Çfarë është letërsia” i Terry Eagleton, apo libra të autorëve Thomas A. Schmitz (“Teoria modern letrare dhe tekstet antike”), apo libri i tri bashkautorëve, Selman Selden, Peter Widdowson, Peter Brooker (“Një udhëzues për lexuesin në teorinë letrare bashkëkohore”) apo edhe “Enciklopedia e teorisë bashkëkohore letrare” e autores Irena R. Makary që shtrojnë shumë nga rrugët e komunikimit letrar. Me mjaft interes janë edhe libri i Todorovit “Letërsia dhe teoricienët e saj”, dhe i autorit Antoine Compagnon “Letërsia, teoria dhe kuptimi i përbashkët”. Këtyre emrave mund t’u shtohen edhe shumë teoricienë të tjerë që e shohin një vepër letrare nga ana shkencore dhe filozofike, por edhe politike.
Ndërkohë, ka edhe ndërmjetës më të lehtë të leximeve, si Harold Bloom “Si dhe përse lexojmë”, apo shkrimtarët Milan Kundera me “Teoria e romanit” dhe “Testamente të tradhtuara” dhe Italo Calvino me “Leksionet amerikane” apo “Përse duhet të lexohen klasikët”. Këto ndërmjetësi, të cilët këshillojnë të shohim në një roman edhe zërin e lojës, zërin e ëndrrës, zërin e mendimit dhe zërin e kohës. Por këto lexime kanë nevojë që kritiku më së pari t’i ketë lëvruar këto “zëra” në leximet e tij dhe të gjejë një shteg për t’i praktikuar në tekstocentrikën e tij – pra në përqendrimin e tekstit letrar.
Ndaj, kur unë personalisht shkruaj për një libër, roman apo poezi, përpiqem që ta lidh me atë që besoj se vjen nga e përhershmja dhe që nuk shpërfill të përtejshmen. Unë nuk pretendoj të them gjëra përfundimtare kur shkruaj, e as nuk synoj të hedh mendimet e të tjerëve poshtë. Shumësia e leximeve është edhe mrekullia e letërsisë, ndaj dhe kur dua që të kem këndvështrime teorike mbi një vepër, mundohem të jem “me një këmbë” në kënaqësinë e lexuesit që transmeton ndjesitë e tij tek të tjerët. Ndaj nuk i kam synim shpjegimet thjesht shkencore. As lexuesit vetë nuk besoj se kanë nevojë për shumë shpjegime shkencore kur dëshirojnë të gjejnë arsyet e leximit të një vepre letrare. Për pasojë, unë mendoj se kritiku duhet të gjejë arsyet e leximit apo mosleximit të një vepre dhe të jetë sa më i qartë në këtë ftesë që u bën lexuesve. (fjala)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Bëju.

    Votat: 11 40.7%
  • 2-Ankth mesnate.

    Votat: 3 11.1%
  • 3-Të dua ty.

    Votat: 8 29.6%
  • 4-Nje kujtim.

    Votat: 5 18.5%
Back
Top