Kosova nuk është vetëm

Ado

FISEBILIL-LAH
Bamir Topi

E nderuar Zonja Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë,
I nderuar Zoti Kryeministër,
Të nderuar Ministra e deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Shkëlqesi Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik,
Të nderuar miq të diasporës shqiptare.
Përfaqësues të medias, miq e të ftuar!
Jemi mbledhur sot, ashtu si çdo vit, për të kujtuar dhe festuar së bashku ditën më të madhe në historinë e popullit shqiptar, ditë e fitores së pavarësisë se tij politike dhe formimin të shtetit të parë shqiptar sipas parimeve dhe normave ndërkombëtare.

28 nëntori i vitit 1912 është kurorëzimi i historisë së gjatë të popullit shqiptar për liri dhe drejtësi, është kontribut i përpjekjeve titanike të rilindasve shqiptarë për të ruajtur identitetin e gjuhën dhe për të nxënë dashurinë për flamurin kombëtar, këtë simbol të lartë të bashkimit.

Akti i Pavarësisë mblodhi në Vlorë, në krah të Ismail Qemalit, patriotët shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare për të provuar se së bashku, ata mund të formonin shtetin shqiptar dhe ta mbronin atë në ato kohë të vështira për kombin shqiptar.

Sot, ne jemi këtu, të gjithë bashkë për të vlerësuar dhe nderuar veprën e tyre madhore e natyrisht që të konfirmojmë detyrimin e misionin tonë historik për të vazhduar dhe lartësuar atë.

Ne kemi të drejtë të krenohemi sot në këtë 96-vjetor të shpalljes së Pavarësisë.

Ne festojmë së bashku 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit, ditën e pavarësisë së shqipes, këtij akt-preludi të pavarësisë sonë politike e shpirtërore.

Ne kemi të drejtë të jemi lumtur sot, sepse me 17 shkurt të këtij viti padrejtësia e gjatë historike u dorëzua përballë parimeve bashkëkohore universale të popujve për liri, drejtësi dhe pavarësi. Kosova fitoi pavarësinë e saj pas një kalvari të gjatë dhimbjesh e mundimesh e po përpiqet ta mbrojë atë ashtu siç u përpoqën të mbronin pavarësinë e vitit 1912 anëtarët e parë të Qeverisë së Vlorës.

Por kohët kanë ndryshuar shumë dhe Kosova nuk është vetëm. Ne jemi të palëkundur në mbështetjen për pavarësinë e sovranitetin e saj dhe jemi të vendosur në përpjekjet tona për njohjen ndërkombëtare të saj. Kosova ka aleatë të rëndësishëm, të cilët ashtu siç e përkrahën pavarësinë e saj dhe e njohën atë, ashtu edhe nuk do të lejojnë që sovraniteti i saj të cenohet.

Qëllimi i Shqipërisë për t'u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian është detyrues dhe përkushtues. E gjithë klasa politike, mbarë opinioni dhe shoqëria shqiptare e mbështesin këtë proces cilësor të Shqipërisë në marrëdhëniet me botën e qytetëruar. Arritja e këtij qëllimi kalon nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe forcimit të konceptit demokratik të respektit institucional në marrëdhëniet midis institucioneve të shtetit, parim bazë i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Ajo konsolidon pavarësinë e ndërsjelltë institucionale si shprehje e rëndësishme e qëndrueshmërisë së vlerave demokratike dhe e funksionimit të shtetit ligjor në shoqërinë shqiptare.

Qëndrimi i përbashkët dhe i unifikuar politik ndaj çështjeve madhore të kombit tonë është shembulli më i mirë për t’u ndjekur edhe në përmbushjen e detyrimeve të tjera që vendi ka në të ardhmen, në shërbim të shtetasve tanë. Ata dhe vetëm ata janë gjyqtarët kryesorë të suksesit të reformave. Reformat integruese të Shqipërisë kërkojnë jo vetëm vullnet politik, por gjithëpërfshirje dhe transparencë.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Shqipëria ndodhet përballë sfidave shumë të rëndësishme: Zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe anëtarësimi i plotë në NATO. Suksesi i tyre lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e vendit tonë dhe me interesat e tij kombëtare afatgjatë.

Zgjedhjet politike të vitit 2009 janë prova më e madhe e demokracisë, e pluralizmit politik dhe e integrimit të Shqipërisë. Demokracia e vërtetë shprehet në pasqyrimin real të votës dhe të vullnetit të lirë të zgjedhësve. Përgatitja e infrastrukturës bashkëkohore zgjedhore në kohë, me cilësinë dhe transparencën e duhur është një nga hallkat kryesore të zinxhirit të procesit zgjedhor. Duke nxjerrë mësime nga përvoja e hidhur e deritanishme e kontestimit të rezultatit zgjedhor dhe deformimeve të mundshme në situata të tilla, fryma e respektimit të Kodit Zgjedhor duhet të jetë politikisht konsesuale dhe gjithëpërfshirëse. Etika politike dhe transparenca elektorale, të detyrueshme për t’u respektuar, sidomos gjatë fushatës zgjedhore, do të jepnin garanci të qëndrueshme për zgjedhje të standardeve demokratike dhe nxitje për pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve në votime.

Unë sot kam me shumë besim se një vit më parë në suksesin e ndryshimeve pozitive në Shqipëri e dëshiroj të konfirmoj vullnetin tim të palëkundur në mbështetje të reformave demokratizuese dhe të pluralizmit politik në vendin tonë si e vetmja rrugë për t’u shkëputur nga tranzicioni i gjatë dhe i vështirë, për të ndërtuar të ardhmen tonë euroatlantike.

Në këtë ditë të madhe të historisë sonë dëshiroj të përshëndes sot, të gjithë shqiptarët, kudo ku ata ndodhen e t'u uroj atyre Gëzuar Festën e madhe të Pavarësisë e të Flamurit!

Urime për Festën!
Rroftë populli shqiptar!

(Fjala e presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi me rastin e 96-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë)
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 1 10.0%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 20.0%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 10.0%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 3 30.0%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 1 10.0%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 0 0.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 2 20.0%
Back
Top